Freitag, 27. Juli 2007

Lidhja e Shqiptarve te Botes( LSHB),nga Rizah Lahi

LIDHJA E SHQIPTARËVE TË BOTËS (LSHB)

Shkruan: Riza LAHI



Dy vëllezër, një ditë, morën rrugën nëpër botë. Mbushën trastat dhe u nisën t’i binin globit nga njëri cep në tjetrin cep.
Jo për një aventurë ekologjikësh, gjeografësh, turistësh apo edhe thjesht për gjueti aventurash, por për një tjetër gjë. Për të kërkuar ku janë e ku nuk janë shqiptarët.
Kjo ndodhi vite e vite më parë dhe, të dy vëllezërit binjak: quhen Mikel dhe Simon Kuzhnini.
Të dy këta kristianë kosovarë, pas njëmijë hallesh prej persekutimeve titiste në vendlindje, pas njëmijë hallesh për të fituar ca para – aq të domosdoshme për t’u hyrë kërkimeve idealiste që janë aq larg këtyre të shkretave, por, gjithsesi, “parja e bardhë për ditë të zezë” – ia nisën romanit kombëtar për të bashkuar shqiptarët.
U krijua kështu “Lidhja e Shqiptarëve të Botës”…Vite më parë…

Lezhë, 21 korrik 2007…
Njëri prej dy vëllezërve idealistë nuk ndodhet në këtë sallë të bibliotekës së Lezhës, rretheqark kësaj tavoline të rrumbullakët, ku burrat me kollare janë përmbytur në djersë prej mungesës së kondicionerëve.
Kanë ardhur enkas për këtë tubim - që do të përgatisë Kongresin e Dytë të LSHB – që “do të mbahet veçse në Tiranë, askund tjetër ma; vetëm në Pallatin e Kongreseve” – ndoshta nga 24 vendeve evropiane dhe SHBA. Delegatët e kësaj mbledhjeje përgatitore, kanë mbërritur me shpenzimet e tyre këtu në Lezhë, ku do të bënin edhe një fotografi në vendvarrimin e Skënderbeut.
Konceptimi dhe organizimi i “LSHB”, është i tëri idealist; nuk ka se si t’i pranojë manovrat e mundshme pragmatiste.
Lexohen plot patos përshëndetjet nga Mardena Kelmendi, Alida Hisku – Llamadeo Dukagjini G( te dy ne kryesinë e degës L.Sh.B-së në Gjermani), Ibrahim Egriu (kryetar i degës LShB-së për vendet Skandinave), Agim Bacelli – Amerikë, Luigj Shkodrani, kryetar i degës LShB-së për Danimarkë, Andrea Alushi, Greqi… Baki Ymeri kryetar i LShB-së për Rumani, Kozeta Zylo anëtare në kryesinë e LShB-së përshëndetja e shkrimtarit dhe patriotit Ndue Ujkaj në Suedi, përshëndetja e Nazmi Jakurtit nga kryesia e Zvicrës etj. etj.
Në krye të tavolinës, Kuzhnini, i qeshur, shtatlartë dhe i shëndetshëm si një klerik françeskan, flet me një gegnishte që mua më rrëqeth me bukurinë e rrjedhshmërinë e saj, duke pasur parasysh se ai banoka prej mbi 20 viteve në tjetër truall, nga ai që e ka lindur. Vitore Stefa me ka treguar për të se ka qenë aktivist i përndjekur që në kohën e Titos; që në vitet ’68 ku ngritën Flamurin Kombëtar se bashku me Ukshin Hotin dhe me djemtë e tjerë te rrethinës së Prizrenit.




Kuzhnini, gati në mënyrë urdhërore fton të vijë në presidium një grua të veshur me të zeza. Ajo, e qete, pa ditur të qeshë dot, zë vend si një ikonë. Është deputetja e parlamentit te Kosovës, zonja Nekibe Kelmendi. Sytë e saj kanë parë të vriten brenda disa minutave dy fëmijët dhe bashkëshortin e saj, juristin e njohur Bajramin; të vriten nga paramilitarët serbë.
Flasin me zë të lartë, me temperament, gjithë nerv e pasion se si duhen bashkuar shqiptarët.
T’i bashkosh shqiptarët, ndaj të cilëve aplikohet prej shekujsh deviza dinake e romakëve “Divide at impera” për shumë prakticienë dhe pragmatistë është thuajse e pamundur. A përfytyrohet vallë që të ulen, të pinë kafe e të dëgjojnë të qetë njëritjetrin Enver Hoxha dhe Ahmet Zogu? Esat Pashë Toptani me Avni Rrustemin? Adem Jashari me Ahmet Krasniqin? I vrari pabesisht në pritë me vrasësin e tij me para? Prokurori me ish të burgosurin prej tij? Sigurisht, Rugova me Thaçin, Berisha me Nanon? Dashnori i gruas me burrin e tradhtuar nga ajo? Pasaniku me varfanjakun? I vrari në luftë mes radhëve të UÇK-së e që nuk ka një dyshë në xhep, me pasanikun që bënte plazhe në Durrës, kur të tjerët luftonin se, “qe, ma, ia mëshoi NATO?”.
Përgjigja pozitive për disa prej këtyre pyetjeve është thuajse e tmerrshme. Por ama, që e tërë kjo kategori njerëzish që përmendën flet shqip, është tundur në djep nga një nënë shqiptare, di lojëra popullore, këngë popullore dhe adete e zakone shqiptarësh.
LSHB, don t’i bashkojë gjithë shqiptarët, përfshirë është polet e sipërpërmendur.
Një shqiptar i vjetër, nga Kurbini me origjinë, z. Pervizi, që kishte mbërritur këtu që nga Belgjika, mbi 75 vjeç dhe që e kishte kaluar rininë dhe burrërinë e parë në internim nga shteti komunist, u ngrit dhe tha se tani nuk është koha për t’u ngrënë me njeritjetrin. Është koha të vëmë nga një gur në zemër të gjithë, në emër të nënës së përbashkët, Shqipërisë…
“Pilot je ti? “ – Pervizi
“Po, pilot” – unë.
“Sigurisht që je antikomunist!”
Preferoj të mos përgjigjem.
Pervizi më troket gotën më verë të kuqe duke më parë në bebe të syrit.
Më pas, në një ambient më të gjerë përgjigjem kështu:
“Unë jam pilot, dhe si i tillë, unë e di krejt mirë se më duan që nga Sali Berisha e deri te Hysni Milloshi. Që të gjithë shqiptarët shikojnë aeroplanin e tyre në ajër dhe thonë me krenari apo nostalgji “Ky është djali, vëllai, shoku im”. E, unë nuk kam se si t’i sulem njërit apo tjetrit… E pra, unë njoh sa të duash njerëz që urrejnë Enverin, si dhe, po kaq, njerëz që e duan dhe e respektojnë atë. Ama, janë të gjithë shqiptarë.”
“Unë të gjithë i pranoj për kafe, me përjashtim të “kodoshit të gruas “ – përgjiget njëri nga pjesëmarrësit…



Është hera e parë që marr pjesë në një tubim të tillë, megjithëse ky forum ka gati 15 vite që është krijuar dhe legalizuar në vitin 1995 në Munih të Gjermanisë.
Vitore Stefa ka qenë nxitësja që unë jam këtu. Kanë ardhur nga Tirana edhe gazetari Albert Zholi, e shkrimtarja Violeta Alimuça. Nga Berati – poeti karizmatik, z Sotiraq Mishaxhiu.
Delegatët flasin njëri pas tjetrit dhe ka kërkesa për të kufizuar kohën. Patosi për të folur gjatë është se thuajse që të gjithë kanë udhëtuar me shpenzimet e veta deri këtu. Unë në tavolinë kam disa libra të Vitores, që ajo më është lutur t’ua dhuroj disa të njohurve të saj. Në të vërtetë atë e njohin të gjithë. Edhe mua më njohin disa nga listat virtuale.
E shkreta Vitore, sa qejf që kishte të vinte; nuk kish munguar as ajo, as bija e saj, poeteshë dhe ajo, Madi. Kushedi se sa ka harxhuar deri tani duke folur në telefon nga Italia, vetëm me mua. Mua më habit kjo grua emigrante që nuk e kam parë asnjëherë dhe që…
“Po të mos ishin telefonatat e Vitore Stefës, unë nuk do të vijshe këtu” – më pret fillin e mendimeve një zë; është i Talat Pllanës, një burrë i pashëm ardhur nga Anglia.
“Meqenëse e përmende Vitoren, nuk muj të rri me pritë ma, por du me i thanë dy fjalë për njatë grue që asht sa për pesë burra” – është ngritur pa pyetur njeri, pasi ndodhet në presidium, një burrë që kollarja ia ka shtuar djersën në fytyrën e tij të pashme ku vezullojnë dy sysh të ngjyer. Është okulisti – kirurg, I shumë mirënjohuri Orhan Kurbati, nga Kosova.
“Vitore Stefa….”
“Aaaaa, ça kom respekt për njatë gru edhe unë…Shqiponjë e vërtetë Shqipnijet …Vitore Stefa ka pritë e qitë me ….”
Ndërkohë celulari im. Kuzhnini vështron nga unë në mënyrë qortuese. Po unë kam brofur në këmbë plot hare. Në tel ka dalë Vitorja.
“Zake, të keqen motra, Vitorja jam, po vazhdoni?”
Unë ia zgjas celularin dorës së parë që don të ma rrëmbejë për të folur me shkrimtaren dhe aktivisten beratase Vitore. Është dora e një gruaje të bukur. Merita Dabullës – aktore në Greqi. Ajo ka ardhur që andej për këto dy ditë, tok me shkrimtarin - Miho Gjini e një tjetër.
Celulari tani kalon duar më duar….
Nga Greqia ka ardhur edhe një poete që e mban Lap Topin edhe në tavolinën e drekës. Ka regjistruar poezi. Që të gjitha bëjnë fjalë për atdheun dhe Shqipërinë. Tematikë si kjo tërheq zakonisht fëmijët e moshës së vajzës sime.
Por, edhe këtë grua të martuar me një “Grek shumë të mirë”, por që fëmijët “i kam ende në parajsë”. Quhet Elda Kokoneshi.
Ndue Hila ka ardhur që nga SHBA; me të kemi lidhje virtuale dhe ai çuditet me mua se “të dijshëm nja 30 vjeç e të pashëm”.
Janë gjithsej nja 50 60 aktivistë – të LSHB-së. Secili ka dramën e tij derisa ka ardhur këtu. Kushedi se çfarë përpjekjesh mbinjerëzore kanë bërë ata për vendin e tyre deri në këtë ditë. Janë përzgjedhur prej mijëra, qindra mijëra shqiptarëve anembanë globit.
Ballë meje është një figurë që i ngjanë krejt një personazhi të një filmi Italian. Ai kujton se e njoh dhe më sheh plot mirësjellje. Përfiton nga rasti, që me këtë rast t’i dhuroj një libër, nga të mijtë që kam në çantë. Mësoj më vonë se ai ishte nga Kumanova, kryetari i Komitetit të Helsinkit në Maqedoni dhe ish i përndjekur politik…



LSHB kërkon të bashkojë të 16 milionë shqiptarët, ku janë nëpër botë; t’i bashkojë për gjëra që mund të bashkohen, si psh për palët e flamurit, për gjuhën, folkun, zakonet, miqësitë personale. Për atë që kushdo nëpër botë që i thotë bukës ”bukë” ta ndjejë një dorë më të fortë sesa përpjekjet e tija personale që mendon për të.
Normalisht, kjo detyrë, detyra e nuklit të shqiptarëve, është “nomenklaturë” e shtetit shqiptar. LSHB e ka marrë për sipër një atribut të tillë. Ky atribut bëhet edhe më serioz, pra, edhe më agresiv ndaj kundërshtarëve të shqiptarëve, kur shteti juridik i shqiptarëve ende ka shumë e shumë për të bërë. Së paku, një radio për shqiptarët jashtë atdheut, tanimë ka nevoja ulëritëse për t’u modernizuar me teknologji të re dhe kjo as që ka ndërmend të ngjasë hëpërhë. Ka nevojë për një gazetë apo revistë panshqiptare që t’u ruhet tmerrësisht gjërave politike, por edhe kjo mungon. Të këtilla probleme mbase ka edhe Televizioni Publik i Shqiptarëve.
LSHB përpiqet. Shqiptarët e pambrojtur si duhet nga shteti i tyre dhe të pandihmuar në mënyrë selektive prej tij, kanë krijuar anembanë globit “Listat virtuale”. “Art-Cafe”, “Dervina”, “Mëmëdheu”… Burrat patriotë si… Agim Bacelli. …bëjnë përpjekjet e tyre të mundshme në kushtet e jetës së trishtuar të jabanxhiut, të emigrantit.
“Listat virtuale” janë origjinalisht albaneze. Këtu, albanezët emigrantë, miqësohen me njëritjetrin, diskutojnë, kënaqen, grinden e shamatohen – ani, hajt, ta hajë dreqi, prapë, mirë; më mirë se sa asimilim…a s i m i l i m
LSHB ka një mision të veçantë – çuditërisht, ja po ulurin tani ky mision – të japë kontributet e veta sa ku mundet për çështjen kosovare.
Mundësia e bërjes së pazareve për të ardhmen e Kosovës është eminente. Kosova duhet menjëherë të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme. Lidhja e Prizrenit erdh dhe u organizua kur në emër të të “Mëdhenjve” të kohës dikush deklaronte se Shqipëria ishte vetëm një shprehje gjeografike.
Pavarësisht nga të gjithë, dhe kundër të gjithëve, Ismail Qemali, pas një turneu diplomatik nëpër Evropë dhe me dy rupi në xhep, e shpalli pavarësinë. Shpallja e pavarësisë donte të thoshte, byrëm, kush nuk është dakord, duhet të përballohet me një milion shqiptarët e kohës. Që ishin stërgjyshërit tanë – që të gjithë të armatosur, që të gjithë kryetrima por që, për fat, aq injorantë, sa të përçaheshin lehtësisht.
Në shembullin e stërgjyshërve tanë intelektualë duhet të ecë Kosova. Ama, nuk ka më 1 milion shqiptarë, por 15 milion që do ta duartrokasin një nismë të tillë politike. Përveç kësaj, Shqiptarët kanë edhe alamet mbështetjesh ndërkombëtare, si SHBA, Anglia, Gjermania apo vendet islamike etj. Shpallja e pavarësisë në mënyrë të njëanshme e Kosovës, don të thotë – asnjë kompromis për ndarjen e Mitrovicës.
Do të thotë – gati kushdo të ndeshet me gjokset e 15 milion shqiptarëve.
Janë të mirëpritura shumë përkrahjet ndërkombëtare dhe institucioneve shumë të respektuara ndërkombëtare. Por, nga ana tjetër, shqiptarët nuk kanë se si t ë harrojnë se më 7 prill 1939-s, Shqipëria ishte anëtare e Lidhjes së Kombeve, me të drejta të plota, por kjo lidhje ishte krejt e pafuqishme të ndalonte “fati complain” e dorës brutale të Musolinit…
LSHB…
Tingëllon diçka e përafërt me faljen e gjaqeve.
Shqiptarët faljen e gjaqeve në mënyrë masive e kanë bërë normalisht në vigjilje të luftërave apo në vigjilje të mundshme të kërcënimeve të asaj natyre.
Shqiptarët, mendoj unë, ndodhen shumë – shumë të kërcënuar.
Nuk e kam vetëm tek fakti që i të qenies së copëzuar të Shqipërisë natyrale, as te gati një milion emigrantët e Republikës së Shqipërisë që jetojnë përditë nën ndryshkun llahtarshëm të padukshëm të asimilimit, etj., që i dimë të gjithë. Brengosësh është se, nën pretekstin e hegjemonizimitt ë kulturave etj., po përçudnohen përditë tipare të mrekullueshme e qenësore të shqiptarëve, si fjala e dhënë, besa, burrnia, idealizmi, shkatërrimi i familjes etj., të shikosh një sallë me shqiptarë, sheh, një biond e një blu, një sybojqiell e një syzi, një të gjatë e një të shkurtër, një barkaliq e një thatuq. Ama, ata i bashkojnë gjërat e përbashkëta, të cilat janë duke u sulmuar papushim.
Dy korife të letrave tona, te sytë e të cilëve shikonin të gjithë në këtë periudhë çoroditjeje kombëtare, Kadareja me Qosjen, nisën e u bënë qepaze me nëjritjerin në sy të gjithëve rreth një proçke qesharake edhe për dy nxënës gjimnazi, nëse kanë qenë myslimanë apo jo shqiptarët më parë dhe se, kuptohet, ç’duhet të bëjmë, xhanëm…
Këto ditë, është vënë në focus Shkodra. Njëherë – shumë familje të moçme shkodrane paskan prejardhje nga turqit e vendosur këtu pas pushtimit, pra, racë akinxhinjsh, e, njëherë tjetër, “dukagjinasit paskan mbytur Shkodrën”.
Keni parasysh se, siç dëshmon gazetari shkodran, FC, në vitin ’92 ai është pyetur në hetuesinë serbe rreth parullës së hedhur në Shkodër me rastin e shembjes së komunizmit – “Shkodra republikë” , “Ç’thonë shkodranët, a duan ata të bashkohen më Serbinë?”
Po Shteti?
Shteti, kur nuk kujdeset për shpërndarjen e librave të botuar në Shqipëri, kur nuk merr absolutisht asnjë masë mbrojtëse ndaj përkthimeve…LSHB i takon të marrë mbi shpatulla detyra ende më të rënda.
Që kërkojnë forca sa më shumë. Më shumë dhe sa më të kualifikuara.
….Ishin dy vëllezër…
Morën torbat mbushur me kursimet e tyre dhe u nisën nëpër botë…

rizalahi@yahoo.com

Keine Kommentare: