Sonntag, 24. Juni 2007

Nga Behxhet Shala,Sarkozi dhe Artisari,Pavarsia kur te del bari,kur ta kullot Gomari

Nga Behxhet SHALA "Sarkozi dhe Ahtisari – pavaresia kur te del bari, pasi ta kullot gomari, a ka ketu burreri dhe drejtesi! " Jun 21, '07 8:18 AM
for everyone


Në fund të javës ( Sarkozi dhe Ahtisari – pavarësia kur të del bari, pasi ta kullot gomari, Licitacioni i Kosovës – Ekipi i Unitetit për rroga 520.000 Euro për një vit për Ahtisari, Adem Demaçi – 480 euro në vit pension të UNMIK - ut për pavarësi – a ka këtu burrëri dhe drejtësi! etj. )



KUSH BESON SE KOSOVA NË OKB – Ë KA PËRFAQËSUES, NUK E MERITON TË JETË NË MUÇIVERC AS MËSUES !



Sarkozi dhe Ahtisari – pavarësia kur të del bari, pasi ta kullot gomari : Sarkozi, që në fillim duket se sipas Ahtisarit e ka bërë një gabim, të vogël, duke e shndërruar pakon në thes të cilin do ta hapë pas gjashtë muajsh, si dhuratë për vit të ri për disa fëmijë që merren me politikë e që çdo gjë e kanë lidhur me frikë. Sarkozi, nuk është se e ka bërë këtë kokë me vete dhe pse ka ëndërruar një natë më pare, për ta gëzuar miletin shqiptar por, në lojë janë do interesa tjera, në radhë të parë të Serbisë dhe Rusisë. Shtyrja e statusit nuk bëhet vetëm për 6 apo 16 muaj por ka gjasa reale të shndërrohet në përditshmëri, në mënyrë të jetesës me të cilin do të pajtoheshim ,sikur djali i cili me dhunë detyrohet të bëhet dhëndërr por e kemi një rrethanë lehtësuese sepse çdo gjë e kemi shndërruar në ëndërr! Ekipi i Unitetit, në anën tjetër po thotë se nuk ka shtyrje të statusit por vetëm zgjatje, si bishti i karrabishtit! Pastaj, se nuk do të ketë bisedime me Serbinë por me Tanzaninë ngase liria dhe pavarësia janë fituar më 1999 e as që iu kërset çka thonë Serbia dhe Rusia. Kur i dëgjon, si përpiqen ta luajnë rolin e burrit, dalin si do personazhe të litarit dhe hurit, por për kokë të Rinës, këta nuk janë asgjë tjetër veçse marioneta - kukulla të Tinës! Tash po del se drafti për Kushtetutën e Kosovës nuk është shkruar sipas vullnetit të Prishtinës por sipas vullnetit të serbëve të Jagodinës, se UÇK nuk ka luftuar në Kosovë dhe Metohi por në Mongoli, se qytetarët e Kosovës nuk kanë histori të shkruar por nga Kina e kanë kopijuar, se shqiptarët e Kosovës nuk kanë vdekur për shkak të dhunës por faji është në Angolë, te Partia e Punës! Andaj, edhe Karla del Ponte, në mungesë të fakteve për ta akuzuar Serbinë për krime të luftës po e kundërshtonë pavarësinë, për Kosovë dhe Metohinë! Ekipi i Unitetit e ka lehtë ta sajojë rrenën e radhës nëse si terapi e përdorë rakinë e thanes. Si hap për qetësim e kanë fjalën e Bushit dhe vendosmërinë e Hashim Babushit, Ylber Haxhisë, Veton Rusisë, Blerim Shaljanit dhe Kolë Matjanit! Këta, edhe mund të dështojnë por zëvendësimi strategjik ( drita në fund të tunelit ) i cili nuk mund të dështojë në asnjë mënyrë e kam, martirin e xhihadit politik dhe politikanin gjenial pragmatik, Skendë Kaprrollin, birin e Kosovës, kryetar bashkie dhe rektor i ardhshëm i Universitetit të Popovës! Në Llap është i njohur Universiteti i Popovës që ka dhënë kuadro edhe për Universitetin e Oxfordit dhe ate tëPadovës! Në Universitetin e Popovës nuk do të mësohet as për ekonomi, gjeografi, burrëri, ndershmëri e as për drejtësi por ekskluzivisht për kopili- diplomaci. Ndërkaq, Skenda Nacionale që, për trashëgim e ka shkathtësinë për lobim dhe me përvojë të pasur në diplomaci, ndërkombëtare e sidomos asaj locale, nuk e ka vështirë që Universitetin e Popovës ta bëj më të famshëm se ate të Padovës! Si përfaqësues i përhershëm i Kosovës në Kombet e Bashkuara, i ka dhënë do deklarata të paharruara, që kanë hyrë në histori për……mençuri! Faleminderit televizionit 21 që na tregojë se Kosova nuk është, në planin diplomatik e mjerë dhe se përveç Skendë Kaprrollit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara i kemi edhe do përfaqësues tjerë! Nëse besoni se Kosova në OKB ka përfaqësues, nuk meritoni që në Muçiverc të bëheni as hoxhë e as mësues! Nuk është problemi te Sarkozi sa është te Kushneri që në Kosovë do ta luaj rolin e një xhokeri! Nuk ka nevojë të hypësh në maje të sanës e ta vëresh se do të na kajë nënën e nënës!Duket se Shuk C Stivenit i ka hyrë uji në vesh dhe ka filluar t’i bjerë lija dhe së shpejti mund të shkojë te shtëpia! Thuaja para 6 muajve pata deklaruar se Shuku nuk është haxhi i Qabes por menaxheri kryesor i grupit të Ali Babës , që në vend të nderit dhe burrërisë, e kanë përsosur artin e tenderave dhe të hajnisë, në emër të pavarësisë! Po të zbatohej drejtësia, do t’i binte pianos disa vjet para se të shkonte te shtëpia, kështu, ashiqare do të shkojë në ndonjë mision tjetër ku, nuk do t’i vallëzojnë mbi tavolinë do zogëza shqiptare!

Licitacioni i Kosovës : Ekipi i Unitetit për rroga 520.000 Euro për Ahtisari Adem Demaçi, 480 euro në vit pension të UNMIK-ut për pavarësi – a ka këtu burrëri dhe drejtësi! Edhe më heret është përfolur se “ baballarët e pavarësisë” së Kosovës do të shpërblehen për angazhimin politik dhe praktik ashtu siç u shpërblyen lojtarët e Realit për titullin e kampionit në Gadishullin Iberik. Derisa Reali ka shënuar në golin e kundërshtarit, Ekipi i Unitetit ia ka futur, në radhë të parë , qytetarit! Reali shënonte, Ekipi i Unitetit gënjente dhe mashtronte! Reali udhëhiqej nga Fabio Kapello, ekspert i strategjisë, Ekipi i Unitetit u dorëzua , pa kusht dhe turpshëm para Zeusit të Arbërisë! Dhe rezultati dihet, Reali po e bartë flamurin e fitores, Ekipi i Unitetit e ka varur pavarësinë në bisht të sorrës! E tani, ju pensionist që jetoni me lëmoshë- 40 euro në muaj, pjesëtarë të TMK –së – ushtrisë hipotetike që në vend të armatimit Kosovën e mbroni me mjete efikase higjienike dhe që ofroni shërbime teknike , pjesëtarë të SHPK – së që për 200 euro në muaj ju vrajnë dhe ju shajnë, ju punëtorë të shëndetësisë dhe të arsimit që për të mbijetuar me 150 euro e hiqni të zitë e ullirit, ish-ushtarë, oborrtarë dhe paramilitar politik dhe rrogtarë të të gjitha regjimeve me interes strategjik, mos protestoni, mos u hidhëroni, mos u zemëroni, mos vajtoni por duroni si burrat e shqiptarisë dhe flijohuni, për hir të pavarësisë! Keni mirësinë dhe kuptoni se nga buxheti i Kosovës nuk mund të pëfitoni! Janë do të tjerë që, ashiqare, kanë nevojë më shumë se ju, për pare, pa hajgare! Ta mbrojmë qëndrimin e kryetarit për të cilin pavarësia e Kosovës është paketa e Ahtisarit! T’i besojmë premtimit të Hashimit, mikut të ngushtë të Albinit! Paraja, shkon e vjen, si era, pavarësia njëhere vjen te dera! Dhe si në serialet e televizisë, vetëm i bjen kah dera e shtëpisë dhe shkon në drejtim të Serbisë përmes vendeve “ mike” të Evropës e sidomos Rusisë! Ajo pak që mbetet nga pavarësia, me te merret alkimia, e shndërron në autonomi e cila kthehet në Kosovë dhe Metohi! Nuk janë asgjë 520.000 mijë, nëse për Palestinën sigurohet një pavarësi! Kur e pyeta një mik se a është në rregull që Adem Demaçi për 28 vjet të kaluara në robi merr 480 euro pension në vit, menjëhere më ndërpreu duke më thenë, pak prit or mik; Adem Demaçi ka qenë në burg për budallaki e jo për pavarësi, ka qenë për Enver Hoxhën, Serbinë dhe Rusinë kurse për fund e bëri skllotë krejt me Ballkaninë, Millanin e kishte vëlla, Radën simpati, Rugovën nuk e donte, Hashimin e injoronte pra, vlerat më të mëdha të vëllazërim – bashkimit dhe asaj ndërkombëtare nuk i bënte hesap për pesë pare! Dhe, po të pyetesha unë, më tha, edhe ato 480 euro do t’i mirrja Adem Daisë dhe do t’i transferoja në xhirollogarinë e Veton Rusisë! E tash, lexues të nderuar, nëse i referohemi moralit, nderit, të së drejtës, burrërisë dhe njerëzisë a janë më të vlefshme 480 eurot e Adem Daisë apo 520.000 euro të Blerim Ahtisarisë?! Lexues të nderuar, nesër do ta keni mundësinë ta lexoni tekstin integral dhe origjinal me të cilin do të konkuroj për Himnin e Kosovës, “ Rapsodi për Millojkën “. U lexofshim!



22.06.2007 Prishtinë Behxhet SH.SHALA, student për kopili – diplomaci në Universitetin e Popovës dhe simpatizues ( po të mos kisha frikë nga Kondoliza, me të cilën e ndaj fatin dhe inatin ) nuk do të thoja vetëm simpatizues i Adrianës së Tetovës por diç më tepër e që mund ta dëshmoj lehtë edhe në vepër.


Tags: opinione...!, kmdlnj/cdhrf, vedat xhymshiti
Prev: Nga Albion TOPIA 'Tri gabimet e pafalshme te Ilirve!!!'
Next: Nga Albion TOPIA “Së pari erdhi Ali baba, pas tij edhe 40 hajdutë, e Ne tani jetojmë

Keine Kommentare: