SPECIALE nga Behxhet SHALA; 'Të vjedhësh a të vjedhësh mos hezito fare, që të jeshë më i sigurt, bëje ashiqare ...' Jun 7, '07 7:09 PM
for everyone
Në fund të javës :
Flamuri dhe Tina, Himni dhe Rina, Të vjedhësh a të vjedhësh mos hezito fare, që të jeshë më i sigurt, bëje ashiqare ( Eldorado në PTK dhe aeroport ) etj.
BUSHI NË SHQIPËRI, PUTINI NË SERBI, NË KOSOVË NJË DREQ I ZI!
Flamuri dhe Tina, himni dhe Rina :
Më në fund Zeusi zbriti nga Arbëria, i ra kah Velania, lajmëroi Shtypin e Sikletit se do të jetë mysafire speciale në mbledhjen e radhës të Grupit të Unitetit ku nuk do të bisedohet as për Xhorxho Armanin nga Pakashtica, as për Skendë Kaprollin nga Shipashnica, as për Brizhit Bardon e Ismetit , as për Ylberin e Hasretit, as për gardhin e Artemisë, as për” vendosmërinë “ kundër gardhit nga ana e Alisë, as për statusin e Kosovës, as për Aqif Shehun e Gjakovës, as për Paris Hiltonin që është nisur në drejtim të burgut, as për Albin Kurtin që nuk e lejojnë të dali nga burgu, të cilin, për shkaqe humanitare dhe për një Rezolutë të tredhur të Këshillit të Sigurimit që pritet të miratohet kur të pajtohen Putini dhe Vitalij Çurkini po e degëdisin burgjeve të Kosovës demokratike dhe multietnike derisa të rifillojnë bisedimet teknike për një Kosovë dhe Metohi të shndërruar në Ahtisari sipas projektit të Fidel Kastros nga Moldavia Hugo Çavezit nga Rumania, Koshtunicës nga Sicilia, Nikoliqit nga Gruzia, Ban Ki Munit nga Japonia, Fatmir Mbekit nga Tanzania, Skenda Nacionale nga Greqia, Kolë Berjashi nga Malezia dhe faktorët e tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, që thjesht na konsiderojnë dhe sillen me ne si të ishim gomarë, që për shkaqe shëndetësore jemi shndërruar në vegjetarian dhe kullosim bar! Ky ishte një takim pune dhe jo darka e Krishtit anipse ata që duhej të merrnin vendime nuk ishin asgjë tjetër përveçse maja e bishtit. Po nuk është se Ekipi i Unitetit kishte frikë sepse janë të njohur për vendosmëri dhe trimëri, guxim dhe mençuri, planifikim dhe strategji, shtyllëkurrizi dhe qëndrueshmëri, humanizëm dhe patriotizëm, me një fjalë, dorën në zemër, nuk ishte ky nënshtrim klasik dhe fleksibilitet tipik për shkak të frikës apo larg qoftë për shkaqe karrieriste, por, thjesht respekt i merituar sepse kësaj radhe Zeusi…..ishte femër! Femër sa i përket anatomisë dhe burrë shkuar burrit sa i përket Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe Kodeksit për barazi gjinore të Ho Shi Minit! Andaj, në një ambient te relaksuar, plotë shend dhe verë, për flamurin, himnin dhe stemën u mor një vendim i prerë. Vendimi ishte unanim, pa asnjë përjashtim, siç u ka hije burrave të vendit, në log të Kuvendit.Për Kosovën me pavarësi të Bangladeshit dhe sovranitet të Mishleshit u flijua edhe flamuri i Allbanisë, pra ai kombëtar, Flamuri i Dardanisë antike i LDK-së mitike, flamuri i Zakes me shqiponjën dykrenare, lopa e Vetonit duke kullotur në livadhe, trobojka e Blerimit dhe ziekuqja e Hashimit madje, për shkak të xhelozisë patologjike duket se nuk do të merret në shqyrtim as propozimi i Behxhetit që 100% ka përmbajtje dhe porosi multietnike. Për këtë, më besoni nuk jam hidhëruar aspak, pikë së pari, sepse shumë më keq se unë e ka hëngër vet Ahtisari! Është ajo përralla e Nastradinit, pra, ajo e gomarit që në fakt është fati i Pakos së Ahtisarit. Në mëngjes e nxjerr në treg për ta shitur si gomar i lidhur me litar që kullot bari, në mbrëmje, pasi të rishikohet në Këshill të Sigurimit merr një përmbajtje të re që nuk e njeh as vet Ahtisari! Këtu qëndron ngushëllimi por edhe frymëzimi! Edhe himni ka hyrë në rrugë të mbarë, nuk do të këndohet Himni i Flamurit, jo për shkaqe politike ose se dikush nga ndërkombëtarët nuk ka dëshiruar por, thjesht për shkaqe logjike, për respektim të përmbajtjes ngase sot as dy shqiptarë nuk i gjen të bashkuar! Përjashtohet edhe propozimi i dytë, ai i Kushtrimit të Kosovës sepse serbët po insistojnë të këndohet Himni për Betejën e Takovës. Propozimi im për himnin N’Hajkobillë bjen një tupan, ishte propozim për një kompromis që duket se nuk do të hasë në mirëkuptim në këtë mjedis. Disi, më duket se ndaj meje është një konspiracion, asnjë propozim imi nuk po kalon! Fatmirësisht nuk jam vetëm por jemi shtatë shaljanë dhe pa fituar njëri, nuk bën se nuk bën! Si alternativë, ne shaljanët, për flamur e kemi trobojkën ndërsa për himn do ta propozojmë , “ Rapsodi për Millojkën “. Përmbajtja është multietnike, jopolitike, estetike folklorike. Nuk do të ketë tekst të shkruar por melodi e instrumentalizuar, dikush i bjen fyellit, dikush kavallit, dikush tupanit, dikush sharkisë, Zhika çiftelisë dhe kështu me radhë, ndërkaq promovimi do të bëhet duke hedhur valle me Bacën Adem dhe Radën në ballë! Për stemë do ta kemi problem, sepse ne shqiptarët jemi pionerë në heraldikë, dhe, këtu ndërkombëtarët munden me na fikë! Prandaj, kësaj çështjeje po i vë pikë. Për Kushtetutën kurrë nuk kam qenë i brengosur sepse e kam ditur që kjo punë më heret ka qenë e vendosur. Andaj nuk më ka bërë përshtypje a është Kushtetutë e Zhablakut apo e Bablakut, a është e Afganistanit apo e Kurdistanit ,a është e nënshkruar nga Kola apo nga Françesko Zola, a është komisioni multietnik apo hipotetik. Kur, për herë të parë e pata lexuar preambulën e Kushtetutës e cila pastaj pjesërisht ishte bërë publike pata deklaruar se kjo mund të pranohet nga Zeusi i Arbërisë vetëm nëse Behxhet Shala bëhet kryetar i Serbisë, vojvodë i Abhazisë, monark i Osetisë, Drakullë i Transnitrisë dhe car i Rusisë! Ndërkaq, në mbledhjen e Ekipit të Unitetit preambula e Kushtetutës së Kosovës nuk u refuzua për shkaqe politike apo estetike por, shkaku se , sipas Zeusit ishte tepër romantike!
Dua një sqarim për simbolet “ shtetërore “, a do të jenë të Kosovës apo të Tetovës, a janë të Kinës apo Kajdanova Tinës dhe a janë të Bugarit apo të Marti Ahtisarit?! Thjesht, dua të pozicionohem dhe mos të gabohem! Vetëm kaq.
Më në fund kryetari Bush do ta vizitoi Shqipërinë dhe do ta gëzojë krejt shqiptarinë. Më së shumti myslimanët e Shqipërisë, katolikët e Arabisë, protestanët e Indonezisë dhe budistët e Sirisë!
Edhe Putini do të vijë për vizitë në Serbi ku ndjehet si në Rusi por është pikëpyetje a do të vijë në Kosovë dhe Metohi!
Këto dy vizita bëhen për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës unike nën protektoratin e Serbisë mike!
Tash po dihet ku është Shqipëria, ku është Serbia por nuk e kam shumë të qartë ku do të përfundojë Kosova dhe Metohia?!
Ndoshta dikend e kam prekur në sedër por pavarësisht nga kjo, do ta vazhdoj edhe nesër.
8.06.2007 Prishtinë
Behxhet Sh. SHALA,
zëvendës i Putinit dhe mik
i madh i Vitalij Çurkinit
Tags: vedat xhymshiti, opinione...!
Prev: Nga Behxhet SHALA: 'BUSHI NE SHQIPERI, PUTINI NE SERBI, NE KOSOVE NJE DREQ I ZI!
Next: Votimi i rezolutës shtyhet deri pas diskutimeve të Samitit G8
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen