Freitag, 27. Juli 2007

Nga Jeton Kelmendi, Ditlindja qe na bashkon

nga Jeton Kelmendi; Ditëlindja që na bashkon Jul 9, '07 5:35 PM
for everyone

Ditëlindja që na bashkon



Jeton Kelmendi
Rugovë-Paris Qershor 2007

Çdo vit, në ditën e njëzet e katërt, të qershorit, njerëz nga e gjithë Kosova dalin në Fshatin Pepaj të Rugovës. Të gjithëve atje na bashkon ditëlindja e Dëshmorit Besnik Lajçi.
Dita e diel që përkoj me ditëlindjen e Benit, ishte ditë me diell dhe ajo natyrë e bukur e Alpeve, të kënaqte syrin dhe shpirtin. Kur njeriu mendon kohen e tetë vjet më parë, padiktueshëm të del para sysh, Besniku i Bjeshkës, ai Beni që i bën roje nderi Atdheut. Kohët ecin, ecën edhe çdo gjë tjetër me kohen, vetëm bjeshka dhe madhështia e saj “rrinë”.
Sot atdheu frymon lirshëm. Më duket se njerëzit që vinë, vinë për ti treguar Besnikut e Selman Lajqit e kështu me radhe deri te Sak Fazlia e Sali Jaha, se ju shkuat andej, që ne sot të bashkohemi në ditëlindjet tuaja, ashtu si ka hije të bashkohemi në Rugovë.

Rrugëtimi

Mëngjesi, “dikë e sjell me vetura, dikë me autobus e çka tjetër”. Të gjithë ja kemi mësy, të takohemi atje diku të qafa e Pepajve. Ndonëse ka një copë rrugë deri atje dhe njerëz të të gjitha moshave, fëmijë e pleq, burra e gra, janë nisur për Pepaj, rruga nuk është aq e mirë, prandaj rugovasit kanë dalur me kamiona për ti bartur mysafirët në ditëlindje. Në Drelaj ose kilometrin e shtatëmbëdhjetë siç e quajnë vendasit të gjithë presin bashkë që të vazhdojnë përspjet. Një burrë rreth të shtatëdhjetave, ju flet katër-pesë vetëve që ka me veti; “han e dan Rugova janë kanë”. Ai nga të folurit duket të ketë qenë nga Rrafshi i Dukagjinit. Plaku i qetë, rrëfen për luftërat që kanë bërë rugovasit në kufij. Qe dyqind vjet, këto bjeshkë rriten burra të mëdhenj, që i bënë nder jo vetëm Rugovës dhe Dukagjinit, por edhe mbarë kombit shqiptarë, flet me emocione urtaku dukagjinas. Në kohen e Haxhi Zekës, ai gjeti mbështetjen më të fort nga malësoret. Edhe në luftën e fundit këtu, mira e mira njerëz kanë hangar bukë dhe janë pritur e përcjellur si është më së miri vazhdon ai.
Intelektual që kanë ardhur nga Prishtina dhe Diaspora, takohen në mes veti dhe flasin me njëri tjetrin, me përzemërsi. Me kamion, e kush ka me xhipa pastaj, të gjithë vazhduam për në Pepaj.


Besnik Lajçi


E di një fjalë prej guri

Guri dhe fortësia e tij e karakterizojnë bjeshkën. Jo rastësisht e kishte thënë poeti nga kjo anë Azem Shkreli, “E di një fjalë prej guri”
Profesor Musa Lajçi, baba i dëshmorit Besnik Lajçi, i përshendet të pranishmit, të tubuar tek varri i Benit dhe dëshmorëve të tjerë. E din një fjalë prej guri dhe ua thotë të pranishmëve, pastaj shumë natyrshëm ua kalon fjalën të tjerëve. Jusuf Zeka, ish-drejtor i Gjimnazit të Pejës, kur Beni ishte nxënës i kësaj Shkolle, flet: “më kujtohet viti 87 kur ishim në ekskursion në Kroacie dhe Besniku ishte nxënës dhe më tha, Profesor deri këtu ka qënë e jona – Iliri. Poeti Esat Loshaj lexoj poezi kushtuar dëshmorit për ditëlindje. Nga të gjitha segmentet e shoqërisë kishte të pranishëm. Shkurt dhe shqip, u përpoqën ta portretizojnë figurën e luftëtarit dëshmorë. Dielli rrezonte dhe moti ishte i kthjellët. Në Pepaj të Rugovës për herë të parë kishte dalë njëri nga vëllezërit e familjes së njohur Nicaj, familje kjo me origjinë nga kelmendasit e Rugovës. Pas fjalimit të tij, të shkurtër dhe emocionues, kush e kishte njohur Besnikun, ishte e pamundur të mos i përfytyrohej pamja e tij e qetë dhe afruese. Kjo është argumenti me krucjal, kur nga ana e përjetshme, BESNIKU I BJESHKËS, na bashkon në ditëlindjen e tij. Pak ditë para se të shkonte në “anën tjetër”, ose më konkretisht në pjesë e parë të prillit të nëntëdhjetë e nëntës, pati thënë “krejt i kam para sysh këto bjeshkë si kanë m’u duk kur të jenë të lira”.
Dallimi është se ne i shohim tani, kurse ai i shihte atëherë.



Sa shumë gjëra m’u kujtuan, sa ndejmë të kodra ku pushon ai, së bashku me dëshmorët tjerë Selmanin, Xhavitin, Ramushin, të gjithë Lajçi. Sigurisht, se edhe familjarëve dhe bashkëluftëtarëve të tjerë të tij, u janë kujtuar shumë gjëra, nga jeta dhe ditët e rënda për atdheun.
Me të kthyer pasditja, të gjithë shkuam, te tbanët e Musa Lajçit. Aty krejt rugovisht u ulëm buzë malit- afër tbanit, për të hëngër drekë. Një foto e Benit, e vendosur përballë nesh, sikur na shikonte me butësi, siç ishte në natyrën e tij dhe donte të na thoshte Tungjatjeta.
Të kujdesshëm, të rinj dhe të reja, na shërbenin me ushqim dhe pije tipike Rugovase. Kështu dalë ngadalë njerëzit filluan të shkojnë, ndërsa familjarët, ngrohtësisht i përshëndetin dhe falënderojnë të gjithë për pjesëmarrje. Ndërkaq ata që ishin në ditëlindje kthehen në shtëpitë e tyre, me nga një shenj në kujtesë, “Ditëlindja që na bashkon”


Next: www.lajmishqip.com

Keine Kommentare: