Sonntag, 17. Juni 2007

Nga nje Pranver ne Tjetren; Nga Salih Mehmeti

Nga një pranverë në tjetrën Jun 14, '07 2:26 PM
for everyone

Nga Salih MEHMETI " Nga nje pranvere ne tjetren " Jun 13, '07 2:31 AM
for everyone


Nga një pranverë në tjetrën



Salih Mehmeti



Sikurse që është pritur nga raporti gjoja hetues të cilin e ‘urdhëroi’ zëvendëskreu i UNMIK-ut - Steven Schook - për ngjarjet e 10 shkurtit, nuk doli tjetër gjë përveç pompozitetit për ‘humanizmin’ e UNMIK–ut për t’u marrë me raste të tilla! Çështja e përpunimit të raportit hetimor qe njëfarë manifesti për të pahëtuar se po ekzistoka një drejtësi(!).

Gjithsecili zyrtar i lartë i UNMIK–ut shprehej me gojën plot se do të bëheshin hetime të ‘pavarura’ lidhur me ngjarjet e 10 shkurtit, por asnjëherë nuk u tha se për kë kishte të bënte ky hetim i ‘pavarur’: për t’i dënuar policët e UNMIK–ut apo për t’i dënuar aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe demonstruesit e tjerë pjesmarrës në demonstratën e 10 shkurtit. Por, vazhda e gjërave duket se shenjëzon për këtë të dytën. Satanizimi i vazhdueshëm i demonstratës nga qarqet e pushtetit: aktivistët e Lëvizjes kanë qenë akterët fajtorë! Hetimet që u bënë vetëm sa duhej rikonfirmuar këtë ‘konstatim’ të pushtetit. ‘Mëvetësia’ e ‘drejtësisë’ së UNMIK–ut pikërisht po e jetëson këtë ‘konstatim’ të tij se aktivistët e VETËVENDOSJE!-s na qenkan fajtorët kryesor, kurse drejtësia qëndron në anën e pushtetit.

Pas revoltës të 17 dhe 18 marsit 2004, në të cilat policia e UNMIK–ut vrau 18 të rinj dhe plagosi me qindra tjerë, ngriti një valë procesesh hetimore për të vënë kinse njëfarë drejtësie. Këto hetime të cilat quheshin të ‘pavarura’ pasuan me qindra arrestime të të rinjve. Hetimet e fundit të UNMIK–ut duken se po japin të njëjtën arritje: burgosjen e aktivistëve të Lëvizjes. Cila do të ishte masa e njëmendët e valëvitjes së drejtësisë? Pa dyshim, se do të ishte materializimi i përpiktë i kërkesave të patjetërsueshme që u kërkuan edhe në marsin e përgjaktë të vitit 2004 dhe në shkurtin e 2007, për të cilën dhanë jetën mbi 20 të rinj, përfshirë këtu edhe dëshmorët e fundit të 10 shkurtit, Arben Xheladini dhe Man Balaj. Demonstratat masovike të rinisë ishin pikërisht manifestim i popullit të mobilizuar në kërkim të përmbushjes së vullnetit politik. Logjika e UNMIK–ut i cili po i kurbanizon disa vegla vendore (ngase nuk i prishin punë), duke i shkarkuar, është një nga aktet afirmative të rrekjes së tij për të dhënë njëfarë shije se edhe UNMIK-ut i rrahka zemra ‘demokratikisht’! Kjo prej shumë njerëzve po konceptohet gabimisht si një qërim i hesapeve nga drejtësia dhe se ky u dashka të jetë përfundimi i duhur! Po çfarë, atëherë, nëse dha dorëheqje (i dhanë dorëheqje, më saktësisht) ministri i punëve të brendshme!? Spostimi i tij u përtëri pikërisht me vendosjen e një ministri të ri, çfarësinë e të cilit do ta piketojë ky regjim i cili po e zgjedh atë. E keqja nuk është zhdukur. Kjo e keqe është bërë ciklike dhe vetëregjeneruese. Gjithsesi, çdo ‘ndryshim’ që po bëhet me anë të lojës së zëvendësimit po e lë të pacënuar kuintesencën e UNMIK–ut. Dëshmori i Kombit, njëra nga fytyrat më militante të organizmit ilegal të rinisë studentore, Rexhep Mala, qysh pas demonstratave të pranverës së vitit 1981 do të shkruante:

‘Çdo herë, pas çdo terrori ndaj popullit tonë, dhelpëra plakë – xhelati Tito, hiqej sikur nuk kishte ditur gjë dhe menjëherë, sa për sy të botës, e gjente ndonjë ‘fajtor’ edhe pse ai ishte krimineli dhe dorasi më i ndyrë i të gjitha kohëve për shqiptarët. Sa bukur dinte të luante bishtin në situata të rrezikshme dhelpëra plakë. Në këto raste ai hiqej sikur donte t’ia shëronte plagët e shkaktuara shqiptarëve. Hiqej sikur zemra i ‘përvëlohej’ për shqiptarët me gjakun e të cilëve jetonte. (...) Populli ynë thotë: ‘Turpi më i madh është të presësh të ta shërojë plagën ai që ta ka shkaktuar’. Andaj, shqiptarët, nga Titoja dhe banda e tij fashiste kanë pritur e presin plagë të reja’.

Përçapjet e UNMIK–ut për ‘drejtësi’ e ‘normalizim’ të rendit, janë pikërisht të njëjtat me ato të cilat i bënte një nga antishqiptarët më të zellshëm, Josip Broz Tito, tok me regjimin e tij kolonialist. Ishte gjakatar ai i cili në vazhdimësi punoi në drejtim të spastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova. Në njërën anë Titoja tempironte aparatin e tij policor për të bërë shtypje mbi popullsinë shqiptare, e në anën tjetër shkumbëzonte se i dënonte këto akte dhe se do të ndërrmerte ‘hetime’ për të vënë ‘drejtësinë’ në vend. ‘Drejtësia’ titiste hodhi burgjeve me mijëra djem e vajza që patën kërkuar vetëvendosje nëpër rrugët e Prishtinës më 1968 e 1981.

Pak a shumë dihet edhe epilogu i ‘hetuesisë së mëvetësishme’ të UNMIK ut. Prologu i realpolitikës ditore në Kosovë shprehet me: ‘Kosova e mirëpret të ardhmen’. Ata që e mirëpresin këtë të ardhme janë ‘shqiptarë të ndershëm’, kurse ata që nuk e mbështesin këtë të ardhme (Pakon e Ahtisaarit) janë ekstremistë të errët që punuakan kundër Kosovës! Epilogu do të etablonte praktikisht këtë gjendje: të gjithë ata që e kundërshtuan pakon gjenden burgjeve. Kjo është drejtësia!

Fill pas demonstratës së 10 shkurtit, pushteti sikur të mos ishte mjaftuar me krimet e veta, u vërsul ndaj qendrave të Lëvizjes anembanë Kosovës, duke i arrestuar ‘fajtorët' dhe duke thyer e plaçkitur në tërësi zyrat e Lëvizjes sonë. Kjo, faktikisht ngjan me ‘paqet’ speciale të cilën e vendosin pushtuesit agresorë para ose pas ndonjë ofansive të përgjithshme që ndërrmarin kundër popullit që ata mëtojnë ta sundojnë. Në rreshtat vijues, kemi shkëputur pasazhe nga një artikull të botuar në revistën MLADIKA, nr. 44, të datës 4 tetor 1988, organ i Rinisë së Lidhjes Socialiste të rinisë së RS të Sllovenisë. Artikulli në fjalë, u sugjeron (ose të paktën e afirmon sugjerimin e Beogradit) përzgjedhjen e masave parandaluese për të mos u përsëritur demonstrata të tilla, në kuadër të ‘paqes speciale’ ndërvëllazërore, socialiste, etj. Në këtë organ shovenist të jugosllavëve parashihen pesë faza eliminuese, që fillonin nga mobilizmi tërësor i pushtetit policor e deri te izolimi me burg i shqiptarëve. Nga këto faza, në vijim kemi paraqitur dy prej tyre, të cilat edhe sot janë prezente:

Faza III: Në kuadër të aksionit mbrojtës të zbulohen dhe të shkatërrohen qelulat e irredentës shqiptare dhe të zbulohen rrjetet (punktet) e tyre të cilët janë të lidhura me to dhe të zbulohen (gjenden) prova të pakontestueshme (bindëse) që dëshmojnë lidhjen e tyre ndërkombëtare. Disa terroristë shqiptarë të cilët i pengojnë aksionet për rivendosjen e paqes, të cilët shkruajnë parulla dhe brohorisin parrulla të ndryshme të izolohen (neutralizohen) me procedurë të shkurtër – urgjente.

Faza IV: Të shpallet gjendja e qetësisë (paqja) speciale, populli shqiptar duke brohoritur (me zë) të përshëndes çlirimtarët e motorizuar të cilët kanë çliruar vendin duke luftuar për bashkëjetesë (koekzistencë) paqëdashëse ndërkombëtare dhe të cilat shpërndajnë përmbajtjen e broshurës ‘vetëm shqiptari i ndershëm mund të jetë shqiptar i mirë’. Rrjetit televiziv të televizionit ndërkombëtar do tu ofrohen fotografi të akcioneve të çetave të shqiptarëve të ndershëm nga Kosmeti të cilët bashkarisht luftojnë në frontet e para dhe posaqërisht me gjallëri (zjarre) i shpërndajnë përmbajtjet e broshurës.

Ndërrmarjet e konkretizuara të UNMIK–ut ndaj Lëvizjes, të cilat po vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë, mund të renditen në këto faza:

Faza 1: Në kuadër të vendosjes së rendit demokratik, të zbulohen dhe të shkatërrohen të gjitha qendrat e VETËVENDOSJE!.

Faza 2: Të gjithë ata aktivistë të cilët e pengojnë rivendosjen e paqes dhe rendit, ose shkruajnë parulla armiqësore në muret e UNMIK–ut si: ‘VETËVENDOSJE!’, ‘UNMIK – VRASËS’ ose ‘Lirojeni Albinin’, të izolohen apo të neutralizohen me procedura urgjente gjyqësore.

Faza 3: Të shpallet gjendja e qetësisë, dhe në TV të paraqiten pamjet filmike ku populli përshëndet UNMIK–un, duke hyrë në Kosovë për tolerancë dhe paqe, dhe të shpërndahet doracaku ‘Kosova mirëpret të ardhmen’.

Faza 4: Televizoneve të huaja tu paraqiten fotografi të shqiptarëve të ndershëm të cilët luftojnë për multietnicitet dhe për tolerancë ndëretnike.

Historia rëndom përsëritet për të keq.

Keine Kommentare: