Freitag, 27. Juli 2007

KMDLNJ, Kthejeni Albini Kurtin ne Burg

KMDLNJ; KTHEJENI ALBIN KURTIN NE BURG! Jul 23, '07 5:14 PM
for everyone




KTHEJENI ALBIN KURTIN NË BURG!





Me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Albin Kurtit, liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, iu ndërpre paraburgimi (ishte i vendosur në burgun hetues të Prizrenit) dhe ai iu zëvendësua me masën e arrestit shtëpiak. Në rrethana normale masa e arrestit shtëpiak është masë më e lehtë shtrënguese që e shqipton gjykata. Sipas informatave të KMDLNJ-së, masa e arrestit shtëpiak u është shqiptuar kryesisht personaliteteve që kanë pasur peshë publike dhe në raste të tjera edhe atyre që kanë kryer ndonjë vepër penale ku shkalla e rrezikshmërisë ka qenë më e vogël. Deri më tani në Kosovë, masa e arrestit shtëpiak u është shqiptuar më shumë se 100 personave. Është karakteristike se në asnjë rast nuk është evidentuar që pjesëtarët e SHPK-së kanë kujdestaruar 24 orë para derës së objektit ku i paraburgosuri ka vuajtur këtë masë. Rëndom, së paku kështu është praktikuar deri më tani, pjesëtarët e SHPK-së kohë pas kohe kanë vizituar banesën apo shtëpinë e të paraburgosurit për t’u vërtetuar nëse i paraburgosuri e respekton masën e shqiptuar nga gjykata. KMDLNJ është në dijeni se në disa raste kjo masë nuk është respektuar, por ndaj tyre nuk ka pasur reagim as nga ana e pjesëtarëve të SHPK-së e as nga gjykatat. KMDLNJ tërheq vërejtjen se arresti shtëpiak ndaj Albin Kurtit është precedan në Kosovë në kontekstin negativ dhe masë jashtëzakonisht shtrënguese dhe jo e mbështetur në ligj, ndërkaq paraqet rast eklatant të shkeljes së të drejtave të njeriut, të drejtave të personave të privuar nga liria, trajtim ofendues dhe çnjerëzor si dhe diskreditim të personalitetit dhe shembull tipik të shkeljes së Konventave për Trajtimin Çnjerëzor dhe Parandalimin e Torturës si edhe të dokumenteve të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në kushtet aktuale të arrestit shtëpiak me mbikëqyrje nga pjesëtarët e SHPK-së 24 orë, Albin Kurti e ka më keq se gjatë qëndrimit në burgun hetues në Prizren.

-Në burgun hetues në Prizren i paraburgosuri sipas rendit shtëpiak ka pasur të garantuar shëtitjen (qëndrimin) në ajër të pastër së paku 2 orë brenda 24 orëve. Në arrest shtëpiak Albin Kurti nuk mund të qëndrojë as 1 sekondë në ajër të pastër.

-Në burgun hetues në Prizren e ka pasur të siguruar kujdesin mjekësor gjatë 24 orëve, në arrest shtëpiak nuk ka asnjë kujdes.

-Në burgun hetues në Prizren Albin Kurti ka pasur mundësi të përcjell shtypin ditor rregullisht sepse rendi i burgut ia ka mundësuar këtë, nën masat e arrestit shtëpiak nuk ka mundësi të lëvizë jashtë banesës andaj ka shumë kufizime.

-Policia e SHPK-së qëndron 24 orë para derës ku mban arrestin shtëpiak Albin Kurti, gjë që në burgun hetues kjo nuk ka ngjarë.

-Ndonëse vizitat ndaj Albinit nuk pengohen, ato regjistrohen nga pjesëtarët e SHPK-së te dera e banesës dhe nga policët në rroba civile që sillen rreth objektit.

-Pjesëtarët e SHPK-së përveç përcjelljes nëse Albin Kurti e respekton masën e arrestit shtëpiak kanë urdhër ta arrestojnë atë në rast se bën përpjekje të largohet nga aty.

-Gjykata Supreme ka urdhëruar UNMIK Police ta mbikëqyrë zbatimin e urdhëresës së arrestit shtëpiak.

-Në pamundësi që të largohet nga objekti ku mban arrestin shtëpiak, Albin Kurti është i detyruar t’i mobilizojë njerëzit nga jashtë që t’i sjellin meqë banon vetëm si edhe për shërbimet e tjera është i varur nga të tjerët. Të gjitha shërbimet paguhen nga Albin Kurti e jo nga gjykata apo burgu që me shqiptimin e kësaj mase është dashur ta ketë parasysh situatën e krijuar. Hipotetikisht, nëse Albin Kurti nuk do të mund të angazhonte njerëz nga jashtë, rrjedhimisht do të vuante nga uria apo do ta pësonte për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor. Pikërisht këtu edhe është trajtimi çnjerëzor i Albin Kurtit. Qëndrimi i pandërprerë 24 orësh i SHPK-së para derës së Albinit dhe policët që nuk ka ngjarë me asnjë të arrestuar tjetër është përpjekje për ta kriminalizuar Albinin dhe Vetëvendosjen e njëherit është edhe pengim i banorëve që jetojnë në atë objekt si dhe një pasqyrë e keqe e SHPK-së. Për KMDLNJ-në është shumë brengosës reagimi i opinionit i cili në heshtje i pranon masat që ndërmerren ndaj Albinit i cili mbahet në kushte të arrestit sikur në vendet me regjime diktatoriale dhe atje ku pushtetin e kanë huntat ushtarake.

Nga aspekti i të drejtave të njeriut, KMDLNJ vlerëson se mbajtja e Albin Kurtit në burgun hetues është më e njerëzishme se sa mbajtja nën regjimin e tashëm të arrestit shtëpiak, andaj propozon që Albin Kurti të kthehet në burgun hetues të Prizrenit ku kushtet janë më të mira dhe së paku hiqen dilemat se Albin Kurti është liruar nga burgu. Albin Kurti është i burgosur politik ndaj të cilit po përgatitet një proces i montuar politik, andaj vendin e ka në burg e jo në arrest shtëpiak.



Prishtinë, 23.07.2007

Shërbimi për informim

Keine Kommentare: