Shkruar nga Albin KURTI ''Pa ushtri kunder Çubriloviqit?! Jun 11, '07 6:06 AM
for everyone
Shkruar nga Albin KURTI;
Pa ushtri kundër Çubriloviqit?!
Pakon e Ahtisaarit nuk e ka refuzuar Vojislav Koshtunica e as Boris Tadiq. Pakon e Ahtisaarit e ka refuzuar Vaso Çubriloviq. Në memomrandumin e tij famëkeq të vitit 1937, ndër të tjera, ai shkruan edhe këtë: “Shqiptarët nuk mund të dëbohen vetëm nëpërmjet kolonizimit gradual. (…) Rruga dhe mënyra e vetme për t’ia dalur mbanë me ta është forca brutale e një shteti të organizuar, me çka ne kemi qenë gjithmonë superior ndaj tyre. (…) E vetmja metodë për zgjidhjen e këtij problemi është zhvendosja masive e shqiptarëve. (…) Statistikat tona të periudhës 1921 – 1931 gjithashtu tregojnë se pjelloria e grave shqiptare e kanë mundur politikën tonë kolonizuese.” Pakoja e Ahtisaarit ia tjetërson trashëgiminë kulturore Kosovës, e betonon ndarjen institucionale dhe territoriale mbi baza etnike, dhe krijon mundësinë për rikolonizimin e Kosovës – kthimin e serbëve ku ata duan dhe formimin e mëtutjeshëm të komunave të reja për ta. Mirëpo, pakoja e Ahtisaarit nuk i shpërngul shqiptarët menjëherë dhe masivisht. Ajo është shansi për ta bërë këtë gradualiasht. Andaj nuk i pëlqeu Vaso Çubriloviqit. Pakoja e Ahtisaarit është diakronike. Çubriloviqi preferonte zgjidhje sinkronike.
Gjatë viteve të ’90-ta Milosheviqi sillte në Kosovë refugjatë serbë nga Bosnja e Kroacia ndërkohë që rriste trysninë mbi shqiptarët gjë që rezultoi me mbi 300.000 shqiptarë nga Kosova që morrën botën në sy. Në vitin 1999 Milosheviqi iu kthye Çubriloviqit: i deportoi jashtë Kosovës afër një milion shqiptarë duke përfituar nga bombradimet ajrore të NATO-s që nuk u përcollën me trupa tokësore. Suksesi i Milosheviqit nuk ishte i qëndrueshëm meqë ai nuk e përfilli një tjetër sugjerim të Çubriloviqit. Shtëpitë dhe banesat e boshatisura të shqiptarëve nuk i mbushi me kolonizatorë serbë. Milosheviqi nuk e kishte përgatitur masën prej qindra mijëra civilëve serbë që do të zinin vendet e zbrazura nga shqiptarët.
Në fund të muajit prill të këtij viti, disa mijëra serbë u grumbulluan në pikën veriore kufitare të Kosovës. Ata ishin mostra simbolike e 220.000 ‘refugjatëve’ serbë me të cilët kërcënon Serbia e Koshtunicës dhe Tadiqit duke qenë të vetëdijshëm për lëshimin që bëri Milosheviqi. Mobilizimet aktuale të vullnetarëve serbë për luftën e ardhshme në Kosovë i ngjajnë aq shumë depërtimit të formacioneve çetnike të cilat i propozonte Çubriloviqi. Xhandarmëria serbe në dy vitet e fundit i ka intensifikuar kalimet dhe provokimet në komunën e Dardanës në të cilën nuk ka fare, ashtu siç nuk kishte asnjëherë, prezencë të TMK-së. Në anën tjetër, dihet që rreth 130.000 serbëve që janë në Kosovë askush nuk ua ka prekur armatimin që ua ka lënë Milosheviqi i cili, sidomos gjatë bombardimeve të NATO-s, i pat militarizuar që të gjithë ata. Djegia e pyjeve, posaqërisht në Besianë që kufizohet me Serbinë por edhe me Leposavqin në veri, si dhe djegiet në komunën e Burimit që kufizohet me Zubin Potokun, nuk janë aspak të rastësishme. Serbia po përgatit terrenin që ta zgjerojë veriun e Kosovës dhe jo vetëm ta pamundësojë çlirimin e tij. Ndërkohë, flitet edhe për ngrehje tendash në Maqedoni që do të shërbenin për fushimin e refugjatëve.
Serbia e refuzoi pakon e Ahtisaarit jo vetëm për shkak se atë e ka kur të dojë. Dhe, jo vetëm për shkak se synon që përmbajtjen e saj ta bëjë edhe më të dëmshme për Kosovën. Serbia e refuzoi pakon e Ahtisaarit sepse kështu tha Vaso Qubriloviqi.
Bashkësia ndërkombëtare si ndërmjetësuese në negociatat e Prishtinës me Beogradin nuk do ta bombardojë Serbinë për shkak të refuzimit të saj. Çështja e Kosovës, siç është kurthuar në KS të OKB-së, do të mbetet e bllokuar përderisa Serbia (dhe Rusia) do të jetë e pakënaqur dhe përderisa shqiptarët e Kosovës të presin e durojnë. Nëse trimërohet Kuvendi i Kosovës dhe e shpall pavarësinë e Kosovës kjo gjë nuk do ta bënte të pavarur Kosovën por vetëm veriun e saj. Veriu përfundimisht do ta legalizonte pavarësinë dhe shembullin e tij do ta ndiqnin edhe enklavat në brendi të Kosovës.
Pakoja e Ahtisaarit edhe ashtu nuk e konsideron problem veriun e Kosovës të cilit vetëm sa ia shton edhe një komunë të re serbe. Pakoja e Ahtisaarit problematizon pjesën tjetër të Kosovës për të cilën parasheh metamorfozë të llahtarshme përmes copëtimit e tjetërsimit.
Funksioni i deklaratave për njohjen e pavarësisë nga SHBA-të pa rezolutë të re të KS të OKB-së konsiston në balansimin e kërcënimeve të Rusisë me veto. Edhe nëse SHBA-të e njohin pavarësinë e Kosovës pavarësisht nga KS i OKB-së nuk do të përfitojmë asgjë nga një njohje e tillë nëse asaj nuk i paraprin armatosja e shqiptarëve të Kosovës nga SHBA-të ose së paku leja e SHBA-ve që Kosova të armatoset nga Shqipëria. SHBA-të e patën njohur edhe Bosnje e Hercegovinën si shtet të pavarur e sovran në fillim të vitit 1992. Por, të gjithë e dimë se çka ngjau pastaj në Bosnje dhe Hercegovinë (së cilës madje iu vendos edhe embargoja e armëve) nga viti 1992 e deri në vitin 1995.
KFOR-i s’na mbron dot. Dëshmi për këtë është tolerimi tetë vjeçar i strukturave të Serbisë dhe i veriut të ndarë. Dëshmi për këtë është soditja që KFOR-i i bëri spastrimit të veriut të Kosovës nga shqiptarët në shkurt të vitit 2000. Njohja e Kosovës së pavarur nga SHBA-të apo shtetet tjera është veçse kundërproduktive përderisa nuk na lejojnë të kemi ushtrinë tonë.
Milosheviqi asnjëherë nuk e pranoi se Serbia kishte luftuar në Bosnje. Serbia nuk do ta pranojë se ajo e sulmoi Kosovën: do të thotë që serbët lokal (të cilët ajo i pajis me armatim shtesë dhe oficerë ushtarakë) u revoltuan.
Negociatorët kosovar e nënçmojnë Serbinë (dhe Rusinë) pikërisht që mos të detyrohen të mendojnë për këto skenare gjithnjë e më të gjasshme. Nëse nuk ndryshon diçka radikalisht, shumë shpejtë do të vie koha kur dallimi më i rëndësishëm nuk do të jetë se kush luftoi e kush s’luftoi në luftën e kaluar, por kush lufton (sërish) e kush jo në atë të ardhmen. E atëherë, problemi kryesor do të jenë pasojat që do t’i regjistrojë historia e të ardhmes sonë: humbja e mëtutjeshme dhe e pashmangshme e pjesëve të territorit tone si rezultat i zhvillimit të edhe një lufte tjetër vetëm në trevat tona.
Burgu i Prizrenit, krahu A, qelia nr. 3
Tags: opinione...!, vedat xhymshiti, lëvizjavetëvendosje!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen