Sonntag, 17. Juni 2007

Intervist e Gfurr Adilit Zedhense i FBKSH dhen gazetes Lajm

INTERVISTË ME GAFURR ADILIN, ZËDHËNËS POLITIK I FBKSH-SË DHËNË GAZETËS "LAJM" Jun 11, '07 8:37 AM
for everyone

INTERVISTË ME GAFURR ADILIN, ZËDHËNËS POLITIK I FBKSH-SË DHËNË GAZETËS "LAJM" MË DATËN 4.06.2007

Politikanët e Kosovës pranojnë koncesione territoriale

Gafurr Adili, zëdhënës i organizatës që pretendon të ketë shtrirje gjithandej trojeve etnike shqiptare, Fronti për Bashkimin Kombëtar Shqiptar (FBKSH), është njëri nga zërat e paktë që kanë kundërshtuar procesin politik të pasluftës në Kosovë, sidomos negociatatme Serbinë. Sipas tij zhvillimet e fundit rreth statusit të Kosovës nuk janë tjetër pos "një farsë e inskenuar e liderëve të Kosovës". Lideri i FBKSH-së e parasheh se nga zhgënjimi mund të ketë revolta popullore, por sipas tij "FBKSH-ja do të jetë në Kosovë për të menaxhuar këto revolta"

ARBEN VESELAJ

Lajm: Procesit politik të përcaktimit të statusit të Kosovës po i vjen fundi. Pritet që të nxirret vendim i Këshillit të Sigurimit për një Rezolute të re për Kosovën. Liderët institucionalë dhe ata të opozitës tashmë kanë ndarë mendjen se gjithçka është punë e kryer... Si i komentoni ju këto zhvillime?

Adili: Ata po e mashtrojnë popullin. Statusi i Kosovës në 2007-tën nuk do të zgjidhet fare, kurse dyshojmë që edhe në 2008-ën kjo nuk do të ndodhë. Ka fakte për këto që po them. Kosovës po i përsëritet historia e kohës së pacifizmit, kur politika e ditës e gënjente se punët po shkonin mirë, ndërkaq popullin e nënshtronin dita-ditës, bashkë me regjimin pushtues. Më e keqja tashti është se ish-udhëheqja politike e luftës së UÇK-së ka marrë mbi vetë misionin e nënshtrimit të popullit. Në vend që kjo forcë politike, që edhe i kishte humbut zgjedhjet, të qëndronte në opozitë, ashtu siç e donte puna dhe të kundërshtonte mashtrimin e popullit, tashti, në të shumti, del edhe bartëse kryesore e të gjitha manipulimeve, gënjeshtrave dhe mashtrimeve.

Lajm: Pse mendoni se do të shtyhet zgjidhja e statusit të Kosovës?

Adili: Rusisë dhe Serbisë i konvenon shtyrja e statusit për fakt se Kosova dita-ditës po zhytet në mjerim social dhe si pasojë e kësaj, afër mendsh, populli një ditë do të lodhet sa dhe të revoltohet. Janë të dhënat shqetësuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar për varfërinë e tejskajshme që ka katandisur popullsinë shqiptare, fakte për Rusinë dhe Serbinë, të cilat po bëjnë çmos që te ketë shtyrje të zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Lajm: Çfarë mendoni se sollën negociatat për statusin?


Adili: Asgjë të mirë. Ne kemi informacione të sakta se politikanët e Kosovës tashmë kanë pranuar, që nëse ashtu kërkon Serbia, të bëhet koncesion territorial për pjesën veriore.

Lajm: Nga kush keni informacione?

Adili: Nga ndërkombëtarët. Ata të cilën takohen dhe zhvillojnë bisedime për statusin e Kosovës me anëtarët e Ekipit Negociator, gjithmonë takohen edhe me ne, dhe natyrisht atyre iu intereson se cili është qëndrimi ynë.

Lajm: Dhe çfarë u keni thënë atyre lidhur me veriun e Kosovës?

Adili: U kemi thënë se ne nuk pranojmë që atë pjesë ta aneksojë Serbia, sepse ajo gjithmonë ka qenë e Kosovës.

Lajm: Po nëse Rezoluta e re e Këshillit të Sigurimit, e hartuar mbi bazën e Pakos së Ahtisarit, bën shkëputjen e Kosovës nga Serbia, a do ta përkrahnit atëherë?

Adili: Pakoja e Ahtisarit nuk do të miratohet në Këshillin e Sigurimit, sepse fuqitë e mëdha nuk do t'i prishin vendimet që kanë marrë më 1994, në Konferencën e Dejtonit. Marrëveshja e Dejtonit thotë se lejohet prishja e Jugosllavisë, por nuk lejohet prishja e kufijve të republikave të saj. Kurse Kosova ka hyrë në luftë duke qenë pjesë e Serbisë dhe mbi këtë edhe është nxjerrë rezoluta 1244. Gjykuar mbi këto fakte, ne mendojmë se Kosova nuk do të bëhet e pavarur. Kemi thënë se para se ajo të bëhet e pavarur, më lehtë mund t'i ribashkohet Shqipërisë. E për ta ribashkuar Kosovën me Shqipërinë duhet angazhimi i tërë potencialit politik kombëtar dhe të kerkohet me ngulm një Dejton i ri për Kosovën, ose një konferencë e llojit të Londrës 1913...

Lajm: Konsideroni se FBKSH-ja ka potencial të menaxhojë trazirat e mundshme, qoftë edhe ushtarakisht?

Adili: Ne kemi thënë edhe herë tjera se AKSH-ja (Armata Kombëtare Shqiptare) nuk i ka njësitë e saj të armatosura në Kosovë, sepse aty, për momentin, vepron ushtria simotër jona - TMK-ja dhe aleatja NATO. Por, në qoftë se kërcënimet e bandave paramilitare serbe, si ajo e Gardës së Car Llazarit, do të tentonte të futej në Kosovë, dhe Kosoven nuk do ta mbronte NATO-ja, njësitet tona do të reagojnë shumë energjikisht dhe do ta mbrojnë popullin dhe Kosovën nga hordhitë serbe të carllazarëve.

Lajm: Flitet se FBKSH-ja po rekruton pjesëtarë të saj brenda radhëve të lëvizjes Vetëvendosja të Albin Kurtit. A mund të thuhet se keni koordinim me Vetëvendosjen?

Adili: Jo, nuk kemi kurrfarë bashkërendimi zyrtar me Lëvizjen Vetëvendosja, përveç që, thjesht, ne ata i kemi mbështetur në kërkesat e tyre të drejta.


Lajm: Është folur se në protestat e 28 Nëntorit të 2006 dhe të 10 shkurtit të 2007, të organizuar në Prishtinë nga Vetëvendosja, radhët i kanë ngjeshur edhe shumë aktivistë tuaj?

Adili: Anëtarët e FBKSH-së kanë qenë vetëm argatë të Kosovës, dhe të tillë do të jenë gjithmonë, për sa kohë do të gjykojmë se protestat, siç ishin ato të 10 shkurtit 2007, e avancojnë çështjen kombëtare drejt ribashkimit kombëtar shqiptar në një shtet të vetëm në Ballkan, me emrin Shqipëri.
Prev: Izolimi dhe shtyrja

Keine Kommentare: