Mittwoch, 26. Dezember 2007

Interviste e Albin Kurtit dhen "EPOKES se RE"

Intervistë për gazetën “Epoka e Re”

1. Si e konsideroni vendimin e BE-së për dërgimin e një misioni në Kosovë?
Ky është një plan i vjetër i BE-së. Qysh me 12 korrik të vitit 2006 këtë mision e kanë paralajmëruar Javier Solana dhe Olli Rehn në raportin e tyre me titull “Roli dhe kontributi i ardhshëm i BE-së në Kosovë”. Në atë raport ata paralajmëruan një mision të ngjashëm në Kosovë me atë që tashmë është në Bosnje përfshirë këtu edhe pushtetin suprem për kreun e misionit. Ky mision i BE-së në Kosovë ishte i pranueshëm për vendet e BE-së meqë ai nuk e cenon fare Rezolutën 1244 e cila për Kosovën parasheh vetëm autonomi substanciale.



2. Çka i duhet ky mision Kosovës?
Ky mision nuk i duhet gjë Kosovës dhe popullit të saj. Mirëpo, ky mision duket qartë se i duhet krerëve të partive politike në Kosovë që t’i mbrojë ata nga populli e qe besa edhe nga anëtarësitë e zemëruara të partive të tyre. Misioni i këtij Misioni të BE-së do të jetë implementimi i Pakos së Ahtisaarit ndërkohë që Kosova nuk do të jetë e pavarur dhe s’do të ketë sovranitet.

3. Pasi që është vendosur që ky mision të vije në Kosovë, si do të duhej të vepronte dhe çka do të duhej të ishte ndryshe nga UNMIK-u?
Misoni i BE-së do të jetë veçse një EUMIK që s’do të ndryshojë esencialisht nga UNMIK-u. Në fakt, ai as që mund të ndryshojë nga UNMIK-u. Edhe ky mision sikurse UNMIK-u do të instalohet nga lart; edhe ky mision sikurse UNMIK-u do ta ketë për bazë Rezolutën 1244; edhe ky mision sikurse UNMIK-u do ta ketë paradigmë stabilitetin dhe jo progresin; edhe ky mision sikurse UNMIK-u do të ketë në majë një kryeadministrator i cili qëndron mbi institucionet vendase; edhe ky mision sikurse UNMIK-u do të përbëhet nga zyrtarë që gëzojnë imunitet nga ligjet vendase; etj. etj.



4. A do ta konsideronte Lëvizja VETËVENDOSJE këtë mision si burokratik?
Ky mision gjithsesi do të jetë burokratik dhe jodemokratik. Njerëz për të cilët nuk ka votuar askush do të na sundojnë nga zyret e tyre.

5. Cilat pritet të jenë sukseset dhe dështimet e këtij misioni?
Ky mision do të dështojë meqë – më shpejtë sesa që besohet – do të bëhet i padurueshëm për qytetarët dhe do të detyrohet të shkojë. Ashtu sikurse që Kosova nuk kishte nevojë për mision të OKB-së në Kosovë por për Kosovën e pavarur e sovrane në OKB, sërish Kosova nuk ka nevojë për mision të BE-së në Kosovë por për Kosovën e pavarur dhe sovrane që integrohet në BE.

6. A do të protestoni kundër vendosjes së EUMIK-ut në Kosovë? Nëse po, në çfarë forme?
Do të protestojmë e demonstrojmë kundër çdo pushteti jodemokratik i cili na e mohon të drejtën për vetëvendosje. Meqë edhe misioni i BE-së i tillë do të jetë, sigurisht se do të protestojmë kundër tij. Tash për tash, krejt çfarë mund të them për protestat e demonstratat që do t’i organizojmë e thërrasim ne është që ato edhe më tutje, sikurse deri më tani, do të jenë paqësore dhe të padhunshme.

7. Ju keni qenë kundër mbajtjes së zgjedhjeve por ato tashmë janë mbajtur edhe pse jo me numër të kënaqshëm të zgjedhësve. Nga këto zgjedhje fitues ka dalur PDK-ja. A mendoni se do të ndryshojë diçka në qeverisjen e vendit?
PDK-ja ka fituar relativisht në krahasim me partitë tjera ndonëse ajo kishte më pak vota sesa në zgjedhjet e kaluara kur pat humbur. Populli masivisht nuk iu përgjigj thirrjeve për të votuar meqë këtë gjë po e bënin pikërisht ata që e kishin zhgënjyer, gënjyer e vjedhur popullin për vite me radhë. Nën qeverisjen e PDK-së nuk do të ndryshojë gjë thelbësore për dy arsye. E para, PDK-ja realisht nuk është e ndryshme nga LDK-ja (në veçanti për shkak të imitimit që Hashim Thaçi ia bën Ibrahim Rugovës). E dyta, PDK-ja nuk mund të ndryshojë kursin kryesor politik pasi që ajo edhe më herët ishte pjesë e Grupit Negociator të Kosovës por edhe për shkak se në Kosovë, në të vërtetë, sundon UNMIK-u dhe PSSP-ja (i rrethuar me shefat e zyrave të Quintit) e jo Qeveria e Kosovës.

8. Me cilën parti do të ishte më mirë të bëhej koalicioni për qeverinë e re?
Nuk mund të thuhet se cili variant është më i mirë por cili është më pak i keq. Mirëpo, sido që të jetë, aq të vogla janë dallimet saqë ato janë të papërfillshme dhe të parëndësishme.

9. Po flitet se koalicioni më i mundshëm do të jetë ai në mes të PDK-LDK, kurse qytetarët kanë votuar për ndryshime. A mendoni se kjo formulë qeverisëse do të mund të bënte diçka më ndryshe?
Qëllimi i kësaj formule është pak a shumë shndërrimi i modelit të Grupit Negociator edhe në model qeveritar. Pra, të ketë sa më pak ose aspak opozitë. Dhe, të ketë sa më shumë pushtet dhe legjitimitet formal për marrëveshjet e kompromisit me Serbinë në vitin 2008.

10. Keni paralajmëruar protesta të reja. Edhe studentët kanë protestuar me datën 10 dhjetor dhe i kanë bërë një ultimatum Kuvendit që të shpallin pavarësinë deri më 10 janar. A ka ndonjë bashkëpunim mes VETËVENDOSJE!-s dhe studentëve për organizimin e protestave?
Shumë studentë janë anëtarë të Lëvizjes sonë. Ne kemi bashkëpunim me shumë studentë mirëpo nuk kemi pasur bashkëpunim me këta studentë në organizimin e kësaj proteste të 10 dhjetorit. Arsyeja për këtë është te dallimi konceptual. Ne nuk duam të kapemi pas datave të këtyre politikanëve për shkak se ato janë data të gënjeshtarëve të dëshmuar. Ne nuk duam të krijojmë iluzione te qytetarët për këto institucione kukulla. Ne jemi kategorikisht kundër Pakos së Ahtisaarit dhe asnjëherë nuk do ta mbështesim atë siç bënë studentët organizatorë. Njëkohësisht, shpallja e pavarësisë në Kuvend pa e bërë TMK-në ushtri, pa e futur SHPK-në nën kontrollin tonë dhe pa e organizuar paraprakisht referendumin (që është liri për popullin dhe kushtëzim për politikanët), në fakt nuk e prodhon pavarësinë e Kosovës nga Serbia por pavarësinë e enklavave nga Kosova. Lëvizja VETËVENDOSJE!, mbi të gjitha, nuk i quan demonstrata e protesta tubimet publike ku njerëzit vetëm grumbullohen dhe mbahen fjalime por ato që i bëjnë pengesa e trysni regjimit të UNMIK-ut dhe institucioneve ‘vendore’ të krijuara e kontrolluara nga ai. Po ashtu, për neve nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, ishte e papranueshme letra përgëzuese që studentët organizatorë ia dërguan Hashim Thaçit, letër kjo të cilën e përshkonte një frymë flertuese dhe i bënte ata që të duken si të dirigjuar nga ai (me ose pa vetëdije).

Prishtinë, 20 dhjetor 2007
Albin Kurti

Keine Kommentare: