Samstag, 9. Juni 2007

KOLONIZIMI SERB I KOSOVES ; Nga Jusuf Osmani

KOLONIZIMI SERB I KOSOVËS


Në historinë e popujve të Evropës, vështirë se mund të gjendet ndonjë popull që të ketë qenë objekt i shtypjes nacionale siç ishte populli shqiptar, i cili jeton në trojet e veta autoktone në Kosovë e gjetiu. Mjeti më drastik, përveç shtypjes, terrorit, dhunës, likuidimit fizik etj. ishte edhe spastrimi etnik i trojeve shqiptare dhe kolonizimi me elementin serb. Kështu, Kosova, edhe pse truall etnik i shqiptarëve, vazhdimisht u ballafaqua me pretendimet e pushtetit serb për kolonizim dhe kështu me dhunë të ndryshohet struktura e popullsisë që pastaj do të bënte sllavizimin dhe shkrirjen graduale të popullit autokton shqiptar. Serbia gjatë historisë shfrytëzoi të gjitha modelet e kolonizimit të trojeve shqiptare, e në veçanti të Kosovës, e cila është edhe objekt trajtimi në këtë punim.



Kolonizimi i trojeve në Kosovë është një proces, që pikësynim kryesor i gjithë politikës dhe i makinerisë ushtarake serbe e pastaj edhe jugosllave, në të gjitha periudhat kohore, ka qenë sllavizimi i Kosovës. Ndërkaq, gjatë historisë janë vërejtur edhe oshilime, herë ngadalësim e herë shpejtësim i hovshëm të procesit kolonizues, gjë që varej nga rrethanat politike, ekonomike e shoqërore që ishin të pranishme. Mirëpo, si proces, ai nuk është ndalur asnjëherë.



Për të realizuar sllavizimin e territoreve shqiptare mbi popullin tonë u veprua me masa e me mjete të ndryshme politike e ushtarako-policore, kuptohet edhe me ato ekonomike e sociale. Masat ishin sa antinjerëzore, aq edhe fashiste e të egra. Ato shkonin nga ato të ngacmimit e të kontrollimit të vazhdueshëm policor, deri tek rrahjet, vrasjet e zhdukjet masive të vendësve.



Për realizimin e qëllimeve pushtuese të kolonizimit të Kosovës me elementin sllav dhe dëbimin e shqiptarëve nga atdheu i tyre, në politikën e tyre antishqiptare ishin angazhuar akademikë serbë, politikanë, shkrimtarë, nobelistë, historianë, ushtarakë madhor, mësues, pedagogë, diplomatë të karrierës, të cilët në bazë të udhëzimeve të kupolës së piramidës shtetërore serbe hartuan projekte, platforma, memorandume, programe, mbajtën tribuna të fshehta e të hapura, u tubuan në konferenca e simpoziume “shkencore”, organizuan tryeza të rrumbullakta në emër të “Serbisë së Vjetër”, çuan mesha drejt qiellit, shenjtëruan ose mallkuan luftëtarët serbë e shqiptarë, shkruan libra e monografi plot mllefe, shpërndanë fletushka me subjekte të trilluara dhe me ngjarje të stisura, me heronj të paqenë, me teza demagogjike që profanonin popullin shqiptare dhe kulturën, moralin dhe traditat e tij shekullore.



Përkitazi me shkrimet dhe deklarimet e tjera antishkencore të historigorafisë serbe, nuk mjafton vetëm konstatimi se janë botime jo shkencore. Nuk mjafton të thuhet se nuk meriton me merresh me të. Ky supozim është i dëmbshëm, është pacifist dhe i papranueshëm për shkencën e vërtetë. Mirëpo, të gjitha ato shkrime e vlerësime paushale duhet të argumentohen me gjuhen e fakteve dhe të ndriçohet e vërteta për të kaluarën historike të tevave shqiptare. Për këtë ekzistojnë shumë fakte e dëshmi të dokumenteve arkivore që i demantojnë plotësisht vlerësimet dhe botimet e shumë “studuesve” serbë por edhe disa të tjerë që ishin nën influencën e shkrimeve serbe.



Në disa shkrime, studime, por jo të mjaftueshme, studiuesit shqiptarë, historianët, analistët, shkencëtarët tanë, u janë kundërvënë si propagandës serbe, ashtu edhe deformimeve e shtrembërimeve që akademikët, shkencëtarët, letrarët, etj. serbë u kanë bërë fakteve historike. Por, botimet serbe me trillime antishqiptare, me shpifje dhe me shtrembërime të fakteve historike janë aq të shumta dhe në tirazhe aq të mëdha, sa këtë të keqe mund ta shlyejë vetëm një punë vëllimore dhe e gjatë shkencore e me përkushtim atdhetar, e historianëve, e studiuesve dhe e analistëve të paanshëm të mbështetur në të vërtetat historike, përkatësisht të akademive dhe të institucioneve tona shkencore.



TREVAT E KOSOVËS NË ANTIKË



Treva e Kosovës është e banuar prej kohësh më të lashta. Shqiptarët janë pasardhës të fisit ilir, dardanëve. Dardanët ishin një nga fiset e mëdha ilire, që kanë jetuar në pjesën qendrore të Ballkanit. Zemrën e trojeve dardane e përbënte Kosova e sotme.



Të dhënat arkeologjike, historike, gjuhësore, folklorike etj., dëshmojnë qartë për autoktoninë shqiptare, për vazhdimësinë iliro-shqiptare. Prania e shqiptarëve në këto treva dëshmohet dhe vërtetohet më vonë edhe në krisobulat e diplomat e sundimtarëve mesjetarë serbë, ndërsa në periudhën e sundimit osman ekzistojnë dokumente të hollësishme dhe të bollshme mbi popullsinë dhe vendbanimet e Kosovës.



Populli shqiptar ndër popujt më të vjetër të Evropës, mbi të cilin u vërsulën stuhi të shumta dhe rrallë mund të ketë ndonjë popull në botë që të ketë pasur pushtime dhe pushtues kaq të egër, që kanë njohur këto troje të banuara me iliro-shqiptarë. Në tokat ilire, e më vonë të arbërit të paraardhësve të shqiptarëve, u vërsulën një mori pushtuesish me qëllim që të gllabërojnë pjesë sa më të mëdha nga trungu ilir. Ata pushtues, arsenalin e vet do ushtrojnë me masakra, vrasje, djegie, vjedhje të kulturës shpirtërore e materiale. Të parët në këto fushata qenë grekët dhe romakët, të cilët jo vetëm që do të robërojnë banorët vendës, duke i helenizuar e romanizuar, por do t’u plaçkisin çdo gjë, duke zhdukur qenien ilire. Më vonë gjithë kjo do t’u mundësojë fiseve sllave që posa kishin zbritur nga Karpatet, më lehtë t’i nënshtrojnë e më lehtë t’i asimilojnë.



Nga kjo mund të konstatojmë se pushtimi i tokave shqiptare dhe kolonizimi i tyre filloi që nga koha e Ilirisë. Pushtuesit e tjerë shkuan, kurse serbet dhe malazezët që u vendosën në trojet etnike shqiptare, këtu jetojnë edhe sot. Objekt i interesimeve të përhershme të pushtuesve në Kosovë ishte pozita shumë e rëndësishme gjeografike, pasuria natyrore, tokat pjellore si dhe kushtet e favorshme klimatike të viseve shqiptare etj.





DEPËRTIMI I SLLAVËVE NË BALLKAN DHE VENDOSJA E TYRE NË TREVAT ILIRO-ARBËRORE



Trevat iliro-arbërore të Kosovës, pas sundimit romak, përkatësisht bizantin, e pastaj një kohë edhe bullgar, kaluan nën sundimin e shtetit të Rashës në krye me Stefan Nemanjën (1165-1195), që e pushtoi pjesërisht edhe Kosovën. Pushtimi i plotë i Kosovës u bë më 1216. Bashkangjitja e Rrafshit të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, në administratën shtetërore të Rashës shënon fillimin e ekzistimit të etnikumit serb në këto vise.



Duhet theksuar se në shekullin VI-VII, kur sllavët shkelën Ballkanin, shumë sllavë u dyndën në Ilirik dhe shkaktuan fatkeqësi të papërshkrueshme. Pasi kaluan një kohë të gjatë me grabitje, ata mbushën rrugët me trupa, robëruan shumë njerëz, plaçkitën gjithçka. Në tokat ilire ata rrëmbyen e vranë me mijëra njerëz, duke depërtuar edhe në vendet më të fshehura të atyre anëve, prandaj banorët e këtyre vendeve u detyruan të marrin malet dhe të fshehen nëpër pyje. Kështu, duke u lënë lirisht të trashëgojnë të gjitha të arriturat kulturore e shpirtërore që nëpër shekuj i arritën vetë. Kudo që kalonin sllavët, plaçkitnin, masakronin, varnin, digjnin vendbanime etj. Kështu ata, me zjarr e me hekur, arritën të tkurrin ndjeshëm hapësirën e banuar nga banorët autoktonë të Gadishullit Ballkanik.



Popullata serbe erdhi në trevat shqiptare, përkatësisht në Kosovë si pushtues. Këtu gjetën popullatën iliro-shqiptare autoktone, e cila jetoi shumë shekuj më parë pandërprerë në këto troje.



Nga Rashka, serbët filluan të depërtonin në shekullin XI-XII, më parë në Fushë-Kosovën pjellore, madje në viset e rrjedhës së epërme të Moravës së Jugut dhe të Vardarit. Çetat serbe kanë shkatëruar çdo gjë. Zhupani i madh, Vukani ka djegur Lypianin dhe ka shkretëruar edhe viset tjera (1091). Kështu kanë vepruar edhe sundimtarët tjerë. I biri i Stevan Nemanjes, Stevan Pervovençani, ka shkruar më 1190: “Nemanja ka okupuar përveç qyteteve të Luginës së Strumës .... edhe Prizrenin, Shkupin dhe qytetin Leshtak të Pollogut të Poshtëm... Këto qytete i rrënoi dhe i çrrënjosi me themel, sepse nuk mbeti asnjë gur pa u rrënuar....; tokat e pasuritë e tyre ia bashkoi pasurisë dhe famës të sundimtarëve të vet....”. Pastaj, thuhet: “se në Serbi është shfaqur herezia e urrejtur dhe e mallkuar, Nemanja ka futur në kuvendin shtetëror përfaqësuesit e kishës e sundimtarët dhe ka vendosur që “herezia” të çrrënjoset me forcë. Nemanja ka dërguar ushtrinë dhe disa i dogji, të tjerët i dënoi me dënime të ndryshme, të tretët i dëboi nga shteti i vet, e shtëpitë e tyre dhe tërë pasuritë ua mori dhe ua dha denonciatorëve dhe bashkëpunëtorëve; mësuesit dhe kryeparit të tyre ua shkuli gjuhën në gërmaz...., kurse librat e tyre të pandërshëm i dogji dhe i ndoqi, duke u kërcënuar se ato rrëfejnë dhe përmendin në të gjitha anët atë emër të mallkuar, dhe në të gjitha anët çrrënjosi atë besim të mallkuar që të mos përmendet kurrsesi në shtetin e tij”.[1] Me invadimin e sllavëve në tokat shqiptare synim të përhershëm kishin spastrimin etnik të atyre trojeve. Që të sendërtonin këto synime, ata shfrytëzuan mënyra dhe forma të ndryshme të veprimit, të cilat kuptohet, vareshin nga rrethanat e brendshme dhe të jashtme, nga rrjedhat politiko-shoqërore, si dhe nga mundësitë tjera, që mund të ndikonin në sendërtimin e këtij synimi.



Vendosja e sundimit rasian në Kosovë shënoi fillimin e një prej periudhave më të vështira për popullsinë shqiptare të kësaj treve. Kjo e fundit jo vetëm që u privua nga çdo e drejtë politike, por iu nënshtrua edhe shfrytëzimit ekonomik të hierarkisë shtetërore rasiane-serbe dhe asimilimit. Trysnia asimiluese arriti kulmin në kohën e sundimit të perandorit Stefan Dushanit. Një rol të veçantë luajti kisha serbe me seli në qytetin e Pejës (Patrikana e Pejës), e cila duke pasur edhe mbështetjen e pakursyer të shtetit, punoi sistematikisht për largimin e popullsisë shqiptare nga riti katolik, i përhapur gjerësisht në radhët e kësaj popullsie më se një mijë vjet më herët dhe orientimin e saj drejt ortodoksisë sllave. Në këto rrethana një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare të Kosovës u shtrëngua të përqafojë ritin ortodoks sllav.[2]



Në kohën e Perandorisë së Dushanit, i cili e kishte shpallur vetën “mbret të serbëve, të grekëve dhe të shqiptarëve”, pushteti serbë, më parë edhe pushteti bullgar bën ndryshime toponomastike, ndërtuan objekte të veta (kisha e manastire), dhe marrë në përgjithësi, u përpoqën që viset e pushtuara t’i veçonin me tipare sllave. Gjithë këtë veprimtari ata e shoqëruan me përhapjen e propagandës së tyre, kinse për të drejtën e tyre historike dhe natyrore, veçanërisht në shtetet e krishtera. Duke vepruar kështu me kohë dhe në mënyrë të vazhdueshme forcuan synimet e spastrimit etnik dhe trasuan rrugë të tjera të thellimit të këtij synimi.



Pushteti mesjetar serb, në viset e pushtuara filloi të organizojë jetën fetare, duke marrë për bazë fenë ortodokse. Kisha ortodokse sllave, duke pasur aspirata të dominimit, fillon asmimilim e popujve të tjerë josllavë, e në radhë të parë të arbërve. Pushtetarët rasianë merrnin masa drastike të persekutimeve e ndëshkimit të atyre, që nuk ishin të fesë ortodokse. Kishat shqiptare filluan t’i përvetësojnë dhe t’i uzurpojnë si të tyre, ose bënë rrënimin e tyre dhe në themelet e tyre ngritnin kishat serbe, si psh. të Banjskës, Deçanit, të Graçanicës[3] etj. Prandaj, politika e sotme serbe nuk mund të mbështetet në të dhënat se ato kisha dhe manastire janë të tyre, por të përvehtësuara. Këtë e mbeshtet edhe fakti se gjatë tërë kohës deri në ditët e sotme vetë popullata shqiptare i kishte ruajtur ato, pasi kishin qenë të tyre.



Me ardhjen e sllavëve në Ballkan, harta toponomastike e tij ndryshoi fytyrë rrënjësisht. Shumë emërtime të vjetra iliro-shqiptare u zëvendësuan me emërtime të reja sllave. Pushtimet dhe sundimet e huaja së bashku me rrjedhimet e tyre kanë shkaktuar që hapësira gjeografike, që zinin shqiptarët në mesjetë të jetë rezultat i një ngushtimi territorial. Presioni i gjatë e i fuqishëm i shteteve dhe i kishave sllave, që shoqërohej edhe me kolonizim të trojeve shqiptare nga sllavët, veçanarisht të Kosovës, ka bërë që hapësira gjuhësore shqipe të vinte vazhdimisht duke u ngushtuar.



Megjithatë, orvatjet e mbretërisë mesjetare rasiane (serbe) për të ndryshuar fizionominë etnike të trevës së Kosovës nuk dhanë rezultatet e dëshiruara. Popullsia shqiptare i kundërqëndroi me sukses trysnisë serbizuese, duke mbetur shumicë dërrmuese në strukturën etnike të këtyre viseve. Vetë dokumentet e kancellarisë serbe të shek. XIV-XV si dhe ato raguziane vërtetojnë vijimësinë e pandërprerë të etnicitetit shqiptar të Kosovës gjatë sundimit mesjetar rasiano-serbë.





KOSOVA GJATË SUNDIMIT OSMAN DHE PLANET SERBE PËR SERBIZIMIN E TROJEVE SHQIPTARE



Pushtimi osman i trevave shqiptare, pas vitit 1389, megjithëse solli me vete ndryshime të rëndësishme në planin politik, ekonomik, shoqëror e ideologjik, nuk e ndryshoi në thelb fizionomin e strukturës etno-kulturore të nacionalitetit shqiptar në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Vendosja e sundimit osman në Kosovë, shënoi një ndryshim rrënjësor në zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore të kësaj treve. U asgjësuan strukturat e pushtetit rasianë-serb dhe bashkë me to edhe pushteti ekonomik i feudalëve serbë dhe atij kishtar. Me vendosjen e sundimit osman në Kosovë, u shënuan ndryshime thelbësore edhe në jetën shoqërore. Kështu, gradualisht një pjesë e popullsisë shqiptare braktisi fenë e krishterë dhe përqafoi fenë islame. Një ndër faktorët, që e lehtësoi depërtimin e islamit në masën e popullsisë kosovare ishte prirja e saj për t’u larguar nga autoriteti fetar i kishës serbe. Ashtu si e gjithë popullsia shqiptare e islamizuar, edhe ajo e Kosovës, ndryshoi vetëm fenë, pa prekur qenien e vet etnike shqiptare.[4]


Në gjysmën e dytë shek. XVI një pjesë e konsideruar e popullsisë arbërore-shqiptare islamizohet dhe si rrjedhim, antroponimia e saj shndërrohet në antroponimi të sferës fetare islamike. Prania e popullsisë shqiptare në këtë kohë përbën në vetvete një dëshmi të pakundërshtueshme, që provon se ajo ekzistonte aty edhe në periudhën e sundimit mesjetar rasian-serb, se ishte autoktone dhe vazhduese e popullsisë së dikurshme ilire, se me sukses i kishte bërë ballë procesit të sllavizimit gjatë shekujve XII-XIV. Përveç kësaj, për islamizimin e popullsisë shqiptare vepruan edhe faktorë të tjerë ekonomikë e social-politikë.



Dokumentacioni i periudhës pas pushtimit osman të Kosovës hedh dritë akoma më mirë dhe jep të dhëna më të shumta, që dëshmojnë se ato banoheshin nga popullsia shqiptare, kurse serbët të ardhur si kolonistë dhe si shtresë sunduese gjatë kohës së pushtimit rasiano-serb në këto troje, përbënin një pakicë të parandësishme, por sunduese politikisht.



Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, përkundër shpërnguljes së disa famljeve serbe nga Kosova, në anën tjetër në njëfarë mënyre kishte vazhduar edhe vendosja e disa banorëve serbë si nga vetë Serbia, apo viset malore të Malit të Zi, kryesisht si çifçinj në trevat shqiptare. Kështu pushteti osman, përkatësisht çifligarët, beglerët i sillnin dhe i vendosnin duke u dhënë tokë popullatës sllave në pjesët më pjellore të Kosovës, si p.sh. rreth lumit Sitnica, ku edhe sot ata janë të vendosur në disa vendbanime serbe. Ata këtë e bënin, sepse ajo popullatë ishte shumë e dëgjueshme dhe i shkonte përshtati beglerëve në çdo aspekt. Ndërsa, te popullata shqiptare këtë nuk ka mundur ta arrinte. Ata në forma dhe mënyra të ndryshme përvetësuan pushtetarët osmanë dhe u bënë zotërues të tërthortë apo të drejtpërdrejtë të vendeve dhe të anëve të ndryshme me shumicë absolute shqiptare, por edhe të territoreve, të cilat deri në atë kohë nuk ishin të banuara.



Në bazë të burimeve arkivore historike e të tjera, të cilat fatkeqësisht janë të pakta, por megjithatë dëshmojnë se në trevat e Sanxhakut të Nishit dhe më gjerë që nga antika e deri në shekullin XIX ekzistonte një kontinuitet i popullsisë shqiptare.[5] Këtë e dëshmojnë edhe me faktin, se në një dokument arkivor të datës 30 nëntor 1584, në mes tjerash thuhet: “Krysheci me pesë fshatra dhe me 1500 frymë shqiptarësh...”[6] Mirëpo, sikurse edhe në trevat të tjera, edhe këtu kishte lëvizje të mëdha të popullsisë, e sidomos të asaj shqiptare. Kjo lëvizje ishte pasojë e imigrimit dhe emigrimit të popullsisë, që ka qenë gjithnjë dukuri historike e kushtëzuar prej lloj-lloj shkaqeve, por që ka mbizotëruar shkaku ekonomiko-social dhe shoqëror, por shpeshherë edhe ai politik.[7]


Siç dihet, në vitin 1689, me nxitjen e perandorisë austriake, në Ballan shpërtheu një kryengritje antiosmane e fuqishme. Një ndër krerët e saj ishte arkipeshkopi Pjetër Bogdani, i cili kishte lidhje të drejtpërdrejtë me gjeneral Pikolominin, përçuesin e ndikimit austriak për kryengritje në Ballkan. Pas një rezistence jo aq të gjatë, disa mujore, Austria u tërhoq dhe kryegritja dështoi. Porta e Lartë, si ndëshkim, e shpalli “zonë nën ferman” një pjesë të mirë të Kosovës. Pikërisht për këtë shkak, popullata e shpallur fermanlie, më saktë pjesa kryengritëse e saj, e cila në masë përbëhej prej shqiptarësh, u detyrua të largohej nga trualli i vet për t’iu shmangur diskriminimit. Burimet historike tregojnë se gjatë kësaj tërheqjeje popullsie, që ra në sy të historisë, serbët nuk përbënin shumicë. Edhe serbët u bashkuan me austro-hungarezët për të luftuar kundër Perandorisë Osmane, por, mbasi kryengritja u shtyp, nuk pati shpërngulje masive të tyre. Ajo pjesë kryengritësish serbë që u detyrua të largohej, ndoqi drejtimin e veriut dhe u vendos në Vojvodinë. Shpërngulje për shkak të pjesëmarrjes në kryengritje pati kryesisht nga luftëtarët shqiptarë.



Pikërisht këtij momenti “boshllëku” fiktiv, kur prania shqiptare në strukturën demoetnike të Kosovës pati rënie relative, i referohet më së shumti dija serbe për të provuar se shqiptarët “u dyndën” drejt veriut për të zënë troje të të tjerëve, në fillim të shekullit të 18-të. Ndërsa e vërteta është e thjeshtë: Kur, më 1710, Porta e Lartë e hoqi regjimin “nën ferman”, shqiptarët kryengritës u rikthyen në trojet e mëhershme. Shkenca serbe pikërisht në këtë moment e fillon historinë: shqiptarët e ripopulluan Kosovën në shekujt 17-të dhe të 18-të, sepse Perandoria Osmane e favorizoi dyndjen e tyre si shpërblim për ndërrimin e fesë dhe si ndëshkim për serbët fanatikë. Asaj nuk i intereson kronologjia absolute, mjafton një kronologji relative, që shqiptarët t’i gjejë në mungesë.[8]


Një pjesë e popullsisë shqiptare që ishte vendosur përkohësisht në viset malore të Shqipërisë Qendrore, pas përfundimit të luftës austro-osmane që zgjati gati 20 vite, filloi gradualisht përsëri të kthehet në vendbanimet e tyre të mëparshm në territoret e sotme të Kosovës dhe më gjërë, që atëherë administrativisht kryesisht jetonin në Sanxhakun e Vushtrrisë, Prizrenit etj. Por një pjesë e popullsisë shqiptare e besimit orthodoks si edhe të asaj katolike që kishte qenë e inkuadruar në radhët e ushtrisë austriake, nga frika e ushtrisë osmane u shtërnguan të dynden në Vojvodinë e vende të tjera të asaj ane, e jo popullsia serbe që numërohej në gjishtrinjë e një fakt ajo ishte me prejardhje vllehe e serbizuar në mesjetë, siç ishte serbizuar edhe një pjesë e popullsisë shqiptare të besimit të krishterë.[9]


Përpjekjet e shqiptarëve për çlirim kombëtar nuk pushuan asnjëherë, por përkundrazi ato vazhduan duke gjetur forma të reja të rezistencës, me qëllim që të çlirohen nga sundimi i Perandorisë osmane.

Çlirimi i viseve të Pashallëkut të Beogradit[10] dhe 6 nahijet[11] gjatë viteve 1800 e deri në vitet 1875 ishte e drejtë legjitime serbe. Mirëpo, në anën tjetër, ajo largoi popullatën joserbe nga ato treva. Kështu sipas një shënimi historiografik nga periudha 1800 e deri në vitin 1875 cek se qarqet ushtarake dhe qeveritare serbe i larguan nga viset e lartëpërmendura dhe nga Lugina e Moravës, siç thuhet aty, rreth 150.000 banorë shqiptarë.[12] Regjimet e dinastisë së Obrenoviqëve (1817-1903) vazhduan politikën terroriste shtetërore ndaj shqiptarëve e boshnjakëve e gjatë viteve ‘30 të shekullit XIX, me qëllim të spastrimit etnik. Në frymën e kësaj politike, qeveria e Principatës së Serbisë urdhëroi me 1832 që çdo shqiptari dhe boshnjaku, që kapet në territorin e Serbisë, t’i mëshohen nga 25 të rëna me shkop, ndërsa më 1834 urdhëroi që të përdoret ushtria për t’iu djegur fshatrat.[13]


Politika e Mbretërisë serbe përherë kishte për qëllim dhe synim të përhershëm grabitjen e tokave shqiptare dhe zgjerimin e tyre. Serbia shpresonte që të shfrytëzojë rastin në rrethanat e krijuara, për të gllabëruar në tërësi jo vetëm Kosovën, por edhe tërë Shqipërinë bregdetare, për të dalë në detin e hapur. Që nga viti 1844 ajo kishte përpiluar shumë programe, me të vetmin qëllim për t’i shfarosë shqiptarët si popull - për një moment ose në etapa. Ndërsa, ato vise të vendosen të kolonizohen me elementin sllav. Ata për të shkëputur pjesë nga trojet shqiptare intensifikuan veprimtarinë e tyre diplomatike. Për këtë qëllim monarkia serbe, infensifikoi edhe shtypin, publikimet dhe aktivitetin shkencor, ku synonte t’i vinte një mbështetje gjoja historike shkencore politikës grabitqare pushtuese të borgjezisë serbomadhe ndaj tokave shqiptare në Kosovë e gjetiu. Në këtë politikë ishte dhe është angazhuar edhe shkenca serbe, sidomos për sa i përket trajtimit të së kaluarës historike dhe autoktonisë së popullit shqiptar në viset e Ballkanit, ku jeton sot, para së gjithash në Kosovë dhe në Maqedoni. Kjo “shkencë” nuk ka pasur për bazë normat dhe moralin shkencor, të vërtetën shkencore, por vetëm interesat e politikës së ditës, politikës antishqiptare. Shkencëtarët e tillë përpiqen që me çdo kusht ta mohojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve. Ata kishin vetëm një qëllim të caktuar - mohimin e së kaluarës historike etnike të shqiptarëve, falsifikimin e historisë dhe të autoktonisë së tyre.[14] Për realizimin e kësaj, ata përdorën të gjitha format dhe metodat diplomatike e “shkencore”, duke mos kursyer më vonë edhe metodën e dhunës e të terrorit për spastrimin etnik të Kosovës, shkombëtarizimin e saj dhe kolonizimin me elementin sllav.



Gadi katër dekada më parë, në Vilajetin e Kosovës bënte pjesë edhe Sanxhaku i Nishit me kazatë e saj të Vranjës, të Pirotit, të Leskocit ku prania e shqiptarëve ishte e konsiderueshme. Por Kongresi i Berlinit, Sanxhakun e Nishit ia dha Serbisë, për të kënaqur Rusinë, e cila e kishte fituar luftën kundër Perandorisë Osmane. Së bashku me Sanxhakun e Nishit, Vilajeti i Kosovës përfshinte në gjirin e vet troje etnike shqiptare. Këtë e pohojnë, midis të tjerëve, tre vezhgues të huaj objektivë, të cilët disa dekada përpara Kongresit të Berlinit, i vizituan këto troje. Që te tre këta vëzhgues, njohës të mirë të Gadishullit Ballkanik, studimtari erodit freng Ami Boue më 1810, analisti i mprehtë britanik E. Spenser më 1847 dhe shkencëtari i njohur austriak J. Hahn më 1853, kishin dhënë në mënyrë të përafërt edhe konturet e trojeve ku shqiptarët ishin të pranishëm në kohën e tyre. Sipas tyre, shqiptarët ishin të pranishëm në Veri deri në Nish, Leskofc dhe Vranjë, në Lindje deri në Kumanovë, Perlep dhe Manastir, në Jug deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë, pa qenë nevoja të përsëritet se në periferi të kësaj treve kishte përzirje etnish, ku shqiptarët formonin diku pakicën përball etnive tjera.[15]


Sa i përket pronave të patundëshme, ato ishin kryesisht në pronësi të begëlerve dhe agallarëve shqiptarë dhe ndonjë turq, e rrallë të ndonjë nacionaliteti tjetër. Shumica e banorëve punonin të ta si çipçinjë. Perandoria osmane pronarëve u lëshonte dëshmitë për pronat në formë të tapive të regjistruara në kadastër e cila mbatej me njësinë matëse dulum etj. Nuk kishte ndonjë matje kadastrale nga pushteti i atëhershëm osman. Sipas një dokumenti arkivor i vitit 1874 (1290 H) të proviniencës osmane që ruhet në origjinal në Arkivin e Kosovës, dëshmohet se valiu i Selanikut, Ymer Fejziu në te shkruan: “Nga pushtetarët ushtarakë austriako-hungarezë janë caktuar për fotografimin e disa terreneve të Rumelisë, Kembrug Hambukovic dhe baroni Magdeburg. Këta dy duhet të fillojnë fotografimin topografikë, andaj meritojnë të jenë të respektuar që t’i kryejnë punët e besuara dhe duhet t’iu ndihmohet për banim, t’i sigurohen kuaj për udhëtim dhe për bartjen e mjeteve”.[16]


Shekulli i XIX shënon për shqiptarët e të gjitha trevave një epokë të re, atë të Rilindjes Kombëtare, të lëvizjes për emancipimin e tyre të gjithanshëm ekonomik, politik dhe kulturor, për çlirimin nga sundimi osman dhe për bashkimin në një shtet të vetëm kombëtar. Në këtë periudhë shpërthyen shumë kryengritje të fuqishme në të gjitha viset shqiptare. Ndërsa, në anën tjetër politika hegjemoniste dhe nacional-shoveniste e pushtetit serb, ndër qëllimet kryesore ka pasur shkombëtarizimin dhe sllavizimin e tokave shqiptare që kur janë dyndur në Gadishullin Ballkanik e deri në ditët e sotme. Ajo ka ndjekur gjithmonë një linjë të pandryshueshme, atë të spastrimit etnik të tokave shqiptare nga banorët e saj të lashtë iliro-shqiptarë, duke përdorur të gjitha mjetet mizore si vrasjet, terrorin, shpërnguljen e një numri sa më të madh shqiptarësh nga atdheu i vet dhe shkombëtarizimin e atyre që mbeteshin deri në asimilimin e plotë, si dhe në anën tjetër kolonizimin e atyre trojeve me elementin serb. Gjatë gjithë historisë, pushteti serb bëri çmos për t’i serbizuar viset etnike shqiptare.



Programi i politikës së jashtme të Serbisë për pushtimin dhe kolonizimin e viseve shqiptare u përpunua në “Naçertanie” (1844) të Ilia Garashaninit - politikan dhe më vonë kryeministër i Qeverisë së Mbretërisë së Serbisë. Përmbajtja e “Naçertanies” mbështetet në krijimin e të ashtuquajturës Serbi Jugore me të cilën nënkuptohej Kosova e Maqedonia me tokat shqiptare të saj, por edhe Shqipëria Veriore, për të krijuar kështu të ashtuqujturën “Perandori të car Dushanit”. “Naçertania” rrezatoi në shtetin serb, në organet dhe në institucionet e tij, sikurse edhe në aktivitetet e pushtetarëve të tij prej vitit të përpilimit të saj e deri në ditët tona. Në objektivat e “Naçertanies” kanë gjetur mbështetje sidomos politika e gjenocidit të pushtetit serb ndaj shqiptarëve. Format kryesore të politikës gjenocidale të pushtetit serb ishin dhe ngelën dëbimi dhe deportimi i shqiptarëve nga trojet e veta dhe kolonizimi i këtyre trojeve me popullsi sllave.



Pushteti serb më 1856, me Marrëveshjen e Paqës së Parisit kishte fituar njëfarë të drejte që t’i largojë të gjithë shqiptarët nga qytetet e Shumadisë, si dhe nga Hercegovina. Duhet theksuar se shqiptarët deri kah fundi i shekullit XIX qenë të vendosur në shumicën e qyteteve dhe qytezave, fshatrave të Sanxhakut të Nishit e më gjërë. Pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare ishin përqëndruar në qarkun e Toplicës (Rrethi i Prokuplës, Dobriqit, Kosanicës dhe pjesë të Jabllanicës e të Pustarekës me Kurshumli), Qarkun e Vranjës (pjesë të Rrethit të Pustarekës dhe Jabllanicës, rrethi i Leskocit, Polanica, Gërdelica, Masurica, Pqinja, Inogoshtë etj.), si edhe në Qarkun e Nishit, e ndoshta disa edhe në atë të Pirotit. Banorë shqiptarë kishte edhe në vende tjera, e sidomos në qytete, si psh. në Qupri, Paraqin, Uzhicë, Krushec, Aleksinc, Karanovc (Kralevë) e deri te Beogradi.[17]


Disa vendbanime, përbëheshin vetëm prej popullatës shqiptare, kurse te disa të tjera, ajo ishte e përzier me popullatën serbe (diç pak me atë çerkeze, etj.).



Rrjedha e historisë së Kosovës shqiptare, ndryshoi me përmasa të tjera, pas Kongresit të Berlinit më 1878 me shkëputjen e Sanxhakut të Nishit nga trugu i Vilajetit të Kosovës. Nga ai Vilajet gjatë dimrit të vitit 1877/78 u bë spastrimi etnik i shqiptarëve me masat më radikale gjatë marshimit të ushtrive serbe në këtë Sanxhak. U bë pastrimi i më se 700 vendbanimeve shqiptare dhe të përzira me popullatë tjera serbe, çerkeze etj. me më se 200.000 të dëbuar dhe vendosja e tyre kryesisht në trevat e sotme të Kosovës por edhe shpërngulja e tyre në masë të madhe në trevat e sotme të Turqisë.[18] Po ashtu gjatë viteve 1877/78 ushtria serbe kishte dëbuar nga shtëpitë e veta stërgjyshore 350.000 shqiptarë të Saxhakut të Nishit, Pirotit, Jeni Pazarit, Plavës, Gucisë, Hotit e Grudës si dhe nga një pjesë e Kosovës Veriore deri te periferia e Prishtinës.



Ushtarakët serbë për të realizuar qëllimin e dëbimit dhe të kolonizimit kishin përdorur mjetet më brutale të likuidimit fizik të shqiptarëve, duke mos i kursyer as fëmijët, gratë e pleqtë. Mbi 35.000 shqiptarë të moshave të ndryshme gjetën vdekjen nga zjarri i armëve, i bajonetave, nga djegiet për së gjalli, nga ngrirjet në dëborë e akulli. Pati edhe shumë nëna të ngrira me foshnje në gji. Pastaj ata plaçkitën, dogjën e shkatërruan shumë fshatra shqiptare. Djegiet e shkatërrimet e shtëpive të shqiptarëve qenë të pallogaritshme, gati të gjitha fshatrat shqiptare u bënë shkrum e hi në kulm të dimrit të ashpër. Vetëm në njërën nga lagjet e qytetit të Nishit qenë bërë shkrum e hi 300 shtëpi shqiptare. Grabitjet e pasurive ishin masive, duke nisur që nga stolitë dhe deri te mobiljet, shtrojë-mbulojë, veshjet, paratë, drithërat, bulmetrat, bagëtitë etj.[19]


Dëbimi i shqiptarëve me dhunë nga Sanxhaku i Nishit u bë gjatë dimrit të vitit 1878/78, në kushte shumë të vështira. Popullata e dëbuar gjatë rrugës kishte pësuar mjaft. Shumë fëmijë, pleq e të tjerë kishin vdekur nëpër dëborën e madhe, ndërsa bagëtia kishte ngordhur. Këtë e dëshmojnë shumë dokumente të kohës. Shfarosja e shqiptarëve bëhej në mënyrat dhe me metodat më mizore dhe më barbare, për çka dëshmojnë edhe vetë serbët. “Disa familje shqiptare iknin dhe tërhiqeshin në luginën e lumit të Moravës Jugore, nëpër të ftohtit e madh, pranë rrugës, nëpër grykën e Gërdelicës deri te Vranja dhe Kumanova, shiheshin fëmijët të hedhur dhe të vdekur dhe pleq të ngrirë. Tërheqja ka qenë tragjike, kuajt dhe qetë tërhiqnin ngadalë qerret nëpër borë, sepse qerre kishte pak. Disa fëmijë të hedhur, të humbur apo gjysmë të vdekur nga lodhja dhe uria kanë qenë të enjtur dhe të fryrë si daullja, disa i linte shpirti atëherë kur tanët i ushqenin, ose pas ngrënies”.[20] Mbreti serb Millan Obrenoviq, për të arritur këtë qëllim, ushtarëve të vet serbë u kishte shpërndarë proklamata, në të cilën thuhej: “... sa më pak shqiptarë që të mbetën në territoret e çliruara nga Turqia, aq më shumë do të kontriboni për shtetin. Sa më shumë shqiptarë të shpërngulur, aq më të mëdha meritat për atdhe.”[21] Shkrimtari serb Jovan Haxhivasileviq, shpjegon qëllimet e qeverisë serbe për pushtimin e territoreve në jug. Ai shkruan se dëbimi i shqiptarëve u bë me qëllim “që Serbia të bëhej shtet i pastër nacional” dhe të krijohet mundësia “që aksioni serb në të ardhmen të drejtohej kah pjesët e Kosovës”... “Me ndjekjen e arnautëve, disa fshatra në ato anë mbetën plotësisht të shkreta. Disa fshatrave nuk u diheshin emrat, sepse nuk kishte kush t’i tregonte, prandaj ato fshatra të shkreta të Sanxhakut të Nishit - Prokuple, Leskofc, Vranje duhet të popullëzoheshin”.[22] Popullata e dëbuar shqiptare nga Sanxhaku i Nishit, kryesisht u vendos në territorin e Kosovës së sotme, disa u vendosën në territorin e Maqedonisë, e shumë prej tyre të mjerë përfunduan jashtë Kosovës, tej Bosforit, në shkretirat e Anadollit e më gjerë.



Sipas statistikave turke okupatori serb në sanxhaqet e Nishit dhe të Pirotit do t’i përvetësoj për koloët sllavë 48.000 shtëpi të shqiptarëve, 42.000 shtalla bagëtish, 18.000 hambarë drithërash, 48.000 maxhe buke. Nga çdo shtëpi serbët kishn rrëmbyer nga Nishi deri te Prishtina prej 20 e deri në 4000 dele, 3 deri 50 lopë, 40.000 kuaj, 50.000 qerre dhe mjete të tjera shtëpiake të shqiptarëve.



Duke u mbështetur në Ligjin mbi kolonizimin e të huajve, nga 2 marsi 1865, pushteti serb të gjitha pronat e shqiptarëve do t’i kolonizojë me banorë serbë e malazezë, keryesisht nga viset e Malit të Zi dhe nga pjesë e paokupuar e Kosovës. Pushteti serb me 3 janar 1880 nxjerr Ligjin për viset e reja të kolonizuara. Me këtë ligj regjimi serb e përligji plaçkitjen e cila është bërë në popullatën shqiptare të Sanxhakut të Nishit. Pronat shqiptare pa kurrfarë kompenzimi u morrën nga pushteti serb. Në to u vendosën shumë familje nga viset e ndryshme të Serbisë dhe një numër vogël edhe nga treva e sotme e Kosovës. Më 1879 ishte themeluar komisioni për kolonizim. Secili sllav kishte të drejtë të shkruaj lutje për të marrë tokë të braktisur në të ashtuquajturin “Arnautllëk”. Lidhur me këtë Franc Kanic, thekson se 7500 persona në valën e parë janë lajmëruar për kolonizim në Toplicë deri të Molla e Kuqe afër Nishit.[23] Kolonizimi i këtyre trevave shqiptare ishte bërë kryesisht nga malazeztë nga Mali i Zi dhe nga disa banorë serbë të ikur në këtë kohë nga Kosova. Sipas urdhëresës së qeverisë serbe nga Kosova në Sanxhakun e Nishit gjatë vitit 1979 janë vendosur rreth 5600 serb.[24] Kolonizimi vazhdoi edhe në vitet e mëtutejshme. Në fushatën serbe për kolonizimin e Toplicës 1880-1899, pronat e shqiptarëve do t’i përfitojnë 5600 serbë nga Kosova dhe 9200 malazezë nga Mali i Zi.[25]


Në valën e kryengritjeve të përgjithshme shqiptare (1908-1912), qeveria e Serbisë e ka shpallur Programin e ri serbomadh me titull: ”Direktiva për punë me shqiptarët” (Direktiva za rad sa Arnautima), duke dëshiruar që të shkatërrojë tërë një popull. Në atë program në mes tjerash dedikuar opinionit evropian me titull “Arnauti i velike sile”, të autorit Vlladan Gjorgjeviqit. Ai pamflet prej 188 faqesh, pushteti serb që të arrijë lejën për likudimin e shqiptarëve, të publikuar në disa gjuhë, që më atë të “dëshmon” se “shqiptarët nuk e kanë gjuhën, nuk i kanë librate veta (letërsinë), nuk e kanë historinë e vetë, me ate sipas orientimeve (programeve) serbomadhe nuk kanë të drejtë në jetë, nuk kanë të drejtë të ekzistojnë, nuk kanë të drejtë të formojnë kurrfarë shteti”. Jo vetëm kjo, ministri i punëve të jashtme të Mbretërisë së Serbisë qartatas do të kërkojë në Vjenë që shqiptarët “të likuidohen sikurse janë likuiduar popujtë e Afrikës Veriore”.[26]


Sukseset e mëdha që dolën nga kryengritjet shqiptare në fillim të shek. XX i shqetësuan pa masë shtetet ballkanike Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë. Prandaj ata në mars-maj 1912 lidhën Aleancën Ballkanike me qëllim të pushtimit të trojeve shqiptare dhe qëllime të tjera. Nikolla Pashiqi kishte hartuar projektin në vitin 1912 –Çka don Serbia?.. “Serbia don që të zbatohen ato urdhëra nga Kongresi i Berlinit, të cilat po presin që të realizohen që 34 vjet. Serbia don të punojë në frymë e Evropës. Ajo don që të realizohet dëshira dhe qëllimi i Fuqive evropiane. Ajo don që edhe gjakun ta derdhë vetëm që të realizohet ëndëra e vëllezërve të saj. Ajo don që në rrezik dhe në harxhime e saj të realizohen vendimet e Fuqive evropiane..”[27] Trupat serbe shfrytëzuan dobësimin e forcave osmane nga kryengritjet e shumta shqiptare, dhe duke lidhur aleancën me shtetet ballkanike, ato hynë në Kosovë.



Më vonë, përkitazi me këtë pushteti serbë përherë përgatitej për pushtim të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare. Në vitin 1911 e kishte urdhëruar konsullatën e vet në Prishtinë dhe doganat në Rashkë dhe në Javor që të bënin regjistrimin e popullatës serbe, aty këtu edhe të ndonjë vendbanimi shqiptar. Në regjistrimin e popullsisë në terren ishin angazhuar mësuesit dhe priftërinjt. Aksioni i regjistrimit ishte kryer në 230 fshatra. Përveç tjerash, këto shënime për numrin e banorëve serbë dhe të tjerë, shërbente në shfrytëzimin e tyre në luftën e ardhshme.[28]





KOLONIZIMI I KOSOVËS 1912-1914



Politikën e spastrimit etnik dhe të kolonizimit të trevave shqiptare, Mbretëria Serbe dhe ajo Malazeze e vazhduan edhe pas pushtimit të Vilajetit të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare. Dihet se me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1912/13 këto vise mbetën padrejtësisht jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Ato iu nënshtruan spastrimit etnik dhe kolonizimit. Për këto qëllime qarqet politike serbo-malazeze shfrytëzuan përvojën e mëparshme, ushtruan terror e dhunë të pashembullt. Njësitë e ushtrisë, të policisë dhe “Narodna Odbrana” bënin gara kush do të likuidonte më shumë shqiptarë, kush do të rrënonte shtëpitë e tyre, do të plaçkiste ose t’i kthente ata përdhunisht në fenë ortodokse sllave. Dhuna e terrori u kthyen në metoda të preferuara për të frikësuar dhe detyruar shqiptarët të shpërnguleshin ose të zhvendoseshin në vende të tjera. Kjo fushatë u shoqërua me shpërnguljen masive, me grabitjen e pasurive dhe me djegien e fshatrave të tërë shqiptare, si dhe me kolonizimin e ardhacakëve serbo-malazezë.



Qarqet politiko-ushtarake shoveniste serbo-malazeze (1912-1914) nuk u kënaqën që shtetit shqiptar të vitit 1912-1913 ia imponuan dhe ia shkëputën pjesën më të madhe të tokave të veta. Kështu, nga të dhënat kadastrale të administratës osmane shihet se trevat shqiptare që nga Mesjeta e hershme e deri më 1912 kishin një sipërfaqe prej 115.000 kilometra katrorë. Nga ky territor, u krijua shteti shqiptar në hapësirë vetëm në 28.748 kilometra katëror. Madje ato qarqe tentuan që edhe viset e okupuara të Kosovës, të Maqedonisë Veriperëndimore dhe pjesë të tjera të aneksuara nga Mali i Zi, por së bashku me shovenistët grekë tentonin që edhe Kosovën dhe viset tjera t’i shndërrojnë në Toplicë e t’i zbraznin nga popullsia autoktone shqiptare, popullsi kjo që ishte më e vjetër se këto sllave së paku dy milenium vjetësh dhe në vend të tyre të vendosin elementin sllav, kryesisht serb e malazez, siç edhe u veprua.



Këto pushtime u justifikuan në konferencën e ambasadorëve të mbajtur në Londër në vitin 1913, ku jashtë shtetit shqiptarë të shpallur më 28 Nëntor 1912, mbetën pjesa dërrmuese e tokave shqiptare, si Kosova, Kosova Lindore, Maqedonia Perëndimore, pjesë të Malit të Zi, Çamëria etj. Shteti shqiptarë u cungua. Nga 90.270 km² (Vilajeti i Kosovës më 32.900 km², Vilajeti i Shkodrës me 10.270 km², Vilajeti i Manastirit më 28.500 km² dhe Vilajeti i Janinës me 17.900 km²) u përfshinë vetëm 28.500 km² apo 32,24% të tërësisë etnike të tokave shqiptare, tregon qartë për padrejtësinë që i bëhej kombit shqiptarë qysh atëherë. Njëherit, në saje të okupimit të tokave shqiptare, shtetet fqinje rritën territoret e tyre në këto përmasa: Serbia zgjeroi territorin e vet për 82% dhe popullsinë për 55%, Mali i Zi territorin për 62% dhe popullsinë për 100%, Bullgaria territorin për 29% dhe popullsinë për 3%, ndërsa Greqia territorin për 68% dhe numrin e banorëve për 67%. Prandaj, me pushtimin e 67,79% të territorit shqiptar, u bë zgjerimi i territoreve të shteteve orthodokse të Ballkanit dhe zvoglimi katastrofal i territorit të shtetit shqiptar.[29]


Me qëllim të realizimit të kolonizimit të Kosovës dhe të dëbimit të shqiptarëve nga atdheu, menjëherë pas pushtimit të tokave shqiptare, ushtritë pushtuese serbe, malazeze e greke, repartet e xhandërmërisë, si dhe formacionet çetnike, të krijuara e të armatosura nga shteti serb, ndërmorën një fushat të pashembullt terrori e gjenocidi shfarosës, e cila u shoqërua me shpërngulje masive, me grabitjen e pasurisë dhe me djegien e fshatrave të tëra shqiptare, si dhe me kolonizimin me ardhacakë serbo-malazez. Politika e dhunës, që iu imponua shqiptarëve në të ashtuqujturat “viset e reja”, siç u quajtën nga qarqet serbe në atë kohë Kosova dhe trevat e tjera shqiptare të aneksuara, synonte spastrimin etnik dhe shkombëtarizimin e tyre. Terrori antishqiptar u shoqërua me një sërë masash ekonomike-administrative, me ndryshimin e sistemit të taksave, të cilat çuan Kosovën dhe popullin shqiptarë në buzë të greminës.[30] Politika antishqiptare u shoqërua edhe me përpjekjet për ndryshimin e përkatësisë fetare të popullsisë. Jo vetëm mbi shqiptarët e besimit mysliman, por edhe në ata të besimit katolikë, duke u munduar që me dhunë t’ia imponon fenë ortodokse.[31]


Përveç vrasjeve, dëbimit dhe dhunës nga Kosova, ata ndërmorën aksionin e përgjakshëm për t’ua ndërruar fenë shqiptarëve, për t’i kryquar dhe për t’i serbizuar, si shqiptarët myslimanë, ashtu edhe ata katolikë. Këtë masë të konvertimin e ndërmorri pushteti malazez në Rafshin e Dukagjinit, në pjesën që e kishte aneksuar. Përmes diktaturës ushtarake e policore “i tubonin shqiptarët me dhunë, i vënin në rresht me flamur përpara dhe i çonin në kishë” U vranë e u pushkatuan me mijëra vetë. Kjo kryqëzatë e ushqyer me helmin e urrejtjes fetare e kombëtare, shekuj me radhë nga kisha e qeveritë e tyre, korri shumë viktima të pafajshme. Fshatrat shqiptare rrethohen, plaçkiten dhe u vihet flaka. Fshatra të panumërta u rrënuan për tokë, u shndërruan në grumbuj gërmadhash. Oficerët serbë shpallnin se “paqja efektive në Shqipëri mund të arrihet vetëm duke i shfarosur krejtësisht shqiptarët”. Urdhëri suprem i Beogradit ishte i prerë: “Duhet mësuar ai popull i egër për të jetuar në një shtet modern”. Pastaj, në gazetat serbe shkruante: “Duhet të vdesin disa gjenerata të shqiptarëve që të harrohet çfarë bënë serbët ndaj tyre”.[32] Ata kanë thyer dyert e shtëpive dhe kanë masakruar këdo që gjenin brenda, pa pyetur në ishte i ri apo plak, burrë a grua. Një dëshmi tjetër që dëshmon edhe këte. Se në tregun e Prishtinës, më 18 tetor 1912 më një lirë ari të Turqisë mund të bliheshin 82 fesa turq. Më 10 nëntor 1912, po në këtë treg, një fes mund të blihej me 82 lira ari. Ngritja kaq e lartë e çmimit ishte bërë për shkak se ushtria serbe likuidonte të gjithë njerëzit me plisa të bardhë, ndërsa i kursente ata që mbanin fesin turk në krye.



Sipas të dhënave të Komitetit të Kosovës, nëpër burgjet e Serbisë, Malit të Zi e Greqisë, në këtë periudhë, janë mbytur ose kanë pësuar rreth 23 mijë shqiptarë. Shoqata e imamëve myslimanë pohon se në territoret etnike shqiptare, në këtë periudhë, kanë qenë 21 mijë varre dhe kufoma të masakruara nga ana e xhandarmërisë. (Në këto shënime nuk janë përfshirë të vdekurit gjatë luftës tetor-nëntor 1912). Në Kosovë janë shënuar pesë varreza masive. Vetëm në Gazimestan në periudhën janar-maj 1913 janë likuiduar mbi 5000 shqiptarë etnikë.[33]



Pas okupimit të Kosovë nga Serbia dhe Mali i Zi, pas vendosjes së pushtetit ushtarak serb e malazez, nga nëntori i vitit 1912 deri në qershor të vitit 1914, Kosova u shkatërrua më shumë se gjatë gjithë pushtimit pesëshekullor osman. Serbia dhe Mali i Zi gjatë vitit 1913-1914 dogjën e rrafshuan 235 fshatra shqiptare, 133 serbët e 102 malazezët”.[34] Leo Freundlich, shkruan: “Mijëra e mijëra burra, femra, pleq e fëmijë të vrarë e të mbytur me të therrura, fshatra të djegura dhe shtëpi të plaçkitura, gratë dhe vajzat e çnjerëzuara, një vend i shkretëruar, i plaçkitur, i larë me gjak i turpëruar, dëshmon se serbët në Shqipëri nuk hynë si çlirimtarë, por si vrasës të shqiptarëve... Fshatra të panumërta u rrafshuan me tokë, u masakruan njerëz të panumërt në mënyrën më shtazarake. Vendi, ku gjeneratat e zellshme të shqiptarëve të varfër, krijuan atdheun e tyre, u shndërrua në grumbuj gërmadhash. Një popull i tërë u kryqëzua me gjak dhe Evropa hesht....”[35] M. Edit Durham, shkruan më 1913: “Në Shalë, myslimanët ose duhet të pagëzoheshin ose do të mbyteshin. Një njeri nga Peja rrëfente: “Çdo ditë telalli thërret nëpër rrugë: - Qeveria do të pushkatojë sot nja dhjetë vetë! Asnjeri nuk di se cilët janë këta njerëz dhe përse vriten. I shpiejnë përpara një grope që do të jetë varri i tyre. Pastaj 12 ushtarë shtijenë mbi ta derisa bien për dhe. Atyre u hidhet dheu përsipër, pa marrë parasysh se janë gjallë apo të vdekur. Njerëzit hidhen në ujin e akulltë të lumit, e pastaj detyrohen të qëndrojnë pranë prushti të zjarrit deri të kërkojnë mëshirë. Dhe çmimi për të gjithë këtë ishte të kthyerit në fenë e krishterë. Shumë nga këta që ishin pagëzuar në tmerr, vinin tek unë”.[36]


Krahas metodave të gjenocidit, vrasjeve, djegieve, rrënimeve të vendbanimeve etj. shqiptare, filloi edhe procesi i serbizimit të trevave shqiptare të pushtuara dhe të robëruara, përkatësisht kolonizimi i trevave shqiptare me elementin serb e malazez. Çrrënjosja e autoktonëve shqiptarë dhe rrënjosja e ardhacakëve serbë, përbënte një proçes të gërshetuar, të organizuar e të drejtuar nga Beogradi. Proces i shpopullimit të shqiptarëve dhe popullimi me kolonë serbë e malazezë dhe proces i shpronësimit të shqiptarëve dhe pronësimit të kolonëve.



Me qëllim që kolonizimi të arrinte ritme të larta e të ngutshme ashtu si në Jabllanicë, në Leskoc, Pusta Rekë etj., në vitet 1877-78, Mbretëria serbe i hapi rrugën edhe emgiracionit serb jasht vendit, deri edhe jashtë kontinentit. Lidhur me këtë fletorja e Beogradit “Ballkan”, nr. 6, e shkurtit 1914 njoftonte urdhëresën për kolonizimin e “viseve të reja”, sipas së cilës “edhe serbët që banojnë në Amerikë, me origjnë nga Mali i Zi, Bosnja, Serbia e nga Hungaria Jugore do të merrën parasysh. Në fakt mund të përfitojnë edhe serbët me banim në monarki” (Austro-Hungaria, J.O.).[37]


Ky proces gjenocidal ndaj popullatës shqiptare u shoqërua me dëbimin e tyre në Turqi e në Shqipëri. Sipas disa vlerësimeve në periudhën ndërmjet viteve 1912-1914 në Turqi u shpërngulën rreth 500.000 njerëz. Ndërsa, vetëm nga Kosova prej vitit 1913-1915 për të shpëtuar kokën nga gjenocidi shtetëror serbomalazez u detyruan të shpërngulen më se 120.000 shqiptarë.[38] Në anën tjetër një numër prej mijëra kolonëve u vendos në trevat e Kosovës, posaçërisht në tokat e shqiptarëve të ikur nga atdheu për shkak të dhunës e terrorit. Sipas disa shënimeve, organet serbe sollën në Kosovë rreth 20 mijë serbë, shumica e tyre kriminelë. Ata u vunë në funksion të grindjeve dhe të konflikteve ndërnacionale, duke u rekrutuar në xhandarmëri dhe në provokatorë ndaj shqiptarëve. Ndërsa, në atë pjesë të Kosovës, ku okupator ishte Mali i Zi, nëpërmjet “Ligjit special për kolonizim”, në pronat shqiptare në Pejë e në Gjakovë u vendosën rreth 6000 kolonë malazezë.[39] Këto toka pushteti menjëherë ose gjatë kohës së Mbretërisë jugosllave ato i pronësoi në duar të ardhacakëve, kështu duke ndryshuar në masë të madhe gjendje kadastrale të pronarëve faktik të tokave.



Kolonizimi i trevave shqiptare të pushtuara me elementin sllavë, siç u tha kishte filluar menjëherë pas okupimit në vitin 1912, ajo u sanksionua me dekretligje të veçanta, që dolën në të dy mbretëritë në fillim të vitit 1914. Me këto përligjeshin të gjitha padrejtësitë që u ishin bërë deri atëherë shqiptarëve. Këto ligje u hartuan në një mënyrë të tillë që të arrihej efikasiteti sa më i madh në shpronësimin e fshatrave shqiptarëvë dhe që të favorizoheshin e të stimuloheshin kolonët sllavë për të jetuar në viset shqiptare.



Mbretëria serbe, më 17 shkurt 1914, ua ndaloi gjyqeve ta regjistronin tokën perdërisa të shqyrtohej çështja e patundshmërisë si dhe derisa të studiohet çështja e tapive. Me këtë, qeveria dëshironte të injorojë realitetin e dikurshëm osman lidhur me përkatësinë e pronës në rrethanat e reja shoqërore dhe politike. Pronat në Kosovë para okupimit të vitit 1912 ishin më se 90% në duar të popullatës vendase shqiptare, kryesishtë në duar të belgerëve dhe agallarëve. Menjëherë, Serbia që më 20 shkurt 1914, nxori “Dekretligjin mbi kolonizimin e viseve të posaçliruara dhe të bashkuara në Mbretërinë e Serbisë”, i cili më vonë u plotësua. Po ashtu veproi edhe Mali i Zi, i cili kishte nxjerrë “Ligjin mbi kolonizimin e viseve të posaçliruara” prej 27 shkurt 1914. Këto dispozita ligjore, dhe shumë të tjera, që merren më vonë, shërbejnë si mbështetje për nxjerrjen e ligjeve të mëvonshme në Mbretërinë SKS, përkatësisht jugosllave, si p.sh. Dekretligji mbi kolonizimin e viseve të reja jugore i vitit 1920, i cili në vitin 1922 aprovohet si Ligj mbi kolonizimin e viseve të reja, Ligji mbi kolonizimin i vitit 1931 dhe shumë të tjerë. Me ato ligje tërë toka shpallet pronë shtëtërore, sidomos për ata që nuk kanë pasur dokumente të shkruara, edhe pse e punonin atë me vite sepse ato ishin shkatërruar gjatë luftërave ose marrë në forma tjera nga pushteti. Pra, me këto akte juridike legalizohet dhuna ndaj shqiptarëve, të cilëve me anë të vënies në lojë të atyre tapive të pakta që i dispononin iu mohohet e drejta e tyre e pronësisë shumëshekullore mbi tokën.[40]


Me gjithë shpronësimin e popullsisë agrare shqiptare dhe sjelljen e qindra familjeve të kolonëve, qarqet politike serbo-malazeze nuk arritën objektivat e caktuara: ndërrimin e dukshëm të përbërjes etnike të popullsisë në dëm të shumicës dërrmuese shqiptare. Ky qëllim nuk u arritë për shkak të rezistencës së armatosur të popullit shqiptar, ashtu edhe për shkak të kohës së shkurtër të sundimit të këtyre regjimeve, e veçanërisht të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, kur një numër i kolonëve u kthyen në vatrat e tyre.





KOLONIZIMI I KOSOVËS ME ELEMENTIN SLLAV 1918-1941



Me ripushtimin e Kosovës, në vjeshtë të vitit 1918 dhe vendosjen e pushtetit serbo-malazez e vënien në funksion të aparatit të veçantë administrativo-politik, administrata shtetërore e ushtarake, krahas organizimit të operacioneve ndëshkimore, të dhunës, terrorit, vrasjeve, dënimeve të mëdha etj., në të njëjtën kohë filloi një presion politik për shkombëtarizimin e popullatës shqiptare me metoda të ndryshme. Qarqet drejtuese të Beogradit rifilluan politikën e vjetër shoveniste.[41]


Pushteti menjëherë filloi organizimin administrativ në Kosovë dhe vise të tjera për zbatimin e kolonizimit dhe reformës agrare. Regjimi i mbretit Aleksandër në vitin 1920 e ka përpiluar programin special për pastrimin e territoreve etnike shqiptare. Duke u bazuar në atë pogram, ushtria serbe dhe xhandarmëria kanë bërë krime të paparë, duke i djegur 182 fshatra shqiptare.[42]



Organet për zbatimin e kolonizimit dhe të reformës agrare



Për realizimin e politikës kolonizuese agrare në Kosovë dhe viset tjera, organet e pushtetit të Mbretërisë SKS, përkatësiht jugosllave, në mënyrë të drejtëpërdrejt ose në ndonjë formë tjetër ishin të angazhuar për zatimin e reformës agrare. Formimi i organeve të tilla u bë në fillim të vitit 1919. Në fillim u nxorr dekreti i Dispozitave papraprake për përgatitjen e reformës agrare në Mbretërinë e re të SKS të 25.II 1919 (Sl. List Kraljevine SHS nr. 11/27.1919) dhe Urdhëresa e Këshillit Ministror të Mbretërisë së SKS, dt. 10.IX 1919, për aplikimin e pjesërishëm të Dispozitave praparke për përgatitjen e reformës agrare, qe e domosdoshme themelimi i organeve shtetërore, të cilat do të zbatonin reformën agrare dhe kolonizimin. Këto kompetenca dhe detyra iu caktuan ministrit për politikën sociale. Më ketë përpiqej të theksohej se reforma agrare kishte karakter social.



Organi i parë për zbatimin e reformës agrare dhe të kolonizimit ishte Zyra shtetërore për reformën agrare, që iu dha në mbikëqyrje ministrit të politikës sociale. Ajo duhej të merrej me reformën agrare, kolonizimin e brendshmëm dhe riatdhesimin e të shpërngulurëve nga Amerika dhe vendet e tjera. Sektori për reformë agrare menjëherë filloi ndarjen e tokës të pronarëve të mëdhenj shqiptarë e të tjerë nëpërmjet të besuarve të vet.



Më vonë rezultoi përfundimi se kjo detyrë duhej t’i besohej një ministrie të veçantë. Më 2 prill 1919 emërohet ministri i reformës agrare për zbatimin e Dispozitave paraprake. Në disa vise filluan të formohen Këshillat agrare për zbatimin e reformës agrare dhe të kolonizimit. Në Kosovë dhe në disa vise nuk u formuan kurrfarë këshillash, por të gjitha këto punë i kryente pushteti administrativ (policor). Me Dekretligjn nr. 2119, datë 12 shkurt 1920 u themelua Ministria e Reformës agrare e Mbretërisë SKS, detyra kryesore e të cilës likudimi i marrëdhënieve çifligare dhe e kolonizimit. Gjatë vitit 1920 formohen drejtoratet agrare dhe zyrtat agrare krahinore. Në kuadër të kësaj Ministrie ishte sektori i kolonzimit dhe ai i reformës agrare. Për territorin e Kosovës ishte themeluar Drejtoriati suprem i reformës agrare me seli në Shkup, ndërsa në kuadër të tij ishin drejorate agrare të qarkut me seli në Pejë, Prishtinë, Mitrovicë, Vushtrri, Gjakovë dhe Prizren dhe më vonë në Ferizaj që përfshinin rrethet e caktuara.



Detyrat e këtyre drejtorateve ishin të shumëfishta. Ato kryesisht ishin në zbatimin kolonizimin e këtyre trevave me elementin sllavë, marrjen e pronave shtetërore, komunale dhe private dhe ndarjen e tyre kolonëve të ardhur dhe institucioneve të tjera sidomos atyre shtetërore, stacioneve të xhandarmërisë, kishave, manastirave, shkollave etj. Një prej detyrave kryesore të tyre që e udhëheqnin me përpikëri ishte udhëheqja me prona të eksprorijuara dhe barjta e tyre kadastrale të pronarët e rinjë kolonë ose aty këtu pronarëve vendës serb. Përveç kësaj ato përpilonin progranin e kolonizimit dhe oganizonin ndihmën finansiare dhe ndihma të tjera për kolonët serbë e malazez dhe të tjerë të sjellur në Kosovë. Propozimet e tyre i aprovonte Ministria e Reformës agrare, më vonë e Bujqësisë dhe për këtë aprovonte edhe planin bugjetor. Në punën e këtyre organeve bëheshin malverzime të shumta. Në kuadër të këtyre ministrive formoheshin komisione dhe këshilla të shumta për përkufizimin e kompekseve të shumta agrare pa kurrfarë kriteriumi, pronat më pjellore të pronarëve shqiptarë si dhe të bënin konfiskimin e pronave të pronarëve të ikur nëpër male për shkak të dhunëse e terrorit.



Përveç Ministrisë së reformës agrare, pastaj të bujqësisë ishin të angazhuar edhe këto ministri:

- Ministria e Punëve të Brendshme, që nëpërmjet policisë që përdorte trusninë dhe dhunën, të ndihmonte zbatimin e kolonizimit, parcelimin dhe ndarjen e pronave, ndihmën kolonëve në ardhjen dhe vendosjen, mbojtjen e tyre, ndërsa në anën tjetër të bënte presion në popullatën shqiptare për lëshimin e vendit, shpërngulje jashtë atëdheut dhe në vend të tyre sjelljen e kolonëve serbë.



- Ministria e Ushtrisë dhe Detarisë, ndihmonte dhe përcillte kolonët nga vendlindja deri në Kosovë, bënte propogandë për kolonizim, ndërsa tek shqiptarët propogandonte shpërnguljen në Turqi e Shqipëri. Lironte ushtarët e atyre familjeve që shpërnguleshin. Kjo ministri e angazhonte Ministrinë e Punëve të Brendshme që të shakaktonte sa më shumë çrregullime, në mënyrë që organet e saj të intervenonin.



- Ministria e Punëve të Jashtme kishte për detyrë t’i kundërvehej propagandës së shoqërive të ndryshme dhe individëve shqiptarë që luftonin kundër shpërnguljes dhe ankoheshin në Shoqërine e Kombeve në Gjenevë ndaj dhunës, marrjës së tokave dhe formave të tjera të presionit ndaj shqiptarëve. Ndërsa, në opinionin botëror e arsyetonte reformën agrare dhe kolonizimin si masë të nevojshme ekonomike dhe “dëshirë” të popullit josllavë për shpërngulje.



- Ministria e Pylltarisë dhe e Xehetarisë u jepte kolonëve material ndërtimor, lëndë e tjerë për ndërtimin e shtëpive, lëndë djegëse dhe u pronësonte komplekse të tërë të pyjeve.



- Ministria e Komunikacionit u jepte kolonëve bileta pa pagesë për bartjen e familjeve dhe të invetarit deri të vendi i kolonizimit, ndërsa shqiptarëve të shpërngulur u siguronte transportin.



- Ministria e Arsimit angazhohej që nëpërmjet të mësuesve të bënte propagandë për kolonizim të elmentit sllavë në një anë dhe për shpërngulje të popullatës shqiptare në anën tjetër. Hapte shkolla në vendbanimet kolone.



- Ministria e Ndërtimtarisë angazhohej për ndërtimin e shtëpive, rrugëve, pusave, ujësjellëve për kolonitë sllave.



- Ministria e Politikës Sociale dhe e Shëndetit Popullor kujdesej për hapjen e ambulancave dhe për shëndetin dhe shërimin e kolonëve pa pagesë etj.



Edhe Oborri Mbretëror ishte angazhuar në këto punë rreth zbatimit të kolonizimit në forma të ndryshme. Siç ishte rasti i ndonjë ankese që e zgjidhnin në favor të kolonit, vizitës së mbretit në trevat e shqiptare për t’i motivuar kolonët që në numër sa më të madh të vendosën, ndërsa të bënte presion të shqiptarët për shpërngulje.



Rreth pronësimit të pronave tokësore kolonëve ishin të angazhuar gjyqet e të gjitha niveleve. Gjyqet e rregullta dhe më vonë ato agrare të formuara nëpër qendra të Kosovës ishin angazhuar që gjatë zgjedhjes së kontesteve të ndryshme pronësore që ato t’i zgjidhnin në favor të kolonit. Që sa më parë të bënin pronësimin e tokave dhe lëshimin e tapive pronarëve të rinjë. Në këtë kontest ata bënin edhe malverzime dhe keqpërdorime të shumta me tapitë e pronarëve të deritanishëm shqiptarë aty këtu edhe turq. Ata menjëherë bënin intabulimin e tokave “pronarëve” të rinjë pa kurrfarë procedure.



Një prej ministrive që luajti rolin kyq në zbatimin e kolonizimit në Kosovë pasojat e të cilës edhe sot janë evidente ishte Ministria e financave. Në kuadër të kësaj ministrie funksiononte Drejtorati i Kadastrës. Në këtë sektor gjendeshin këto materiale për matjen dhe parcelimin e tokës, materiale për punën e gjeometrave, shënimet për tokën e goditur nga reforma agrare, evidinecat kadastrale të marrëdheneve pronësore – poseduese dhe librat për pronat tokësore, kulturën, klasën, matjen e tokës, tatime për tokën, toka e goditur nga agrari, lirimi nga tatimi i kolonëve etj. Kështu kjo Ministri komplekse të tëra të pronave si atyre pjellore, të vreshtave, pyjeve, livadheve e të tjera ua pronësonte mënjëherë kolonëve. Kështu që toka e pronarëve shqiptarë për të cilat kishin paguar tatimin, por edhe ende paguanin pa kurrfarë baze juridike kaloi në pronësi të ardhacakëve. Gjendja e pronës ndryshoi në mënyrë katastrofale. Tani, pronarë të rinjë në pjesën dërrmuese të tokave bëhen kolonët. Fatkeqësisht kjo gjendje edhe nga pushtetet e ardhshme edhe pse në masë të madhe popullata shqiptare e bleu më vonë atë pronë, pushteti komunist në mënyrë përfide nuk e bëri intabulimin e saj në pronarë faktik. Kështu që edhe sot disa pushtetar duke u bazuar në këtë gjendjen e kohës së Mbretërisë jugosllave manipulojnë me shifra statistikore, se sipërfaqe të mëdha të pronave tokësore janë në pronësi të serbëve dhe malazezëve. Por, nuk e marrin gjendjen faktike ate reale, para vitit 1912, kur më se 90% e tokave ishte pronë e shqiptarëve dhe aty këtu e ndonjë age apo begu turq, të cilët disa nga dhuna u detyruan të shpërngulen nga atdheu, ose gjendjen se e kujt ishte ajo tokë dhe e kujt është sot që punohet me vite të tëra. Ndërsa, disa pronarë serbë e malazezë kishte raste që kurrë nuk kishin ardhur në Kosovë, por iu ishte ndarë toka, iu ishte pronësuar në kadastër dhe gjyq, por e kishin dhënë për ta punuar pronarët faktik shqiptarë me qesim.



Qëllimi dhe masat për zbatimin e kolonizimit dhe reformës agrare



Pushteti i Mbretërisë SKS, ndonëse kishte premtuar se do të respektonin të drejtat e shqiptarëve etnikë që jetonin në Jugosllavi, madje kishin nënshkruar edhe aktet ndërkombëtare të kohës, që përcaktonin të drejtat e pakicave kombëtare (Traktati i Sen Zhermenit, i unifikuar edhe nga Lidhja e Kombeve), këto qarqe, menjëherë pasi vendosën administratën e tyre ushtarako-policore dhe civile, rifilluan terrorin e praktikuar në vitet 1912-1915. Kështu sipas një statistike, që u botua më vonë, trupat serbe vetëm gjatë janarit dhe shkurtit të vitit 1919 kishin vrarë 6.040 veta, kishin rrënuar 3.873 shtëpi.[43] Qeveria shqiptare e informon Lidhjen e Kombeve në prillin e vitit 1921 se në Kosovë ishin vrarë 2.000 shqiptarë, që nga fillimi i po atij viti; kurse katër muaj më vonë, kreu i Bashkësisë Islame në Bosnje, Reis ul-ulema Çausheviq, i tha një diplomati se që nga nëntori i vitit 1918, në rrethin e Prishtinës ishin vrarë 5.000 veta. Sa për shifrat e përgjithshme, një dokument i hartuar nga Komiteti i Kosovës, më 1921, llogariste se deri atëherë ishin vrarë 12.371 veta, ishin burgosur 22.110 veta dhe ishin djegur përafërsisht 6.000 shtëpi.[44]


Një ndër metodat e spastrimit etnik, shkombëtarizimit dhe sllavizimit të Kosovës, ishte edhe kolonizimi i Kosovës me elementin sllav dhe shpërngulja e shqiptarëve nga vendlindja e tyre. Kolonizimi si metodë përfide filloi të mistifikohet dhe të kamuflohet me zbatimin e njërës nga metodat borgjeze me reformë agrare, e cila propagandohej si masë përparimtare e që në të vërtetë fsheh qëllimin e borgjezisë serbomadhe - kolonizimin e Kosovës dhe shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare, e cila ishte në shumicë absolute. Pra, borgjezia bënte përpjekje që ta rrallojë sa më tepër popullsinë shqiptare, sidomos në ato treva ku shqiptarët jetonin në numër të madh dhe Kosova ishte rajoni me popullsi më të dendur në tërë Jugosllavinë. Ekzistonte një program i gjerë i kolonizimit, i vendosjes së folësve të sllavishtes në viset e banuara me shqiptarë.



Në Kosovë për shkak të konfiguracionit të papërshtatshëm të terrenit dhe nivelit të ulët të forcave prodhuese në bujqësi, tokë të punueshme ka pasur relativisht pak. Në ato sipërfaqe ekzistunte dendësi e madhe e popullssë, e cila gjitnjë rritej për arsye të shtimit të madh natyror, sidomos të popullsisë shqiptare. Sipas shënimeve statistikore ishte shumë e lartë rritja e popullsisë që merrej me bujqësi. Në siperfaqet bujqësore nga viti në vit rritej gjithnjë numri i njerëzve, të cilët jetonin nga bujqësia. Kështu dendësia në Kosovë vende-vende ishte prej 200-300 banorë në një kilometer katror, ndërsa në Vojvodinë në po kaq sipërfaqe bujqësore ishin 80 banorë. Gjendja më e keqe ishte nse merrej parasysh sasia e tokës së punueshme, sepse në Serbi në 100 ha tokë të punueshme vitin 71,1 banorë, në Vojvodidnë 175 banorë, dërsa në Kosovë 228 banorë.



Qëllimi i borgjezisë serbe në të vërtetë ishte që nën parullën e reformës agrare të zbatojë kolonizimin e Kosovës me elementin sllav të ardhur nga viset e ndryshme të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, përkatësisht jugosllave dhe nga disa shtete të jashtme. Pra, në funksion të kolonizimit të tillë u vu edhe e ashtuquajtura reformë agrare. Kolonizimi dhe reforma agrare në Kosovë kanë pasur qëllim kryesisht nacional-politik dhe karakter eksploatues. Qëllimi kryesor i kolonizimit ishte thyerja e kompaktësisë nacionale të popullsisë shqiptare dhe ndërrimi i strukturës nacionale në dëm të shqiptarëve. Veçanërisht, synimi ishte që të kolonizohej dhe të forcohej elementi kolonist në pjesët rreth kufirit me Shqipërinë, sepse mendonin se me atë kufiri do të jetë më i sigurtë dhe do të ndërpritet vazhdimësia e popullatës autoktone shqiptare nga territori i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, siç thuhej në dokumente me qëllim sigurimi dhe në përputhje me planin e tyre strategjik. Përkitazi me këtë dr. Hinko Krizman, deputet dhe ministër, në fjalimin e tij në Kongresin e Partisë Demokratike të Pavarur në Beograd, më 6.12.1925, ndër të tjera, thekson se kolonizimi është kërkesë e mbrojtjes popullore, forcim i popullatës nacionale në kufijt, në veri dhe në jug.[45] Përveç kësaj, ajo politikë bënte përpjekje që ta rrallojë sa më tepër popullsinë shqiptare dhe në ato treva homogjene dhe vendbanime të banuara plotësisht me popullatë shqiptare të vendoste kolonë, pra në ato krahina, ku shqiptarët jetonin në numër të madh, si dhe synohej të kolonizohen ato treva të pastra etnike shqiptare siç ishin: Drenica, Llapi, Llapusha, pjesë të Rrafshit të Dukagjinit, të Kosovës etj, dhe të thyhej homogjeniteti nacional i atyre vendbanimeve e trevave në fjalë. Sepse siç dihet në trevën e Llapit para pushtimit serb në vitin 1912 nuk kishte asnjë banorë serbë, në komunën e sotme të Deçanit serb kishte vetëm në manastirin e Deçanit dhe disa në fshatin Lloqan që prejardhjen e tyre duhet studjuar, në qytetit e Gjakovës kishte disa familje të pakta serbe, në komunën e sotme të Malishevës serbë kishte vetëm në fshatin Kijevë dhe Mleqan, treva e Drenicës sidomos asaj jugore nuk kishte fare serbë dhe kështu me radhë.



Programi i kolonizimit ishte një dukuri komplekse, që kishte qëllime të ndryshme: pikësynim i përgjithshëm dhe afatgjatë i tij ishte, siç u tha ndërrimi i strukturës kombëtare të popullatës në Kosovë (si edhe në Maqedoni, e cila po ashtu po kolonizohej), por në këtë mes, u ngatërruan edhe faktorë të tjerë. Një fakor i këtillë ishte dëshira për të ndalur valën e popullatës nga Serbia dhe Mali i Zi, që po emigronte në Amerikë, duke u ofruar toka të lira afër shtëpive të tyre. Një tjetër faktor ishte politika e dënimit të kaçakëve me konfiskimin e pronës së tyre: mënyra më efikase ishte ajo e zbatimit të këtij dënimi, dhënia e tokave të tyre kolonistëve. Ishte madje edhe një plan tjetër (i shqyrtuar seriozisht në Beograd, më 1921, por fare i pazbatuar) për kolonizimin në Kosovë të 7.000 ushtarëve rusë të gjeneralit Vrangel - një lloj ekuivalence serbe ndaj politikës osmane të vendosjes së çerkezëve luftarakë në rajonet me rëndësi strategjike.[46]


Me procesin e zbatimit të kolonizimit agrar në Kosovë, suksesivisht krijoheshin vendbanime të reja kolonësh. Pushteti kishte për qëllim që të vendoste kolonë në ato treva e vendbanime të banuara plotësisht me popullatë shqiptare në mënyrë që të zbërthejë, të shkatërrojë homogjenitetin nacional shqiptar të atyre vendbanimeve dhe të sendërtojë qëllimin nacional të kolonizimit. Posaçërisht synohej që të bëhej pastrimi etnik i popullatës shqiptare, sidomos përreth kufirit me Shqipërinë dhe në këto pjesë të vendosë kolonët dhe të ngriten vendbanime kolonësh. Kjo kishte për qëllim të formohet një tampon zonë, të ndërpritet lidhja ekzistuese organike territoriale, kombëtare, kulturore, familjare e shpirtërore e popullsisë shqiptare. Në zbatimin e politikës së kolonizimit të Kosovës, përkatësisht ngritjes së vendbanimeve të reja kolone, organet agrare kishin parasysh eksklusivisht interesat nacionalo-politike e shtetërore, duke lënë anash faktin se krijimi dhe zhvillimi i vendbanimeve të reja duhet të ketë qëllim të zhvillimit të natyrës ekonomike dhe sociale.



Organet shtetërore dëshironin që nën maskën e reformës agrare dhe të kolonizimit të realizonin politikën për shtypjen brutale të popullsisë shqiptare, konfiskimit të tokës së fshatarëve shqiptarë, të nxiste tendencën e shpërnguljes së saj në Turqi e në Shqipëri dhe të realizonin idenë e nacionalizimit dhe të serbizimit të Kosovës. Me këtë, politika hegjemoniste jugosllave, duke e konsideruar se popullata shqiptare homogjene autoktone, e cila jeton në numër të madh dhe vështirë mund të asimilohet për shkak të kulturës dhe gjuhës tjetër nga ajo sllave, ajo gjeti metodën e terrorit, të dhunës, të marrjes së tokës dhe të shpërnguljes me dhunë të popullatës shqiptare jashtë atdheut të tyre, dhe me këtë të fitojë sipërfaqe të mëdha toke të punueshme, në të të vendosë një numër të madh të kolonëve. Me qëllim të rrëmbimit të tokave, ushtria dhe xhandarmëria shpeshherë së bashku edhe me elementin kolon, të cilin e furnizonin me armë dhe municion, hidheshin në aksion terrori kundër shqiptarëve.



Kolonët të ashtuquajtur vullnetarë, çetnikë, optantë, etj., kishin ardhur gati nga të gjitha viset e Jugosllavisë borgjeze, si nga Mali i Zi, Hercegovina, Bosna, Dalmacia, Lika, Korduni, Bania, Serbia Jugore, Vojvodina, etj. Mirëpo, kishte kolonë të ardhur edhe nga disa shtete të jashtme si nga Rusia, Italia, Hungaria, Shqipëria, Amerika, etj. Atyre pushteti u jepte prona të mëdha të tokës, sipërfaqja më e madhe e marrë nga pronarët shqiptarë, duke i detyruar ata që të shpërngulen ose të bëhen shërbëtorë “të agallarëve” të rinj, duke ua punuar tokën dhe duke e paguar edhe tatimin për atë tokë. Pushteti, kolonët i vendoste edhe në shtëpitë e fshatarëve vendas shqiptarë dhe të atyre të shpërngulur. Kolonëve, përveç tokës se dhënë falas, pushteti disave ua ndërtonte edhe shtëpitë, si dhe u jepte ndihmë në material ndërtimor, vegla pune, kredi, i lironte nga tatimet shtetërore për 10 vjet dhe nga ato komunale për 5 vjet, kurse të drejtën e plotë si pronarë - me të drejtë për të shitur atë - do ta merrni pas dhjetë vjetësh, transportin falas të tyre, të materialit ndërtimor, veglave të punës, bagëtive etj. deri të vendi i vendosjes etj. U formuan Kooperativat agrare nga të cilat kolonët merrnin kredi pa kamatë, material ndërtimor dhe ndihma të tjera.



Në mesin e kolonëve të ardhur, që shteti u kishte dhënë tokë, përveç fshatarëve bujq kishte edhe tregtarë, pensionistë, oficerë, xhandarë, nëpunës, etj. Për t’i nxitur dhe për t’i tërhequr kolonët që të vijnë dhe të vendosen në Kosovë, makineria propoganduese serbe përdorte në forma të ndryshme propagandën se në Kosovë ka tokë më bollëk, shtëpi të lira etj.



Kolonëve të ardhur sllavë, pushteti, përveç tokës “utrinë”, kullota e të tjerë, u ndante posaçërisht tokë të punueshme pjellore të marrë nga pronarët shqiptarë, të cilët ishin të detyruar të shpërngulen jashtë vendit ose të marrin nga kolonët e të punojnë tokën e vet përgjysmë ose me qesim dhe për të edhe të paguajnë më tutje tatimin. Tokën pronarëve shqiptarë pushteti ua merrte edhe me motivacion se është përfshirë në kompleksin agrar dhe për atë shpesh nuk jepte kurrfarë kompensimi, ose nëse jepte atë tokë e jepte të cilsisë së dobët.



Siç është theksuar më parë, për zbatimin e kolonizimit ishin të angazhuara të gjitha organet e pushtetit, duke filluar nga ato më të ulëtat lokale e deri tek ato më të lartat shtetërore. Pra, ishte angazhuar tërë makineria shtetërore. Ata kurrnjëherë nuk kishin marrë parasysh pozitën e fshatarit shqiptar. Përkundrazi, në aksionet e marrjes së tokës, përdoreshin metoda të llojllojshme, kështu që kishte raste kur toka iu ishte marrë deri në prag të shtëpisë, e që për të hyrë shqiptarë në shtëpi do të detyrohej të kalojë tani nëpër “pronën” e kolonit.



Me marrjen e pronave të banorëve shqiptarë në forma të ndryshme, sidomos të atyre të kaçakëve, që konsideroheshin armiq të shtetit, tokë kinse tepricë, tokë untrinë, pronë e tërë fshatit, komplekse të shumta të pyjeve etj.



Në veprimtarinë e organizuar për nxitjen e vazhdueshme të shpërnguljes shqiptare dhe të kolonizimit me kolonë sllavë, në vend të tyre, administrata shtetërore i kishte lënë vend të veçantë propagandës, sidomos shtypit, i cili duhej të kontribuonte në përgatitjen psikologjike të opinionit brenda vendit për ta përkrahur shpërnguljen dhe për ta justifikuar këtë para opinionit të huaj. Ndërsa, nga kolonët, nga tërë shteti dhe jashtë t’i nxitë dhe t’i tërheqë të vendosen në Kosovë, duke u premtuar tokë më bollëk, shtëpi, vegla bujqësore, lehtësi tatimore, kredi etj. Me këtë shtypi borgjez synonte që në radhët e popullsisë shqiptare të krijojë një gjendje tensioni të vazhdueshëm, i cili duhej të ndikonte në shtimin e mëtejshëm të shpërnguljes. Në shumicën e gazetave, sidomos në ato beogradase, botoheshin artikuj shpifës, tendenciozë, duke e paraqitur shpërnguljen si “dëshirë” të popullatës “myslimane”, ndërsa kolonizimi arsyetohej për tokën e lirë dhe interesat që kishte shteti për t’i kolonizuar këto treva me elementin e krishterë nga aspekti i mbrojtjes.



Shpronësimi në masë i fshatarsisë shqiptare pati për rrjedhojë varfërimin e saj. Ndërsa si rrjedhojë e spastrimeve etnike dhe e kolonizimit të tokave shqiptare u bë ndryshim i ndjeshëm i strukturës etnike të popullsisë. Duke u ballafaquar me pozitën e rëndë të tyre, të shkaktuar nga presionet e llojllojshme, që ushtronte pushteti policor ushtarak i Jugosllavisë borgjeze, dhe, duke mos gjetur mbrojtje elementare juridike për pronat dhe jetën e tyre, e po ashtu të ndihmuar me lehtësi të mëdha rreth përgatitjes së dokumentacionit të udhëtimit, që i ofronte po ai pushtet, një pjesë e popullit shqiptar emigroi në Turqi, e një pjesë edhe në Shqipëri. Shpërngulja e shqiptarëve nga vendlindja e tyre ka qenë e motivuar nga politika antishqiptare e diskriminuese. Ky proces i prirur nga qëndrimet negative dhe nga paragjykimet e qarqeve sunduese ndaj shqiptarëve dhe vendeve të tyre kishte filluar edhe gjatë periudhave më të hershme historike. Për ta nxitur shpërnguljen, pushteti borgjez i ngacmonte shqiptarët edhe në ndjenjat e tyre kombëtare e fetare, si në rrënimin e xhamive, varrezave etj.



Me vendosjen e kolonëve janë krijuar shumë vendbanime të reja të cilat janë pagëzuar me emra sllavë, si p.sh. Tankosiq, Nova Shumadia, Llazarevo, Devet Jugoviq, Hercegova, Dushanova, Serbobran, Petrovec, Petroviq, Kralica, dhe shumë të tjera. Mirëpo, edhe disa toponime të mbetura shqiptare të cilat që nga mesjeta ishin ndërruar, tani në këtë periudhë ndërrohen në mënyrë arbitrare, si p.sh. Ferizaj në Uroshevac, Hani i Elezit në Gjeneral Janoviq, Glloboderi në Obiliq, Ujmiri në Dobravodë, Azizia në Milloshevë, dhe shumë të tjera. Kjo ishte diskutuar edhe në një konferencë ndërministrore në vitin 1937 për ndërrimin e emrave gjeografik.



Ultranacionalistët serbë, duke filluar nga Garashanini, Klubi Kulturor serb, Konventa famëkeqe për shpërngulje e vitit 1938, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, vazhduan përpjekjet për realizimin e planeve, si p.sh. Elaborati i ri i Vasa Çubrilloviqit i titulluar “Problemi i pakicave në Jugosllavi”. Ai pushtetin e ri e “mëson” se përveç spastrimit nga ana e ushtrisë gjatë operacioneve, duhet zbatuar edhe metoda të tjera në mënyrë që pakicat kombëtare të detyrohen të shpërngulen, të krijohen për ta kampe përqëndrimi, ndërsa pasuria e tyre të konfiskohet.



Të bazuar në shënimet statistikore, qeveria arriti që në Kosovë, në periudhën midis dy luftërave, siç thuhej për nevoja të reformës agrare t’i kufizojë rreth 129.212,94 ha tokë.[47] Ndërsa, gjatë kësaj periudhe janë vendosur 13.482 familje me rreth 67.410 anëtarë në 594 vendbanime.[48] Sipas një burimi tjetër në 14 rrethe të Kosovës 21.876 familjeve iu është dhënë 81.134,49 ha.[49] Sipas një raporti të Drejtoratit Suprem të Reformës agrare në Shkup, deri në fund të muajtit tetor 1940, për drejtoratet agrare në Pejë, Ferizaj, Shkup dhe Prizren janë kufizuar 381.245 ha tokë.[50] Tokë në masë të konsideruar iu është dhënë kishave dhe manastireve ortodokse, stacioneve të xhandarmërisë etj. Sipas një raporti të Drejtoratit Suprem të Reformës Agrare në Shkup, sek. nr. 344, datë 12.XI 1940, në territorin e këtij Drejtorati kishave dhe manastiereve iu janë ndarë 569 ha tokë, ushtrisë 1.342 ha, xhandarmëris 250 ha dhe të tjera.[51] Ndërsa, në anën tjetër merrej edhe prona e vakëfeve, xhamive, teçeve etj. pa kurrfarë kompezimi dhe në forma të ndryshme përfide. Nuk është mbajtur ndojë evidencë e mirëfilltë për marrjen e këtyre pronave duke i konsideruar si prona te lira ose të përfshira në kompleksin agrar. Duhet permendur se pushteti agrarë në vitin 1927, Manastirit të Deçanit iu dhanë pronat e 50 familjeve shqiptare të fshatit Isniq, nërsa Manastirit të Deviçit iu dhanë proant e 20 familjeve shqiptare të fshatit Llaushë, komuna e Skëndëraj.



Duhet theksuar se numri i kolonëve të vendosur në Kosovë është më i madh, sesa e jep statistika zyrtare serbe, sepse ky numër ka të bëjë vetëm për familjet, të cilëve zyrtarisht u është ndarë toka. Kanë mbetur anash familjet, që e kanë rrëmbyer tokën në forma të ndryshme, ato në qytet - të ardhur si nëpunës, xhandarë, tregtarë dhe të profesioneve të tjera. Secila familje mesatarisht i kishte marrë nga 8,45 ha tokë, por kishte shumë raste kur një familje kishte marrë edhe deri 45 ha tokë. Ndërsa, familjeve shqiptare kishte raste kur toka i merrej në tërësi deri në prag të shtëpisë, kështu që nuk zbatohej edhe ai dekretligj famëkeq, i cili parashihte se familjeve shqiptare t’i mbetej 0,40 ha tokë për një anëtar të familjes.



Në territorin e Kosovës kolonët sllavë u vendosën në këto vendbanime:[52]


Komuna e Prishtinës: Badofci (13 familje), Ballabani (9), Barileva (13), Besia (2), Çagllavica (3), Dabisheci (17), Gllogovica (6), Hajkobilla (5), Hajvalia (48), Keçëkolla (5), Koliçi (4), Lebana (8), Makoci (3), Mareci (4), Nëntë Jugoviqët (66), Nisheci (9), Orlloviqi (34), Prapashtica (26), Prishtina (70), Slivova (2), Teneshdolli (3), Truda (2) dhe Vranidolli (3).



Komuna e Fushë-Kosovës: Batusa (1), Bardhi i Madh (23), Fushë Kosova (142), Graboci i Poshtëm (20), Harilaqi (18), Henci (2), Krivova (25), Miradia e Epërme (80), Nakarada (3), Pomozotini (40), Sllatina e Madhe (33) dhe Vrogolia (11).



Komuna e Obiliqit: Babimoci (1), Lokaliteti Bakshia-Nëntë Jugoviqët (48); Breznica (58), Caravadica (3), Dobrosella (34), Hadja (4), Dardhishta (15), Lajthishta (4), Llazareva (17), Mazgiti (11), Millosheva (68), Miniera e Kosovës (9), Obiliqi (122), Plemetini (6), Raskova (6) dhe Siboci (7).



Komuna e Podujevës: Bajçina (12), Balloci (71), Batllava (28), Bellopoja (39), Bërveniku (7), Braina (6), Bradashi (24), Burica (4), Dobërdoli (28), Dobratini (11), Dumnica e Epërme (1), Dumnica e Poshtme (137) , Dumoshi (12), Dyzi (4), Gërdoci (9), Gllamniku (43), Halabaku (5), Herrtica (36), Kaçibegu (7), Katunishta (23), Kërpimehu (21), Konusheci (24), Kushevica (13), Letanci (5), Livadica (33), Lupçi i Poshtëm (14), Llapashtica e Epërme (63), Llapashtica e Poshtme (21), Llausha (30), Lluga (3), Luzhani (9), Majaci (8), Merdari (33), Metërgoci (39), Metohia (7), Miroci (14), Murgulla (4), Obrança (42), Orllani (56), Pakashtica (28), Penuha (11), Perani (21), Përpollci (5), Podjeva (157), Pollata (1), Potoku (3), Radujeci (31), Repa (54), Revuçi (33), Sallabaja (5), Sfeçla (48), Siboci i Epërm (38), Siboci i Poshtëm (9), Sllatina (1), Surkishi (17), Shajkoci (17), Shakovica (8), Shtedimi (15), Tërrnava (22), Turuçica (37) dhe Zakuti (15).



Komuna e Lipjanit: Akllapi (3), Babushi i Muhaxhirëve (17), Baica (4), Banulla (9), Bregu i Zi (9), Bujani (8), Dobraja e Madhe (6), Dobraja e Vogël (10), Gadime e Epërme (5), Gadime e Poshtme (9), Gllogoci (3), Gracka (82), Hallaçi i Vogël (6), Lepia (4), Lipjani (10), Llugaxhia (3), Lluga (34), Magurja (11), Mareci (8), Medveci (13), Poturoci (17), Qyqylaga (12), Radeva (6), Ribari i Madh (1), Rubofci (4), Rufci i Ri (40), Shala (Sedllari) (1), Suhadolli (125), Topliçani (5), Vërsheci (13), Vrella e Goleshit (111).



Komuna e Ferizaj: Babushi i Serbëve (6), Bibaj (13), Cërnilla (12), Doganaj (4), Ferizaj (36), Gaçka (rreth 20 familje), Gërlica (7), Gremja (23), Komogllava (5), Kosharja (13), Lloshkobarja (26), Mirashi (22), Mirosala (16), Muhoci (19), Nekudini (5), Nerodimja (8), Nerodimja e Poshtme (1), Papazi (23), Pleshina (25),* Pojatishta (22), Prelezi i Jerlive (37), Prelezi i Muhaxhirëve (7), Rahovica (15), Raka (33), Sazlia (10), Slivova (15), Softoviqi (20), Sojeva (14), Katuni i Vjetër (39), Surqina (10), Talinoci i Jerlive (5), Talinoci i Muhaxhirëve (25), Tankosiqi (119), Tërni (2), Varoshi (13) dhe Zaskoku (20).



Komuna e Shtimes: Gllavica (6), Godanci i Poshtëm (14), Gjurkoci (9), Petroviqi (Lagjja e Pajtimit) (22), Muzeqina (3), Raçaku (1), Rashinca (15), Shtimja (3) dhe Vojnofci (8).



Komuna e Kaçanikut: Elezaj (9), Gabrica (1), Kaçaniku i Vjetër (29), Reka (10) dhe Stagova (3).



Komuna e Gllogocit: Abria e Epërme (1), Arllati (8), Baica (11), Dobrasheci (12), Domaneku (10), Fushtica e Poshtme (12), Gllanasella (27), Gllobari (15), Komarani (91), ndërsa në lokalitetin Ostrok (8), Karratica e Epërme (5), Karratica e Poshme (18), Krikova (21), Likoshani (4), Llapushniku (31), Negroci (9), lokaliteti Negroci -Llapushniku (29), Pokleku (10), Polluzha (11), Çikatova e Re (163), Çikatova e Vjetër (2), Sankoci (5), Shtrubullova (2), Tërsteniku (22), Zabeli i Poshtëm (16) dhe lokaliteti Zabeli - Krivova (26).



Komuna Skënderaj: Buroja (39), lokaliteti Çubrel-Llaushë-Vitakë (8), Izbica (8), Klina e Epërme (41), Klina e Mesme (7), lokaliteti Kodra e Tomës në trekëndëshin Tërnafc-Prekaz-Klinë (51), Klladërnica (1), Kosieri i Ri (20), Kallica (48), Kuçica (2), Likoci (1), Luboveci (9), lokaliteti Kolena-Lubovec (2), Makërmali (11), Mikushnica (26), Fshati i Ri (Novosella) (13), Padalishta (1), Polaci i Ri (55), Polluzha (13), Prekazi i Epërm (22), Prekazi i Poshtëm (9), Radisheva (2), Skënderaj (Serbica) (55), Tërnafci (8), Turiçeci (25), Vitaku (12) dhe Vojniku (32).



Komuna e Vushtrrisë: Akrashtica (3), Beçiqi (10), Bivolaku (8), Brusniku (8), Bukoshi (58), Cecelia (5), Dalaku (14), Druari (26), lokaliteti Druari-Resniku (35), Dobërlluka (6), Dubofci (8), Dumnica e Epërme (9), Dumnica e Llugave (15), Dumnica e Poshtme (19), Galica (6), Graca (6), lokaliteti Graca-Stanofci i Epërm (28), Hercegova (46), Jezera (Liqeni) (41), Kollo (15), Mavriqi (5), Nedakoci (12), Novolani (32), Maxhunaj (8), Pantina (16), Pestova (15), Resniku (6), Ropica (5), Samadrexha (29), Sllakofci (1), Sllatina (7), Smrokonica (1), Stanofci i Epërm (5), Stanofci i Poshtëm (9), Studimja e Poshtme (8), Svërçaku i Epërm (19), Svërçaku i Poshtëm (52), Shalci (16), Shtitarica (1), Taraxha (15), Tërllobuçi (1), Lumi i Madh (28), Vërnica (17), Vilanci (17), Vushtrria (shumë familje), Zagora (21) dhe në lokalitetin Zhilivoda-Siboci (6).



Komuna e Mitrovicës: Brabaniqi (3), Gushafci (7), Kçiqi i Madh (2), Kopriva (2), Lisica (2), Lushta (13), Mitrovica (30), Pirqa (12), Shipoli (45), Shupkoci (1), Suhadolli i Epërm ( 10), Frashëri (Svinjari) (14), Vaganica (12), Vërnica (10), Vinarci i Poshtëm (6) dhe Zhabari i Poshtëm (3).



Komuna e Zveçanit: Korila (1).



Komuna e Leposaviqit: Kijavçiqi (1) dhe Kopariqi (1).



Komuna e Kamenicës: Berivojca (30), Bozhevci (1), Bratilloci (1), Busovata (2), Dajkoci (6), Drenoci (14), Firiqeja (2), Gllogoci (1), Hajnoci (2), Hodonoci (10), Hogoshti (7), Kamenica (6), Karaçeva e Eperme (11), Kollolleçi (29), Kopërnica (5), Koretini (68), Miganofci (1), Moçari (1), Muçivërci (13), Çarakofci (8), Rubofci (6), Rogana (21), Shipashnica e Poshtme (12), Strelica (2), Cfirca (3), Tërstena (2) dhe Topanica (27).



Komuna e Vitisë: Ballanca (11), Begunca (3), Binça (2), Buzoviku (37), Budrika e Epërme (2), Devaja (3), lokaliteti Devaja-Vrapçiqi (17), Drobeshi (39), Gërmova (50), Gërçari (3), Gjylekari (16), Goshica (40), Kabashi (34), Mogilla (21), Podgorci (3), Pozherani (54), Radivojci (1), Ramjani i Epërm (18), Ramnishta (9), Remniku (19), Sadovina e Çerkezëve (62), Sadovina e Jerlive (11), Shasharja (12), Sllatina e Epërme (17), Smira (13), Tërpeza (13), Tërsteniku (1),Vërboci (3), Vitia (25) dhe Zhitia (9).



Komuna e Istogut: Banica (27), Banja (42), Bellopoja (14), Caralluka (5), Dobrusha (234), Dragalefci (7), Dreja (4), Dubova e Vogël (7), Dubrava (103), Gurrakoci (33), Istogu (15), Kaliçani (28), Kashica (3), Kërrnina (37), Kovrraga (31), Lluga (1), Llukaci i Begut (8), Llukaci i Thatë (2), Lubova (84), Lubozhda (11), Muzhevina (6), Orobërda (97), Prekalla (1), Prigoda (11), Rakoshi (32), Sërbobrani (30), Shalinovica (20), Staradrani (9), Studenica (4), Suhogërla (Syrigana) (2), Shushica (70), Tomoci (5), Tuçepi (39), Uça (1), Veriqi (62), Vrella (16), Zallçi (25) dhe Zhakova (7).



Komuna e Klinës: Biça (17), Bokshiqi (14), Budisallci (12), Caraviku (8), Çabiqi (4), Deiqi (14), Dollci (2), Dollova (13), Dranoshiqi (29), Dërsniku (3), Gjyrgjeviku i Madh (7), Gjyrgjeviku i Vogël (28), Gllareva (13), Grabanica (5), në lokalitetin Arat e Gjata (24), Gremniku (4), Jagoda (43), Jashanica (73), Kërnica (24), Klinafci (18), Klina (14), Këpuzi (44), Krysheva (23), Pjetërqi i Epërm (15), Pjetërqi i Poshtëm (13), Pogragja (7), Qeskova (6), Qypeva (5), Radulloci, Renoci (10), Jashanica-Resniku (52), Shtupeli (41), Stupa (25), Ujmiri (6), Videja (19), Lokaliteti Zajm-Deiqi-Videja-Drenoc (51), Volljaka (6), Zabërgja (1), Zajmi (12), Zllakuçani (23) dhe në lokalitetin Klina-Zallkuçani (41).



Komuna e Malishevës: Banja (18), Bellanica (14), Bubaveci (14), Bubli (11), në lokalitetin Mirusha-Carravrana (25), Carralluka (22), Damaneku (10), Jançishta (1), Lashkadrenoci (24), Kjeva (9), Lladroviqi (20), Llazica (42), Lubizhda (23), Malisheva (20), Millanoviqi (Shkoza) (4), Mirusha (12), Mleçani (26), Pagarusha (3), Lokaliteti Mleçan-Plloçicë (20), Plloçica (9), Panorci (25), lokaliteti Panorci-Bubli (31), Seniku (8), Shkarashniku (9), Tërpeza (23), Lokaliteti Tërpeza-Arllati (19), Turjaka (8) dhe në lokalitetin Vërmica-Bellanica (9).



Komuna e Rahovecit: Bellacërka(19), lokaliteti Bellacërka-Xërxa-Gexha-Radosta (119), Bërnjaça (11), Brestofci (2), Celina (1), Çifllaku (20), Deja (12), Gexha (8), Kramoviku (7), lokaliteti Kramovik-Çifllak (23), Krusha e Madhe (41), Mrasori (3), Nushpala (13), Radosta (20), Rahoveci (9), Ratkoci (21), në lokalitetin Ratkoci-Vranjaku-Nushpala (24), Saroshi (11), Sopaniçi (31), Vranjaka (7) dhe Xërxa (46).



Komuna e Gjakovës: Babaj Bokës (3), Bardhaniqi (11), në lokalitetin Bardhaniqi-Llugaxhia (26), Batusha (27), Beci (82), Berjahu (5), Bardosana (24), Bishtazhini (5), në lokalitetin Bishtazhin-Lipovec-Smaç (33), Biteshi i Poshtëm (41), Biteshi i Epërm (36), Brekoci (36), Brovina (3), lokaliteti Brovinë-Morinë (37), Cërmjani (37), në lokalitetin Varret e Cermjanit (6), në lokalitetini Drini-Cërmjani (13), Dallashaj (25), Damjani (20), Deva (16), Doblibare (28), Dobrixha (30), Dobroshi (9), në fushën Kallavaj ndërmjet Dobroshit e Junikut (92), Doli (17), në lokalitetin Doli-Zhubi (111), Dujaka (11), Firaja (4), Firza (33), Gërçina (12), Gërgoci (16), Gradisha (44), Gjakova (26), Fusha e Gjakovës (42), lokaliteti Nakaradë afër Gjakovës (59), lokaliteti Goden-Zulfaj (7), Guska (7), Hereçi (66), në lokalitetin Malet e Hereçit (58), Jabllanica (15), në lokalitetin Jabllanicë-Luti-Nevxhe-Vardishtë (27), Jahoci (21), Janoshi (22), Kodralia (14), në lokalitetin Kodralia - Neci (39), Korenica (55), Kralani (37), Kusari (6), Kushaveci (6), Lipoveci (18), Llugaxhia (11), në lokalitetin Bardhoq-Llugaxhia (26), Lugbunari (122), Marmulli (79), lokaliteti Milena-Rezina (19), Meja-Orizë (31), Meça (37), në lokalitetin Meça-Cërmjani (43), Moglica (9), në lokalitetin Moglica-Raça-Doli (39), Mulliqi (13), Morina (5), Neci (77), Nivokazi (19), Novosella e Epërme (2), Novosella e Poshtme (8), Osek Hyla (21), Osek Pasha (2), Pacaj (7), Palabardhi (4), Plançori (26), Ponosheci (51), Popoci (5), Qerimi (3), Raça (35), Radoniqi (128), Rakoci (37), Rogova (47), Rracaj (22), Rrypaj (7), Sheremeti (34), Shishmani (34), Shishmani i Bokës (11), Skivjani (27), Smaqi (17), Smolica (19), Stublla (21), Trakaniqi (8), Ujzi (14), Vogova (20), Vraniqi (32), Zidi i Sadik Agës (5), Zhabeli (8), Zhdrella (7) dhe Zhubi (7).



Komuna e Prizrenit: Dushanova (100), Grazhdaniku (4), Hatmaxha (5), Hoça e Qytetit (16), Kabashi (14), Kabashi i Hasit (9), Lokaliteti Korisha-Kabashi (11), Kushnini (8), Landovica (2), Lugishta (14), në lokalitetin Lugishtë-Kabash (10), Lutogllava (37), Shumadia e Re (55), Petrovasella (14), Prizreni (shumë familje), Romaja (6), Trepetnica, Tupeci (18), Vërmica (3), Vllashnja (20) dhe Zhuri (4).



Komuna e Suharekës: Dubrava (3), Duhla (30), lokaliteti Goranca-Novaci (4), Grejkoci (11), Gjinoci (15), Javori (3), Leshani (7), Nëpërbishti (2), Reshtani (7), Savrova (4), Semetishti (7), Studençani (17), Suhareka (5), Shiroka (13), Tërni (17) dhe Topliçani (26).



Disa dokumente arkivore që dëshmojnë kolonizimin e Kosovës



Përkitazi me kolonizimin e Kosovës me elementin sllav dhe shpërnguljen e shqiptarëve jashtë vendlindjes së tyre, ekzistojnë dokumente të shumta arkivore, të cilat e dëshmojnë këtë. Këto dokumente sot ruhen në arkiva të ndryshme në Beograd, Tiranë, Londër, Prishtinë, Stamboll, Shkup, Vjenë, Romë etj.



Dokumentet me të rëndësishme padyshim ruhen ë Arkivn e Jugosllavisë, në Ministritë përkatëse në Beograd, sidomos në atë të reformës agrare dhe të Financave. Edhe në Arkivin e Kosovë në fondet e gjykatave të Qarkut dhe të rrethit ka dokumente që e ndriçojnë këte. Ndërsa fondin e refomrës agrare, kartotekën prej rreth 14.500 familjeve me mëse 70.000 banorë, fondin e Revizionit të reformës agrare 1945-1945 që ka funksionuar në Kosovë në kuadër të Këshillit Popullor Krahinor dhe disa pjesë të fondeve, pushtetis serb gjatë kohës së masave të dhunëshme në Arkivin e Kosovës 1990-1999, një pjesë e ka marrë dhe e ka dërguar në Beograd. Dihet qëllimi, humbja e gjurmëve të dëshmive faktike pronësoro-juridike dhe për qëllime të manipulimeve dhe përfitimeve të mëvonshme.



Mirëpo, gjatë hulumtimeve të mia shkencore për këtë qëllim kamë regjistruar në numër të konsideruar të këtyre dokumenteve, disa prej të cilave po i paraqesim në këtë raste vetëm disa që e ndriçojnë këtë formë gjenocidiale nga aspekti pronësoro-juridik që është çështja më e ndishme dhe ajo kyqe që do të bisedohet gjatë bisedave të komisioneve të ndryshme për statusin e Kosovës, repertacionin, dëmshpërblimet etj. Këto dokumente pasqyrojnë metodat, format, mënyrën, qëllimin, propagandën e tjerë, të përdorura nga pushteti për realizimin e kolonizimit dhe të shpërnguljes, rezistencën kundër kolonizimit dhe shpërgnuljes e pasojat e tyre.



Dokumentet arkivore dëshmojnë se menjëherë pas vitit 1912, dhe në një ndërprerje për shkak të Luftës së Parë Botërore në fund të vitit 1918 për shkak të dhunës filloi shpërngulja e madhe shqiptare dhe ardhja e vendosja e popullatës sllave në trevat shqiptare. Kështu me datën 12.01.1919, në shkresën nr. 13 Kompania I e Batalonit III të regjimentit jugosllav e njoftonte Komandantin e Batalionit III nga Plava për ardhjen e 30 shqiptarëve nga Dukagjini, të cilëve atje u janë djegur shtëpitë.[53] Lazër Mjeda,

Kryepeshkop i Shkupit, nga Prizreni më 29 gusht 1919 i shkruan Eminencës T. ztr. G. M. Kardinal Von Rossum, Prefekt i Kongregacionit të Shenjtë, De Propoganda Fide, Romë, në mes tjerash edhe këtë: “..... E ndërsa serbëve (qeveria) u jep armë e municion, muhamedanët dhe katolikët arbnor i torturojnë për t’u nxjerrë ato armë që nuk i kanë....”.[54]



Ministria e Ushtrisë dhe Marinës me datën 12.IX.1919 në Beograd e informon Ministrinë e reformës agrare për leje që komandat e qarqeve të regjimenteve mund t’u japin armë, sipas nevojës kolonëve në Dukagjin, Drenicë, Kosovë, rrethin e Dojranit dhe Maleshkut. Po ashtu mund t’u japin armë zjarri dhe municion edhe komandave të regjimenteve të qarqeve në kufijt e nevojave të vërteta, pushtetit policor dhe komunal për mbajtjen e rendit dhe kryerjen e shërbimit të rojës nëpër fshatra.[55] Drejtorati kryesor në Mal të Zi i Ministrisë së Reformës Agrare në Cetinë, me shkresë nr. 2547, datë 20.VII.1921 - raporton përkitazi me angazhimin e pushtetit ushtarak për kolonizimin e Pejës. Ministria e Ushtrisë dhe e Marinës urdhëron që Komandanti i Territorit të Armatës II t’i përcjellë kolonët nga Berani deri në Pejë, ndërsa Komandanti i Armatës III nga Peja në Drenicë dhe kërkon që kolonëve t’u jepen armë dhe municion.[56]


Përveç dhunës e terrorit bëhej edhe masakër ndaj popullatës shqiptare, me qëllim të realizimit të kolonizimit. Kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, Mithat Frashëri më 29.IV 1921, i drejtohet Sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, ku e njofton për ekceset serbe kundër shqiptarëve, të cilët kanë qenë subjekt i sundimit serb që nga vitit 1912, dhe se ato po vazhdojnë dhe po bëhen edhe më të shpeshta, kështu që elementi shqiptar është i rrezikuar nga shkatërrimi total. Shqiptarëve, të cilët i banojnë territoret e veta, po u plaçkiten pasuritë e tyre, po ndiqen me dhunë prej fshatrave të tyre dhe në vend të tyre po vendosen kolonët rusë. Vetëm gjatë tre muajve të fundit më se 2.000 shqiptarë janë mbytur pa kurrfarë arsye, duke mos përmendur shtëpitë e tyre të shkatërruara, pasuritë e tyre janë plaçkitur, kështu që ata kanë qenë të detyruar të ikin dhe të vendosen në Shqipëri. Mirëpo, Serbia ka proklamuar se familjet e atyre refugjatëve do të internohen dhe tërë pasuria e tyre do të konfiskohet.[57]



Më 10.V.1921. z. Aubrey Herbert, bënë pyetje në parlamentin britanik për masakrat serbe ndaj shqiptarëve: “Se a janë në dijeni se më 28 janar dy batalione serbe të komanduara nga një major vajtën në fshatrat e Llapit, afër Prishtinës Keçekollë, Prapashticë dhe Sharban, ku i dërguan banorët meshkuj të moshës prej 12 vjet afër një mali i masakruan me mitraloza, pastaj kaluan në fshatra dhe ua futën zjarrin shtëpive dhe i masakruan të gjitha gratë dhe fëmijët, duke i lënë vetëm 14 përjetues nga popullata prej 1.680 vetave në 320 shtëpi dhe a janë kërkuar informata nga qeveria jugosllave lidhur me këtë?”.[58] Disa banorë të fshatit Prapashticë, në ankesën e tyre në vitin 1922, shkruajnë për vrasjen e fshatarëve të tyre, nëpunësit e Ministrisë së Reformës agrare po ua masin tokat e tyre dhe po ua marrin.[59] Pastaj, në një artikull të gazetës “Pravda”, nr. 196, datë, 11.XII 1923, Sarajevë, shkruhet për vrasjen e tre malazezëve në fshatin Vërnicë, komuna e Qyqavicës nga ana e një kaçaku, të nesërmen kolonët malaziaz me armë në dorë i kanë sulmuar shqiptarët duarthatë, kanë rrahur kë kanë gjetur, pastaj kanë vrarë 15 dhe lënduar 3 shqiptarë. Pushteti ka qëndruar pasiv.



Lidhur me vrasjet dhe masakrat gazeta beogradase “Rad”, e datës 5 gusht 1925, shkruan:“Qe disa ditë shtëpitë shqiptare digjen në flakë. Është vështirë të dëgjosh britmën e fëmijëve dhe pleqve që keqtrajtohen dhe merren nëpërkëmbë me qëllim që të plaçkiten”.., “Në Arnautlluk jehojnë pushkët. Vise të tëra të banuara me shqiptarë vlojnë nga trazirat e ngjashme me ato në Irlandë... Serbia ka formuar... një provincë me qytetarë të rendit të dytë. Atje kallen fshatra të tëra, vriten shumë njerëz, mizoritë janë të pakufishme. Askush më në këtë vend nuk ka turp. Si kanibal i fundit, pushteti predikon shfarosjen e një popullsie për shkak të urrejtjes fetare dhe nacionale. Askush nuk pyet se kush i shtyri ata njerëz të arratisen. Askush nuk do të shohë se duhet ndaluar policët dhe nëpunësit tanë, që janë fajtorë për gjakun që atje po derdhet që nga “çlirimi”. Mirëpo po predikohen therje e gjakderdhje të reja. Fshatrat shqiptare ngjajnë në kaspahane të vërteta”... “Punisha deri më tash ishte më dorëmbarë, gratë dhe fëmijët shqiptarë i therrte me sukses. Ai dinte që t’i vriste me një plumb nga gjashtë. Derisa lodhej therte me thikë njerëz në Kosovë”.



Raporti i revistes “Vullneti” me titull “Qetësia e Kosovës” i vitit 1930, në të cilin, në mes tjerash theksohet, se po bëhet kolonizimi sistematik në këto treva me qëllim që të rritet përqindja e serbëve në 80% në të gjitha viset, e sidomos në ato kufitare. Kolonizohet eksklusivisht elementi serb në atë mënyrë që të krijohet penda në mes të shqiptarëve dhe shtetit.[60] Ndërsa, nga dosja “Pakica shqiptare” dhe “Kolonizimi” i Shtabit të Territorit të Armatës III, sek.gj.ob.r.1859/1938, në mes tjerash i shkruan Prefektit të Gjeneralshtabit Kryesor, i propozon masat, sipas tyre efikase, për zbatimin e kolonizimit dhe të shpërnguljes së shqiptarëve, siç ishin: që në viset kompakte shqiptare në Kosovë të vendosen së paku 50% të kolonëve serbë në mënyrë që të shthuret masa kompakte shqiptare, të formohen garnizone të reja ushtarake, sidomos nga zona kufitare, ndërsa elementi turk të shpërngulet vetëm sa të mund të zbatohet shpërngulja e shqiptarëve, të zbatohet kolonizimi, sidomos në zonë kufitare; dëbimi i të gjithë emigrantëve politikë; në viset e pastra shqiptare, të mos kërkohet që fëmijët të shkojnë në shkollë, d.m.th. të mos arsimohen, të mos mbahen, kurse të arsimimit fizik për të rinjë dhe mos të përgatiten të rinjtë para kohe për luftëtarë. Përveç kësaj, sidomos duhet të shpërngulet elementi fshatar në mënyrë që të fitohet toka e lirë për kolonizim.[61]



Qëllimi i qarqeve sunduese, sidomos atyre policore, ishte që në radhë të parë t’i detyrojë që të shpërngulen personat e fshatit me autoritet, të pasurit, paria e fshatit, sidomos poseduesit e tapisë, sepse pas tyre do të shkonin të tjerët. Ndërsa, në shkresën tjetër rez.gj.o.nr.3550/1938 që i shkruan Ministrit të ushtrisë dhe marinës thekson: Nevoja per krijimin e garnizoneve të reja në Rahovec, Suharekë, Podjevë, Vushtrri, Gjilan si mbështetje për shkatërrimin e masave kompakte shqiptare dhe sigurimin e kolonizimit në këto vise. Dihet se ekziston Konventa sipas së cilës një numër i madh i familjeve, të cilat nuk i takojnë popullatës serbe do të shpërngulen para së gjithash nga zona kufitare në largësi që kap 50 km. Pastaj, në mes tjerash paraqet edhe këtë: “Për pushtimin definitiv të këtyre viseve në aspektin nacional është e nevojshme, siç u tha nga paraqitja e mëparshme, kolonizimi sa më i afërt i elementit tonë të shëndoshë pranë shpërnguljes së shkallëshkallshme të popullatës shqiptare. Nëse ky kolonizim nuk zbatohet në kohë sa më të shkurtër dhe në mënyrë sa më racionale, ekziston rreziku, që ajo në një kohë të ardhshme për shkak të shtimit të madh vjetor të elementit shqiptar do të bëhet e pamundshme. Kolonizimi efikas në vendbanimet e pastra shqiptare mund të mbështetet vetëm në garnizonet e propozuara të formuara në Territorin e Divizionit të Kosovës”.[62]


Në këtë kohë menjëherë filloi edhe rrëmbimi i tokave dhe pasurive të ndryshme, sidomos nga të shpërngulurit. Në këtë drejtim ishin angazhuar edhe vetë qeveritarët serbë, si psh. Nikolla Pashiqi me disa borgjezë të tjerë si pop Miniqin, Jakov Çobriqin etj. i kishin rrëmbyer më se 300 ha tokë rreth Tyrbës së Sulltan Muratit, pasuritë e fshatrave Mazgit e Azizi (banorët e këtij të fundit me tepër se 100 shtëpi kishin qenë të detyruar të shpërngulën në Turqi në vitet 1912-1914).[63] Punisha Raçiqi kishte marrë tokë 3500 ha pyje në malet e Deçanit dhe 50 ha tokë pjelloe në fushën eShkupit. Tokë në Kosovë, përveç kolonëve fshatarë, merrnin edhe kategori të ndryshme të popullsisë, persona të cilët nuk e kishin profesion bujqësinë, si nëpunësit, xhandarët, tregtarët, oficerët, pensionistët etj. Siç shkruan gazeta “Socijalistiçka Zora”, Shkup, nr. 31, datë 16.V.1920 - dhënia e utrinave komunale edhe ashtu të pamjaftueshme për kullota si dhe marrja e tokës fshatarëve të varfër të dëshmuar me tapi, dhe dhënia e saj papunëtorëve, oficerëve, inxhinierëve, tregtarëve etj. Ndërsa, revista ”Policija” nr. 3-4 e vitit 1922, e boton fjalinim e V. Bojlozeviqit, prefekt i Rrethit të Graçanicës, ku ai paraqet se një numër i madh i të ashtuquajturëve kolonë banojnë në qytetza dhe jetojnë komod, kanë profesion tjetër, e jo bujqësinë, se në mesin e tyre ka nëpunës, shërbëtorë, zejtarë dhe tregtarë, dhe ata në atë mënyrë bëhen pronarë dhe “agë” të rinjë, tokën e tyre e japin me qesim që ta punojnë të tjerët. Kështu që, në vend se reforma agrare t’i zhdukë marrëdhëniet fuedale, ajo prapë po krijon, por vetëm me ndryshim që agallarët serbë po i zëvendësojnë ata “turq”. Edhe Nedelko Simonoviq, ish-deputet në një raport të vetin të datës 13.VII 1927 njoftonte për rezultatet negative për shkak të zbatimit të politikës nacionale nga plaçkitësit dhe vagabondët. Ai thotë, tokën e huaj e kanë marrë ardhacakët e pasur ose nëpunësit e pensionuar, në mënyrë jonormale dhe plotësisht joligjore, atë tokë e cila nuk ishte e përfshirë në goditje të agrarit. Tokën e marrë e kanë shitur, e pastaj përsëri kanë marrë tokë tjetër, ose ia kanë dhënë tjetërkujt ta punojnë, ndërsa ata nëpër kafene po e kritikojnë rregullimin e tanishëm shtetëror.[64] Shpesh si shpërblim në vend të honorarit, nëpunësve shtetërorë u jepej toka e kaçakëve. Një kolon në ankesën e vet drejtuar mbretit Aleksandër me datën 6.IX.1932, për shkak se ia kishin marrë tokën, sepse nuk ishte vendosur në të, thekson se ka pensionistë e nëpunës, që kanë marrë tokë nga shteti, të cilët jo vetëm që nuk po e punojnë, por edhe po e shesin. Edhe pasurinë e mëparshme në trevat e vendlindjes e kanë shitur. Kështu, p.sh. një kolone nga Peja me 10 janar 1927, në ankesën e saj në mes tjerash thekson se tërë pasurinë e prindërve, të cilën e ka pasur në rrethin e Kollashinit, e ka shitur për 60.000 din.[65] Stacioni i xhandarmërisë në Landovicë të Prizrenit me shkresën nr. 680, datë 7.VI.1936 e njofton Prefektin e Rrethit të Sharrit përkitazi më këtë: “....Kolonët, të cilët e kanë marrë tokën në kompleksin “Tupec”, janë marrë në mbrojtje nga ana e këtij stacioni sa është e mundur. Mirëpo, shumica e këtyre kolonëve ia kanë dhënë tokën shqiptarëve që edhe më tutje t’ua punojnë përgjysmë me marrëveshje të ndryshme, ndërsa disa sish gjenden nëpër Serbi dhe Mal të Zi, në shtëpitë e tyre, në vend se ata vetë ta punojnë tokën që e kanë marrë. Pastaj, ka raste të tilla që disa nuk ishin personalisht të pranishëm me rastin e dhënies së tokës, kështu që madje, nuk dinë as mezhdat e vërteta të parcelave të veta...”.[66]



Për zbatimin e të ashtuquajturës reformë agrare si maskë për zbatimin e kolonizimit, disa gazeta të kohës dhe dokumente dëshmojnë qëllimet dhe keqpërdorimet. Kështu gazeta “Pravda” nr. 70, Sarajevë më 10.VII 1920, në mes tjerash shkruan: “...Se tërë Mbretëria jonë është përplotë me prona të mëdha feudale dhe kapitaliste, e sidomos të domenit të madh shtetëror, por prapë tërë çështja kryesore agrare është bartur në Bosnje dhe në Serbi të Vjetër (Kosovë J.O.). Pse? Kroacia është plotë latifonde, Sllavonia gjithashtu, Banati, Baçka dhe Baranja poashtu, por prapë për këto krahina nxjerren dispozita dhe dekretligje të tjera, ndërsa Shumadia, e cila gjithashtu ka mjaft shumë latifonde kapitaliste e feudale, të cilat punohen me ndihmën e punëtorëve dhe meditësve, është shkëputur nga reforma agrare. Parulla, se toka do t’u takojë atyre, të cilët e punojnë, ka të bëjë vetëm në Bosnje dhe në Serbi të Vjetër (Kosovë J.O), Pse?...”. Gazeta “Vreme”, e datës 2.01.1923, përkitazi me çrregullimet e “myslimanëve” në të ashtuquajturën “Serbi Jugore” (Kosovë e Maqedoni J.O) thekson se ato nuk bëhen, kinse nga irredenta, por nga administrata e dobët, e cila i ka përfshirë të gjitha kategoritë e nëpunësve. Ndërsa, revista “Agrarni Pregled” nr. 1/1924, thekson se kolonizimi ka filluar para reformës agrare, e pastaj ka shkuar paralel me të, në vend që të vijë pas saj. Ajo zbatohet pa plan, pa kurrfarë kuptimi, pa institucione të organizuar dhe pa mjete. Administrata agrare është e paaftë, pa njohuri, në mungesë të intelegjencës. Me tokë po spekulohet, 40% të tokës nuk e kanë marrë bujqit, por spekulantë të ndryshëm, papunëtorët, parazitët. Gazeta “Pravda” nr. 27 e datës 29.01.1925, Beograd, e boton një depeshë të N. Petroviqit, ku thuhet se në të gjitha anët ka paligjëshmeri të ashpër dhe dhunë mbi qytetarë të mirë e të urtë. Organet policore duke filluar nga zhupani e deri të xhandarët, e kanë hedhur nën këmbë kushtetutën dhe Ligjin dhe ndaj të gjithë qytetarëve, të cilët nuk kanë dhënë shenja të dukshme se janë me pushtetin e tanishëm, po përdorin mjete të palejueshme.



Diktatura e 6 Janarit 1929 e bëri shtypjen edhe më të egër. Me rastin e vizitës që i bëri mbreti Gjilanit, fshatarëve shqiptarë të Pozheranit lidhur me padrejtësinë e qarqeve agrare, iu përgjigj me zemërim: "Shkoni në Turqi, nëse nuk jeni të kënaqur”! Naçellniku i rrethit të Zveçanit - Kujunxhiq, në vitin 1930 lavdërohet se gjatë shërbimit të tij janë shpërngulur në Azi, prej nga nuk do të kthehen më, më se 32.000 shqiptarë të rrezikshëm për shtetin, ndërsa tokën e vet ua kanë shitur me çmime shumë të ulëta kolonëve malazezë dhe vendësve, kurse 6.000 të tjerë kanë vajtur në Shqipëri.[67] Ministri i komunikacionit dr. Spaho kishte marrë shumë ankesa nga shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Ai për këtë e njofton kryetarin e qeverisë M. Stojadinoviq, kështu në shkresën e datës 29.VII 1938 shkruan: “Puna e tanishme e pushtetit agrar në Serbinë Jugore është në kundërshtim me dispozitat ekzistuese ligjore dhe tërë rendit juridik. Kjo dhunë që po bëhet ndaj myslimanëve në Serbinë Jugore ka jehonë mjaft të pavolitshme edhe te ne në Bosnje. Bota po pyet, pse po bëhet kjo vetëm kundër shqiptarëve, dhe pse nuk po bëhet, p.sh. ndaj hungarezëve, të cilët janë në të njëjtën pozitë sikurse shqiptarët. Nuk ka shembull në botë që me reformën agrare t’u merret toka bujqëve”.[68]


Ekzistojnë dokumente të shumta për ankesat e fshatarëve shqiptarë lidhur me marrjen e tokës, pastaj të korrave verore nga ana e pushtetit dhe të kolonëve. Ata ankoheshin, por kujt, kishte raste kur edhe dënoheshin. P.sh. Me datën 19.IX.1934, një kolon nga Kushnini i Hasit e paditë Rexhë Sylën se ai e ka mbjellë dhe punuar tokën dhe nuk po e lejon ta punojë ai. Syla deklaron në polici se prona e tij ishte e madhe, ia kanë marrë 2/3 e tokës dhe u kanë dhënë kolonëve. I kanë lënë vetëm pak tokë. I është ankuar organeve më të larta, por nuk ka marrë përgjigje, dhe se i ka 14 anëtarë të familjes dhe do të mbetet pa bukë. Gjyqi i Rrethit të Prizrenit e shpall fajtor R. Sylën, e dënon atë me 300 din. dhe e detyron që ta kthej pronën kontestuese, siperfaqën prej 6,92 ha dhe shtëpinë.[69] Pastaj shumë dokumente dëshmojnë se shqiptarët tokën e vet që i është marrë, duke mos pasur tjetër detyrohen ta marrin dhe ta punojnë me qesim ose përgjysmë, si p.sh. Shaqir Xhemaili nga Pirana,[70] Nik Prenku nga Dedaj[71] e shumë të tjerë. Janë paraqitur raste gjatë kufizimit, ku janë marrë edhe frytet nga toka e kufizuar, kështu që ajo popullatë e varfër ka mbetur edhe pa mjete më elementare për jetesë. Marrja e tokës është dashur të bëhet në fund të vitit ekonomik, pas vjeljes së fryteve. Përkitazi me këtë shumë veta nuk kanë bërë ankesa për shkak se nuk kanë ditur dhe se ishin të varfër[72] dhe nuk kishin para për pagesë të shkruarjes së ankesave nga ana e avokatëve që përfitonin shumë dhe kishte raste që edhe ndërmjetësonin kinse në shitblerje, siç kishte ndodh rasti në fshatin Bujan të komunë së Lypjanit.



Në një ankesë të datës 27.VII 1938, flitet se, organet e pushtetit në forma të ndryshme merrnin pronat shqiptare pa kurrfarë kompensimi. Por, nëse e jepnin ate e bënin në sasi jo të mjaftueshme dhe në vendet jopjellore dhe që duhej çelur tokën. Pushteti agrar u bënte të pamundshme punonjësve nga një anë të gjejnë dokumente, me të cilat do të dëshmonin bazën e pronësisë së saj, ndërsa në anë tjetër po ai pushtet kërkonte që t’i paraqesin ato dokumente, nxjerrjen e të cilave ata e bënin të pamundshëm.[73]


Gazetat e kohës, dokumentet zyrtare etj., flasin se krahas kolonizimit të Kosovës me elementin nacional sllav, po zbatohet edhe shpërngulja e popullsisë shqiptare nga këto treva. Ato i paraqesin pikëpamjet e veta, duke propozuar njëkohesisht edhe masa përkatëse. Ministria e Punëve të Brendshme e Mbretësisë SKS me shkresën nr. 11079 e dat. 26.IV 1923 e njofton ministrin e drejtësisë për vërejtjen e lëvizjes së shqiptarëve dhe të turqve në pjesën jugore të vendit, për shkuarje në Turqi, e kryesisht në Thraki, që atje përherë të vendosen dhe të bëhen nënshtetas turq. Kërkon që t’i urdhërohet pushtetit lokal që të mundësojnë shpërnguljen, e njofton edhe për çështje të tjera dhe kërkon që të merren masa dhe të mundësohet shpërngulja e atyre, që “e dëshirojnë” atë.[74] Gazeta “Politika” e datës 6.VIII.1923 përkitazi me shpërnguljen shkruan, në mes të tjerash edhe “... se interesi ynë nacional, në përgjithësi, është serbizimi i Kosovës dhe i luginës së Vardarit dhe se çështja e shpërnguljes është më aktuale dhe me rëndësi se shumë çështje të tjera”.



Gazeta “Pravda” nr. 81 e vit. 1923, që dilte në Sarajevë, përkitazi me këtë thekson edhe këtë: “... kolonizimi ka pasur sukses në luginën e Llapit .... sot turqit po shpërngulën nga Llapi, që do të thotë se kolonizimi ka pasur sukses në atë trevë”. Ndërsa, gazeta me të njëjtin emër nr. 27 e vitit 1925 paraqet të dhënat se kolonizimi në masë të madhe po ndikon në nxjerrjen e pasaportave, se po shpërngulet Sanxhaku e Kosova, se toka po blihet mjaft lirë nga ata, të cilët po shkojnë, dhe se ka raste kur toka falet ose lihet krejtësisht nga të shpërngulurit, dhe thekson edhe këtë: “... se ky është akt i madh historik i kësaj shpërnguljeje” dhe propozon: “Më mirë të kemi krizën ekonomike, sesa atë politike treqindjveçare”. Dokumentet e kohës theksojnë se shpërngulja në Turqi po merr përmasa të mëdha dhe se fshatrat dhe qytezat po i humbin karakteristikat e vjetra, sidomos tregtia dhe zejtaria.



Shoqata Kulturore Shqiptare në Sofje “Dëshira”, në protestat e veta të shumta, sidomos në vitet 1923 e 1924 në mes tjerash lidhur me grabitjen e tokave dhe kolonizimin shkruan: “Pasuritë e patundshme të familjeve që janë deyruar ta braktisin vendin e tyre, janë grabitur nga familjet serbe dhe malazeze të vendosura nga autoritetet serbe, para debimit të pronarëve të ligjshëm shqiptarë. Kurrfarë e drejte nuk u është dhënë atyre që të mundë të dispononin me pasuritë e veta, qoftë direkt, qoftë nga fondet e pushtetit. Aq më tepër, pushteti serb ka konfiskuar të gjitha pasuritë e shqiptarëve, që gjenden përkohësisht për një arsye ose një tjetër, jashtë limiteve të territorit të vet”.[75]


Dokumentet e shumta arkivore dëshmojnë se pushteti, për të realizuar qëllimin e shpërnguljes dhe krijimit të tokës së lirë për vendosje të kolonëve, përdori edhe metoda të ndryshme të dhunës. Këtë më së miri e dëshmon artikulli i botuar në gazetën “Proleter” nr. 10, të datës 20 janar 1930, me titull “Smrt albancima - Zemlja belorukcima”- (“Vdekje shqiptarëve - Toka dorëbardhëve”). Në fillim të artikullit të shkruar nga fshatari i Pejës thuhet: “Në këtë trevë shumica e fshatarëve janë shqiptarë. Kjo është toka jonë që nga kohërat më të vjetra. Mbi ne deri më tani kanë sunduar pushtetmbajtës të ndryshëm, beglerë e pashallarë. Ne fshatarët kemi luftuar kundër tyre, prandaj edhe jemi mbajtur nën sundim. Një kohë, në Mesjetë, neve na kanë sunduar edhe feudalët serbë. Në vitin 1912 prapë serbët i kanë pushtuar këto toka dhe që nga ajo kohë i ndjekin shqiptarët, ua marrin tokën, i ngarkojnë me gjoba, ua djegin shtëpitë, i mundojnë gratë dhe fëmijët, ndërsa të rriturit i vrasin...”. Në të dëshomohet, në mes të tjerash, edhe mënyra e marrjes së tokës së punueshme nga komisionet agrare me ndihmën e xhandarëve, për vendosjen e kolonëve në shtëpitë e fshatarëve shqiptarë, të cilët ishin të detyruar që t’i mbanin me ushqim, t’ua punonin tokën, t’ua ndërtonin shtëpitë etj., siç thuhet në dokument: “Ne shqiptarët, pos tjerash duhet t’u ndërtojmë kolonëve edhe shtëpitë me të hollat tona, na duhet ta blejmë litarin me të cilin duhet të na varin ata. Gjatë kohës kur ne ndërtonim shtëpi, kolonët vendoseshin te ne, sepse duhej menjëherë të mbesin në fshat dhe menjëherë të fillojnë serbizimin e kësaj treve. Ata jetojnë në shtëpitë tona deri sa ne ua ndërtojmë shtëpitë e tyre ose deri sa mos t’i dëbojnë familjet tona shqiptare dhe për këtë asgjë nuk paguanin. Çdo shqiptar, të cilit i vinte ai “mysafir” i cili ia kishte marrë tokën, duhej që atë dhe familjen e tij ta ushqejë deri te korrja e re dhe duhej që me bagëtinë e vet t’i ndihmojë në punimin e tokës, atë tokë të njëjtë e cila shqiptarit i është grabitur. Me atë metodë të xhandarëve dhe të komisionit agrar bellorukas, kolonët në të vërtetë po bëhen bashibuzukë, ndërsa shqiptari rob i thjeshtë, i cili duhet vetëm të punojë, duke heshtur, ku përveç tatimit që duhej dhënë shtetit dhe komunës, duhet që gjysmën e bereqetit t’ia japë kolonit, nëse nuk ia merr në tërësi. Toka në librat tatimore është e regjistruar pronë e shqiptarit dhe ata duhet ta paguajnë tatimin edhe për atë tokë, e cila i është marrë...”. Këtu pastaj jepen fakte për burgosjet, vrasjet e mbajtësve të familjeve, montimin e proceseve të ndryshme, gjobitjeve, maltretimeve, vrasjeve etj. e tërë kjo i ka detyruar ato familje, të cilat i shpallnin si kaçake, të uritura e të zbathura të marrin rrugën e mërgimit, duke ua lënë tokën kolonëve ardhacakë. Sipas kësaj, terrenin për shpërnguljen e shqiptarëve e përgatisnin organizatat terroriste “Bella ruka” dhe “Narodna Odbrana”. Po ashtu kjo gazetë, më parë në numrin 6 të datës 1.XII.1929, thekson edhe këtë se në Kosovë po zbatohet kolonizimi më brutal. Po rrëmbehen prona të tëra të fshatarëve nëpërmjet proceseve tradhtare, po dëbohen shqiptarët dhe tokat shqiptare po kolonizohen me serbë të dëgjueshëm ndaj regjimit. Dhënia e tokës më të mirë bandave bellogardiste dhe vrangeliste. Ndarja e Kosovës në tri banovina është bërë me qëllim të serbizimit më të shpejt të këtyre viseve.



Në një dokument në formë broshure me titull: “Tërë Shqipëria e të gjithë shqiptarëve”, botuar në Romë më 1931, për të cilin njofton Gjeneralshtabi kryesor i Armatës në Beograd, theksohet se po bëhet shpronësimi i tokës në masë, sidomos rreth kufirit, ku jetojnë shqiptarët, në mënyrë që të lirohen trojet për fshatarë serbë dhe kolonë.



Zbatimi i këtij shpronësimi po bëhet në mënyrë barbare dhe me dhunë. Fshatarët serbë në mënyrë të thjeshtë dhe të padrejtë po e marrin tokën, e cila është rrëmbyer nga shqiptarët. Shqiptarët kanë rënë në mjerim, po shpërngulen në Amerikë ose në Mbretërinë e Shqipërisë. Për këtë, siç thuhet në dokument, Hasan Prishtina i drejtohet kryetarit të Shoqatës së Kombeve, ku e paditë regjimin e terrorit, sepse shqiptarët me forcë po dëbohen nga vatrat e tyre, ndërsa pronat e tyre po u jepen serbëve, malazezve dhe rusëve, të cilët po vendosen ne këto vise si kolonë.[76]


Në një afishe të Rinisë përparimtare të Kosovës dhe të Jugosllavisë, të marsit 1937, në mes tjerash thuhet: “Prej vitit 1918 shqiptarët në Jugosllavi u janë ekspozuar vrasjeve, djegieve së tërë fshatrave, dëbimit nga vendi; u grabiten shtëpitë, pasuria, kullotat dhe pyjet e fshati dhe ato fisnore. Shqiptarëve u ndalohet përdorimi i gjuhës amtare, u zhdukën doket e zakonet popullore. Pas të gjithave vijnë plaçkitjet e fejdexhinjve të bankave, si dhe plaçkitja në forma të tatimeve dhe kullukut. Zotërinjtë serbë, me qeverinë reaksionare Stojadinoviq - Koroshec - Spaho me të gjitha forcat punojnë në shkatërrimin e popullatës shqiptare, si bënin më parë qeveritë antipopullore, prandaj, në vend të lirive të premtuara kabineti i JRZ vazhdon terrorin dhe vrasjet masive të luftëtarëve popullorë. Në të gjitha plaçkitjet dhe goditjet me dhunë, shqiptarët bëjnë rezistencë heroike. Edhe pse gjithnjë të poshtëruar, të ndjekur me kundak dhe bajoneta, përsekutohen nga armiqtë përkatës, nga qeveria, ata me këmbngultësi vazhdojnë të rezistojnë.....”. [77] Ndërsa, në afishën e studentëve të Kosovës, të muajit qershor 1938, në mes tjerash thuhet: “Shqiptarë - Policët, xhandarët dhe spiunët janë bërë të pafrenueshëm në pronat dhe jetën tuaj, trefish ua marrin tatimin, ju plaçkisin, ju rrahin dhe ju vrasin. Për të gjitha këto krime askujt nga ata zullumqarë nuk u ka rënë asnjë fije floku nga koka, por, madje, për këtë marrin shpërblime dhe dekorata...”.[78] Në afishën tjetër të Rinisë shqiptare, të qershorit 1939, në mes tjerash shkruan: “..... Ju kanë marrë tokën të cilën me shekuj e keni punuar dhe me të cilën i keni ushqyer fëmijët tuaj. Politikisht të lënë anash, ekonomikisht të shterrur, në fushën kulturo-arsimore të lënë në terr dhe në padije, ju ishit ekspozuar terrorit të paparë. Kulminacionin e ndjekjeve shqiptarët e kanë përjetuar gjatë kohës trivjeçare të qeverisë antipopullore të JRZ të Millan Stojadinoviqit. Është shtuar marrja e tokës. Nën goditjen e njëfarë “agrari” është vënë toka në të cilën jeton fshatari shqiptar. Është hartuar Konventa me Republikën e Turqisë për shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve. Terror të paparë, keni përjetuar vitin e kaluar kur në çdo anë trumbetohej njëfarë “kryengritje” të shqiptarëve....”. [79]

Dëshmi të shumta ndriçojnë se toka u merrej në tërësi familjeve shqiptare bujqësore, e u jepej atyre, që nuk merren me bujqësi. P.sh në një raport të Konsullit të Përgjithshëm të Mbretërisë Shqiptare në Shkup, nr. 320.C.III, datë 8.VIII.1930 thuhet: është marrë toka e Sokol Hajdarit nga Janoshi i Gjakovës, i cili ka mbetur në rrugë me 30 anëtarë të familjes dhe i është dhënë sekretarit të Bashkësisë së Gjakovës, malazezit Jovo Joksiq. Është marrë toka nga disa fshatarë të fshatit Nec të Gjakovës dhe i është dhënë anëtarit të bashkësisë Boko Tomoviq dhe drejtorit të shkollës fillore në Gjakovë Vojiq Tomoviq. Këta tokën në fjalë, e përdorin si çiflig dhe të zotët e tokës - shqiptarët i përdorin si bujq. Marrja e tokës edhe të familjeve të tjera si në Cërmjan, Bec etj.[80] Në një analizë të K. Kërstiqit, shef i Zyrës së Mbretit, drejtuar Drejtoratit suprem të reformës agrare në Shkup me 23. janar 1932, në mes tjerash përkitazi me marrjen e tokës thotë: Ajo është bërë ashtu që shqiptaret autoktonë për shkak të mosinformimit se toka i është marrë, e ka mbjellë dhe ka përjetuar që koloni t’i thotë: Ndalu, kjo është e imja”. Ose e ka thirrë pushteti agrar dhe i ka thënë: “Dëgjo, ti, atë dhe atë arë e ke mbjellë në këtë vit, t’i për atë ke me paguar qiranë”. Ekziston tokë pjellore, ku koloni nuk ka ardhur; atë tokë pushteti agrar e ka dhënë me qira dhe e kanë marrë atë; ka edhe tokë të pambjellë as nga shqiptarët e as nga kolonët, të cilët nuk kanë ardhur, kështu ajo ka mbetur djerrinë, e papunuar. Rastet në komunën e Vogovës dhe të Ponoshecit, ku vendësit e tërë fshatrave kanë mbetur pa asnjë hektar tokë. Rasti i Abdyl Tahirit nga Vogova, i cili ka 79 anëtarë të familjes dhe ka mbetur pa kurrfarë prone për jetesë. Ka raste, që vetë kolonët kanë treguar, që të gjitha familjet rreth shtëpisë i është marrë toka, kështu që tani për të hyrë në shtëpi duhej të kalonte nëpër pronën e kolonit.[81] Në një raport nr. 57, datë 25.VII 1940, në mes tjerash thuhet se - shqiptarët nuk do të ankoheshin nëse u lehej 40 ari për anëtarë të familjes, por që ajo tokë të jetë e punueshme, e jo rrah dhe pyll.[82]


Kolonët serbë, që merrnin tokën ishin të liruar nga tatimi. Ndërsa, shqiptarët ishin të detyruar që të paguajnë taksat për 5 vjet për tokat shqiptare të marrë para 3-4 viteve. Duke mos pasur të holla për t’i bërë ballë pagesave, autoritet jugosllave i nxirrnin rrobat në mënyrë arbitrare e të çuditshme në ankand, i shisnin me çmime të lira si edhe teshat e nuseve.[83] Në një referat të një deputetit T. Diniq, të marsit 1938 - në mes tjerash shkruan: Ngarkimi me tatim në mënyrë jo të drejtë. Pagesa e tatimit edhe për tokën, të cilën shteti e ka marrë. Dhënia me qesim e tokës për të cilën paguajnë tatimin. Shkatërrimi sistematik i bujqve, nga shtëpiaku krijohen persona pa strehë dhe proletarë. Shkatërrimi i amvisnive shtëpiake. Pasojë e një pune të tillë është që bujku po ik nga toka, shtëpiaku po shndërrohet në proletar dhe punëtorë të vrazhdë të papunë.[84]



Me qëllim që në vitin 1934 të nxitet shpërngulja dhe të intensifikohet edhe më tutje kolonizimi, Ministria e Bujqësisë e Mbretërisë Jugosllave, nëpërmjet bankës hipotekare kishte lidhur kontratën në shumë prej 15.000.000 din. me qëllim të blerjes së tokave private në Kosovë. Kjo ministri kërkon që të organizohet shërbimi te drejtoratet e Banovinës për dhënien e pasaportave pa pagesë për ata të cilët e shesin tokën dhe shpërngulen jashtë shtetit, ndërsa Ministria e Ushtrisë dhe e Marinës që t’i lëshojë para kohe të gjithë ushtarët e familjeve, të cilat shpërngulen jashtë shtetit.[85]


Duke parë se kolonizimi me elementin sllav dhe shpërngulja e shqiptarëve nuk po jep rezultatet e duhura, sipas dëshirës dhe mendimeve të qarqeve borgjeze sunduese, në këtë drejtim të gjitha ministritë shtetërore dhe organet tjera, u angazhuan edhe më tepër. Në këtë drejtim u angazhua edhe Klubi Kulturor serb, i cili bëri plane dhe hartoi elaborate se si të zbatohet me sukses kolonizimi dhe serbizimi i Kosovës dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi e në Shqipëri. Po i paraqesim disa nga ato:



Në elaboratin voluminoz të Vasa Çubrilloviqit, me titull “Shpërngulja e Shqiptarëve” i 7 marsit 1937, veçojmë: “Shqiptarët nuk është e mundur t’i thyesh vetëm me kolonizim gradual; ky është i vetmi popull që arriti në këto një mijë vjet të fundit... të mbijetojë drejt bërthamës së shteti tonë... pse nuk patëm sukses nga viti 1912, ky është faj yni mbasi pushtetin nuk e shfrytëzuam si duhet. Mënyra e vetme dhe mjeti i vetëm, është dhuna brutale e një shteti të organizuar, në ç‘drejtim ne prore ishim përpara tyre”. “Përpos njerëzve të besueshëm këtë konflikt duhet përgatitur mirë; konflikti duhet të masivizohet, që të jetë më lehtë të shpjegohet se shqiptarët kanë ngritur krye, ndërsa gjithë gjendjen duhet paraqitur si një konflikt vëllazërie a fisi dhe sipas rastit t’i jepet edhe dimensioni ekonomik. Në shkallë të fundit, mund të shkaktohet edhe kryengritje lokale, të cilat do të shuheshin me gjak dhe me mjete efikase, por jo gjithaq me ushtri, sa me kolonistë, fise malazeze dhe çetnikë. Mbetet edhe një mjet, të cilin Serbia në mënyrë shumë praktike e kishte përdorur pas vitit 1878: djegia e fshehtë e fshatrave shqiptare dhe të lagjeve të qyteteve...”. “Deri në fund të shfrytëzohen ligjet për t’ua bërë shqiptarëve jetën sa më të hidhur: gjobat, arrestimet, zbatimit i pakufishëm i gjithë ndjekjeve policore, dënimi i kontrabandës, i prerjes së pyjeve, ndjekja për lëshimin e qenëve, detyrimi me angari dhe të gjitha mjetet tjera, që mund t’i ketë në dorë një polici..”. “Me rastin e krijimit të psikozës për shpërngulje, duhet bërë gjithë ç‘është e mundshme të largohen fshatra të tëra, ose së paku familje të tëra. Duhet përdorur të gjitha mjetet për të penguar mbetjen e një pjese të familjes këtu...”. “Me rastin e krijimit të kolonive të reja, sa herë që i kërkon nevoja, duhet përdorur forca ushtarake...”. “.... duke ditur çfarë dëshirohet dhe duke mos kursyer as para as gjak, shteti ynë do të mund të bëjë që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit të shndërrohen në Toplicë të re”.[86]


Lideri tjetër, Gjoka Perina në ligjëratën e vet me 16.VI.1937 - Propozon, që pasi kolonizimi i elementit serb nuk po mund të arrijë të jetë në shumicë në Vojvodinë dhe në Serbinë Jugore, të bëhet këmbimi i popullsisë në krahinat përkatëse, sepse “elementi i huaj do të zvogëlohet, ndërsa yni do të rritet”.[87] Në referatin e Drejtoratit Suprem të Lidhjes së Bashkësive Agrare në Shkup me titull “Për nevojën e zbatimit intensiv të kolonizimit të lirë në Serbinë Jugore”, shkruan, se: Përparësitë e kolonizimit të lirë ndaj kolonizimit shtetëror dhe zyrtar janë: vazhdimi i kontinuitetit në zbatimin e kolonizimit; mundësimi i kolonizimit në vendet, ku nuk ka tokë të lirë shtetërore, e sidomos në kufirin shqiptar; moskrijimi i pakënaqësisë ndër vendësit, krishterët dhe myslimanët; blerja dhe oferta gati eksklusivisht nga myslimanët; kolonizimi në tokat e punuara, të cilat menjëherë mund të punohen dhe të shfrytëzohen; vendosja menjëherë pas blerjes, pasi që ekzistojnë ndërtesat, ofrimi i stabilitetit, dëshirës dhe sigurimit të kolonëve; vendosja e lehtë e personave të shkolluar në disa koloni; zgjedhja e vendit për kolonizim etj. Sigurimi i mjeteve të nevojshme për zbatimin e këtij kolonizimi. Ky kolonizim do të shkaktonte shpërnguljen e popullatës myslimane pa pasoja dhe pa jehonë, meqenëse kjo llogaritet si iniciativë private. Ai propozon, se në aspektin e kolonizimit në Serbinë Jugore duhet punuar mjaft. Këtë e kërkojnë në mënyrë imperative interesat ekonomike e nacionale dhe se për këtë aksion nuk duhet të ankohen mjetet, sepse ato triherë ia kthen popullit dhe shtetit.[88] Orestije Kërstiq në ligjëratën e vet me 4 prill 1938, në mes tjerash shkruan: “Lufta për tokë në Serbinë Jugore - është luftë nacionale - ekonomike, e jo thjesht këmbim me të mira. Konflikti i dy elementeve nacionale “ne dhe shqiptarët”. Pushtimi i maleve nga shqiptarët si fise të ilirëve të vjetër”. Propozon vazhdimin e kolonizimit dhe ndihma kolonëve, vendosjen e familjeve të nacionalitetit serbë në fshatrat e pastra shqiptare.[89] Në referatin tjetër të Klubit kulturor serb të datës 16 maj 1938, thuhet: Ndërmarrja e masave që elementi shqiptar të bëhet i parrezikshëm, të shpërngulet në Shqipëri ose në Turqi, ose blerja e pronave të tyre dhe dhënia “elementit tonë nacional” dhe kështu të detyrohen të shpërngulen. Pastaj thuhet: “nëse çështja shqiptare te ne nuk zgjidhet në mënyrë diplomatike, d.m.th. me shpërngulje, ajo do të zgjidhet me kolonizimin e mëtejshëm, atëherë duhet ditur, që për atë duhet kolonizuar një numër të madh të popullatës sonë, që të arrihet superioteti i madh ndaj shqiptarëve”.[90]



Në konferencën ndërministrore përkitazi me shpërnguljen e popullatës me prejardhje josllave nga e ashtuquajtura Serbi Jugore, të mbajtur me datën 1 tetor 1935, në Beograd në Ministrinë e Punëve të Jashtme u diskutua edhe për angazhimin rreth shpërnguljes së shqiptarëve, lidhjes së një marrëveshjeje me Turqinë etj. Në këtë Konferencë u nxorën këto konkluzione:[91]



1. Shpërngulja duhet të rregullohet sa më parë me konventë speciale me Turqinë dhe Shqipërinë;



2. Nëse me Shqipërinë nuk mund të lidhet marrëveshja dhe shtetasit tanë nuk dëshirojnë të shpërngulen në Turqi duhet bërë këtë:



a. shpërnguljen graduale të popullatës me prejardhje shqiptare e turke nga zona

kufitare në brendësi dhe të kolonizohet ai vend me popullatë të nacionalitetit jugosllav;



b. këmbimi i popullsisë me Shqipërinë.



3. T’i bëhen lehtësime popullsisë, e cila shpërngulet, si transporti, dhënia e pasaportave pa pagesë, lirimi nga taksat, rekrutimi;



4. Të pamundësohet edhe të pengohet propaganda kundër shpërnguljes;



5. Zbatimi i rreptë i të gjitha dispozitave mbi kolonizimin e viseve jugore, dhe



6. Nacionalizimi i emrave gjeografikë.



Përveç këtyre dhe shumë formave të tjera, përkitazi me shpërnguljen e shqiptarëve ndërmjet Mbretërisë së Jugosllavisë dhe Republikës së Turqisë në vitin 1938 ishte lidhur konventa e njohur famëkeqe. Si organ ishte formuar Komiteti për Shpërngulje, në kuadrin e të cilit funksiononte Inspektorati Suprem për Shpërngulje me seli në Shkup, si dhe inspektoratet lëvizëse. Këta të fundit kishin për detyrë të caktonin terrenin për kolonizim me elementin sllav, përkatësisht t’u jepnin urdhra për shpërngulje të shqiptarëve. Qeveria jugosllave nuk dëshironte që shqiptarët të shpërngulen në Shqipëri, për shkak të rritjes së numrit të banorëve në Shqipëri dhe hyrjes në të të një elementi, i cili ishte i disponuar armiqësisht ndaj serbëve. Ajo dëshironte që shqiptarët të vendosën sa më larg vendlindjes, në shkretëtirat e Anadollit, duke mos pasur kështu kurrfarë kontakti me vendlindjen dhe duke mos mundur të kthehen kurrë më në atdheun e vet. Po ashtu, edhe qeverisë turke i konvenonte vendosja e shqiptarëve në kufi me kurdët rreth kufirit me Irakun dhe Iranin. Kjo ndikon që nxjerrja e vizave për pasaporta për në Turqi të bëhej për dy ditë, ndërsa ato për Shqipëri për dy muaj apo hiq.[92] Këtë e dëshomojnë dokumentet e shumta, të ruajtura në arkivat e ndryshme.



Në një dokument tjetër të Shtatmadhorisë Kryesore në Beograd, i vitit 1938, në mes të tjerash shkruan: “Po vërehet dekurajim i madh i shqiptarëve për shkak të marrjes së tokës dhe po frikësohen se edhe toka tjetër do t’u merret dhe do të shpërngulën në Turqi. Versioni për shpërngulje i ka goditur mjaft. Në Turqi nuk po shkojnë, sepse besojnë se vendi, i cili iu ka dhënë për vendosje është i sëmurë dhe se për shkak të klimës së papërshtatshme të gjithë po vdesin”.[93] Organet e pushtetit, përveç metodave të dhunës e terrorit, të marrjes së tokës popullatës shqiptare nëpërmjet reformës agrare dhe kolonizimit me element sllav, si formë për nxitjen e shpërnguljes, e përdori edhe propagandën dhe angazhoi edhe organizatat, shoqëritë nacional-shoveniste, agjencitë dhe agjentë të ndryshëm si dhe shumë persona vendës e kolonë, por kishte të përzierë edhe disa fanatikë të blerë me paratë e qeverive borgjeze. Tërë këta vepronin anembanë Kosovës dhe jasht saj. Në tërë këtë ishte i angazhuar edhe shërbimi informativ jugosllav. Të shpërngulurit më parë plaçkitëshin mirë nga aparati burokratik, avokatët e ndryshëm si dhe nga vetë agjencitë dhe agjentët. Lumi i të shpërngulurëve në këtë periudhë kryesisht shkonte në dy drejtime: nga Shkupi për në Selanik dhe më tutje në Turqi, kurse drejtimi tjetër drejt Sofjes.



Përkitazi me shpërnguljen e shqiptarëve, Legata Britanike në Durrës më 27.VI 1938 njofton: “se është duke u folur shumë prej vitit 1936-37 për një marrëveshje ndërmjet Turqisë dhe Jugosllavisë për shpërnguljen e madhe të shqiptarëve myslimanë prej Kosove në Turqi. Dështim i marrëveshjes së vitit 1936 për transferim të 50.000 shqiptarëve kosovarë në Shqipëri. Marrëveshja ndërmjet Turqisë e Jugosllavisë vështirë do të realizohet. Deklarimi i një diplomati turk se Ministria Shqiptare lejon shkuarjen në Turqi vetëm të turqve. Mundësia e shkuarjes në Shqipëri të një numri të vogël të kosovarëve. Konstatimi se numri i vërtetë i turqve këtu është shumë i vogël. Marrëveshja turko-jugosllave për shpërngulje të 250.000 - 300.000 personave madje sipas një shkrimi dhe të 480.000 vetash. Konstatimi se ky numër aq i madh për shpërngulje të kosovarëve nuk mund t’i takojë kombësisë turke, por ata duhet t’i takojnë asaj shqiptare. Deklarimi i Ekrem Libohovës se gjuhën turke siç e flasin edhe gjuhën shqipe, e flasin një numër i banorëve të qyteteve, se popullata nuk ka dëshirë të shpërngulet në Turqi, sepse, nëse shkojnë, atje do të bëjnë një jetë mizore”.[94]


Kundër shpërnguljes së popullatës shqiptare, në Kosovë e gjetiu vepronin disa shoqata nacionaliste, patriotë shqiptarë etj., të cilët propagandonin në popull që të mos shpërngulen, bënin rezistencë, kritikonin pushtetin dhe protestonin për shkak të terrorit, gjenocidit, shtypjes, dhunës, kolonizimit, zbatimit të padrejtë të reformës agrare etj. Në këtë drejtim prej patriotëve shqiptarë më së shumti është angazhuar dhe ka kontribuar Hasan Prishtina, i cili disa herë deri në vdekje i drejtohet me shkresa, ankesa, memorandume etj. Shoqatës së Kombeve në Gjenevë etj. përkitazi me kolonizimin dhe marrjen e tokave shqiptare nga serbët, malazezët dhe emigrantët rusë, duke i dëbuar shqiptarët nga tokat e tyre. Në një letër nga Vjena të datës 10.II.1924 shkruan: se ata janë të terrorizuar me metodat më gjakatare dhe të rrezikuar në çdo pikëpamje nga pushteti me qëllim që ata të detyrohen të largohen nga atdheu, edhe pse janë banorët më të vjetër të Gadishullit Ballkanik.[95] Ai përveç kësaj, e ngrit zërin edhe kundër tatimeve të mëdha, dënimeve të shumta, ndalimit të shkollimit në gjuhë amtare, shtypjes, terrorit etj., duke theksuar se po bëhet shtypje në 1 milion shqiptarë, që jetojnë në Mbretërinë SKS që të shpërngulen në Turqi, në Shqipëri dhe në vende të tjera, ku jetojnë në mjerim. Në një dokument protestë nga Vjena më 15.III.1927 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve ser Erik Drummond, shkruan: “Afër një milion shqiptarë, që jetojnë në Kosovë e Maqedoni nuk kanë asnjë shkollë në gjuhën e tyre amtare. Po kështu, atyre u është ndaluar të hapin shkolla me mjetet e tyre private; Qeveria e Mbretërisë së Jugosllavisë përdorë të gjitha mënyrat e mundshme për t’i shfarosur shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë. Është fakt, është e njohur dhe e qartë që masakrat dhe zhdukja e fshatrave të tëra, vrasjet e shqiptarëve dhe plaçktija e shtëpive të tyre, janë bërë dhe po bëhen sipas urdhërave të agjentve dhe të autoriteteve më të larta; Si pasojë e konfiskimit pa zhdëmtim të pasurisë së bujqëve shqiptarë, e cila u është dhënë serbëve dhe malazezëve, shqiptarët janë shtrënguar të braktisin në masë vendin e tyre, truallin e të parëve të tyre. Shqiptarët myslimanë e katolikë duhet të paguajnë taksa 60% më të larta, masë kjo e marrë për t’i rrënuar ekonomikisht, e më këtë mënyrë, për t’i detyruar të emgirojnë.[96] Si pasojë e kësaj është se popullata serbe e qarkut të Gjakovës, e cila para 10 vjetësh, nuk kapte 1% të popullsisë, sot arrinë 20% të popullsisë, kurse 20% të popullsisë autoktone u larguan nga toka e saj.[97]

Ankesat dhe memorandumet e Hasan Prishtinës, pushteti jugosllav i ka përcjellë përherë, është munduar t’i mohojë të dhënat e vërteta, pra ka përdorur kontrapropagandën.



Bajram Curri dhe Hasan Prishtina, si përfaqësues të Komiteteve të Bashkuara Shqiptare të paçlirura me datën 26.IV.1924 i drejtohen Kryesisë së Këshillit të Lidhjes së Kombeve dhe e njoftojnë për protestat kundër regjimit të Shtetit SKS, për mosrespektimin e të drejtave të minoriteteve dhe mohimin e së drejtës së shqiptarëve për të jetuar. Lidhur me kolonizimin thuhet: “Çdo goditje për shkatërrimin e Shqipërisë pasohet nga një operacion vendosje kolonësh rusë, malazezë e serbë. Nga ana e tyre këta kolonë terrorizojnë sistematikisht fshatrat fqinje duke i detyruar banorët t’i braktisin vatrat dhe tokat e tyre, të cilat konfiskohen dhe kolonizohen menjëherë. Janë pikërisht një pjesë viktimash të kësaj manovre tragjike, që bredhin rreth vatrave të tyre që quhen kaçakë.... Kosova, vend kryekëput bujqësor... tani vuan nga mjerim i tmerrshëm, fshatarëve dhe qytetarëve bujq në përgjithësi u janë marrë tokat me pretekst të zbatimit të ligjit agrar... Ky regjim i hekurtë, i zjarrtë dhe i plaçkitjes përbën faktorin kryesor të emigrimit në masë të popullsisë shqiptare në Turqi, i cili po kryhet në kushte të tmerrshme, duke u kushtuar jeta qindra familjeve e duke dënuar pjesën tjetër në një mjerim të patregueshëm....”.[98]


Sekretarit gjeneral të Shoqatës të Kombeve në Gjenevë i dërgojnë peticione edhe atdhedashës të tjerë, por më i njohur prej tyre pa dyshim është ai i datës 5.V.1930, i dërguar nga tre priftërinjtë shqiptarë: dom Gjon Bisaku, dom Shtjefën Kurti nga Prizreni dhe dom Luigj Gashi nga Shkupi. Në peticionin e tyre, në mes të tjerash, thuhet se qëllimi i pushtetit është që me çdo kusht ta ndryshojë karakterin etnik të viseve, ku jetojnë shqiptarët, duke mos zgjedhur mjete për arritjen e qëllimit të shpërnguljes së tyre në Turqi, në Shqipëri dhe në vende të tjera, siç ishin përdorimi i mjeteve të dhunës, djegia e shtëpive dhe e fshatrave, vrasjet, plaçkitjet, maltretimet, dënimet etj. Vrasjet masive të shkaktuara për shkaqe më të vogla mbi njerëzit e pafajshëm, faj i vetëm i të cilëve ishte pse ishin shqiptarë. Therrja në Dumnicë (rrethi i Vushtrrisë) më 10 shkurt 1924 - masakri mbi 25 shqiptarë (prej tyre 10 gra, 8 fëmijë nën 8 vjeç, 7 burra mbi 50 vjeç) Pra, për këtë krim askush nuk është dënuar. Djegia e Rugovës. Në dokument përkitazi me dëbimin e shqiptarëve, kolonizimin e Kosovës me elementin sllavë thuhej: “Shpërngulja në Shqipëri nuk shikohet me sy të mirë. Qeveria jugosllave ka interes të plot, që të gjithë të ndjekurit dhe të plaçkiturit t’i shoh të vendosur sa më larg kufirit të vet. Për këtë shkak u shkaktohen njëmijë fatkeqësi atyre njerëzve, që dëshirojnë të shkojnë te të afërmit e tyre në Shqipëri”..... “Në fshatin prej nga shpërngulën shqiptarët dhe në pronat e tyre të konfiskuara dhe të ekspropriuara po sillen malazezët dhe sllavët nga Bosnja, Sremi e Banati. Ata po vendosën me qëllim të ndërrimit të pamjes etnografike të Krahinës. Shartime të ngjashme po bëhen pak a shumë çdokund dhe ky proces po vazhdon me forca të shtuara.. Ka ndodhur që banorët me prejardhje shqiptare, që janë larguar përkohësisht nga vatrat e tyre, kur janë kthyer i kanë gjetur në to sllavët”.... “Viktimat e të ashtuquajturës, reformës agrare janë të shumta. Popullsisë shqiptare po i shkaktohen vështirësi të mëdha. Për qytetarët, që kanë kryer shërbimin ushtarak, reforma parasheh që të mbajë nga 5 ha tokë të punuar për kokë. Familjet shqiptare, që e kanë ruajtur formën patriarkale, të përbëra prej 6-10 anëtarë, do të kishin të drejtë në 30-50 ha. Mirëpo sot nuk ka asnjë familje shqiptare në territorin e Jugosllavisë, që kanë pronë të këtillë. Shqiptarëve, madje u janë ekspropriuar edhe pronat prej një hektari.[99] Ata në peticion theksojnë se deri në këtë kohë kanë migruar më se 10.000 emigrantë të pafat në Shqipëri dhe 130.000 në Turqi, ndërsa Qeveria e Beogradit dhe e Angorës po bëjnë marrëveshje për dëbimin e 300.000 - 400.000 shqiptarëve nga Kosova, në tokat e të cilëve do të sillen malazezët dhe boshnjakët. Si mjet më efikas për t’i detyruar shqiptarët që të shpërngulen ishte shpronësimi i pronave të tyre pa kurrfarë kompensimi. Qeveria serbe është munduar që me makinacione e rrena të ndryshme t’i mohojë dëshmitë e pamohueshme të këtyre tre priftërinjve dhe të tjerëve.



Në Beograd disa herë kanë shkuar delegacione të ndryshme shqiptare nga Kosova - persona me autoritet, patriotë etj., ku kanë kërkuar intervenimin e qeverisë që të mos u merret toka shqiptarëve dhe që të mos shpërngulen shqiptarët. Por kujt t’i ankohej, kur vetë qeveria ishte organizatore dhe qëndronte pas tërë asaj. Edhe disa deputetë në parlamentin mbretëror, disa herë kishin kërkuar intervenimin e qeverisë, por kot. Kështu, p.sh. Mustafë Dauti, deputet popullor i rrethit të Anadrinit, në parashtresën e vet të datës 19.IX.1936, ankohet për marrjen e tokës pjellore fshatarëve shqiptarë dhe ndarjen e saj kolonëve. Thekson se atyre u lihet edhe më pak se 0,40 ha për anëtarë të familjes, edhe ajo tokë e dobët, pyll, e paçelur dhe tokë jopjellore.[100] Sherif Voca, duke diskutuar në parlament, në mes të tjerash, kishte thënë: “Shqiptarët nuk po kërkojnë rrugë të asfaltuara, hekurudha, lidhje ajrore, nuk kërkojnë punë - shërbim, nuk shkojnë të lypin, nuk presin prej askujt pension dhe as t’i jap kush toka të huaja, ose me përgjysmë, por duan t’i punojnë tokat e veta. Për shqiptarët çdo qiell tjetër është i huaj. Ata dëshirojnë dhe do të jetojnë në tokën e tyre. Ata dëshirojnë të jetojnë në liri, me dinjitet dhe të kënaqur”.[101]



Një delegacion prej rreth 50 shqiptarëve nga komuna e Shtimes dhe Kosinës para Shtabit të Armatës III në Shkup, ishin ankuar dhe kishin dekleruar: Se ankohen në pushtetin agrar, për shkak të marrjes së tokës në mënyrë joligjore, e cila nuk është beglere, por tokë e punueshme e varfanjakëve, pronë e trashëguar nga pararadhësit, se për të paguajnë tatimin dhe kanë tapitë turke. Toka nuk është utrinë, e as pronë e fshatit, por e individëve. Se kufizimi me dhunë është bërë gjatë ditës së Shën Mitrit të vitit 1939 nga ana e xhandarëve, pa praninë e pronarëve.[102]


Roli i veçantë i gruas shqiptare ishte shumë i ndjeshëm në kuadrin e luftës kundër kolonizimit serbomadh, meritë e veçantë kjo, të cilën detyrohet të njohë edhe njëri nga krerët “shkencor” ideatori Vaso Çubrilloviq, kur në vitin 1938 shkruante se “politikën tonë të kolonizimit e mundi pjelloria e grave shqiptare”.[103] Gruaja shqiptare ka bërë rezistencë edhe ndaj marrjes së tokës dhe të shtëpisë popullatës shqiptare nga të ashtuquajturat komisionet agrare dhe nga xhandarmëria. Këshu, p.sh. më 29 nëntor 1936, në fshatin Budrikë e Poshtme, xhandarmëria serbe vjen në fshat për ta marrë shtëpinë e familjes Musliu dhe t’ia dorëzojë kolonit Jovan Dishlakoviqit. Të gjithë anëtarët e familjes e kundërshtojnë këtë, por xhandarmëria i lidhë ata, ndërsa e bija e tyre Havushja, arrinë që të godas me dru nëpunësin policor të rrethit të Gjilanit Petar Kavadariqin.[104]


Ekzistojnë edhe shumë burime të tjera që dëshmojnë për marrjen e tokës, kolonizimin dhe detyrimin e popullatës nga presioni e dhuna të migrojnë nga atdheu, si p.sh. Elaborati i Ivo Andriqit, më 1 janar 1939. Ky akademik, zgjidhjen definitive të çështjes së Kosovës e sheh duke e ndarë Shqipërinë në dy pjesë: njërën pjesë duhej ta pushtonte Italia, kurse pjesën tjetër, sipas Andriqit, duhej ta pushtonte Jugosllavia.





PLANET SERBE PËR SPASTRIMIN ETNIK DHE KOLONIZIMIN E

KOSOVËS GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE



Fillimi i Luftës së Dytë Botërore e ndërpreu procesin e kolonizimit të Kosovës me elementin sllav. Pas hyrjes së ushtrive gjermane e italiane, nga frika e hakmarrjes, në gjysmën e dytë të prillit të vitit 1941, pasoi ikja e kolonëve serbë, malazez e të tjerë nga Kosova. Një numër i tyre u vendos në vendbanimet kompakte serbe e malazeze, e kishte edhe që kishin mbetur në vendbanime të tyre, përkundër të gjitha të këqiave të bëra ishin mbrojtur nga popullata vendase shqiptare.



Nga synimi i ndërrimit të strukturës nacionale dhe kolonizimit të Kosovës Serbia nuk hoqi dorë as në rrethanat më të vështira, siç ishin ato gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kohë Serbia, veç luftës këmbëngulte rreth vijave të demarkacionit ndërmjet pushtuesve italianë e gjermanë, i kushtoi kujdes të veçantë kolonëve të saj në Kosovë. Qeveria e Nediqit përpiqej përherë që nga një pjesë e Kosovës, që, me marrëveshje e sipas së drejtës historike e natyrore i takoi Shqipërisë së pushtuar nga Italia fashiste, të shpërgnulen sa më pak serbo-malazezë. Kur nuk ia arrinte dot qëllimit, kjo qeveri kolonët e shpërngulur i vendoste përreth kufirit të Kosovës dhe pandërprerë i përgatiste për rikthimin e tyre duke i indoktrinuar në domosdonë e kthimit, si edhe duke i përgatitur ata në fushën ushtarake, duke formuar njësitë të armatosura çetnike prej çetave e deri te korpuset ushtarake. Çështjen e shpërnguljes së kolonëve serbo-malazez nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore Qeveria e Nediqit e shfrytëzoi edhe në luftë kundër synimeve çlirimtare të forcave të ndryshme shqiptare, veçanërisht të Komitetit të Kosovës e të Qeverisë Shqiptare, por edhe në fushën diplomatike. Qeveria e Nediqit, duke politizuar çështjen e kolonëve të shpërngulur përpiqej ta bindte Gjermaninë naziste që ajo të përkrahte për rishtrirjen e mëparshme të Serbisë së madhe në këto anë.[105]


Për sendërtimin e qëllimeve të parashtruara Qeveria e Nediqit që nga ditët e para, u organizua në shkallë shtetërore. Në fillim kjo detyrë iu ngarkua Sigurimit Shtetëror e më vonë, kur çështja u masivizua edhe më shumë, sendërtimin e këtyre qëllimeve e moren për sipër prefektët e qarqeve dhe të rretheve. Shteti përgatiti pyetësorët, të cilët duhej t’i plotësonte çdo kryefamiljar i shpërngulur, e ku kërkohej, veç të tjerash, të deklaroheshin se sipas urdhërit të kujt shpërnguleshin, çfarë qëndrimi kishin ndaj serbo-malazezve organet e pushtetit, organizatat e individët dhe a shpërnguleshin për shkak të torturave apo pse nuk donin të mbeteshin jashtë Serbisë. Kuptohet, sipas skenarit të Qeverisë së Nediqit deklaratëdhënësit duhej të flisnin sa më keq për Qeverinë Shqiptare, veçanërisht për qëndrimin e saj ndaj kolonëve serbo-malazezë që këto pastaj ata t’i shfrytëzonin në arenën diplomatike ndërkombëtare. Për këtë arsye nuk janë të rralla deklaratat në të cilat në mënyrë të paskurpullt sulmohet jo vetëm Qeveria Shqiptare, por edhe populli shqiptar në tërësi. Të kësaj fryme janë veçanërisht raportet e hieromonahut të kishës së Deçanit. Veç kësaj, shumë deklaratëdhënës të manipuluar nuk mund të fshehnin faktin se me shqiptarët deri në kohën e “kreyengritjes”, siç e quanin shumë prej tyre fillimin e Luftës së Dytë Botërore, patën fqinjësi të mirë. Bile disa prej tyre u detyruan disa herë të pohojnë se edhe në kohën e Luftës së Dytë Botërore shumica e popullsisë shqiptare nuk ndërroi qëndrimin e saj të mëparshëm.[106]


Përveç kësaj, qarqet shoveniste serbe bënin plane për pushtimin e trojeve shqiptare, kolonizimin me elementin sllavë, përkatësisht të ndërrimit të strukturës etnike të popullsisë së Kosovës, të bazuar në projektin e Ilija Garashaninit. Po i theksojmë disa nga ato: Sipas projektit të hartuar prej avokatit nga Sarajeva Stevan Moleviq, të titulluar “Serbia homogjene” i 30 qershorit 1941, parashihej që Serbia të përfshinte në lindje dhe në juglindje Kosovën dhe Maqedoninë, Vidinin dhe Qystendilin në Bullgarinë e sotme; në perëndim - banovinën e Vërbasit, Dalmacinë Verirore, Likën, Kordunin, Baninë dhe një pjesë të Sllovenisë; në jug - Malin e Zi dhe Hercegovinën, duke përfshirë edhe Dubrovnikun, të cilit do t’i jepej status i veçantë, dhe pjesën veriore të Shqipërisë. Sipas Moleviqit, në gjirin e Serbisë së Madhe duhej të përfshiheshin të gjitha trevat ku ka serbë, apo ku Stevan Moleviqi supozonte se kishte serbë. Për te serbë ishin edhe maqedonasit dhe malazezët. Ndërkohë ai kërkonte shpërnguljen në masë të kroatëve, myslimanëve dhe të shqiptarëve nga rajonet, ku ata përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë.[107]



Në programet e çetnikëve më 1941 planifikohej: “Të krijohet Jugosllavia e Madhe në të Serbia e Madhe, etnikisht e pastër në kufijtë e Serbisë dhe të Malit të Zi, të Bosnjes e Hercegovinës, të Sremit e të Banatit. Të pastrohen të gjitha territoret nga elementët joserbë”. Të krijohen kufijtë e drejtpërdrejtë, kufijtë e përbashkët ndërmjet Serbisë e Malit të Zi, si dhe Serbisë dhe Sllovenisë, nëpërmjet spastrimit të Sanxhakut dhe të disa pjesëve të Bosnjes nga myslimanët dhe kroatët. Në përputhje me planet e sipërpermendura, Lëvizja Çetnike synonte ta kultivonte dhe ta mbante gjallë në Kosovë frymën e hakmarrjes, të shfarosjes së shqiptarëve dhe të gllabërimit të trojeve të tyre etnike. Kështu në një nga elaboratet e përgatitura në atë kohë, me titull: “Krahina e Kosovës dhe e Rrafshit të Dukagjinit”, midis të tjerave thuhej, se “Kosova ka qenë serbe dhe ajo do të mbetet patjetër serbe, jo vetëm për nga pozita shtetërore juridike, por edhe nga struktura e popullsisë së vet, e cila duhet të jetë me shumicë serbe”. “Pas përfundimit të luftës do të shpërthejë hakmarrja e serbëve ndaj shqiptarëve. Kjo nuk do të pengohet e sidomos aksioni i Vasojeviqëve, të cilët duhet të zgjerohen në Rrafshin e Dukagjinit.[108]


Ndërkaq, me ligjin mbi kolonizimin e brendshëm duhet të parashihet që shqiptarët, për shkaqe strategjike të transferohen në Srem, në Shumadi dhe në trevat e tjera, ku do të jenë të parrezikshëm dhe me kohë do të asimilohen.[109]


Më 12 shtator 1941 gjenerali Lubo Novakoviq në letrën që i dërgonte Kosta Peçancit, të njohur edhe më parë për krimet e pashembullta mbi shqiptarët, i përkujtonte: “Kur të nisem në rrugën fatlume, e di çfarë planesh ke për jugun tonë. Besoj se në Sanxhak, në Dukagjin dhe në Fushë të Kosovës, nuk do të mbetet asnjë plis për farë. Lumenjt Sitnica dhe Llapi do të bartin dy muaj koka shqiptarësh”.[110] Programi i Drazha Mihailoviqit për spastrime etnike dhe krijimin e Serbisë së Madhe në Jugosllavinë e Madhe më 20 dhjetor 1941, në mes tjerash parasheh: “..... Të spastrohen territoret shtetërore prej të gjitha pakicave dhe elementëve jonacionalë.... Pjesët e spastruara të kolonizohen me malazezë, ndërsa çështjen e myslimaneve duhet rregulluar me Turqinë përmes Londrës”.[111] Agjentët e D. Mihailoviqit paralajmëronin se “çetnikët do të çlironin Kosovën nga shqiptarët dhe të gjithë ata do t’i zhduknin, pa lënë njeri të gjallë”. Në mars të vitit 1942 në fshatin Suhadoll, Voja Dragoviq, prijës çetnik, deklaronte se “pas fitores së luftës nga aleatet, duhet zhdukur të gjithë shqiptarët, duke mos përjashtuar as fëmijët në djep”.[112]


Për nxitjen e urrejtjes kundër popullit shqiptar, krahas Levizjes Çetnike, një rol shumë agresiv luajti edhe Kisha ortodokse serbe. Për klerikët serbë “shqiptarët ishin gjarpinj helmues që duheshin zhdukur, mbytur ose u duhej shtypur koka”.[113] Gazeta “Borba”, në nëntor të vitit 1944, shkruante se “në Kosovë, pas 6 prillit të vitit 1941 serbët dhe malazezët kishin përjetuar nën shtypjen e shovinistëve shqiptarë, që i shndërruan këto treva në arenë të tmerrshme të vrasjeve dhe të djegieve”. Sipas saj, “mbi kolonistët e lodhur e pa ndihmë, që luftonin në front kundër keqbërësve italianë e gjermanë u bënë krime të tmerrshme.[114]





KOLONIZIMI SLLAV GJATË JUGOSLLAVISË SOCIALISTE



Planet për zbatimin e kolonizimit

Qëndrimi i Serbisë ndaj kolonizimit të Kosovës dhe ndërrimit të strukturës etnike të saj nuk ndryshoi as pas dëbimit të pushtuesve gjermanë. Për zbatimin e projekteve të njohura antishqiptare, udhëheqja jugosllave përdori po ato mjete dhe metoda, që ishin përdorur edhe përpara luftës. Ndryshonin vetëm pretekstet. Përpara vitit 1941, shqiptarët u trajtuan si të huaj e të rrezikshëm për ekzistencën e shtetit jugosllav. Pas luftës kjo politikë e këto masa u justifikuan e u paraqitën si veprime që drejtoheshin kundër “shqiptarëve reaksionarë”, kundërrevolucionar”, “bashkëpunëtorë të okupatorit” e “banditë” etj.



Përpjekjet për spastrimin etnik të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia, së pari filluan në zonat periferike, por shpejt u shtrinë në mbarë trevat shqiptare. Në operacionet e tilla të organizuara morën pjesë disa divizione me një efektiv prej 40.000 vetash.[115] Menjëherë u hap çështja e kthimit të kolonëve. Këto veprime luftarake, veç formave të tjera, u shoqëruan me projektin e ri antishqiptar të Vasa Çubrilloviqit “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”, datë 3 nëntor 1944. Çubrilloviqi, në projektin e tij, në fillim pranon faktin se serbët, pas Luftës së Parë Botërore, përkatësisht pas formimit të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (Jugosllavisë) me 1918, fituan një pjesë të territoreve me popullsi të huaj, të cilat u bënë rrezik për Jugosllavinë, jo për shkak të kundërpeshës së tyre ndaj popujve sllavë, por për shkak të trevave ku jetojnë dhe të vazhdimësisë gjeografike që kanë këto treva me vendet e tyre amë.[116] Ai në mes tjerasht thekson: “Shqiptarët duhet akuzuar për bashkëpunëtorë të okupatorit dhe satelitëve të tij. Në bazë të asaj akuze, një pjesë të shqiptarëve duhet thjesht shpërngulur (dëbuar), një pjesë duhet transferuar në brendi të vendit që ata përgjithmon aty do të humbin, sepse atje nëpërmjet të “integrimit” ata do të bëhen ata çka nuk janë, ku nëpërmjet të fejës gradualisht do të serbizohen”. Në anën tjetër, thekson më tutje Qubrilloviqi, “pronat shqiptare duhet t’i marrin kolonët”.[117]


V. Çubrilloviqi, para udhëheqjes më të lartë të LNÇJ e të UNÇJ, i propozon shpërnguljen masive të miliona njerëzve, sepse, sipas tij, “zgjidhja e vetme dhe e drejtë e kësaj çështjeje është shpërngulja e këtyre pakicave”. Mbështetje dhe shembull për një veprim të tillë ai merrte veprimet e Rajhut të Tretë dhe dëbimet e kolonizimet e shumë popujve në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet tjera evropiane. Autori i projektit parashihte edhe hollësi për realizimin e këtij projekti. Për sendërtimin e projektit, V. Çubrilloviqi parashihte edhe kohën, mjetet dhe mënyrat e veprimit. Sipas tij, koha më e përshtatshme për shpërnguljen efikase ishte lufta, pra shpërngulja më e suksesshme ishte shfarosja fizike dhe e plotë e njerëzve. Rol vendimtar, sipas Çubrilloviqit, kishte ushtria, prandaj ai propozonte që në Shtabin e UNÇJ të formohej një seksion i posaçëm për këtë çështje. Në rast se nuk arrihej shfarosja e plotë fizike, ai parashihte edhe masa tjera, siç ishte mohimi i të gjitha të drejtave, krijimi i kampeve të përqendrimit, plaçkitja e pronave, shfarosja e intelegjencies dhe e shtresave të pasura shoqërore dhe pastaj kolonizimi i menjëhershëm i viseve me elementin sllav.[118] Për këtë qëllim, ai propozonte formimin e një ministrie të veçantë, apo së paku, një komisariat në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Pastaj, që bartësit kryesorë të misionit të bëheshin këshillat nacionalçlirimtare, prej instancave më të ulëta deri tek ato më të larta, ndërsa kolonët të zgjidheshin nga radhët e luftëtarëve më të dëshmuar dhe, sipas mundësive, serbë e malazezë që më parë nuk ishin kolonizuar. Për bartësit e këtij misioni, sipas tij, duheshin siguruar rroga të larta, poste dhe status më të privilegjuar në shoqëri.



Në mes tjerash ai propozon: “Ushtria në kohën e opercioneve luftarake, duhet t’i spastrojë me plan dhe në mënyrë të pamëshirshme... ato vise që dëshirojmë t’i kolonizojmë me elementin tonë kombëtar....” “Ne duhet t’i përzëmë të gjitha pakicat nga tokat tona. Për këtë duhet punuar. Gjithë këtë që e them për Vojvodinë, Sllavoni, Serbi të Vjetër (Kosovë) dhe Maqedoni, ky është minimumi që duhet të arrihet nëse duam t’i sigurojmë për të ardhmen vetës pronën e atyre tokave”... “Tash për tash po theksoj vetëm se gjermanët duhet të spastrohen patjetër nga Vojvodina, kurse shqiptarët nga Rrafshi i Dukagjinit, Kosova dhe Pollogu....”; “Çfarë mund të them së pari: luftërat japin mundësitë më të mëdha për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ato si tufan, duke kaluar nëpër shtete, nxjerrin me rrënjë popuj. Atë që duhet bërë me dhjetëvjetësh e shekuj, gjatë luftës bëhet për ndonjë muaj apo ndonjë vit”. “Duhet bërë plane detaje, se cilat fshatra dhe cilat rrethe në Serbi të Vjetër dhe në Maqedoni duhet të spastrohen, dhe në bazë të atij plani duhet vepruar....”. “Përpos spastrimit nga ana e ushtrisë gjatë operacioneve, duhet përdorur edhe mjete të tjera që pakicat kombëtare të detyrohen të shpërngulen. Para së gjithash, për shkak të qëndrimit të tyre në këtë luftë, minoriteveve duhet t’u merren të gjitha të drejtat. Duhet të nxirren pamëshirshëm para gjykatës së luftës të gjithë ata anëtarë të pakicave kombëtare që në çfarëdo mënyre kanë qenë në shërbim të okupatorëve. Për këtë duhet të formohen kampet e përqëndrimit, pasuritë e tyre duhet t’u konfiskohen, familjet duhet t’u dërgohen në kampe dhe në rastin e parë të dëbohen”.[119]


Me planin terrorist të Çubrilloviçit parashihej amnestia e përgjithshme e çetnikëve, që u bë nga Kryesia e AVNOJ-it më 21.XI.1944. Pas amnestisë, formacione të tëra çetnikësh u transferuan në Kosovë për të realizuar planin e Çubrilloviqit. Për t’i pasur duart të lira në zbatimin e terrorit dhe të gjenocidit mbi popullin shqiptar, udhëheqja jugosllave mobilizoi me dhunë forcën më vitale të shqiptarëve. Shqiptarët e moshës madhore u mobilizuan me dhunë në formacionet ushtarake dhe u dërguan në Srem të Vojvodinës, në Bosnje e në Kroaci. Të rinjtë shqiptarë u nisën në front pa armë. Në rrugë për në Tivar u vranë me dhjetëra shqiptarë të mobilizuar në Ushtrinë Jugosllave, kurse në Tivar të Malit të Zi vetëm brenda një nate u vranë dhe u masakruan nga trupat përcjellëse serbe rreth 1500 shqiptarë të mobilizuar.[120] Si rrallë ndonjëherë në histori, vetë komandantët, pa asnjë shkas, kishin urdhëruar të hapet zjarr ndaj ushtarëve të tyre - vetëm pse ishin shqiptarë. E vrasja e të rinjve shqiptarë të mobilizuar vazhdoi edhe më tej në “udhëtimin” e tyre në “front”, kështu që as sot e kësaj dite nuk dihet numri i saktë i atyre që janë ekzekutuar nga ushtria jugosllave ose që vërtet janë vrarë si “mish për topa” në ndonjë front. Sepse, ishte ky edhe motiv për ndjelljen e frikës e të pasigurisë në tërë popullsinë shqiptare, që kishte mbetur në Jugosllavi.



Shtabi Suprem i Luftës Nacional-çlirimtare dhe armata jugosllave, që në muajin gusht 1944 iu kishte drejtuar popullit shqiptarë në Kosovë dhe me gjerë me këtë porosi kërcënuese: “Ju shqiptarët, bashkë me pushtuesit fashistë, çuat dorë kundër popujve fqinjë dhe u turpëruat keq … Nga sjellja e tillë deri më tash ju nuk keni ftuar të drejtën të jetoni vëllazërisht dhe të barabart më popujt e tjerë të Jugoslavisë”. Me shkuarjen nga Kosova të luftetarëve dhe rekrutëve shqiptarë dhe me ardhjen e njësive ushtarake serbe, malazeze dhe maqedonase, në Kosovë u ndryshua përbërja e forcave ushtarake në dobi të elementit serb. Që atëherë filluan aksionet e këtyre njësive ushtarake për pastrimin e Kosovës nga “bandat shqiptare”. Në të vërtetë, këtu ishte fjala për hakmarrje kundër popullit shqiptarë, për shkak se gjatë luftës nuk kishte lejuar depërtimin e forcave çetnike në Kosovë.[121]


Edhe pse Jugosllavia në mënyrë publike pas vitit 1944 ishte deklaruar për “barazi të përgjithshme dhe lirinë e të gjithë qytetarëve”, politika serbomadhe ka shkuar disa hapa më tutje në aspektin e programimit të shfarosjes së popullit shqiptarë. Një program të ri të tillë kundër shqiptarëve me titull “Tajni cirkular za istrebljavanje svih albanaca Kosova 5.II.1945” (Qarkorja serkete për shfarosjen e tërë shqiptarëve të Kosovës më 5.II 1945), e kishte shkruar një mësues nga Vushtrria. Edhe ky program, sikurse të tjerët nuk kishte risi në aspektin e metodave dhe mënyës së shfarosjes së shqiptarëve, nga programet tjera.[122]


Para ardhjes së njësive ushtarake nga territoret fqinje, hakmarrjen e kishte filluar OZN-a, si dhe disa njësi kosovare nën komanden e komunistëve serbë e malazez. OZN-a filloi me likuidimin e njerëzve që gëzonin autoritet të cilët nuk ishin nën armë, por ishin njerëz kryesisht të nderuar. Kjo bëhej me qëllim të lënies së popullit shqiptarë pa njerëz që mund t’i pritnin atij. Njerëzit merreshin nga shtëpia, kryesisht natën, dhe dërgoheshin në burgje dhe atje pas “marrjes në pyetje” vriteshin të shumtën e herës me armë të ftohta. Familjeve të të vrarëve nuk u kumtohej asnjëherë për fatin e tyre dhe as që u dihen varret e sot e kësaj dite. Me ligjin për amnistinë, të datës 20 tetor 1944, pjesëmarrësitë e njësive çetnike të Drazha Mihajloviq, kriminelët e të gjitha ngjyrave, jo vetëm që u amnistuan, por atyre u jepej edhe mundësia për t’u futur në aradha partizane, dhe ashtu si më parë me kokardën çetnike, tani me yllin pesëcepësh të vrisnin “kundërevolucionarët shqiptarë”.[123]


Në rrethana të tilla shfarosëse shqiptarët organizuan rezistencën e armatosur për t’u mbrojtur nga terrori dhe për të kundërshtar riokupimin e viseve të tyre nga komunistët serbë. Për të thyer rezistencën e fuqishme demokratike e liridashëse, si dhe për të justifikuar zbatimin e mëtejshëm të gjenocidit, me 8 shkurt 1945, në Kosovë u vendos administrimi ushtarak, me arsyetimin për ta normalizuar gjendjen. Tani, vazhdimi i terrorit dhe krimit mbi popullatën shqiptare u legjitimua edhe zyrtarisht. Pushteti ushtarak, që iu imponua popullit shqiptar të Kosovës, nuk ishte formë e panjohur represioni, gjenocidi e terrori ndaj shqiptarëve, sepse pushtuesit jugosllavë e kishin zbatuar atë edhe më parë. Kështu kishte ndodhur sa herë që trupat serbe, malazeze apo jugosllave kishin pushtuar e ripushtuar viset shqiptare. Në vitin 1913, në viset shqiptare, që iu aneksuan Serbisë, organizimi i pushtetit iu ngarkua ushtrisë dhe administratës ushtarake.[124] Kjo u bë në bazë të propozimit të Komandës së Zonës III të Armatës, datë 12.XII.1912. Në këto treva, Komanda Supreme e Ushtrisë serbe e drejtonte vendin nëpërmjet organeve të sistemit ushtarak e policor.[125] Në vjeshtë të vitit 1918, krahas ripushtimit të Kosovës dhe të viseve të tjera etnike shqiptare u vendos diktatura ushtarake-policore e gërshetuar me pushtetin civil serb, i cili ushtroi gjenocidin shfarosës mbi popullin shqiptar. Në trevat shqiptare nuk vlente kurrfarë legjislacioni, “rregullin” dhe “qetësinë” e siguronte ushtria serbo-jugosllave me ndihmën e aparatit policor.[126] Administrimi Ushtarak, që u vendos në Kosovë në vitin 1945, të cilit iu besua udhëheqja ushtarake e pushtetit civil dhe gjyqësor “deri në rregullimin e rrethanave”, përkatësisht deri në aneksimin e saj nga Serbia.



Në korrik të vitit 1945, në një kuvend të organizuar në Prizren, Kosovës, në vend të pavarësisë, përkatësisht të bashkimit me Shqipërinë, iu njoh vetëm autonomia e kufizuar në kuadër të Serbisë dhe Jugosllavisë dhe iu caktuan kufijtë e sotëm. Trojet Shqiptare u copëtuan nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Duhet shtuar se gjatë luftimeve kundër forcave ushtarake gjermane dhe italiane në Kosovë u vranë reth 6.100 vetë, nga të cilët, pothuajse tërësisht ishin shqiptarë.



Për t’i mashtruar disa qarqe të brendshme përparimtare e internacionaliste dhe mbarë opinioni ndërkombëtar, serbomëdhenjtë, me ndikim të dukshëm në mbarë Jugosllavinë, emërtimit Ministria e Kolonizimit i shtuan atributin sintagmor reformë agrare, kështu që kjo ministri më vonë do të quhet Ministria e Reformës Agrare dhe e Kolonizimit. Se kjo ministri nuk kishte kurrfarë karakteri agrar dhe nuk punonte fare për ndonjë reformë agrare shihet edhe nga fakti se kjo “reformë” dhe ky kolonizim u zbatua vetëm në Vojvodinë, në Kosovë e në Maqedoni, pra në territoret ku jetonin kryesisht nacionaliteti shqiptar, hungarez, gjerman, maqedonas etj. Po këtë konstatim e vërteton edhe e dhëna se revizioni i reformës agrare u bë mbështetur në Dekretin jugosllav dhe në “Ligjin për revizionin e ndarjes së tokave kolonëve dhe të interesuarve të tjerë agrarë në Maqedoni dhe në Kosovë e Metohi” me 5 nëntor 1945.[127]



Rikolonizimi - kthimi i kolonëve në Kosovë



Çështjen e rikolonizimit dhe kinse të reformës agrare në Kosovë në muajt e parë të vitit 1945, Serbia nuk e aktualizoi, përkundrazi Drejtoria e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë Fedrative Demokratike me vendimin e datës 5 mars 1945, përkohësisht ua ndalonte kthyerjen e kolonëve në vendet e vendosura gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore.[128] Kjo e bëri atë, jo pse ajo nga ky synim kishte hequr dorë, por nga se në këtë kohë në Kosovë zhvilloheshin luftëra të rrepta, sepse shqiptarët nuk pajtoheshin me ripushtimin dhe ngase pozita e Kosovës ende nuk ishte e qartë. Mirëpo, edhe përkundër kësaj ishte marrë Direktiva e Politbyros së KQ PKJ e datës 1 prill 1945 për kthyerjen e të gjithë kolonëve në Kosovë (përkundër qëndrimit të 5 marsit 1945). Pasi kundërvënia e shqiptarëve u shua me gjak dhe deri diku u ndriçua pozita e Kosovës, çështja e kolonizimit të Kosovës në mbledhjen prej 6-8 shtatorit 1945 të Këshillit agrar u fut në procedurë të shpejtuar, duke sqaruar se Kosova futet në kuotën e Serbisë dhe se në këtë krahinë me kolonizim e reformë agrare do të përfshihen 28.750 hektarë ose 50.000 jutë.[129] Po në këtë mbledhje u miratua Ligji për revizionin e reformës agrare për Maqedoni dhe Kosovë e Metohi.[130]


Në kohën kur në qarqet jugosllave heshtej çështja e reformës agrare dhe e kolonizimit, në Kosovë dhe në Serbi zhvillohej veprimtaria e madhe e përgatitjeve për kolonizimin e serishëm të Kosovës. Këtë konstatim e vërtetojnë depeshat e shumta të kolonëve dhe autoriteteve serbe, që ua dërguan Këshillit Agrar me kërkesa që edhe në këtë krahinë të fillojë kolonizimi dhe reforma agrare, të cilat u shqyrtuan në mbledhjen e 5 tetorit të vitit 1945. Po të kësaj fryme ishin vendimet e Këshillit Agrar të mbedhjes së tij më 16 tetor 1945. Në këtë mbledhje, veç të tjerash, u vendos që kolonët serbo-malazezë të vendosur në Vojvodinë të kthehen në Kosovë, ndërsa “kolonët” e Shqipërisë sa më parë të shpërngulën nga Kosova. Veprimtaria e organizuar mirë në Kosovë për kolonizimin e saj u hetua edhe në Këshillin Agrar të Ministrisë së Kolonizimit. Në mbledhjen e këtij këshilli me 7 dhjetor 1945, veç të tjerash, u trajtua çështja e zbatimit të Ligjit të revizionit dhe të ndarjes së tokave në Kosovë dhe për referim sa më të shpejtë u autorizua njëri nga ministrat e kësaj ministrie. Veç kësaj për sendërtimin e këtij qëllimi ky këshill, në mbledhjen e njëjtë, kolonëve të Kosovës ua ndau 5.000.000 dinarë, që për atë kohë paraqiste një shumë të madhe të hollash.[131]


Veprimet e organizuara në të gjitha shkallët për kolonizimin e Kosovës gjatë vitit 1946, veçanërisht pas angazhimit të madh të Serbisë, nuk mbetën shterpë. Qysh në fillim të vitit 1946 u përgatitën të dhënat për kolonët e interesuar të rretheve të ndryshme të Kosovës, të cilët kërkesat e tyre ua kishin dërguar “Komisionit agrar të Kosmetit”, Komisionit të revizionit agrar dhe Ministrisë për kolonizim. Kërkesat e tyre ishin shqyrtuar dhe pothuajse për të gjithë ishin miratuar vendimet përkatëse nga organet kompetente. Ndërkohë në terren vepronin komisionet kolonizuese agrare në punën e të cilëve pati shumë vërejtje dhe ankime në organet e shkallëve të ndryshme. Punë të vështirë patën veçanërisht organet të cilat duhej të vendosnin për pasurinë e patundshme, tokës dhe shtëpive për banim. Një punë e tillë “bëhej më e vështirë”, veçanërisht kur kontestet ishin serbo-malazeze - shqiptare. Në të vërtetë në kohën e kolonizimit pas Luftës së Parë Botërore ndaj shqiptarëve u bënë aq lëshime sa asnjë komision në çfarëdo përbërjeje qoftë në rrethana të reja nuk mund t’i kapërcente këto padrejtësi. Mirëpo, në këtë kohë kishte kundërshtime të mëdha rreth korrigjimeve të këtyre padrejtësive. Veç kësaj, për një veprim të tillë nuk u treguan të interesuara as organet e atëhershme krahinore e republikane dhe as organet fedrative. Për këtë arsye shumica absolute e pasurive të patundshme gjatë punës së komisioneve nuk preken fare (të 1.515 familjeve), apo u preken vetëm pjesërisht (1.253), ndërsa vetëm disa kolonëve iu mor toka e tërë (445), që kurrsesi nuk mund t’u takonte as me këto ligje diskriminuese. Shumë më lehtë e kishin organet e angazhuara për rikthimin e kolonëve dhe vendosjen e kolonëve të rinj. Për rikthim të kolonëve duhej vetëm angazhim i veçantë në aspektin organizativ-administrativ për grumbullimin e të dhënave dhe popullarizimin e krijimit të gjendjes së re në Kosovë. Këto organe u angazhuan mjaft, madje, edhe në bindjen e kolonistëve që të ktheheshin në Kosovë, që ishin vendosur në Vojvodinën e pasur e të cilët ishin të sigurt për ardhmërinë e tyre. Mirëpo, kolonizimi i Kosovës me të interesuar të rinj bëhej shumë më lehtë. Ata vendoseshin kryesisht në pronat shoqërore e të interesuarit për kolonizim ishin thuajse të gjithë nëpunës e punëtorë.[132]


Duke u bazuar në shënimet statistikore, gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë kishin mbetur 3.150 familje të cilat ishin kolonizua në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore. Ishte e dukshme edhe dukuria e kthimit të kolonëve para fundit të kësaj lufte (5.545 familje), përkrah numrit të madh të kolonëve që u shpërngulën nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore (7.397 familje). Mjaft kolonë, edhe pse nga Komisioni revizor fituan vendimet e rikolonizimit, nuk u kthyen në Kosovë deri me 11 korrik 1947 (2.471 familje të kolonizuara). Kolonët e tillë, kishin vendosur të jetonin në Vojvodinë apo gjetkë, ku perspektiva e jetës së tyre ishte më e dukshme. Duhet shtuar se në katër rrethet e Kosovës (Pejë, Vushtrri, Llap dhe Gjilan) deri në kohën e përmendur u kthyen më shumë kolonë sesa ishin shpërngulur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Marrë në përgjithësi nga të gjithë kolonët e shpërngulur gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk u kthyen sërish në Kosovë më tepër se 1.500 familje apo afër 7.500 veta, nëse supozohet se çdo familje në këtë kohë kishte nga pesë anëtarë.[133]


Në Arkivin e Kosovës ka ekzistuar fondi i Revizionit të reformës agrare, mirëpo pushteteti serb gjatë kohës së masave të dhunëshme në Arkivin e Kosovës edhe këtë fond dhe shumë dokumentet rreth konfisikimit, eksproprijimeve etj. të pronave i ka marrë dhe dërguar në Serbi me qëllim që të humbën gjurmët e pronësisë, të bëhen falsifikime dhe që pronarët e vërtetë mos të mund t’i realizonin të drejtat e tyre pronësoro-juridike.



Siç po shihet, pushteti i ri vazhdoi reformën agrare në këtë periudhë. Ai, përveç dispozitave ligjore për reformën agrare dhe kolonizimin, nxorri dispozita të shumta ligjore e nënligjore, në bazë të të cilave prona private u bart në pronë të ashtuqujtur gjithëpopullore – shtetërore, e cila më vonë u shndërrua në pronë shoqëore, si p.sh. nëpërmjet të sekuestrimit, konfiskimit, nacionalizimit, eksproprijimit, arondimit, marrjesë së pronave kinse si tepricë dhe shumë forma të tjera.



Në këtë kontest përkitazi me reformën agrare dhe kolonizimin duhet përmendur Ligjin mbi revidimin e ndarjes e tokës kolonistëve dhe interesentëve agrarë në Maqedoni dhe në Krahinën e Kosovës e Metohisë,[134] Ligji mbi reformën agrare dhe kolonizimin,[135] Ligjin mbi ndarjen e tokave të braktisur të kolonistëve në KAKM,[136] Ligji mbi reformën agrare dhe kolonizimin e brendshëm,[137] etj.



Në këtë kohë filloi edhe konfiskimi i pronave të ashtuqujtur armiqëve të popullit, sidomos të atij shqiptarë. Përkitazi me këtë duhet përmendur – Vendimin e AVNOJ-it mbi kalimin në pronësi shtetërore të pasurisë së armiqëve, mbi administrimin e shtetit me pasurinë e personave që mungojnë, dhe sekuestrimin e pasurisë të cilën pushteti okupues e ka tëhuajsuar me dhunë,[138] Ligji mbi sekuestimin e profilit të luftës të arritur gjatë kohës së okupimit të armikut,[139] Ligji mbi kalimin në pronësi të shtetit të pasurisë së armiqëve dhe sekuestrimin e pasurisë së personave të arratisur.[140] Ligji mbi konfiskimin e pasurisë dhe ekzekutimin e konfiskimit;[141] Ligji mbi vërtetimin dhe ndryshimet e plotësimit e Ligjit mbi konfiskimin dhe ekzekutimin e konfiskimit,[142] Ligji themelor mbi veprimin me posedimet pyjore të eksproprijuara dhe të konfiskuara,[143] Ligji mbi veprat penale kundër popullit dhe shtetit.[144] Pra, Konfiskimi ishte instrument juridik me të cilin pasuria private merret në favor të shtetit, pa kurrfarë kompensimi. Zakonisht konfiskimi vjen si dënim aksesor ndaj personave të cilët janë dënuar për vepra penale të caktuara, dhë atë dënin e shqiptonte gjykata. Në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore shumë persona ishin shpallë armiq të popullit dhe gjykatat e formuara për këtë qëllim ua kishte konfisuar tërë pasurinë. Fshatarëve iu ishte konfiskuar pasuria edhe në raste kur ata nuk ishin në gjendje të përmbushnin detyrimet, dorëzimit të “tepricave të prodhimeve bujqësore”. Deri në vitin 1965, iu konfiskua pasuria të gjithë qytetarëve të nacionalitetit “turk” ose jevrej, të cilët ishin shpërngulur nga Jugosllavia dhe kishin marrë shtetësi tjetër. Në këtë kategori bien shumë familje shqiptare nga Kosova dhe viset e tjera, por edhe boshnjakë, të cilat kishin marrë shtetësi turke, me qëllim për t’u shpërngulur në Turqi ose në vende tjera.[145]


Me rëndësi është të përmendet se në këtë kohë shumë fshatarëve shqiptarë iu kshin konfiskuar edhe pronat me arsyetim se nuk paguanin të ashtuqujturën “tepricat” e prodhimeve bujqësore të cilat nuk ishin në gjendje t’I siguronin, si p.sh. të prodhimeve bujqësore, blegtorale etj.



Në këtë kohë filloi edhe nacionalizimi i pronave. Duhet përmendur Ligjin mbi nacionalizimin e ndërmarrjeve ekonomike dhe private.[146] Nacionalizimi (ose shtetëzimi) në kuptimin juridik ishte akt i njëanshëm i pushtetit shtetëror, sipas të cilit në mënyrë të dhunshme merret nga pronari privat dhe kalon në pronësi të shtetit pasuria e një dege të ekonomisë së caktuar, me ose pa pagesë. Në vitin 1958 bihet edhe Ligji mbi nacionalizimin e ndërtesave dhë dhëna me qira dhe të tokës ndërtimore.[147]

Për nevoja të ndryshme bëhej edhe eksproprijimi i pronave private të bazuar në Ligjin themelor mbi eksproprijimin.[148]

Sa i përket ardacionin e pronave është pruar Dekretligji mbi arondacionin e tokës ekonomike bujqësore.[149] Ky ndërrim i pronave është bërë në formë jo reale. Shpesh merrej prona e cilësisë së lartë dhe ipej prona e cilësisë shumë më të ultë.



Duhet theksar se banorët e vendbanimeve fshatare në këtë periudhë i kishte goditur mjaftë edhe i ashtuqujturi kooperativizmi. Me ligjin mbi Kooperativat,[150] ishin paraparë tri modele të kooperativizimit dhe tri lloje të kooperativave: kooperativat e përgjithshme bujqësore ; kooperativat e specializuara dhe kooperativat punëtore-fshatare. Këto të fundit ishin ato të cila e goditën një pjesë të banorëve shqiptarë. Koperativat punëtore-fshatare ishin kooperaiva tipike socialiste, sipas modelit të sovhozeve dhe kolhozeve sovjetke. Ato kooperativa ndër të tjera kishin për qëllim të thyenin mentalitetin patriarkal të familjeve, dhe të unifikonin interesat individuale me ato kolektive. Me bashkimin e tokës, të kafshëve, të punës dhe të mjeteve në kooperativa, tentoej të formoheshin ekonomi të mëdha bujqësore e të tjetërsohej prona private. Për këtë qëllim zhvillohej propagandë politike, sikur kooperativat të ishin parajsë. Propagohej se aty punon kush sa mundet, ndersa merr kujt sa i nevoitet. Jo vetëm këso fjalë joshëse, por propaganda përmbante edhe kërcënime, se po të mos pranonin hyrjen në kooperativë – kolektivizim, do të burgoseshin dhe do t’iu konfiskohej pasuria. Natyrisht se kërcënimi i tillë ishte në kundërshtim me proklamimin ligjor, se kolektivizimi është në bazë të vullnetit të lirë. Edhe përkundër propagandës që zhvillohej për kolektivizimin, familjet shqiptare nuk dëshironin të bashkoheshin në kooperativa të tilla. Ndonëse popullsia shqiptare e Kosovë ishte më se trefish më e madh se popullsia tjetër, vetëm 29% e anëtarëve të kooperativave ishin të nacionalitetit shqiptarë. Ata nuk kishin besim në pushtetin dhe fikoheshin se do t’i humbnin tokat e tyre të mbajtura gjeneratë pas gjenerate. Ndërkaq, serbo-malazezët që tokat i kishin marrë falas nga reforma agrare, dhe ndiheshin të sigurt nga shteti i tyre, nuk hezitonin të hynin në kolektivizim të tillë.[151]


Ndërsa sa i përket marrjës së pronave dhe ndarjes së atyre organizatave bujqësore ishin pruar dispozita të shumta. Duhet përmendur Ligjin mbi fondin e tokave bujqësore të pasurisë së përgjithshme popullore dhe ndarjen e tokave organizatave bujqësore.[152] Këtyre organizatave iu kishte dhënë edhe prona që konfiskohej kinse si tepricë toke mbi 10 ha, kryesisht të banorëve shqiptarë, të cilët ishin në numër të madh të anëtarëve. Ata jetonin në familje patriarkale, ndërsa serbët e malazezët ndaheshin dhe kishin numër të vogël të anëtarëve me qëllim të përfitimeve të pronave. Këto prona pushteti serb prej vitit 1990 e deri në vitin 1999 ua kishte pronësuar në masë të madhe pronarëve serbë e malazezë. Këta të fundit pas vitit 1999 filluan në masë të madhe që pronat e ish kooperativave t’ua shesin banorëve shqiptarë me çmime të larta, siç është rasti me fshatrat Çagllavicë, Llapllasellë e shumë të tjerë në Kosovë.



Presionet për shpërngulje të shqiptarëve



Duke mos pasur mundësi realizimi të plotë të projektit të Çubrilloviqit dhe të projekteve të tjera, pas Luftës së Dytë Botërore, pushteti serb e vijoi zbatimin e fazave të mëtejshme të dhunës e të terrorit ndaj shqiptarëve, të shpërnguljes së tyre nga atdheu dhe kolonizimin me elementin serb në Kosovë.



Edhe pse Jugosllavia në mënyrë publike pas vitit 1944 ishte deklaruar për “barazi të përgjithshme dhe lirinë e të gjithë qytetarëve”, politika serbomadhe ka shkuar disa hapa më tutje në aspektin e programimit të shfarosjes së popullit shqiptarë.



Pas mbarimit të luftës dhe formimit të organeve të reja të pushtetit siç quhej popullor, në emër të vëllazërim-bashkimit, rindërtimit të vendit, të drejtave “të barabarta”, filluan aksione të shumta në punë vullnetare, në rindërtimin e vendit. Edhe në Kosovë, në krahasim me periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, filloi në zhvillim i ngadalshëm ekonomik, pastaj kulturor, arsimor, shëndetësor etj. Filluan të hapën shkollat në gjuhën shqipe me ideologji të caktuar komuniste, të organizohen kurse kundër analfabetizmit, kurse shëndetësore, kurse të amvisnisë, të bujqësisë dhe të tjera. Filloi një zhvillim dhe rindërtim i ngadalshëm, me moton ta shkatërrojmë të vjetrën dhe të ndërtojmë të renë. Vazhdoi periudha e ndjekjeve, burgosjeve, vrasjeve, internimeve. etj. Më pastaj filloi presioni ekonomik për grumbullimin kinse të “tepricave”, propaganda për deklarim të dhunshëm si kombësi turke, me qëllim të shpërnguljes në Turqi, aksioni i mbledhjes së armëve të cilat shqiptarët nuk i kishin, në dimrin e viteve 1955/56, me arsyetim se shqiptarët po përgaditëshin për kryengritje të armatosur dhe bashkimin me Shqipërinë. E tërë kjo u përcoll edhe me gjykime masive e dënime drastike të shqiptarëve përsëri për gjoja “koloaboracion me okupatorin” për të vazhduar më vonë, pas Rezolucionit të Inforbyrosë (1948), por gjoja krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe bashkëpunimin me Bashkimin sovjetik e shtetet e tjera të Bllokut të Lindjes. Shqiptarët arrestoheshin, vriteshin, masakroheshin dhe internohesin në burgjet e kampet e ndryshme të Jugosllavisë (Goli-Otok, Bileçë, Nish, Gradishkë etj.).



Si presione më të drejtëpërdrejta për ndjekjen dhe për shpërnguljen e shqiptarëve, përveç maltretimit të personave të pafajshëm dhe veçanërisht të intelegjencës së pakët dhe punëtorëve të arsimit, që u shpallën armiq të rendit socialist dhe u burgosën, u internuan e, madje, një pjesë edhe u pushkatuan pa gjyq - ishin deklarimi i dhunshëm për kombësi turke, aksionet e mbledhjes së drithit, aksioni i mbledhjes së armëve me arsyetim se shqiptarët kinse po përgatiten për kryengritje të armatosur dhe bashkim me Shqipërinë, inskenimi i organizatave të fshehta politike “irredentiste”, redukimi i të drejtave sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, mbyllja e disa shkollave në gjuhën shqipte, nxjerrja e flamurit shqiptar në ditën e festës kombëtare nga ana e organeve të sigurimit si provokacion për t’i burgosur njerëzit e pafajshëm etj. E gjithë kjo strategjemë mizore u sajua për të gjetur shkak për shpërnguljen masive të shqiptarëve jashtë Jugosllavisë. Në këtë periudhë “u zbuluan” kinse gjithato “organizata irredentiste e diversioniste”, “shqiptaromëdha”, të cilat, në fakt, nuk ekzistonin.



Siç po shihet, presionet për shpërngulje ndaj shqiptarëve ishin aq të shumta e të shumëllojshme, sa jeta e tyre në Kosovë e në viset e tjera të Jugosllavisë u bë e padurueshme. Prandaj, një numër jo i vogël u detyruan të regjistroheshin si turq që të shkonin në Turqi për të shpëtuar sa më parë nga ferri i pushetit serb. Shpërgulja e shqiptarëve nga Kosova mori përmasa të gjera me intensitet të lartë, sidomos gjatë viteve ‘50 e ‘60 të shekullit XX. Gjatë këtyre viteve u shpërngulën në Turqi 283.000 shqiptarë, do të thotë afër një e treta e popullsisë së atëhershme.[153] Maqedonia ishte etapa përfundimtare e shpërnguljeve pa kthim të shqiptarëve në Turqi. Të gjithë lumenjtë e popullsive të dyndura nga Jugosllavia vërshonin në Maqedoni dhe pastaj i drejtoheshin Turqisë. Procesi u realizua “fshehtazi”, ndërsa motivet e shpërnguljes ishin sikurse të paraluftës, kryesisht të natyrës politike, vetëm që u modifikuan dhe iu përshtatën kushteve të reja të sistemit socialist.[154]

Në anën tjetër në Kosovë vinin një numër i madh i serbëve dhe malazezëve si nga territoret e afërta, ashtu edhe nga ato të largëta të Sërbisë dhe të Malit të Zi, si kuadro dhe me familje. Punësohen kryesisht në organizatat dhe institucionet shtetërore, shoqërore, kulturore etj. Vlerësohet se në Kosovë prej vitit 1945 deri me 1965 janë vendosur 12.300 familje sllave, ose rreth 64.000 persona me prejardhje sllave.[155]



Ky proces u ndërpre në vitin 1966 (pas Plenumit të IV të Brioneve), kur u kritikua ashpër shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë së asaj kohe, që kishte goditur rëndë të gjithë të tjerët pikërisht shqiptarët e Kosovës, por edhe të viseve të tjera të ish-Jugosllavisë.





Ndërpreja e përkohshme e kolonizimit dhe kthimi i disa kolonëve në vendlindje



Pas vitit 1966, e posaçërisht pas nxjerrjes së Kushtetutës të vitit 1974, serbët e malazezët, duke i humbur privilegjet dhe duke mos e duruar barazinë e shqiptarëve me ta, një numër i tyre, sidomos ai me origjinë kolonizuese kthehen në vatrat e para të saj si dhe në viset më të zhvilluara të ish Jugosllavisë. Ata pasurinë, tokën, banesën e tjerë të marrë falas në Kosovë e shiste me çmime të larta dhe me ato mjete blenin tokë, shtëpi, objekte ekonomike dhe gjëra të tjera në viset e Serbisë, në krahasim me Kosovën me çmime shumë më të ulta, kështu që i mbeteshin mjete të bollshme edhe për kursim. Shpërnguljen e këtillë ekonomike të serbëve e malazezëve, qarqet politike shtetërore të Serbisë dhe disa edhe të Jugosllavisë e shfrytëzonin si presion të mëtejmë ndaj shqiptarëve. “Presioni” mbi serbët dhe malazezët ishte floskulë politike dhe shpifje. Gjendja faktike nuk përkon me kualifikimet se serbët dhe malazezët po shpërngulën nga Kosova për shkak të “presioneve”, “diskriminimit”, “terrorit”, “gjenocidit” etj. nga ana e shqiptarëve. “Presioni” i shqiptarëve mbi serbët dhe malazezët ishte një shpifije e rëndë dhe mbi këtë konstruksion u krijua një klimë dhe një strategji antikosovare dhe antishqiptare pothuajse në tërë Jugosllavinë. Sipas burimeve serbe prej vitit 1967-1980 nga Kosova u shpërngulën 57.118 serbë e malazezë.[156]

Duhet theksuar se popullata shqiptare e Kosovës që nga vitit 1968 e deri në vitin 1981 përjetoi deridiku një transformim në aspektin arsimor, kulturor, shkencor, ekonomik etj. Ajo ishte njëfarë pauze në valën e shpërnguljeve dhe u bë për të evituar ndonjë situatë shpërthyese në Jugosllavi dhe për të vendosur njëfarë ekuilibri politiko-etnik në federatë, me shpresën që ajo të mos shpërbëhej në të ardhmen.



Planet e reja dhe veprimet për rikolonizimin e Kosovës me popullatë serbo-malazeze

Në kushtet e krijuara, shumë të rënda dhe me pasoja të mëdha të asaj kohe, populli shqiptarë i kësaj treve përherë i doli zot vetës, kurrë nuk u pajtua me këtë gjendje të krijuar nën sundimin serbo-jugosllav. Gjatë gjithë periudhës së ashtuquajturës Jugosllavi “socialiste”, format e veprimit për Kosovën e pavarur dhe demokratike ishin konspirative dhe të udhëhequra nga truri i kombit. Populli vazhdonte përherë përpjekjet për çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Në vitin 1968, rinia studentore e Kosovës, organizoi demonstrata masovike me kërkesën kryesore për Republikën e Kosovës.



Pas ndryshimeve kushtetutare në vitin 1969, në vitin 1974 Kosova fitoi Kushtetutën e vet, si njëra ndër tetë njësitë federale jugosllave me përfaqësim në të gjitha organet dhe me të drejtën e vetos si dhe gjashtë republikat tjera dhe Krahina e Vojvodinës, por pa të drejtë të shpalljes së Republikës. Pas kësaj filloi një fazë e re e zhvillimit dhe ndërtimit të Kosovës. Konstituimi i autonomisë së Kosovës, si njësi e barabartë e federatës jugosllave u dha mundësi shqiptarëve që në Kosovë të zhvillohen në pikëpamje ekonomike, politike, shëndetësore, sociale dhe kulturore. Po ashtu hov të madh mori edhe zhvillimi i arsimit, shkencës dhe teknologjisë.



Vitet 1974-1981, në historinë e Kosovës njihen si ndër vitet më të suksesshme si në sferën politike ashtu edhe në atë ekonomike. Gjatë kësaj periudhe shtatëvjeçare, shqiptarët ishin të inkuadruar në të gjitha lëmenjt shoqërorë, si: në udhëheqjen komunale, polici, shkollim, shëndetësi, punësim, etj. Kuptohet, në shumicën e rasteve, është dashur t’i përshtaten rrethanave të kohës, për ndryshe nuk do të kishin mundur të shfrytëzojnë edhe ato ndihma të kufizuara që i dedikoheshin Kosovës. Mirëpo, megjithë avancimet që shqiptarët patën gjatë kësaj kohe, mund të themi se pakica serbe dhe malazeze ishte më e priveligjuar, edhe pse nëpër revista, gazeta, simpoziume etj., propaganda serbe për qëllime politike, theksonte se “Serbia kishte humbur në paqe atë që kishte fituar në luftë” që do të thotë se sipas tyre të drejtat e serbëve dhe malazezëve janë “nëpërkëmbur”. Prandaj më 1977, disa “intelektualë” serbë kishin hartuar “Librin e Kaltërt”, në të cilin thekësohej se të drejtat dhe kompetencat e krahinave autonome (Kosovës) duhet të kufizohen. Të ndikuar nga “Libri i Kaltërt”, shumë politikanë serbë filluan të kërkonin revidimin e statusit të krahinave autonome. Në qoftëse krahasojmë parametrat e zhvillimit të qyteteve të Kosovës me qytetet e pjesëve tjera të ish RSFJ-së, niveli i zhvillimit ekonomik të qyteteve të Kosovës me ato të qyteteve tjera jugosllave ishte shumë prapa.[157]


Militarizmi i Kosovës zë fill qysh në fillimin e viteve të tetëdhjet të shekullit të kaluar, sidomos pas demonstratave të rinisë, të studentëve, të punëtorëve e të tjerëve në Kosovë. Sipas disa dëshmitarve, në listën e të burgosurve të Sigurimit të Brendshëm, si organizatorë dhe pjesëmarrës të demonstratave të vitit 1981, janë përfshirë rreth 600 persona. Pushteti serb filloi aktivizimin e planeve të veta hegjemoniste të njohura më parë. Me metoda të ndryshme perfide mundohej edhe të pengonte zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të arriturat tjera. Kështu, gjatë viteve të nëntëdhjeta, krahas shtimit të masave represive ndaj popullsisë shqiptare, pushteti serb vazhdimisht shton numrin e forcave policore dhe ushtarake në Kosovë. Në shumicën e udhëkryeqeve ishin vendosur punkte të policisë serbe, ku maltretohej dhe terrorizohej popullsia shqiptare.



Forcat hegjemoniste serbe 1981 vepruan hapur e fshehur, me propagandë e veprime konkrete, në ndërrimin sa më të madh të strukturës etnike të Kosovës dhe të kolonizimit të saj. Për sendërtimin e këtij qëllimi, forcat në fjalë nuk ngurruan që, në njërën anë, të montojnë procese të ndryshme politike dhe shtypje të tjera ndaj shqiptarëve, ndërsa, në anën tjetër, të gjitha këto veprime i arsyetonin me padrejtësitë që u janë bërë serbëve dhe synimet nacionaliste e seperatiste shqiptare.



Pas demostratave të rinisë e studentëve shqiptarë të vitit 1981, veprimtaria dhe qëndrimet antishqiptare të qeverisë së Beogradit u intensifikuan. Në këtë vit qeveria e Beogradit iu fut punës për aprovimin e masave kundër shqiptarëve dhe për përgatitjen e terrenit politik për sllavizimin e Kosovës. Duke marrë shkak nga kërkesat e drejta të demonstruesve dhe në emër të luftës kundër nacionalizmit, irredentizmit dhe separatizmit shqiptar, nëpër mbledhjet e ish-LKJ-së, pastaj të organeve politike e ekzekutive, nga ish-federata, republikat e deri në krahina, u hap një luftë frontale kundër rinisë shqiptare, kundër atyre që kishin kërkuar statusin e Republikës për Kosovën në kuadër të ish-Federatës. Kundër demonstruesve u përdor fjalori më fashist dhe u nxorën me mijëra vendime shoveniste e nacional-fashiste, si dhe u sanksionua dhuna.



Pas kësaj kohe pushteti jugosllav, përkatësisht ai serb, i hyri planit të ri me qëllim të rikolonizimit të Kosovës me popullatë sllave, përkatësisht organizimin e aksionit kinse të kthimit të serbëve dhe malazezëve të shpërgulur nga Kosova. Pushteti serb i mbështetur nga ai jugosllav e herëherë edhe nga ai kosovar, duke e shfrytëzuar këtë klimë filluan të aprovojnë vlerësime, platforma, rezoluta e programe kinse për kthimin e serbëve dhe malazezëve në Kosovë, në të vërtetë përgatitej vala tjetër e kolonizimit të Kosovës me elementin sllav.



Pushteti serb filloi lëvizjet për suprimimin e autonomisë së Kosovës. Shërbimet e fshehta serbe, nxitnin serbët e malazezët e Kosovës që të ngriteshin në demonstrata – protesta kundër pozitës “inferiore” që kishin përballë shqiptarëve. Çerdhja e organizatorëve të demonstrave ishte në Fushë-Kosovë. Ata si moto përdorëshin edhe kthimin e serbëve dhe malazezëve të shpërngulur kinse me dhunë nga Kosova në periudhat e mëhershme. Kjo fushatë antishqiptare u përshpejtua dhe motivua me ardhjen në pushtet të Sllobodan Millosheviqit, ndërsa u frymëzua nga Memorandumi i ASHS, ku u organizuan shumë mitingje me karakter antishqiptar dhe për suspendimin e autonomisë së Kosovës.



Të nxitura dhe të frymzuara nga memorandumi i ASHA të Serbisë (1986), madje, individë e parti të ndryshme çështjen e rikolonizimit të Kosovës, e ngrenë edhe në Parlamentin serb me arsyetim se gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë kolonizimi i Kosovës me shqiptarë nga Shqipëria. Siç dihet në fillim flitej më mëse qindra mijëra kolonë shqiptarë, më vonë për dhjetëra mijëra e më në fund u konstatua nga ana e Sekretariatit Fedrativ të Punëve të Brendshme, se në Jugosllavi prej vitit 1949-1956 nga personat e ardhur kishin mbetur vetëm 754 emigrantë shqiptarë, kurse nga ai numër vetëm 243 banonin në Kosovë. Megjithatë, kjo e vertetë nuk pengon këto qarqe dhe qeverinë e Serbisë që të propogandojë e të veprojë haptas për ndërrimin e strukturës kombëtare në Kosovë dhe për kolonizimin e saj me elementin sllav. Një veprimtari të tillë Serbia edhe e ligjësoi.



Përveç kësaj, qeveria e Beogradit arriti të mobilizojë gjithë popullin nën parullën “Serbi unike”. Disa vjet rresht u organizuan me qindra mitingje e demonstrata antishqiptare. Për të bërë kthesa nacionaliste nga Qeveria Serbe u organizuan marshime dhe demostrata shoveniste në Kosovë, në Serbi dhe para organeve serbo-jugosllave në Beograd. Parullat e tyre ishin: “Kosova është Serbi”, “Kosova është zemra e Serbisë”, “Kosova është tokë e shenjtë serbe”, “Ne do të luftojmë për këtë vend të tokës së vjetër serbe”, “Serbi mos e lësho Kosovën nga dora” etj. Kjo qeveri serbe para organeve shtetërore përdori si paravan shpërnguljen nga Kosova të serbo-malazezëve. Ky ishte vetëm një pretekst i pabazë dhe jashtë realitetit.



Përkitazi me politikën e punësimit, vetë pushtetarët serbë bënin propogandë dhe nxitje të serbëve dhe të malazezëve kinse për shpërngulje, por me qëllim të punësimit të tyre pa kurrfarë kriteriumi. Kështu, në vitin 1987, në komunën e Prishtinës punë pritinin 18.500 njerëz, nga të cilët vetëm 2600 ishin serbë e malazezë. Mirëpo, në Prishtinë për nëntë muaj të vitit 1987 janë punësuar 442 serbë dhe 42 malazezë, nga 2263 të papunësuar në atë kohë. Rëndësi të posaçme nga organet e atëhershme i kushtohej punësimit të personave që përherë të parë vijnë e punojnë dhe të jetojnë në Kosovë. Kështu, vetëm në komunën e Prishtinës në vitin 1987 janë punësuar 110 persona që përherë të parë punojnë e jetojnë në komunën e Prishtinës. Shumica nga këta ishin punësuar në Elektroekonominë e Kosovës, në organet e administratës etj. Kjo ishte një prej formave të kolonizimit të Kosovës me elementin sllav.[158]



Shqiptarët në një formë shumë më të butë, duke e parë qëllimin e kërkesave për ndërrimin e kushtetutës së vitit 1974, orgnizuan disa protesta, marshime protestuese të minatorëve të “Trepçës” së Stantërgut, të ngujuar në zgafellë më 17 nëntor 1988 në Prishtinë dhe shumë të tjera, që ndër më e njohura ishte greva e minatorëve të “Trepçës” më 20-28 shkurt 1989. Me grevat dhe kërkesat e popullatës shqiptare u solidarizua tërë populli shqiptarë.



Në këtë kohë në Kosovë u vendos gjendja e jashtëzakonshme dhe ora policore nën presionin e 30 mijë policëve të sjellur nga Serbia. Kështu më 23 mars 1989 nën gjendjen e jashtëzakonshme dhe nën kërcnimin e armëve, si dhe me anë të votave joparlamentare, Kuvendi i Kosovës aprovoi amandamentet për ndërrimin e kushetutës së vitit 1974, që edhe de jure u suprimua autonomia e Kosovës. Më 28 mars 1989, në Beograd Kuvendi Fedrativ i Jugosllavisë ratifikoi vendimin e Kuvendit të Kosovës. Ndërsa në korrik të vitit 1990 pushteti serb e okupoi Kosovën.



Përkitazi me politikën gjenocidiale dhe qëllimet e hapta të pushtetit serb më së miri na paraqet një letër e Akademik Mark Krasniqit dërguar Kryetarit të Kryesisë së RFS të Jugosllavisë, Prishtinë më 1 shkurt 1990, në mes tjerash shkruan: “ ….. Marrja e autonomisë së Kosovës në pranverën e vitit 1989 është realizuar suksesi i parë i asaj politike, e pjesërisht edhe më gjërë. Siç është e njohur, autonomia e Kosovës është rrënuar me tanksa, me policinë speciale dhe me viktima të shumta të nacionalitetit shqiptar, e cila me manifestime masive në tërë Kosovën në mënyrë plebicitare është shprehur kundër heqjes së Kushtetutës të vitit 1974, dhe kundër amandamenteve të RS të Serbisë ka shkaktuar probleme të shumta të cilat ajo mendon t’i zgjidh nëpërmjet të masave represive drastike ndaj shqiptarëve, të cilët në Kosovë përbëjnë 80% të popullatës së përgjithshme, duke i larguar në mënyrë masive nga puna, me burgime dhe me vrasje të reja të njerëzve të pafajshëm, që mund të ketë pasoja të paparashikuara tragjike të përmasave të gjëra. Këtë politikë të rrezikshme të Serbisë është duke e dënuar tërë bota demokratike liridashëse, me disa përjashtime, por të gjitha këto i shiqon me duar kryq.



Shqiptarë akuzohen para së gjithash për tri mëkate kryesore vdekjepruese: për kontrarevolucion, për presion ndaj serbëve dhe malazezve, përkatësisht kinse për mosbarazi dhe për Kosovën e pastër etnike. Mirëpo, të gjitha këto janë trillime. Kontrarevolucioni në Kosovë fare nuk ka ndodhur më 1981 dhe të viteve të ardhshme, kur shqiptarët në mënyrë masovike kanë demonstruar duke kërkuar vetëm barazinë e tyre nacionale, ekonomike dhe politike në kuadër të federatës jugosllave. Nuk është numri i vogël i shkenctarëve jugosllavë të cilët më argumente të pamohueshme kanë dëshmuar se ajo akuzë është pa kurrfarë baze, por me tendencë të qartë antishqitpare. Shqiptarët në mënyrë masovike kanë marrë pjesë në Revolucionin popullor gjatë LNÇ-së, me të cilën kanë fituar të drejtën që të jenë të barabartë me kombet dhe kombësit tjera të Jugosllavisë socialiste, që një një masë të konsideruar është arrijtur me Kushtetutën e vitit 1974, prandaj çdo kundërrevolucion do të ishte kundër tyre. Shqiptarët atëherë dhe tani me kërkesat e tyre asgjë tjetër nuk dëshirojnë të arrijnë përveç barazisë së plotë në kuadër të RFSJ, dhe këtë barazinë në vepër por jo vetëm ne letër. Mirëpo, politika unitariste e Serbisë ende krijohet në dominimin e saj, dhe jo në barazinë e kombëve dhe kombësive.



Sa i përket akuzës së dytë, pabarazinë e serbëve dhe malazezëve në Kosovë, kjo është e pavërtet e paskrupullt. T’i theksojë vetëm disa fakte të cilat në mënyrë bindëse tregojnë se serbet dhe malazezët në Kosovë jo vetëm që nuk janë në pozitën e pabarabart, por ata në masë të madhe janë të privilegjuar, ndërsa shqiptarët të diskriminuar. Kosova, siç është e njohur është treva më e pazhvilluar e Jugosllavisë, e cila në prodhimtarinë shoqërore të vendit merrë pjesë 2.1%, ndërsa me popullsi 8%. Kontigjenti i ri çdo vit arrinë prej 18 deri 20 mijë persona, kështu që armata e të papunëve në mënyrë rapide rritet. Në 1000 banorë në Jugosllavi mesatarisht janë 281 të punësuar, ndërsa në Kosovë vetëm 120. Kështu, mesatarja e të papunësuarëve është 3.3 më e madhe në Kosovë. Mbi 41% të papunëve e përbën rinia me shkollim të mesëm, ndërsa të papunësuar me kualifikim superior janë mbi 3000. Dhjetë komuna në Kosovë kanë madje 6.5 deri 8 herë të ardhurat më të ulta për kokë të banorit se sa që është mesatarja e Serbisë dhe e Jugosllavisë. Në këtë situatë dramatike në Kosovë e drejta në punë është privilegja më e madhe shoqërore, sepse me te sigurohet kushti themelor i ekzistencës. Në atë bazë krijohen konfliktet dhe padrejtësitë më të mëdha siciale dhe nacionale. … Në këtë sferë ekonomike shqiptarët në atë masë janë të diskriminuar kështu që shumë familje janë sjellur deri të shkopi i varfërisë dhe deri të skaji i urisë farmale, ndërsa kjo sipas normave ndërkombëtare, është krimi më i madh ndaj njeriut. Kjo në të vërtetë është një politikë e paramenduar ndaj shqiptarëve, që këtij populli në atë mënyrë t’i merret mundësia për shkollim të gjeneratave të reja dhe me masa të tjera represive, shqiptarët për shkak të varfërisë të lëshojnë atdheun e vet në Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Kjo është politika e sotme antishqiptare dhe praktika e koalicionit jofromal serbo-malazezo-maqedon, e cila rrënjët e veta i ka qysh në shekullin e kaluar. Por, vetë faktet të ilustrojnë të vërtetën faktike.



Struktura nacionale e popullsisë në vitin 1981 ishte: shqiptarë 77,4%, serbë 13,2%, malazez 1,7% dhe turq 0,8%. Më 30.IX 1988 ishin të punësuar: 162.499 shqiptarë, 51.092 serbë, 6.957 malazez dhe 3.014 turqë. Nga kjo shihet se në vitin e theksuar ishin të punësuar çdo i treti malazez, çdo i pesti serb, por çdo i trembëdhjeti shqiptar. Më 30.VI 1989, ishin të paraqitur në entet e punësimit në Kosovë 113.000 (82,1%) shqiptarë, 14.156 (10,5%) serbë, 1.2225 (0,9%) malazezë dhe 1.095 (0,8%) turqë. Këtu duhet theksuar se çdo serb dhe malazez i rritur kërkon të punësohet, ndërsa, një numër i madh i shqiptarëve në përgjithësi nuk paraqitet për punë në entet e theksuara, sepse e dijnë se kjo është e kotë, duke u bazua në ate se serbët dhe malazezët punësohen edhe kundër kushtetutës dhe pakurrfarë konkursi, pa kualifikim përkatës, ndërsa intelektualë mund të shihen nëpër tërë Jugoslavinë si në tregjet duke pritur çdo ditë që të angazhohen në çfarëdo pune fizike për meditje të mjerueshme. Këtë gjendje disa e asyetojnë me natalitetin e lartë të gruas shqiptare, që është problem i llojit të vet, por nuk është kurrfarë argumenti për arsyetimin e politikës diskriminuse në punësim. Këtë diskriminim në mënyrë të qartë e vërteton fakti se mbi 60.000 familje shqiptare nuk e kanë asnjë anëtar të punësuar, ndërsa në anën tjetër nuk ka asnjë familje serbe dhe malazeze pa një të punësuar ose pa ndonjë pension ose ndihme tjetër. Para kësaj gjendjeje faktike, si mund të thuhet se serbet dhe malazezëve dëbohen ose janë të pabarabartë në Kosovë? Ata në të vërtetë është kategoria më e privilegjuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë Jugosllavisë, sepse as në Mal të Zi, as në Serbi malazezët dhe serbët në atë shkallë nuk janë të punësuar. Kësaj duhet t’i shtohet fakti se serbët dhe malazezët janë të punësuar kryesisht në veprimtaritë dhe shërbimet administative, ndërsa shqiptarët në xehetari, ndërtimtari dhe në punët tjera të rënda.

Që edhe një fakt bindës i cili flet për pozitën e prvilegjuar të serbëve dhe të malazezëve në Kosovë. Këtë e tregon shkalla e urbanizimit të tyre e cila është e pakrahasueshme e madhe te ta se sa të shqiptarët, sepse sipas regjistrimit të vitit 1981, mbi 38% të serbëve dhe 70% të malazezëve jetojnë në qytete, ndërsa gjithsejtë 28,9% të shqiptarëve. Përveç kësaj, vetëm në Prishtinë në banesat shoqërore jetojnë 84,7% malazezë dhe 70,3% serbë, por vetëm 26,9% shqiptarë. Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, Serbia ka ndërmarrë disa masa që bënë të mvarur nga ajo tërë ekonominë e kësaj Krahine, duke e arsyetuar këtë me dofarë integrime dhe bashkësinë në kuadër të Republikës. Kështu është rasti e Elektroekonominë e Kosovës, Kombinatin Ndërtimor “Ramiz Sadiku” nga Prishtina, me Trepçën etj. …… Në vend që të merren masa për përmirësimin e kësaj politike drastike të palës të rrezikuar, familjeve shqiptare, veprohet në të kundërten: gadi të gjitha objektet industriale ndërtohen në mjediset dhe vendbanimet serbe, në të cilat ekskluzivisht punojnë serbët dhe malazezët. Ato janë ndërmarrje të pastra etnike. , si dhe në disa vendbanime në të cilat pushteti me bulduzher rrënojnë shtëpitë e shqiptarëve të pakët në fshatra (si p.sh. rasti në Bresje te Prishtina), ndërsa nga disa shkolla të përzira dëbohen nxënësitë e nacionalitetit shqiptarë (Prilluzhja të Vushrrria) në mënyrë që shkollat të mbetën plotësisht serbe. Mirëpo, politika dhe propaganda serbe i padisinë shqiptarët se ata po dëshirojnë vendbanime dhe Kosovën e pastër, që në esencë është e kundërta. Në komunën e posathemeluar Zubin Potoku, e cila i ka 6.000 banorë, kryesisht të nacionalitetit serb, janë ndërtuar disa objekte industriale, sikurse edhe në komunën serbe Leposaviq, ashtu edhe në Siriniq etj., ndërsa në komunën e Malishevës, me 43.000 banorë kryesisht të nacionalitetit shqiptarë, nuk ekziston asnjë objekt industrial, ku janë të punësuar gjithsej 1.000 njerëz. Madje, këtu është ndërtuar ndërtesa moderne e stacionit të policisë. Për realizimin e kësaj politike ekonomike dhe pabarazisë nacionale shfrytëzohen edhe mjetet e Fondit fedrativ për trevat e pazhvilluara, nga të cilat pushteti fedrativ ka lejuar ndërtimin e 2.000 banesave dhe blerjen e 700 pllaceve për serbe dhe malazez të cilët do të vijnë të jetojnë dhe të punojnë në Kosovë. Në një anë nxitet ardhja dhe punësimi edhe i atyre të cilët kurr nuk kanë jetuar në Kosovë, ndërsa në anën tjetër largohen nga puna shqiptarët vendës, të cilëve iu rekomandohet të kërkojnë punë nëpër tërë vendin dhe jashtë tij…..”



Madje kishin reaguar edhe përfaqësuesit e Seksionit të luftëtarëve të Brigadës së Shtatë Sulmuese në Kosovë, në letrën e hapur nga Prishtina, më 19 mars 1990, dërguar Kryesisë së RFSJ dhe Këshillit fedrativ të Lidhjes së Luftëtarëve të LNÇ të Jugosllavisë, në të cilën në mes tjerash thuhet: “ ….. rrënimi i autonomisë, prapë kolonizimi i Kosovës, regjistrimi i vullnetarëve për ardhje në Kosovë, shpernguljen nga Kosova mbi 300.000 kinse të emigrantëve shqiptarë, mbylljen e Universitetit në Prishtinë, heqjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare etj. Po na iritojnë edhe masat e dënimeve të cilat po ndërmirren në bazë të kriteriumeve nacionale, e jo sipas shkallës së veprës. Kështu, të themi, një prind shqiptarë dënohet vetëm se fëmiu i tij dyvjeçarë, sigurisht nën ndikimin e fotografive në TV ose tjetërkund, ngritë dy gishtrinjë në shenjë të shkronjës “V” kur e sheh miliconerin, ose një shqiptarë në gjendje të dehur, në kafene kërkon që të hiqet fotografia e liderit aktual serb, denohet me 60 ditë burg, ndërsa nuk merren kurrfarë masash ndaj një V. Shesheli, V. Drashkoviqi, të cilët para kamerave të TV e heqin fotografinë e Titos duke e quajtur kriminel…. Me keqardhje jemi dëshmitar të vetë kohës ku qëllimi i këtyre forcave, receptiv V. Qubrilloviqti, I. Andriqit dhe drejtimeve të memorandumit “të paekzistuar” të ASSHKA gradualisht po realizohen, duke u përputhur gati në tërësi identifikohen me programin dhe masat e politikës zyrtare të Serbisë. Këtë fakt na e vërteton edhe V. Drashkoviqi në tryezën e rrumbullakët të partive politike serb e për Kosovën (9 mars 1990)…”



Sip u theksua më 23 mars 1989, kur Kosovës iu mor subjektiviteti i saj në ish-RSFJ dhe iu shfuqizua Kushtetuta e vitit 1974, veçanërisht pas 5 korrikut 1990, kur Serbia në mënyrë klasike e okupoi Kosovën, mbretëron një politikë tejet nacional-shoveniste dhe ekspansioniste e Serbisë ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Ndërsa, në anën tjetër, më 2 korrik 1990 Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës dhe aprovoi Kushtetutën e Republikës së Kosovë. Më 7 shtator 1991 qytetarët e Kosovës u deklaruan me referendum për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës i bëri kërkesën komisionit të Badinterit në kuadër të Konferencës ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë që në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë të njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Më 1992 në Kosovë u mbajtën zgjedhjet presidenciale e parlamentare. Mirëpo, kërkesave demokratike të popullit të Kosovës, pushteti serb u është përgjigjur me dhunë e terror të organizuar shtetëror që ka pasur për qëllim spastrimin etnik të Kosovës dhe serbizimin e saj.



Krahas përcaktimit politik për serbizimin e Kosovës, Serbia me vazhdimësi ka nxjerr ligje dhe akte normative me përmbajtje diskriminuese të veçanta për Kosovën. Pushteti serb kishte aprovuar rreth 1360 akte politike, juridike, të përgjithshme e të veçanta në funksion të rikolonizimit të Kosovës me serbë e malazezë. Ato kanë qenë ligje thjesht kolonizuese. Me to u krijua mbështetja ligjore për kolonizimin e Kosovës me elementin sllav. Me ligje të tilla u shndërrua Kosova në koloni të tipit monarkik të Serbisë.



Ish Federata Jugosllave dhe republikat e saj ndanin mjete të mëdha për stimulimin e ardhjes sa më masive të serbëve në Kosovë. Privilegjet e serbëve ishin shumë të mëdha: sigurimi i punësimit, i banesave, i trojeve falas, i kredive afatgjate pa kamatë, për të njëjtin vend pune të ardhurat shumë më të mëdha dhe benificione të tjera. Në këtë periudhë filloi ngritja e reparteve industriale në enklavat serbe dhe ndërtimi i objekteve segregacioniste të banimit dhe të tjera.



Vala e re e kolonizimit filloi me sjelljen e policëve, të instruktorëve të lartë ushtarakë, të gjykatësve dhe administratorëve për t’i ndjekur e torturuar sa më tepër shqiptarët. Me 1988 dy Kryesitë e Jugosllavisë Socialiste (Kryesia e LKJ-së dhe Kryesia e Jugosllavisë) dhe qeveria kërkuan kolonizimin e Kosovës përmes një aksioni për kinse dhënien e ndihmës kuadrore Kosovës: në arsim, kulturë, jurisprudencë, polici etj. Ish Federata Jugosllave dhe njësitë e saj në këtë mënyrë stimulonin represionin dhe segregacionin në Kosovë dhe ndihmonin realizimin e synimeve të kahmotshme të politikës hegjenomiste të Serbisë.



Serbia, më 8 mars 1990 abrogoi “Ligjin mbi revizionin e ndarjes së tokave kolonistëve në Kosovë e në Maqedoni”, me të cilin sipas llogarive do të duhej t’u kthehej toka rreth 14 mijë familjeve serbe, që kishin ardhur si kolonë në Kosovë ndërmjet dy Luftërave Botërore, çka si pasojë pati që shumë ish familje kolone serbe e malazeze të marrin prona të reja toke të kooperativave bujqësore, apo para të majme si “kompensim”. Ndërsa, në “Ligjin për formimin e fondit për kthimin e serbëve dhe malazezëve në Kosovë”, parashihej sigurimi i mjeteve për kolonizim nga tatimi në të ardhura, legata dhe dhuratat, nga kamatat dhe burimet tjera.



Pasojat e këtij diskriminimi në aspektin legjislativ goditën pa mëshirë të gjitha sferat e jetës shoqërore në Kosovë. Nëpërmjet të sjelljeve të ligjeve dhe akteve normative diskriminuese, shqiptarët u përjashtuan nga jeta ekonomike, politike e shoqërore. Kështu u paralizua tërë jeta ekonomike e shoqërore në Kosovë dhe më gjerë, duke thelluar edhe më tepër krizën ekonomike me pasoja katastrofale, sidomos për rreth 130.000 punëtorë shqiptarë, që mbetën pa punë dhe pa mjete për ekzistencën e tyre dhe të familjeve të tyre, shumica e të cilëve u detyruan që ta marrin rrugën e mërgimit në vende të ndryshme të botës, sa për të siguruar një ekzistencë. Politika e pabarazisë dhe e diskriminimit u manifestua në një formë të veçantë edhe në sferën e arsimit.



Për këtë qëllim ishte hartuar edhe “Platforma politike për Kosovën” e LKJ që parashihej kolonizimi i Kosovës përmes aksionit të kinse kthimit të serbëve dhe malazezëve. Pastaj, ishte hartuar Projekti për kthimin e rreth 200.000 serbëve e malazezëve për të jetuar në Kosovë. Ky projekt ishte një dokument, ku bëhej ngarkim kolonizues i Kosovës me serbë dhe me malazezë, përkundër faktit se Kosova kishte dendësinë më të madhe të popullsisë, 200 ban/1 km2 (dy herë e gjysmë më shumë se mesatarja në ish-Jugosllavi). Për kolonizim të tipit klasik Kosova nuk ka pasur kurrfarë kushtesh, sepse është territor me i dendur i banuar në këtë pjesë të Evropës, sidomos në në pikëpamje të dendësisë agrare, me potenciale të mëdha të fuqisë punëtore të papunësuar, me zhvillim të pamjaftueshëm të kapaciteteve përpunuese dhe me një shkallë shumë të ulët të finalizimit të lëndëve të para që disponon vetë. Në anën tjetër shkatërrimi i bazës ekonomike të Kosovës, plaçkitja e fondeve dhe e teknologjisë nga ana e pushtetmbajtësve serbë nuk shkon në favor të popullzimit plotësues. Por qëllimi kryesor i pushtetit okupues ishte tendenca për ndërrimin e përbërjes kombëtare të Kosovës. Në anën tjetër, shume vendbanime, madje edhe krahina të tëra rurale agrare në Serbi kishin mbetur të zbrazëta, pa popullsi. Por pushteti nuk ka vendosur atje refugjatë serbë, ku kishte tokë të mjaftueshme dhe kushte elementare për arsye se nuk e kishte këtë qëllim, por qëllimin e kolonizimit të Kosovës me elementin sllav dhe ndërrimin e strukturës nacionale.



Nga pushteti i asaj kohe ishte hartuar edhe i ashtuquajturi Programi jugosllav për Kosovën, i datës 9 shkurt 1990. Nëpërmjet të këtij programi, pushteti mundohej që në mënyrë të rafinuar dhe perfide, në dallim nga regjimet e mëparshme serbe të ndryshojë strukturën etnike dhe të vëjë baraspeshën etnike në Kosovë, duke bërë presion pa presedan në shqiptarët që t’i lëshojnë vatrat e veta, ndërsa në vend të tyre të sjellë serbë e malazezë me qëllim të sllavizimit dhe të kolonizimit të Kosovës. Ai program synonte marrjen e masave konkrete në të gjitha fushat: politike, ekonomike, kulturore, arsimore, shëndetsore, gjyqësore, informative, të punësimit, të urbanizmit, zhvillimit demografik etj. Programi i tillë i cili barte një titull mjaft cinik “Programi për realizimin e paqës, lirisë, barazisë dhe prosperitetin e Kosovës”, i njohur si “Programi për Kosovën”, thjeshtë ishte program diskriminues dhe racist. Me të parashihej hapja e vendeve të reja të punës, përparësi në punësim, stimulime të veçanta për investime në programet për punësim, të gjitha për kthyerje, përkatësisht ardhje të një numri më të madh të serbëve dhe malazezëve në Kosovë që të jetojnë e punojnë këtu dhe të pengojnë shpërnguljen e tyre nga Kosova; parashihet zvogëlimi i të gjitha kuadrave shqiptare në institucionet shoqërore dhe organizatat ekonomike, parashihte nxjerrjen e ligjit të posaçëm me të cilin do të themelohej Fondi për sigurimin e kushteve materiale për zhvillimin e Kosovës, në mënyrë që të pengohet shpërngulja e serbëve dhe e malazezëve, kthyerja dhe ardhja e të rinjve. Gjithashtu, parashihej shqyrtimi i mundësisë së punësimit të shqiptarëve në vendet tjera të Jugosllavisë në pajtim me “Programin për Kosovën”; parashihte ndërtimin e 30 reparteve të ndërmarrjeve serbe në vendet ku kryesisht në to jetonin serbët, malazezët, myslimanët, goranët, përkatësisht në vendet ku serbët dhe malazezët dëshirojnë të kthehen që të punojnë e jetojnë në Kosovë - në Leposaviq, Mitrovicë, Fushë Kosovë, Zubin Potok, Novo Bërdë, Shtërrpc, Lipjan, Gjilan, Obiliq, Ferizaj, Kamenicë dhe në bashkësitë lokale në Graçanicë dhe në Prishtinë, ku jetojnë serbët dhe malazezët.[159]


Krahas planeve të Jugosllavisë Socialiste, të inicuara nga Serbia, edhe ajo kishte hartuar plane dhe projekte për rikolonizimin e Kosovës. Në një plan operativ parashihej ndërtimi i 30 lagjeve, ndërtimi i banesave në Gjakovë, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq, Novobërdë, Shterrpcë, Lypian, Zubin-Potok dhe në Kamenicë. Më 12 dhjetor të vitit 1991 me qëllim të kolonizimit të ri të Kosovës, në lokalet e pushimores të fëmijëve dhe të rinisë në Deçan u vendosën 100 familje me prejardhje serbe e malazeze të ikur nga Shqipëria.[160] Më vonë aty dhe gjetiu u vendosën edhe shumë familje të tjera.

Në kuadër të aksionit për kolonizimin e Kosovës, Jugosllavia Socialiste më 16 shkurt 1990 kishte aprovuar Ligjin për sigurimin e banesave për nevoja të kuadrit dhe kthyerjen e personave të shpërngulur nga Kosova në periudhën 1989 deri 1993, si dhe Ligjin për realizimin e atij programi.[161] Sipas atij programi, përkatësisht ligji, parashihej ndërtimi i 2.000 banesave në sipërfaqe 115.273 metra katrorë dhe ndarja e 711 trojeve dhe kredive për ndërtimin individual, me vlerë të mjeteve për realizimin e atij programi në shumë prej 20.075.712 dinarë. Pas shkatërrimit të ish Jugosllavisë, apetitet për kolonizim të Kosovës ishin ngritur edhe më tepër. Për këtë qëllim Kuvendi i të ashtuqutuajrës RFJ, më 17 mars 1994 kishte aprovuar Ligjin për sigurimin e banesave për nevoja të kuadrit dhe kthyerjen e personave të shpërngulur në Kosovë.[162] Sipas atij ligji parashihej që në periudhën prej vitit 1994 deri 1998 për këto nevoja, të ndërtohen ose të blehen 1.564 banesa. Në vitin 1994 ishte paraparë që të kryhet ndërtimi i 1.024 banesave të filluara më parë.[163]


Me dispozita ligjore ishin përcaktuar kushtet dhe kriteret për dhënien e kredive dhe ndarjen e banesave kategorive të caktuara të “kuadrave” dhe personave të cilët kthehen në Kosovë. Pastaj, përcaktohej ndarja e placeve për ndërtimin e shtëpive për kolonë etj.



Më 6 gusht 1992, Serbia aprovoi një “Program për formimin e fondit për zhvillimin e Serbisë”, në të cilin siguroheshin mjetet për vazhdimin e fushatës së kolonizimit.



Një ndër aktet juridike sistemore më ekstreme është “Ligji për Organizimin Territorial të Serbisë”.[164] Sipas nenit 7 të këtij ligji “Qeveria e Serbisë mund t’ua ndryshojë emërtimin (toponimin) vendbanimeve ekzistuese sipas përcaktimeve me atë ligj, pas mendimit paraprak të marrë nga kuvendi i komunës”. Me dispozitat e nenit 72, paragrafi 1, të Ligjit të sipërshënuar, “Organet e Komunës së Malishevës pushojnë se punuari ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Në anën tjetër, formohen komunat e reja si Zubin Potoku, Zveçani, Shterrpca dhe Gora. Me dispozitat e nenit 73 të Ligjit në fjalë, kuvendet komunale detyrohen t’i “rishqyrtojnë emërtimet ekzistuese të vendbanimeve dhe të caktojnë emërtime të reja në afat prej një viti nga dita e hyrjes së tij në fuqi”. Kjo do të thotë se së pari përmes akteve juridike fillohet me sllavizimin e toponomisë autoktone shqiptare.



Me ligjin e Serbisë mbi transformimin e pasurisë shoqërore në ate privatë parashihej që nga shitja e pasurisë shoqërore 60% të mjeteve të ndaheshin për fondin për zhvillimin e Serbisë, me të cilin siç u pa financohej kolonizimi i Kosovës.[165]


Përveç organeve të pushtetit, edhe organizatat e ndryshme, personat, shoqatat e tjerë jepnin propozime të ndyshme për kolonizimin e Kosovës. Ishte dhënë propozimi për sjelljen e 400.000 serbëve nga Rumania[166] mendohej madje edhe versioni izrailit i kolonizimit të Kosovës, pastaj propozimi që kolonizimi i Kosovës të bëhet menjëherë, duke e bërë Prishtinën kryeqytet të Serbisë e të Jugosllavisë, ku do të bartën të gjitha institucionet shtetërore, shkollat ushtarake e policore, shumë oficerë, nëpunës, policë etj. me familje. Kjo valë e kolonizimit do të kapte një numër prej 100.000 serbësh e deri të kërkesa e disa funksionarëve kosovarë serbë që në Kosovë menjëherë të vijnë së paku 300.000 serbë e malazezë.[167]


Në aspektin ekonomik pushteti i instaluar serb donte që përveç anës politike, dëbimit të shqiptarëve, ekspolatimit të tyre, kolonizimit të Kosovës me elementin serb etj. filloi edhe rrënimin e asaj ekonomike të paktë që ishte ndërtuar në Kosovë në krahasim me viset tjera të ish Jugosllavisë. Si masë përfide përdori integrimin e ndërmarrjeve shoqërore të të njëjtat në Serbi dhe Vojvodinë. Qëllimi ishte përfitimi dhe barta e kapitalit nga Kosova. Me këtë edhe largimi i punëtorëve shqiptarë dhe sjellja e kuadrave serbe në vendet udhëheqëse pa kurrfarë kualifikimi përkatës shkollor.



Shoqata e serbëve dhe e malazezëve “Bozhuri” e Fushë-Kosovës përcaktoi një program për kolonizimin e Kosovës. Ky program operativ, nuk dallon shumë nga programet e tjera të mëhershme, sepse në esencë ai është një konglomerat i kërkesave të prezentuara shumë vjet, si në tubimet serbo-malazeze, po ashtu edhe në forumet e pushtuara të Kosovës. Si kërkesë e parë e tij veçohet obligimi për ndërtimin e lagjeve dhe të paralegjeve me më se paku nga njëqind ekonomi shtëpiake anekënd Kosovës, obligim ky që duhet ta jetësojë Serbia, përkatësisht drejtoria për zhvillimin e “Kosmetit”. Më pastaj radhiten kërkesat e tjera, si ajo për fillimin e menjëhershëm të përgatitjes së lokacioneve për ndërtimin e vendbanimeve të reja dhe atyre ekzistuese, kthimi i maleve të uzurpuara nga shqiptarët (!) në pronësinë shtetërore, me kusht që ato pastaj t’u ndahen serbëve dhe malazezëve; vendosja e familjeve serbe në trojet, që u shitën në kundërshtim (!) me ligjin sikundër dhe në tokat e ekspropriuara, siç janë ato në Brezovicë, Gazivodë, Radoniq e gjetiu; kërkesa për nxjerrjen e ligjit për ndalimin e ndarjes së tokave të punueshme shoqërore shqiptarëve; kërkesa për anulimin e Ligjit për ndalimin e kthimit të serbëve në Kosovë; kërkesa për nxjerrjen e vendimit për përzënien e emigrantëve shqiptarë që nuk kanë shtetësinë jugosllave; ndalimi i punës se partive, të shoqatave dhe të asociacioneve të tjera që po eksponohen “armiqësisht” etj. Natyrisht, “Bozhuri” nuk harroi të kërkojë edhe nxjerrjen e ligjit diskriminues, atij për planifikimin e familjes.[168]



E ashtuqujtura qeveria jugosllave më 12 janar 1995 e kishte aprovuar dekretin, ku sipas tij nga buxheti fedrativ për këtë vit, për ndërtimin e kolonive në Kosovë duhet të ndahen 4,1 milion dinarë. Me këtë dekret plotësisht antishqiptar përkrahej kolonizimi i Kosovës me popullatë serbe e malazeze; “Të gjithë qytetarët e shpërngulur nga Kosova e Metohija, të cilët janë të ineresuar që të kthehen dhe kuadrat të cilët dëshirojnë të vijnë në këtë krahinë, për ndërtimin e shtëpive ose blerjen e banesave do të marrin kredi me afat kthimi prej 40 vjetve, ndërsa place - pa pagesë”. Sipas këktij dekreti përparësi kishin: a) kuadrat e domosdoshme për organe të administratës, gjyqësi, shërbime ekonomiko-shoqërore dhe të kthyerit, të cilët janë shpërngulur para 31.12.1991; b) kuadrat dhe personat tjerë, të cilët punojnë në administratën e shërbimeve shoqëroro-ekonomike të KAKM (kuadrat e sjellura pas okupimit të sërishëm); c) personat, të cilët kanë numër të madh të anëtarëve të familjes. Me aprovimin e këtij dekreti zyrtarët beogradas parashihnin mundësinë e realizimit të programit për vendosjen e 100.000 serbëve dhe malazezëve në Kosovë.[169]


Edhe në lëmin e pronësisë, në kontest të kolonizimit u bë kalimi i kompetencave nga organet e Kosovës në ato të Serbisë. U nxorr Ligji, i cili e përkufizonte shitblerjen e patundshmerisë.[170] Sipas tij, Sekretariati republikan i Serbisë për financa mund të lejojë shitblerjen e patundshmerisë vetëm nëse vlerëson se me atë nuk do të ndikojë në ndërrimin e strukturës etnike të popullsisë, ose shpërnguljen e popullit të caktuar. Ky ligj aplikohej vetëm për Kosovë, ndërsa “populli i caktuar” ishin serbët dhe malazezët. Sipas këtij ligji dhe të tjerëve me qindra kontrata të shitblerjes u anuluan. Shumë hektarë tokë dhe dhe me qindra shtëpi e banesa iu morën shqiptarëve.



Një aksion konkret të kolonizimit të Kosovës, Serbia ndërmori edhe përmes ndryshimit të planeve urbanistike të Kosovës dhe të komunave të saj. Ato ndryshime janë bërë në kundërshtim me Ligjin e rregullimit hapësinor, të mbështetura vetëm në dispozitat (diskriminuese) të Ligjit për punën e organeve republikane në rrethana të veçanta. Kuvendi i Serbisë në këtë drejtim, ka aprovuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për planin detaj urbanistik të lagjes “Ulpiana” në Prishtinë, me të cilin ishte paraparë që në vend të objekteve sportive të shkollës fillore, kanë ndërtuar objektet për banim të 110 banesave për serbë e malazezë nga trevat tjera të Jugosllavisë të cilët dëshirojnë të kthehen ose të vendosën në Kosovë që aty të jetojnë e punojnë. Për këtë qëllim Kuvendi i Serbisë, ka marrë vendimin për ndërrimin dhe plotësimin e planit urbanistik të lagjes “Dardania” në Prishtinë, në të cilin ishte e paraparë që në vend të lokalitetit për gjelbërim të ndërtohen objekte për banim të 98 banesave për serbë e malazezë.[171]


Serbizimin e Kosovës pushteti aktul serb e ka zbatuar edhe me ndërtimin e kishave në qendrat urbane, ndërrimin e emrave të shkollave, rrugëve, shesheve, organizatave të ndryshme dhe emërimi me emra mitologjikë serb. Shkrimi i çirilicës dominonte kudo.



Siç po shihet shqiptarët në Kosovë ishin të diskriminuar në shkollim, kulturë, punësim, mbrojtje shëndetësore e sigurim social, në mbrojtjen juridike të integritetit fizik dhe moral, në informim, në ekonomi, politikë dhe në të gjitha sferat e jetës dhe të punës së tyre.



RFJ, për kolonizimin e 100.000 serbëve dhe malazezëve në Kosovë me Dekretin mbi mënyrën dhe kushtet e kolonizimit të Kosovës të datës 12 janar 1995, përcakton dhënien falas për kolonët serbë troje, tokë, banesa, shtëpi dhe mjete financiare shumë të mëdha. Sipas gazetës serbe “Jedinstvo”, organet e qeverisë serbe të Obiliqit kanë planifikuar ta ndërtojnë një vendbanim ndërmjet Milloshevës dhe Obiliqit, me 247 shtëpi (familje) për kolonët serbë të Kroacisë. Po ashtu, parashihet që kolonëve serbë, që duan të merren me bujqësi, t’u jepet edhe tokë bujqësore prej tre hektarësh”.[172]



Pas rënies së të ashtuquajturës Krainë Serbe në Kroaci (gusht 1995) u intensifikua kolonizimi i Kosovës me serbë të ikur nga Kroacia. Brenda një kohe të shkurtër në Kosovë, u vendosën 13.895 kolonë serbë. Përveç Kroacisë në Kosovë u vendosën edhe shumë serbë nga Bosnja, por edhe nga vetë Serbia. Sipas planeve të mëhershme serbe, të inicuara nga kryetari serb Millosheviq, planifikohej që në Kosovë të vendoseshin disa dhjetëra mijëra refugjatë, rebelë (kryengritës) dhe kriminelë serbë që do të largoheshin nga Kroacia e nga Bosnja e Hercegovina. Refugjatët serbë u vendosën në 23 objekte shkollore, 8 konvikte të nxënësve dhe të studentëve, 7 çerdhe fëmijësh, 21 hotele dhe pushimore, në 2 shtëpi shëndeti, në 9 objekte kulturore-sportive dhe në 35 objekte të tjera të Kosovës.[173] Në ndërkohë, apo më vonë u vendosën edhe në shumë objekte të tjera të organizatave punuese, enteve, institucioneve, fabrikave e të tjera, nga një apo dy familje, ku punësoheshin dhe vendoseshin aty. Madje, çka është kundër të gjitha normave ligjore ndërkombëtare, u vendosën edhe në objekte të arkivit, ku ruhet lënda arkivore si monument i kulturës, siç është rasti me Arkivin e Kosovës, Arkivin e Qytetit të Prishtinës etj. Ata përveç, rrogave të majme, ishin të liruar nga të gjitha pagesat, si p.sh. të rrymës elektrike, telefonit, taksave e tatimeve komunale, madje edhe të udhëtimit etj. Numri i kolonëve të vendosur nëpër ato objekte dita më ditë rritej.



Kolonëve të vendosur në Kosovë dhe atyre që do të vendosën u janë dhënë dhe u janë premtuar 30 mijë ha tokë bujqësore, pasuri e popullit të Kosovës, kryesisht e shqiptarëve. Sidomos u ishte ndarë toka e kooperativave bujqësore, të marrë më parë nga popullata shqiptare, të bazuar në “Ligjin mbi kushtet, mënyrën dhe procedurën e ndarjes së tokës bujqësore qytetarëve, të cilët dëshirojnë të jetojnë e të punojnë në territorin e KA të Kosovës e Metohisë”.[174] Ndërsa, shumë familjeve serbe e malazeze, pushteti nëpërmjet kinse të kthimit të tokave më parë të konfiskuara, të nacionalizuara apo të ekspropriuara edhe pse ishin bërë pagesa për to ua “kthente” ato prona, ose iu jepte ndërrim ose prapë paguante shuma të mëdha të hollash, ku kishte raste edhe pse i kishin marrë të hollat, ato prapë paguheshin. Raste të tilla ishin të shumta. Rast më karakteristikë janë pronat e kooperativave në fshatin Qagllavicë dhe Llapllasellë të Prishtinës, por edhe gjetiu. Ato prona tani pas vitit 1999 serbë në masë të madhe janë duke ua shitur shqiptarëve të cilët pa kurrfarë plani janë duke ndërtuar objekte të shumta, kryesisht shërbyese. Përveç anës materiale që po përfitojnë banoër serbë të atyre trevave, në anën tjetër në Kosovë tani në masë brengosëse po nxinet toka pjellore dhe po shndërrohet në objekte të ndryshme jo vetëm banimi por edhe të tjera. Këto lloj veprimesh askund nuk bëhen në botë. Ndërtimet bëhen në tokat jopjellore, kryesisht të klasit të IV dhe V, ndërsa ruhet toka e bukës. Kjo më vonë do të na hakmerret dhe do të na gjykojnë gjeneratat tona të ardhshme. Këtë banorët shqiptarë shofin vetëm interesin përsonal. Nuk iu intereson e ardhmja e shtetit, familjeve të tyre. Ndërtojnë pa kurrfarë plani, pa leje, madje edhe në prona shoqërore duke i uzurpuar ato. Pushteti në shumë raste në mungesë të dispozitave ligjore, por edhe të neglizhencës të gjitha këto po i toleron. Mirëpo, më vonë për të gjitha këto do të na denojë historia. Në shtetet e moderne të botës për individin në radhë të parë është forcimi i shtetit e me këtë edhe të tij. Te ne në Kosovë ekziston e kundërta. Pronën shtetërore, sigurisht mentalitet i trashëguar nga e kaluara pronën shtetërore ende e konsiderojmë të huaj. Pa krijim dhe forcim të shtetit nuk ka siguri, prosperitet e demokaci. Madje, edhe obligimet shtetërore nuk jemi duke i paguar siç është rasti tatimi në pronë, pagesat e shërbimeve komunale etj.



Gjatë një vizite të një delegacioni zyrtar holandez, në qershor të vitit 1995, Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Kosovës, kryetari i këtij Këshilli, zoti Adem Demaçi, në mes tjerash e kishte njoftuar atë delegacion edhe për kolonizimin serb të Kosovës, duke thënë: Se gati një e katërta e popullatës shqiptare, madje ajo më vitalja ka emigruar jashtë vendit. Serbia po i ndërmerr të gjitha masat për krijimin e kushteve për vendosjen e 100.000 kolonëve serbë dhe malazezë në territorin e Kosovës dhe ajo në mënyrë intensive po vepron dhe që nga viti i kaluar pushteti serb ka filluar ndërtimin e qendrave të banimit për kolonë serbë dhe malazezë në territorin e Kosovës.[175]


Në anën tjetër, duke e parë se për ndërrimin e shpejtë të strukturës kombëtare të popullsisë së Kosovës, kolonizimi përmes programit të përmendur të ish-Jugosllavisë, programit të Serbisë të vitit 1990 dhe sjelljes së refugjatëve serbë, nuk dha rezultate inkuarjuese, pushteti serbë vazhdoi, por tani edhe me intensitet më të shtuar një terror sistematik mbi shqiptarët, veçanërisht mbi të rinjt me qëllim që Kosova të braktiset dhe të boshatiset. Ndërsa, si pretekst përdorej mbledhja e armëve, të cilat shqiptarët nuk i kanë, sipas skenarëve të aksionit të mbledhjes së armëve në vitet e 50-ta, si dhe ndjekja e rekrutëve shqiptarë, numri i të cilëve çdo vit është prej 18.000 deri 20.000 si dhe provokime të shumta të bëra të rinjve shqiptarë si nga vetë organet policore, pusheti, administrata si edhe nga vetë popullata serbe e malazeze, që jetonte në Kosovë. U dëbuan nga puna 130.000 të punësuar shqiptarë të Kosovës, nga 150.000 të tillë gjithsej. Funksionet shtetërore, juridike, policore si dhe të gjitha në vendet udhëheqëse kaluan tërësisht në dorë të serbëve. Sipas disa shënimeve më se 1.600 serbë e malazezë u emëruan drejtorë dhe kuadër tjetër udhëheqës në organizatat ekonomike, institucione dhe në organizata të tjera në sektorin shoqëror (kështu thonin vetë serbët dhe malazezët në paraqitjet publike).[176] Janë keqtrajtuar nga policia me qindra mijëra shqiptarë. Në çdo vit janë vrarë e masakruar me dhjetra persona. Vrasje e masakrime, kinse janë bërë “vetëvrasje”, bëhej sidomos ndaj ushtarëve shqiptarë në kazermat serbojugosllave.



Qeveria serbe, kolonizimin e Kosovës me serbë dhe dëbimin e shqiptarëve e konsideronte si aksion të shenjtë kombëtar. Kurse për shqiptarët këto veprime përbëjnë akte gjenocidi me prapavijë deshqiptarizimi. Megjithë pompozitetin e propagandës serbe se aksioni ishte i karakterit humanitar, është e qartë se qëllim kryesor ishte ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë dhe kolonizimi i Kosovës.[177]


Për kolonët serbë e malazezë pushteti aktual ndërtoi shtëpi, por edhe koloni vendbanimi. Kështu ndërtoi rreth 119 shtëpi afër Junikut, mbi 180 shtëpi (1996) afër fshatit Baballoq dhe fillimi i ndërtimit të vendbanimit të ri në anën tjetër të rrugës, ndërtimi i 76 shtëpi në Lum të Madh të Vushtrrisë, në Kodrën e Diellit në Prishtinë 160 shtëpi, kompleksi banesor në lagjet “Ulpianë”, “Dardani” etj., në Shirokë të Suharekës, në Miradi të Epërme 80 banesa për kolonë etj. Kishte ndryshuar planin urbanistik të shumë qyteteve dhe fshatrave si dhe të zonave industriale për ndërtimin e vendbanimeve kolone, si në Gjilan, Prishtinë, Prizren, Klinë, Suharekë, Vushtrri, Istog, Deçan, Zveçan etj.[178] Mirëpo, kishte raste kur kishin dështuar planet serbe për kolonizimin e Kosovës. Këtë e dëshmon rasti në komunën e Istogut, kur tri blloqesh banesash, të cilat ishin ndërtuar për kolonët, përkatësisht për malazezët nga Vrraka e Shqipërisë, i ndanë mes tyre serbët dhe malazezët që jetonin në këtë komunë.



Përkitazi me numrin e kolonëve të vendosur në Kosovë në këtë periudhë nuk kemi shënime të sakta, sepse vetë pushteti nuk ka dashur që ato t’i paraqesë, mu për shkak të politikës dhe qëllimit të caktuar. Mirëpo, sipas disa shënimeve, që posedojmë mund të theksojmë këtë: Pas rënies së të ashtuquajturës Krainë Serbe në Kroaci (gusht 1995) u intensifikua kolonizimi i Kosovës me serbë të ikur nga Kroacia. Brenda një kohe të shkurtër në Kosovë, u vendosën 13.895 kolonë serbë.[179] Përveç nga Kroacia, në Kosovë u vendosën kolonë edhe nga Bosnja, por edhe nga vetë Serbia; Sipas një shënimi tjetër në Kosovë deri në vitin 1997 janë vendosur rreth 20.000 kolonë serbë, malazezë e të tjerë.[180] Sipas disa shënimeve që i jep dr. Hakif Bajrami,[181] Serbia prej vitit 1981 e deri në vitin 1995 ka ndarë për kolonët serbë së paku 5.519 banesa e shtëpi. Nëse një familje mesatare ka 5 anëtarë, atëherë del se përmes planeve të ndryshme të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë në Kosovë janë sjellë 27.595 kolonë. Ky numër deri në vitin 1998 është rritur edhe më shumë. Mirëpo, kolonët, përkatësisht refugjatët lëviznin prej një vendbanimi në të tjetrin, kalonin aty, ku kishte kushte më të mira për jetesë.



Edhe pse në Kosovë kishte filluar lufta për çlirim kombëtar nga ana e popullatës shqiptare në krye me UÇK-së, ushtria, policia dhe paramilitarët serbë bënin gjenocid mbi popullatën shqiptare, partia politike serbe në pushtet “SPS” (Socijalisticka Partija Srbije), përkatësisht “Këshilli Krahinor i “SPS” për Kosovë e Metohi” bënte plane dhe kishte hartuar projekte për këtë qëllim. Ajo kishte hartuar dokumentin me titull “Predlog mera za resavavanje aktualnih problema na Kosovu i Metohiji”[182] (“Propozim i masave për zgjidhjen e problemeve aktuale në Kosovë e Metohi”), Prishtinë, 15 dhjetor 1998.



Në hyrje të atij projekti në mes tjerash theksohej: “Për mbetjen e Kosmetit në Serbi më e rëndësishmja është që Serbët dhe Malazezët të mbesin në këto treva. Që të ruhet Kosova dhe Metohia duhet që shteti të ndërmarrë masa urgjente për shkatërrimin e terrorizmit dhe para-shtetit shqiptar, në ngritjen e pozitës ekonomike dhe sociale të serbëve dhe malazezëve dhe krijimit të kushteve për kolonizimin e këtyre viseve”.[183]


Në hyrje të projektit propozohen masat adekuate, që duhet ndërmarrë shteti në këtë drejtim. Po i theksoj disa më kryesoret:



- Vetëm serbët dhe malazezët e fortë dhe të organizuar mirë mundën me sukses me e mbrojtë këtë pjesë të Serbisë. Për këtë shteti duhet urgjentisht të aprovjë planin për ngritjen ekonomike të popullatës serbo-malazeze në këto vise;



- Duhet që urgjentisht të kryehet ndërtimi i banesave të filluara në Kosovë me të gjitha aspektet. Momentalisht ndërtohen rreth 1300 banesa dhe ato duhet të kryhen në afatin sa më të shkurtër;



- Duhet të sigurohen mjete për ndërtimin e banesave dhe shtëpive të reja. Janë evidencuar se në trevën e Krahinës ka 4286 familje serbo-malazeze të rrezikuara nga aspekti social dhe ato kryesisht në mjediset fshatare, të cilët jetojnë në objekte të papërshtatshme të banimit dhe në varfëri e mjerim;



- Në Kosovë ka 7300 të interesuar për ndërtimin e shtëpive. Mendojmë se duhet të sigurohen troje me kushte shumë të volitshme;



- Ky është rasti që refugjatëve nga BeH dhe Kroacia, të cilët tani gjendën në vendosjet kolektive, që t’u sigurohet banim i përhershëm dhe të lidhen për këto treva;



- Ndërtimi i banesave dhe i shtëpive në Kosovë do të sjell edhe një numër të madh të Serbëve dhe Malazezëve, të cilët nuk janë gjetur në viset tjera të Serbisë;



- Ekziston mundësia reale që këtyre kategorive të popullsisë t’u ndahet toka punuese. Është konstatuar se në Krahinë ekzistojnë 44.529 ha, të cilët janë kryesisht në pronësi të kooperativave ose kombinateve bujqësore. Me rëndësi është që organet shtetërore të thjeshtojnë procedurën e ndarjes së tokave, të përcaktojnë kriteriumet për këtë proces;



- Pjesa më e madhe e serbëve dhe e malazezëve punon në ndërmarrjet shoqërore dhe shtetërore. Pak janë ata, që merren me biznisin privat. Eksitojnë mjedise, ku të punësuarit me disa vite nuk kanë marrë të ardhura, që ka ndikuar në varfërimin e tyre. Për këtë arsye duhet të gjenden mjete për lëvizjen e prodhimtarisë në ato ndërmarrje, ku janë të punësuar serbët dhe malazezët;



- Duhet gjetur rrugë për stimulimin e serbëve dhe malazezëve për biznisin privat. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet të lehtësimeve dhe benificioneve;



- Përkrahja institucionale e të gjitha formave të integrimit të Kosovës me Serbinë. Në këtë duhet posçërisht të insistohet, sepse përvoja po tregon se numri më i madh i kolektiveve dhe ndërmarrjeve nga trevat tjera të Serbisë gjatë integrimit me ndërmarrjet kosovare kanë hy të motivuar parcialisht, të paqartë, nganjëherë edhe me interesa personale, duke mos llogaritur se procesi i integrimit është me rëndësi strategjike për ekzistencën e shtetit të Serbisë në këto treva. Tani është shansa që nëpërmjet të transformimit të ndërmarrjeve në Kosovë, të forcohen ekonomikisht familjet serbo-malazeze, kështu që nën kushte të përshtatshme t’u ndahen aksionet. Në këtë mënyrë edhe transformimi do të jetë në funksion të ekzistimit të Kosovës në Serbi;



- Me qëllim të ndërrimit të pasqyrës etnike në Kosovë, ngritjes ekonomike të popullatës serbo-malazeze duhet domosdo që në shërbimet shtetërore dhe ndërmarrjet shtetërore të punësuarve t’u caktohet “shtesa e Kosmetit”. Kjo do të ishte masë efikase stimuluese jo vetëm për ekzistencë, por edhe për kolonizimin e këtyre viseve. Në të kaluarën kjo ka dhënë efekte të mëdha;



- Si masë me rëndësi shtetërore dhe çështje politike është matja e tokës dhe regjistrimi kadastral në Kosovë.



- Propozohen edhe çështje të tjera, si krijimi i kushteve më të mira për shkollimin e fëmijëve serbë e malazezë, lidhjen urgjente të të gjitha vendbanimeve serbe me qendrat komunale me rrugë, furnizimin normal, vënien e telefonave, përmirësimin e sistemit të informimit etj.



Përkitazi me kolonizimin e Kosovës, në pikën 3 dhe 6 të atij Projekti, parashihen lokacionet e vendeve se ku mund të ndërtohen vendbanimet, kush mund të jetojë në to dhe burimet për ekzistencë:



- Komuna e Gjakovës: Vendbanimi mund të ndërtohet pranë rrugës magjistrale Gjakovë-Prizren në të dy anët e rrugës, ku është bërë parcelizimi nga 21 ari. Lokacioni i dytë është pranë rrugës rajonale Gjakovë-Prishtinë në të dy anët, ku mund të ndërtohen më shumë se njëqindë objekte. Propozohet që përveç shtëpisë dhe oborrit, banuesve t’u ndahen edhe nga 2-3 ha tokë bujqësore, 2-3 ha pyll dhe 0,5 deri 1 ha vëreshta. T’u jipet edhe nga një traktor dhe nga një lopë që do t’i paguanin në natyrë. Të gjitha këto familje do të merren kryesisht me bujqësi. Komuna disponon më 29.436 ha tokë në sektorin shoqëror.



- Komuna e Gorës: Kuvendi i komunës së Gorës ka aprovuar Programin për kthyerjen e serbëve dhe malazezëve dhe ndërprerjen e shpërnguljes së goranëve dhe ka siguruar 9 troje për ndërtimin e shtëpive familjare në vendbanimin Dragash. Tri troje ua ka ndarë familjeve serbe e malazeze, por ndërtimi nuk ka filluar. Për këtë qëllim kjo komunë posedon me 174 ha tokë në sektorin shoqëror.



- Komuna e Suharekës. Vendbanimi mund të ndërtohej në lokacionin në vendin Shirokë, në afërsi me Suharekën pran rrugës magjistrale Suharekë - Prizren. Është siguruar komplet infrastruktura. Në Shirokë komuna ka hartuar dhe aprovuar planin urbanistik për këtë vendbanim dhe ka bërë parcelizimin për 50 troje për ndërtimin banesor individual, si dhe 50 troje për ndërtimin e vendbanimit për refugjatët. Ekziston lokacioni në fshatin Mushtishtë për ndërtimin e 50 shtëpive familjare. Infrastruktura është siguruar si dhe punësimi në ekonomi dhe në komunë dhe në organet shoqërore. Për këto vendbanime ka të interesuar. Burimet e ekzistencës së këtyre familjeve do të siguroheshin nga punësimi në ekonomi, organet shtetërore, administratat lokale dhe në institucionet tjera në komunë. Ekziston mundësia e ndarjes së tokës punuese të sektorit shoqëror në shfrytëzim në sipërfaqe prej 120 ha.



- Komuna e Rahovecit: Në territorin e kësaj komune mund të ndërtoheshin vendbanime në Xërxë, Bërnjaçë dhe Hoçë të Madhe. Këtu do të vendoseshin familjet e ikura nga fshatrat tjera. Këta duhet të punësohen dhe t’u ndahet tokë punuese për ata që dëshirojnë ta punojnë. Posedon më mbi 920 ha sipërfaqe punuese për ato familje që dëshirojnë të jetojnë në këtë mjedis.



- Komuna e Prizrenit: Lokalitetet, ku mund të ndërtohen vendbanimet: Dushanovë - 150 troje x 5 ari = 75 ha; Lubizhda (te objekti i Perllonkës) 60 troje x 5 ari gjithsej 3 ha; Novaku 10 troje; Jagllanica në Prizren 30 deri 35 troje. Burimet e ekzistencës nga bujqësia, përveç kësaj të fundit nga puna në subjektet ekonomike. Për këtë qëllim posedon më 160 ha tokë bujqësore punuese.

- Komuna e Novobërdës: Sipas planit urbanistik është paraparë ndërtimi i dy komplekseve banesore për banim individual e kolektiv në fshatin Prekoc 60 banesa dhe Bostan 76 banesa. Ata do të punësohen në administratën lokale dhe organet shtetërore, në minierë etj. Nga 205 ha tokë sa posedon mund t’u ndahen 35-40 ha.



- Komuna e Kamenicës: Vendbanimi mund të ndërtohet në ngastrën e fshatit Kololeç, në vendin “Pjesa e Dytë”, ku janë afro 25 ha tokë punuese. Kjo do të shërbejë si për refugjatë dhe për të gjithë ata, që dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në këtë komunë. Punësimi do të bëhej në qytet. Posedon me 260 ha sipërfaqe tokësore, pronë e Kooperativës Bujqësore.



- Komuna e Vitisë: Për shkak të shpërnguljës së kroatëve nga BL në Letnicë janë krijuar kushtet për kolonizimin e 3000 serbëve dhe malazezëve. Në ngastrën e fshatit Sadovinë, në pronat që i shfrytëzon “Agromorava” për arsye strategjike, propozohet ndërtimi i vendbanimit me ekzistencë nga bujqësia dhe pjesërisht punësimi në ekonomi. Janë ndarë 250 ha tokë punuese për serbë e malazezë që dëshirojnë të jeojnë në Kosovë.

- Komuna e Gjilanit: Në këtë komunë ka lokalitete të shumta të përshtatshme për ndërtimin e vendbanimit. Në lagjen “Park” në qytet janë ndarë 100 troje dhe 120 të tjerë duhet t’u ndahen familjeve serbe. Duhen mjete për infrastrukturë, sepse me planin urbanistik është paraparë ndërtimi i Lagjes serbe. Në fshatin Livoçi i Poshtëm ekziston lokacioni shoqëror prej disa ha, mjaft të përshtatshëm për vendbanim me 100 shtëpi. Ka mjaftë të interesuar dhe ekzistenca e tyre sigurohet nga puna në ekonomi, bujqësi dhe institucione të tjera.



- Komuna e Leposaviqit: Vendbanimi do të ndërtohet në Soçanicë (dy vendbanime) dhe në Leshak, në të cilët do të vendoseshin familjet e refugjatëve, të cilat dëshirojnë të jetojnë dhe të punojnë në Kosovë. Burimet e ekzistencës do të ishin bujqësia dhe puna në ndonjë ndërmarrje bujqësore.



- Komuna e Zubin Potokut: Ekzistojnë dy parcela të arave nga 2 ha, 50 troje, të cilat mund të shfrytëzoheshin për ndërtimin e vendbanimit për refugjatë dhe të kthyerit.



- Komuna e Mitrovicës: Lokacionet për ndërtimin e vendbanimeve gjenden në BL të Suhadollit dhe BL Frashërit, përkatësisht 15 ha në BL të Shipolit dhe 11 ha BL të Frashërit.



- Komuna e Zveçanit: Me planin urbanistik të vitit 1996, si mundësi të lokacioneve për ndërtimin e lagjeve të reja të banimit në shtatë blloqe banimi dhe mundësia e ndërtimit e një numri të objekteve të banimit në të gjitha Bashkësitë lokale. Me këtë numri i të shpërngulurëve do të zvogëlohej. Në dispozicion ka rreth 100 sipërfaqe tokësore.



- Komuna e Shterrpcës: Janë caktuar tri lokacione për ndërtimin e vendbanimeve në këtë komunë, në të cilin do të vendosëshin kuadrat e nevojshme të komunës, refugjatët dhe personat socialë.



- Komuna Skënderaj: Është hartuar projekti urbanistik për ndërtimin e vendbanimit prej 74 shtëpive të parapara për refugjatë, në afërsi të qendrës së Skënderajve. Për këtë qëllim në këtë komunë ka 3.200 ha.



- Komuna e Kaçanikut: Është planifikuar ndërtimi i vendbanimit në ngastrën e Rrugës magjistrale Prishtinë-Shkup, në lokacionin rruga e Partizanit në sipërfaqe prej 42 ha. Sipas projektit do të ndërtohen 230 njësi banesore. Vendbanimi u dedikohet personave të ikur dhe të dëbuar nga ish republikat e Jugosllavisë dhe disa qytetarëve të varfër, në funksion të pengimit të shpërnguljes dhe kthimit të personave të shpërngulur. Ata do të punësoheshin në Fabrikën “Sharri”, në doganë, në ushtri, në polici, në organe të administratës dhe në punimin e tokës bujqësore, që posedon me 42 ha sipërfaqe tokësore dhe 250 ha sipërfaqe kontestuese që pastaj do të ndahej.



- Komuna e Ferizaj: Parashihej ngritja e këtyre vendbanimeve: Babushi serb (punësimi në Fabrikën e pjesëve të biçikletave që është ndërtuar afër këtij fshati); Nerodime të Poshtme (ndarja e tokave bujqësore dhe se ekziston infrastruktura); Talinofc (ndarja e tokës bujqësore punuese) dhe Kosinë (ndarja e tokës punuese bujqësore dhe merasë së fshatit). Për këtë qëllim komuna posedon me 1000 ha sipërfaqe tokësore pronë e kooperativave bujqësore.



- Komuna e Gllogocit: Ndërtimi i vendbanimit në Komaran, në anën e djathtë të rrugës Prishtinë-Pejë (ekzistimi bujqësia), Karrotica e Epërme, në anën e djathë të rrugës magjistrale Prishtinë - Pejë. Burimi i ekzistencës: punësimi në komunat e afërta Fushë-Kosovë, Gllogoc ose Prishtinë. Në territorin e kësaj komune mund të ofrohen 5000 ha sipërfaqe tokë punuese bujqësore për kolonizimin e serbëve dhe të malazezëve.



- Komuna e Shtimes: Mund të ndërtohen vendbanimet në disa vende si në Shtime në vendin “Koshtanë” dhe jashtë Shtimes në vendin “Fidanishtë” dhe “Gllavicë”. Punësimi: në Fabrikën e gypave në Ferizaj dhe aktivizimi i bujqësisë, ku sektori shoqëror posedon me 12.827,oo ha sipërfaqe punuese.



- Komuna e Obiliqit: Eksistojnë dy lokacione për ndërtimin e vendbanimit: në Milloshevë është hartuar plani i parcelizimit për ndërtimin e 250 objekteve individuale, në tokën e cila është pronë shtetërore në drejtimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë, dhe në Obiliq në qendër të vendbanimit në sipërfaqe prej 100 ari në të cilën mund të fillojë menjëherë ndërtimi i objekteve individuale. Ka 1333 ha sipërfaqe punuese, që mund të ndahet.



- Komuna e Pejës: Janë përcaktuar këto lokacione: 1. Vendbanimi pran rrugës rajonale Pejë-Deçan, rreth 4 km larg qytetit, në anën e majtë të rrugës në sipërfaqën shoqërore, ku mund të ndërtohet vendbanimi me 40 njësi banesore me sipërfaqe të një njësie 10-15 ari. Eksiton infrastruktura. 2. Vendbanimi pranë rrugës magjistrale Pejë-Prishtinë, në anën e majtë të rrugës rreth 8 km larg nga qendra e Pejës, ku ekziston prona shoqërore e cila mundëson ndërtimin e vendbanimit prej 100 e më tepër njësive banesore. Çdo njësi do të merrte nga 20 ari. 3. Vendbanimi në ngastrën Pejë-Gorazhdevc, në lagjen Orashje, ku gjendet kompleksi shoqëror pran rrugës në të cilin mund të ngriteshin 30 njësi banesore me sipërfaqe prej 10-15 ari. Për këtë lokalitet ekziston infrastruktura. Për këtë mund të ndahen rreth 1.200 ha prodhuesve bujqësor me qesim.



- Komuna e Klinës: Vendet ku mund t’u ndërtoheshin vendbanimet: Kompleksi në sipërfaqe prej 6 ha, i cili gjendet pran motelit Nora, pranë rrugës Prishtinë-Klinë; Sipërfaqja, pronë e Fabrikës së sheqerit në Zajm, pranë rrugës Prishtinë-Pejë; Sipërfaqët e Fabrikës së sheqerit në Budisalc, ku ekziston rruga lokale e asfaltuar; Fshati Biçë, sipërfaqja pronë e Kombinatit Bujqësor “Malishgan”; Fshati Jashanica, sipërfaqët e Kombinatit “Malishgan”, larg 3 km nga rruga asfaltuar Klinë-Ujëmir. Sipërfaqe punuese në sektorin shtetëror e shoqëror, e cila mund t’u ndahej familjeve, të cilat dëshirojnë të vijnë dhe të jetojnë në këtë komunë është 3.422,86 ha.



- Komuna e Deçanit: Ndërtimi i vendbanimit në të cilin do të jetonin serbët dhe malazezët e shpërngulur nga fshatrat e kësaj komune, në lokalitetin në ngastren “Rrafshi i Koshtanit” (3 km) dhe në fshatin Rastavicë (8 km). Serbëve dhe malazezëve të ikur nga Shqipëria të cilët janë vendosur në Baballoq dhe Junik u është ndarë 600 ha tokë punuese. Kjo komunë momentalisht posedon edhe me 40 ha tokë punuese, e cila eventualisht mund të ndahej për punim.



- Komuna e Istogut: KK i Istogut në mbledhjen e jashtëzakonshme më 14.09.1998 ka marrë vendimin për ndarjen e 97,66 ha tokë në kompleksin Bellopojë-Dubravë. Janë lëshuar 147 vendime me nga 20 ari truall për ndërtimin e shtëpive familjare. Mirëpo, refugjatët që ishin të vendosur në këtë komunë janë larguar dhe kanë shkuar në Amerikë. Në pronësinë shtetërore dhe industriale ka gjithsej 3.793 ha tokë.



- Komuna e Fushë-Kosovës: Lokacioni Komplesi 300, është paraparë ndërtimi i objekteve banesore shumëkatëshe, përkatësisht 327 banesa sipas programit JU, për kolonizimin e të kthyerve. Deri më tani në këtë lokacion 42 banesa sipas JU programit janë ndërtuar të cilat janë në shrytëzim nga viti 1992 dhe 49 banesa për treg, të cilat i ka blerë Armata Jugosllave që gjithashtu janë në funksion. Gjatë vitit 1997 në këtë lokacion ka filluar ndërtimi edhe i 36 banesave sipas JU programit dhe 24 banesa nëpërmjet të Fondit të solidaritetit. Në këtë lokacion mund të fillojë ndërtimi edhe i 168 banesave. Popullata e këtyre vendbanimeve do të punësohej në Elektroekonominë e Kosovës, Ndërmarrjen hekurudhore, NSH “Thertorja”, Kombinatin e teksitilit “Jumko” dhe në organizatat tjera që gravitojnë në komunën e Fushë-Kosovës. Posedon me 75 ha tokë punuese Uglar e Miradi e Epërme) për këtë qëllim.



- Komuna e Lypianit: Mundësia e ndërtimit të vendbanimeve në fshatrat Magure dhe Suhadoll. Në Magure që nga viti 1995 ka filluar iniciativa për ndërtimin e lagjës së refugjatëve. Për këtë qëllim u ndanë 10.54,96 ha tokë, punësimi i të cilëve do të bëhej në Minierën e magnezitit “Golesh”. Në këtë kohë është ndërmarrë iniciativa edhe për ndërtimin e shtëpive në vendbanimin Suhadoll. Kjo komunë posedon për ndarje të sipërfaqeve tokësore familjeve, të varfëra dhe atyre që dëshirojnë të jetojnë dhe të punojnë në Kosovë: ara - 131,65,13 ha, kullota - 904,56,46 ha, livadhe - 23,00,35 ha, livadhe - 23,00,37 ha, male 296,50,94 ha dhe tokë jopjellore 14,74,42 ha.



- Komuna e Podujevës: Në largësi prej 2 km nga qendra e qytetit mund të ndërtohej vendbanimi prej 100 shtëpive familjare në vendin e quajtur “Fusha e Livadhisë”, 20 troje të parcelizuar përmbi hekurudhën, te kisha ortodokse dhe 106 troje për shtëpi familjare të NSH “Fagar”. Këto vendbanime parashihen për ata që jetojnë dhe punojnë në territorin e kësaj komune dhe nuk e kanë të zgjidhur çështjen banesore, ata të cilët dëshirojnë të vijnë dhë të jetojnë në këtë komunë dhe refugjatët nga Kroacia, të cilët dëshirojnë të mbesin këtu. Punësimi i tyre në ndërmarrjet e kësaj komune. Për këtë qëllim kooperativat bujqësore posedojnë me 139 ha sipërfaqe (Ballofc 15 ha, Shajkoc 20 ha, Merdar 14 ha, Obranxhë 20 ha, Shammalluk 30 ha, Dyz 25 ha dhe Zakut 15 ha).



- Komuna e Vushtrrisë: Në këtë komunë planifikohej ndërtimi i vendbanimeve në këto lokacione: fshatin Maxhunaj, Lokacioni i qytetit “Kooperativa”, Lokacioni i qytetit “A reparti”, Lokacioni i qytetit “Polet”, Lokacioni “Prilluzha 1-2-3”, Stanofci i Poshtëm, Stanofci i Epërm, Novolani, Samadrexha, Pantina, Vërmica, Bukoshi, Nadakoci, Druari dhe Begaj. Në këto do të jetonin refgjatët, familjet në gjendje të vështirë materiale, ato familje që nuk kanë tokë ndërtimore. Punësimi i tyre do të bëhej në ndërmarrjet dhe fabrikat e qytetit dhe të tjera. Për këtë qëllim ishin planifikuar 170 ha sipërfaqe tokësore (Gracë 100 ha tokë punuese, vendi “Bregu” 7 ha, Vendi “Korrizi” 3 ha, afër Llapit, fshati Maxhunaj - 60 ha).



- Komuna e Prishtinës: Kuvendi i Qytetit të Prishtinës ka siguruar edhe nga aspekti urbanistik ka caktuar për ndërtimin e shtëpive: në Hajvali 141 troje me nga 10 ari, me mundësi punësimi në Minierën e Hajvalisë; në Leban 175 troje me nga 7,5 ari, me mundësi të punësimit në Elektroekonominë e Kosovës; në fshatin Nëntë Jugoviqët 59 troje me nga 5 ari, me mundësi të punësimit në Elektroekonominë e Kosovës dhe në kolektivet e Prishtinës. Në ndërkohë është, duke u përgatitur ndarja e 150 trojeve me nga 7 ari në fshatin Badovc për “Vendbanimin e solidaritetit serb”. Sipërfaqe bujqësore, të cilat mund t’u ndahen familjeve të varfëra dhe familjeve që dëshirojnë të vijnë dhe të jetojnë në këtë mes është 72,36,80 ha.

Në anën tjetër, si pasojë e dhunës e terrorit qysh heret kishte nisur vala e shpërnguljes së shqiptarëve në formë refugjatësh, azilantësh politikë, stinorë etj. Sipas të dhënave të ndryshme, rezulton se deri më 1996, nëpër shtete të ndryshme të Evropës gjendeshin rreth 350.000 azilkërkues shqiptarë nga Kosova. Numri I tyre deri në vitin 1999 arriti deri në 500.000.



Vrasjet, masakrat, dëbimi masiv i shqiptarëve dhe kthyerja e tyre



Platforma antishqiptare e pushtetarëve serbë për asgjësimin e shqiptarëve ka gjetur zbatimin e saj në vazhdimësi kohore në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Ajo ka pasur kulmet e veta herë në fushën ekonomike, herë në atë politike, herë në atë fetare apo në atë ushtarake, por vazhdimisht të gërshetuara.



Ndaj popullatës dhe vendbanimeve shqiptare, policia, ushtria dhe paramilitarët serbë në masë të gjerë, duke filluar në mars të vitit 1998 e deri në pranverë të vitit 1999 ndërmorën ofensiva për vrasjen e popullatës shqiptare dhe rrënimin e vendbanimeve të tyre. Kjo shtypje kulmin e arriti në muajt mars - qershor 1999. Në këtë fundshekulli, kur bota përgatitet të hyjë në mijëvjeçarin e tretë me arritje njerëzore e qytetare, shqiptarët e Kosovës pësuan një tragjedi të vërtetë: ata u ndodhën përpara mizorive dhe reprezaljeve makabre si dhe përpara një spastrimi të egër etnik të ushtruar nga ana e forcave policore e ushtarake si asnjëherë tjetër më parë. Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij, në zbatimin e planeve të përgatitura në fshehtësi, hodhën kundër shqiptarëve kosovarë armatën 45-mijëshe të policëve, ushtarakëve dhe paraushtarakëve serbë. Repartet e saj me uniforma e pa uniforma nxirrnin dhunshëm brenda disa minutave shqiptarët nga banesat dhe shtëpitë e tyre, disa nga të cilave ua vinin flakën, ndërsa njerëzit i nisnin drejt kufirit shqiptar e maqedonas. Millosheviqi kishte vendosur që t’i qëronte hesapet përgjithmonë me shqiptarët e Kosovës, ta spastronte etnikisht tokën sa më parë nga këta banorë autoktonë. Kështu planifikonte që 610 vjetorin e Betejës së Kosovës ta “festonte” në Gazimestan pa shqiptarë në Kosovë.



Edhe përkundër vrasjeve, masakrave e dëbimeve të shqiptarëve, pushteti serb me qëllim të kolonizimit të Kosovës bënte propagandë dhe vazhdonte ndërtimin e objekteve të banimit për popullatën serbe. Kështu, siç njofton gazeta “Jedinstvo” e Prishtinës, e datës 11 mars 1999, në lagjen “Bazhdarhane” në Prizren me 10 mars 1999 filloi ndërtimi i 236 banesave për nevoja të Ushtrisë Jugosllave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe kuadrave të nevojshme për ekonominë e Prizrenit.



Vala e terrorit të institucionalizuar shtetëror serb, e vrasjeve, e masakrimeve, e ekzekutimeve të shqiptarëve përfshiu mbarë Kosovën. Paramilitarët e policët, por dhe ushtarët e egërsuar serbë mund të vrisnin dhe vrisnin kë të donin e kur të donin - pa ndjerë kurrfarë përgjëgjësie as morale, as njerëzore e as ligjore. Mund të vrisnin edhe vrisnin të rinj e të reja, pleq, plaka e burra, duke mos kursyer as fëmijë e as foshnja. Vrisnin - me apo pa motiv. Vetëm pse ishin shqiptarë. Vetëm pse donin t’i zhduknin nga faqja e dheut, t’i zhduknin nga Kosova, në mënyrë që ata, që mund të shpëtonin nga plumbi ose nga thika e tyre, të iknin, të detyroheshin të largoheshin nga Kosova, në qoftë se rastësisht mund të shpëtonin nga arrestimi apo deportimi i dhunshëm i tyre.



Vrasjet dhe masakrat barbare më monstruoze, që bëri pushteti kundër popullit shqiptar në Kosovë, me synim plotësisht të qartë për shfarosjen totale të tërë popullatës shqiptare të Kosovës demaskoi plotësisht politikën dhe karakterin gjenocidal të pushtetit dhe të shtetit serb. Falangat dhe kordonet ushtarake, policore e paramilitare serbe të vdekjes nuk kursyen jo vetëm civilët e paarmatosur shqiptarë, por as gratë, as fëmijët, as foshnjet e as pleqtë e tyre. Duke treguar haptas tërë egërsinë e tyre dhe duke u munduar t’i fshinin gjurmët e dhunës makabre, forcat serbe dogjën viktimat e terrorit të tyre, ose edhe i zhvarrosën dhe i dërguan trupat e tyre në drejtime të panjohura, të cilat sot po zbulohen në varrezat e shumta nëpër Serbi.



Me fillimin e konfliktit të armatosur në Kosovë (mars 1998), spastrimi etnik e gjenocidi morën formën e një veprimtarie barbare, që sfidoi gjithë bashkësinë ndërkombëtare në prag të shekullit XXI. Bombardimet e NATO-s të filluara më 24 mars 1999 kishin për synim ndaljen dhe ndërprerjen e spastrimit etnik të Kosovës me vrasje, masakrime e ekzekutime, me plaçkitje, rrënime e djegie të vendbanimeve të tëra dhe me deportimin masiv të popullsisë shqiptare nga trojet e veta etnike, që ushtronte pushteti ushtarako-policor serbë mbi popullatën shqiptare.



Planet serbe, të propozuara edhe nga Dobrica Qosiq e akademikë të tjerë serbë, deri edhe nga qarqe të politikës zyrtare të Beogradit, kanë planifikuar zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët. Për të arritur këtë qëllim, është ushtruar gjenocid i plotë mbi një popullsi të tërë në Kosovë. Është masakruar gjithë ajo popullsi civile, për t’u poshtëruar në atë masë aq barbare e për t’u deportuar ajo në tri drejtime: Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Ky dëbim ishte eksoduesi, përkatësisht zhvendosja më masive në Evropë që nga Lufta së Dytë Botërore.



Dëbimi - nxjerrja e njerëzve me dhunë nga shtëpitë dhe banesat e tyre, ku para tytave të automatikëve urdhëroheshin që të vazhdojnë drejt stacionit të trenit ose të motorizuar, madje edhe këmbë iknin drejt Shqipërisë, kufirit me Maqedoninë, por edhe drejt viseve me popullatë kryesisht shqiptare e boshnjake në Mal të Zi. Nga të katër anët e Kosovës kolona njerëzish në këmbë, me traktorë, me makina e me tren kishin marrë rrugën e mërgimit, të ndjekur e të persekutuar nga forcat serbe. Në mesin e tyre kishte edhe të sëmurë e të moshuar dhe të hendikepuar, gra shtatëzëna e fëmijë dhe foshnja të posalindura. Udhëtonin këta të ndjekur ose ecnin këmbë kilometra e kilometra në kushte të vështira atmosferike e me përjetime e kujtime tronditëse për njerëz të vrarë e të pavarrosur, kufoma të hedhura anës rrugëve, djegie të tyre e të shtëpive të tyre. U sendërtuan në vepër thëniet e kriminelit Sheshel, i cili vazhdimisht theksonte se shqiptarët duhet të ndiqen përtej Bjeshkëve të Nemura, të vdekur ose të gjallë... Ndërsa, pushteti serb kishte bërë plane që pas kësaj të gjithë refugjatët nga Kroacia e Bosnja të sillen në Kosovë si dhe një numër i popullatës serbe nga e ashtuquajtura “Srpska Republika”, p.sh. pjesë e popullatës së Banja Llukës në Prishtinë e kështu me radhë.



Për të dëbuarit në Maqedoni vend i ferrit ishte Bllaca, ku njerëzit ballafaqoheshin me vdekjen. Të moshuarit, të sëmurit, fëmijët, të lodhur e të rraskapitur, të mërdhirë e të uritur erreshin, por nuk gjenin dot të gjallë. Bllaca ishte një katastrofë njerëzore e politikës antihumane ndaj një populli të pambrojtur. Bllaca, si e këtillë, u dënua nga opinioni demokratik e humanitar botëror.



Pas asaj rrëmuje të invazionit të policëve dhe të paramilitarëve, shtëpitë shqiptare mbetën dyerhapur. Mbetën edhe shporetat e ndezur, edhe buka në shporetë, gjellëra mbi të e përgatitur, tryeza e shtruar.



Gjatë dëbimit iu plaçkitën të hollat, gjërat me vlerë, automobilët. Ata që nuk kishin maltretoheshin, rraheshin apo edhe vriteshin. Dokumentet personale u merreshin dhe menjëherë ua grisnin, me qëllim që ata të mos kenë dëshmi legjimiteti. Ata ishin të bindur se shqiptarët nuk do të kthehen kurrë. Edhe gjatë dëbimit paramilitarët serbë u thonin: Se kurrë nuk do ta shohin Kosovën më, e nëse e shohin ate do ta shohin nëpërmjet ekranit të televizionit!; Se vetë e keni kërkuar këtë, shkoni në Shqipëri se ajo është juaja, kjo është Serbi!; Qe kjo është NATO-ja, vetë e këni kerkuar atë, etj.



Para tërheqjes, paramilitarët serbë ekzekutonin shqiptarët në vend, ndërsa gjatë tërheqjes ndanin burrat nga gratë, nga anëtarët e familjes dhe i kanë ekzektuar apo i kanë humbur, ndërsa gratë dhe vajzat ka raste kur i kanë dhunuar.



Lidhur me dëbimin e popullatës shqiptare nga Kosova, Kadare shkruante: “Deportimi i shqiptarëve të Kosovës është e treta tragjedi, më e egra, më e pashembullta e më mizorja. Por ajo ka brenda, bashkë me zinë, edhe dritën e së ardhmës. Është hera e parë që shqiptarët do të kthehen përsëri atje prej nga u shkulën. Në fatin tonë ka ndodhur nj ndryshim, nga ato që quhen hyjnore. Shqipëria, pas gjithë anktheve të saj po skajohet më në fund në atë pjesë të botës, që ëndërronin njerëzit me të ndritur të saj, që nga Gjergj Kastrioti gjer të rilindasit: në zonën evropiane, ku ka qenë e aty ku e kishte vendin. Të tjerët, fqinjët e saj të egër le të shkojnë ku të duan. Atë Kosovë, që e lanë si një të keqe, shqiptarët do të mbushin përsëri me praninë e tyre, me djemtë dhe vajzat e bukra, me rrudhat e pleqve, me armatë e pathyeshme të foshnjeve e të fëmijëve, që do të përtërihen të gjitha, siç përtërihej jeta pas ikjes së mortajës. Jeta e rikthyer pas një sezone çmohen më shumë, dhe po ashtu çmohet me shumë toka dhe shtëpia, ninullat dhe librat, de gjithçka tetër që përbën atë që thuhet vendi i atit, atdheu. Duke u ndarë nga një natë e zezë tmerri, shqiptarët nuk duhet të harrojnë në jetë të jetëve atë që u ndodhi. Jo për të rënë në kurthin e urrejtjes shterpe, por për të çmuar e për ta mbrojtur më mirë jetën e tyre…”.[184]



Pushteti ka luajtur lojën e dyfishtë, atë të krimit të organizuar e të krijimit të bindjes te popullsia lokale serbe e malazeze se me dëbimin e shqiptarëve kjo anë do të jetë gjithmonë Serbi. Disa serbë vendorë naivë janë nxitur të bëjnë krime e mizori mbi fqinjët e vet shqiptarë, madje edhe pronat e shqiptarëve u janë ndarë serbëve lokalë. Kështu shumë serbë vendorë janë vënë pas krimit, plaçkës e ndarjes së tokave të shqiptarëve. Mirëpo, në fund pasi u shfrytëzuan u tradhtuan nga pushteti dhe një numër i tyre, pas kthimit të shqiptarëve, pas muajit qershor 1999 në atdhe, pasi i kishin duart e përgjakura bashkë me paramilitarët, policët e ushtarakët, shkuan pas tyre në Serbi e gjetiu, ku pjesa më e madhe e tyre kishte shtëpitë dhe banesat e veta.



Vandalizmi i pushtetit serb krahas krimeve çnjerëzore mbi shqiptarët, rrënimit të fshatrave shqiptare me tërë infrastrukturën, në shënjestër të shkatërrimeve sistematike pati edhe objektet shkollore, ambulanca, shtëpi të kulturës, objekte me vlerë të trashëgimisë historiko-kulturore, si p.sh. shumë kulla të vjetra shqiptare, me 27 mars 1999 ndërtesën e kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Çarshinë e Gjakovës, Çarshinë e Pejës, më se 209 xhami, shumë teqe, shtëpi të vjetra me vlerë të madhe arkitektonike etj., si dhe shumë dokumente arkivore, libra, eksponate muzeale etj.



Gjatë kësaj periudhe pushteti serb kishte plaçkitur nga kuvendet komunale, zyret e vendit etj., tërë dokumentacionin e ofiçarive, siç ishin librat amë të të lindurve, të të kurorëzuarve, të të vdekurve, librat e nënshtetësisë, pastaj dokumentacionin e shërbimeve kadastrale etj. Ato i kishte shpërndarë nëpër qytete të Serbisë. Ndërsa, dokumentet e tilla personale dhe pronësore që posedonin shqiptarët, soldateska serbe u kishte djegur së bashku me shtëpitë dhe gjithë pasurinë që kishin, ose ua kishin grisur gjatë dëbimit të tyre. Qëllimi i tërë kësaj ishte, që dokumentet e gjendjes civile, së bashku me librat e shërbimeve kadastrale dhe dokumentet e tjera me vlerë që dëshmojnë qenësinë dhe indentitetin shqiptar të Kosovës, ajo i plaçkiti për t’i fshehur gjurmët e spastrimit etnik që bënte në Kosovë dhe për të ndërruar me dhunë strukturën demografike të popullsisë në favor të pakicës serbe e malazeze dhe për t’ua ndaluar me dhunë të dëbuarve përgjithmonë kthimin në Kosovë, duke u munduar që para syve të opinionit botëror të paraqesin mungesën e këtyre dokumenteve, si “argument” se ata nuk kanë qenë kinse asnjëherë banorë të kësaj treve. Nga Arkivi i Kosovës është marrë dokumentacioni për kolonizimin e Kosovës ndërmjet dy luftërave botërore, ai i revizionit të reformës agrare dhe dokumentacion tjetër për çështje pronësoro-juridike dhe ate të dënimeve politike pas Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu edhe nga institucionet tjera shtetërore janë marrë dokumentet si ai nga Sekretariati i Punëve të Brendshme të Kosovës, nga Enti i Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës së Kosovës, Muzeu i Kosovës dhe shumë institucione të tjera.



Deri në fillim të majit 1999, nga Kosova ishin përzënë rreth 730.000 shqiptarë. Prej tyre 605.000 u strehuan në Shqipëri, në Maqedoni, Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa 125.000 të tjerë në vende të ndryshme të Evropës dhe të Amerikës dhe Australisë. Po t’u shtohen këtyre refugjatëve edhe të ikurit deri më 1996, del se shovenizmi serb shpërnguli me dhunë deri në maj afro 1.000.000 shqiptarë të Kosovës ose më shumë se ½ e popullsisë shqiptare të këtyre trojeve. Rreth 700.000 shqiptarë u shpërngulën nga banesat dhe shtëpitë e tyre dhe u detyruan të jetonin në rajonet malore të Kosovës në një situatë dramatike.[185]


Sipas të dhënave të UNCHR në fillim të qershorit 1999, nga refugjatët e dëbuar prej Kosovë 443.300 ishin vendosur në Shqipëri; 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi; 21.700 në Bosnje e Hercegovinë, gjithsej 782.100. Në vendet tjera të botës u vendosën gjithsej 76.475 refugjatë, duke përfshirë 13.639 në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.829 në Itali, 5.730 në SHBA, pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani të Madhe, Poloni, Spanjë, Portugali, Finlandë, Izrael etj.[186]



Duhet theksuar se në mbrojtje të popullatës vendore shqiptare, të pragut të shtëpisë, në kthimin e krenarisë kombëtare, në sensibilimin e çështjës shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe në çlirimin e vendit kishte dhën padyshim Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bijët dhe bijat më të mira të popullit tonë. Disa nga ata dhanë vlerën më të shtrejtë për liri e pavarësi – jetën.



Njësitë militare e paramilitare anticivile serbe kanë bërë në Kosovë krime të rënda, përmasa të krimeve kundër njerëzimit. Kriminelët serbë, përkundër gjithë egërsisë që kanë treguar duke vrarë, ekzekutuar, masakruar dhe torturuar në mënyrën më të tmerrshme viktimat, gjatë tërë kohës janë munduar t’i fshehin gjurmët e krimeve të veta, duke varrosur e zhvarrosur trupat e vrarëve e të të masakruarve, duke i bartur nga një vend në vendin tjetër, duke i hedhur në puse e humnera ose edhe duke i djegur e zhdukur në mënyra të ndryshme. Megjithatë, edhe në Kosovë po shihet se krimet nuk mund të fshehen. Këtë e ka vërtetuar edhe zbulimi i rreth 550 varrezave masive dhe i qindra e mijëra varreve individuale me trupat e dekompozuar e skeletet e viktimave që ende po gjenden nëpër vise të ndryshme të Kosovës të shkaktuar nga kriminelët serbë.



Numri i të vrarëve, të ekzekutuarëve, të masakruarëve, të djegurve për së gjalli apo për së vdekuri, sipas parametrave të deritashëm, vlerësohet të jetë së paku 11.000. Mbi 2.000 shqiptarë të burgosur dihet se po dergjen nëpër burgjet e Serbisë e të Vojvodinës, ndërsa deri në 4.000 vlerësohet të jetë numri i të zhdukurve dhe i të kindapuarve. Ushtarët, policët e paramilitarët serbë kanë dhunuar femrat shqiptare në pjesë të ndryshme të Kosovës. Numri i objekteve të shkatërruara, të djegura ose të dëmtuara - i shtëpive dhe i banesave, i lokaleve afariste dhe i fabrikave, i shkollave dhe i objekteve të tjera arsimore, kulturore e shkencore, i objekteve fetare, i monumenteve kulturore e historike që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, lokaleve afariste, punëtori zejtare, fabrika etj. - është tejet i madh. Vlerësohet se gjatë luftës në Kosovë (mars 1998 - qershor 1999) sipas të dhënave jokomplete janë shkatërruar dhe djegur 204.285 shtëpi, pastaj banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, në 1300 vendbanime të 29 komunave, 534 shkolla dhe 240 institucione shëndetësore, kurse 617 vendbanimeve janë shkatërruar instalimet dhe objektet për furnizim me rrymë, ujë të pijes dhe kanalizim.[187]



Këto shkatërrime ata i bënë në emër të edukatës ksenofobe e, sidomos, të politikës serbomadhe të Millosheviqit dhe të klikës së tij. Në shtyp, në masmedia dhe në meshat e tyre ata e mbiquajtën Kosovën “Djep i shtetit serbë”, “Jeruzalemi serb”, “Serbi e Vjetër” etj. Dhe për ta gdhendur në mendjet e zemrat e gjeneratave të tyre, ata asgjësuan, përshtatën, modifikuan, krijuan ose ngritën buste, monumente, vendosën pllakata e simbole të reja anembanë Kosovës.



Strategjia serbe eshtë strategji e tokës së djegur dhe të vdekur. Spastrimi etnik që të pushtohet tërësisht territori. Pushtetarët serb kanë zhvilluar strategjinë e vet me një parim të luftërave të mëparshme të vjetra me shekuj, që thotë se “asnjë popull nuk mund të pushtohet”. Për të pushtuar territorin ata kanë zgjedhur taktikën e spastrimit etnik. Kanë pasur për qëllim që të okupojnë tokat, por nuk kanë dashur që ato toka të kenë popull joserb, lëvizja për çlirim do të ishte e vazhdueshme dhe një ditë patjetër ai popull do të gëzonte lirinë.



Mirëpo, populli shqiptar, rinia e tij përherë iu kishte kundërvën këtij terrori e kësaj dhune, e atë me forma të ndryshme. Në fillim me organizimin e organizatave ilegale, pastaj marrjes së aksioneve kundër organeve të pushtetit si dhe në vitet e fundit edhe me rezistencën aktive - forminin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën ishin përfshirë bijt dhe bijat më të mira të popullit shqiptar në mbrojtje dhe çlirim të atdheut. Falë kësaj ushtrie, e cila filloi nismën e çlirimit të vendit, pastaj angazhimi i forcave të Aleancës Veriatlantike - NATO-s në sulmet ajrore ndaj forcave serbe që nga 24 marsi e deri me 12 qershor 1999, kur forcat tokësore të NATO-s hyn në Kosovë triumfalisht. Forcat okupuese serbe nënshkruan kapitullimin dhe u detyruan të tërhiqen nga Kosova, kurse populli shqiptar të kthehet në vatrat e veta në liri dhe të marshojë në rrugën për pavarësi.



Pas tërheqjes së trupave serbe ushtarake nga Kosova, rreth 47.000 trupa ushtarake përpara afatit të pranuar në Marrëveshjen ushtarako-teknike të nënshkruar nga NATO dhe komandantët ushtarakë të ish RFJ-së me 9 qershor 1999, janë tërhequr afro 800 tanke, transportuese të blinduara, topash dhe gryka zjarri artilerie. Menjëherë, po atë ditë dhe ditëve të tjera popullata shqiptare filloi kthimin në vatrat e veta. Këtë e bënë së pari refugjatët nga Maqedonia, pastaj ata nga Shqipëria e kështu me radhë, përkundër apelit të UHNCR të rrezikut nga minat, duke mos pritur fare kthimin e organizuar që paralajmëronin organizatat dhe institucionet ndërkombëtare humanitare e të tjera.



Kthimi i shpejtë i refugjatëve nga Maqedonia, nga Shqipëria dhe nga vendet perëndimore e të largëta, si SHBA, Kanada, Australia etj. është një fakt mahnitës për botën, që tregon se sa shumë janë të lidhur shqiptarët për tokën e vet, sa shumë dashuri kanë për atdhe.



Forcat aleate të NATO-s në krye me SHBA bënë aktin më humanitar deri më tani ndaj në populli të përvujtur, duke e mbrojtur nga asgjasimi total. Ato kontribuan që Kosova sot po shkon drejt pavarësisë. U bë konstituimi i organeve të pushtetit në udhëheqjen e UNMIK-ut të cilat gradualisht kompetencat janë duke ua lëshuar vendorëve. Ndërsa, popullata serbe dhe malazeze por edhe të tjerë e cila nuk kishte kurrfarë dorë në dhunë e terror me krijimin e kushteve filloi të kthehet në Kosovë, ndërsa me zgjidhjen e statusit të Kosovës ajo duhet definitivisht të kthehet dhe të jetojë së bashku me popullatën vendore shqiptare dhe të tjerë në barazi të plotë dhe në një shtet të ri e perspektivë – Kosovën.



PËRFUNDIM

Keine Kommentare: