Freitag, 27. Juli 2007

nga salih Mehmeti, Landovica Multietnike

Nga Salih MEHMETI: "Landovica multietnike" Jul 2, '07 9:14 AM
for everyone


Landovica multietnike



Pakoja e Ahtisaarit ka dy rrotëza shkak-pasojë, lëvizja e të cilave kushtëzohet prej njëra tjetrës. Efekti i së parës (shkaku) ka të bëjë me shkatërrimin e tiparave shtetformuese të shqiptarëve; kurse efekti i dytë që ndërlidhet me të parin (pasoja): krijimin e entitetit shtetformues të serbëve. Gjithçka në përputhje me planfikimin e Beogradit që shprehej vite më parë – ‘autonomia brenda autonomisë’, që ngërthente në vete fragmetarizmin territorial të Kosovës. Kjo formulë e Beogradit heshtet tani, ngaqë po jetësohet nga vetë pakoja. Tetë vite më parë, kur u fuqizua Rezoluta kundërpopullore 1244, propagohej krejt e kundërta e saj. Paçka që Serbisë i njihej sovraniteti i saj nominal mbi Kosovë dhe infrastruktura e shtetit serb pakësohej por nuk zhbëhej flitej pa pra për ‘parajsën’ institucionale të brumosur në Kosovë. Kjo logjikë e mbrapsht e të konceptuarit të realitetit objektiv po ripërtërihet në formë pak a shumë të njëjtë, por në rrethana më të rënduara politike për popullin. Populli u mashtrua si kurdoherë nga ndërkombëtarët, se shtyrja e përcaktimit politik të statusit të Kosovës për hir të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, do të çonte në përmirësimin thelbësor të statusit! Në Serbi nuk ka kurrfarë kuadri politik që nuk ka tendenca ripushtimi ndaj Kosovës. Ndryshojnë vetëm mjetet, por jo edhe qëllimi. Por duke ditur fuqizmin politik të Serbisë do na del se për Serbinë ‘qëllimi i përligj mjetet’. Lufta gjenocidale të cilën e bëri Millosheviqi në Kosovë, nga opozita e asokoshme ‘demokratike’ serbe nuk kritikohej për çështje filantropie, por për keqmenaxhim të luftës në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare në pretekstin se pas zgjedhjeve në Serbi do të triumfojnë forcat demokratike, Serbisë i dha qëllimisht shansin për një rikonfigurim të skenës politike nga ‘demokratët’ e Tadiqit në radikalët e kriminelit Sheshel. Mundësia e ndërrimit konjuktural të skenës politike atje në Serbi po ia mundëson asaj copëtimin sa më të përsosur të Kosovës.

Vitin e kaluar në shtypin vendor u muar vesh për punësimin e 385 ushtarëve të Armatës Serbe si ‘nëpunës’ në veriun e Kosovës. Ndërkaq, një zyrtar serb pati thënë se janë në gatishmëri afro 100.000 forca rezerviste serbe për një invandim të ri në Kosovë.

Po ta elaboronim me kujdes e gjakftohtësi pakon e Ahtisaarit dhe 12 anekset e saj, do na dilte se fjala është jo për rikonfigurim të forcave politike në Serbi por për rikonfigurim të infrastrukturës paralele të shtetit serb brenda komunave të reja serbe në Kosovë. Ndër nenet e kësaj pakoje, legalizohen strukturat me staturë të mëvetësishme të komunave serbe, duke i lënë atyre ingerenca të fuqishme mbi gjyqësinë, xhandarmërinë, shëndetësinë, arsimin dhe, mbi të gjitha - financimin e pashkëputur nga Serbia, i cili nuk do të jetë objekt tatimor. Rrjedhimisht, etnizimi i pakicës serbe del të jetë i pashmangshëm. Këtij etnizimi të pakicës serbe po i paraprin edhe kontrollimi i drejtëpërdrejtë i arsimit nëpër komunat serbe nga Serbia. Pika 7.1.1 e Nenit 7 për Arsimin sanksionon dirigjimin e shkollave serbe nëpër tërë territorin e Kosovës dhe lidhur me këtë edhe tekstet shkollore duhet të jenë taman simbas urdhëresave të Ministrisë së Arsimit të Serbisë. Gjithashtu është paralizuar mundësia që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Tekonologjisë të Kosovës të ndërhyjë në planprogramin e sjellë nga Serbia.

Pikërisht nga neutralizimi i gjysmë ‘kompetencave’ të Ministrisë së Arsimit të Kosovës në kundërshtimin ndaj teksteve shkollore të urdhëruara nga Serbia, lë të kuptohet për profilin e njëmendët të këtyre teksteve mësimore. Në këto tekste mësimore, nxënësit serb do ti servohen virtytet e të qenurit ‘serb i vërtetë’. D.m.th këtu edhe nis kalvari paradoksal i keqshfrytëzimit të historisë. Përderisa, nxënësve shqiptarë të shkollave fillore dhe atyre të mesme, edukimi në frymën kombëtare dhe kuptimi i saktë i proceseve historike po iu reduktohet vijimisht, për hir të njëfarë ‘multietniciteti’ dhe ‘rrugëtimit’ për në struktura veri – atlantike i cili nuk pranuaka ‘nacionalizëm’ e as vlera historike të shqiptarëve, por modele të ‘ardhmërisë’ duke bërë aluzion tek ‘heronjtë ideal multietnik’ Boro & Ramizi në Landovicën ‘shumëkombëshe’. Këtu spikat brendësia e qelbur e kësaj ngrehine të quajtur ‘bashkim – vëllazërim’ i moderuar; nxënësi shqiptar nuk do ta ketë mundësinë ti qaset studimit të drejtë historisë kombëtare, përderisa në anën e kundërt nxënësi serb cytet që të ketë qasje të lirshme në historinë e gatuar drejtpërdrejtë nga Beogradi. Histori e cila Serbinë e konsideron ‘hyjnore’ dhe djepin e ‘kulturës’ së saj e bën pikërisht Kosovën. Dihet mirëfilli se, historiografia serbe rreket e i paraqet ngjarjet historike në përpjestim të pozicionit të saj politik. Gjatë viteve të 90’ta kur një klikë e tërë gjakatare serbe po përgatiste programet e saj për të përgjakur anembanë vendet e Jugosllavisë, serbët i vunë në pah të ‘vërtetat’ e ‘pamohueshme’ historike se gjoja Serbia e pati pritur me armë në duar nazimin gjerman, Beogradi na kishte qenë vatër e ‘rezistencës’ kurse kroatët, boshnjakët e shqiptarët kishin qenë ‘koloboratorë’ me pushtuesin gjerman! Historia në Beograd pra, ndërron varësisht strumbullarit të pozicionit politik të Serbisë në arenën ndërkombëtare. Kur Serbia përgatitej sistematikisht për suprimimin e autonomisë së Kosovës më 1989, pushteti në Beograd gënjente botën për ‘ekspansionizmin’ shqiptar dhe ‘agresionin’ e tyre ndaj serbëve ‘viktimë’. Këtu ata rishtas dimensionalizonin teorinë e serbomadhit Ivan Stamboliq ku thoshte se nacionalizmi shqiptar orvatej për një Kosovë ‘etnikisht homogjene’, dhe ‘shpërngulja’ e serbëve nga Kosova po ndodhte si rrjedhojë e ‘eksplodimit’ demografik të shqiptarëve!

Përmes negociatave të së tashmes në Vjenë, Serbia njëmëndësoi në mënyrë krejtësore mitin e saj për Kosovën. Riaktualizimi i miteve serbe për Kosovën mundësohet pikërisht nga delegjitimini i rrënjësisë shqiptare në Kosovë dhe tjetërsimit të shqiptarsisë së kulturës burimore të Kosovës. Duke njohur mirë, manovrat e Beogradit me kartën e ‘historisë’ është e pritshme një riaktualizim i ‘pronarit historik’ të Kosovës. Tekstet e historisë nëpër shkollat serbe do t’i paraqesin shqiptarët si ardhacak në Kosovë si rezultat i dyndjes së Perandorisë Osmane dhe shtimit ‘enorm’ të këtyre ‘ardhacakëve’! Apo në anën tjetër mund të ketë mite të fryera për ‘barbarinë’ e shqiptarëve në ‘përzënien’ e serbëve nga Kosova. Këtu edhe mund të përbirojë jo rastësisht teorema tejraciste e kryeministrit serb të viteve të 30’ ta Vladan Gjorgjeviqit se ‘shqiptarët janë njerëz me bisht’!

Etnizimi është politikë që ndan lehtësisht, por nuk bashkon kurrë. Ne jemi ngopur me rrudhosjen dhe cungimin e vlerave historike e kombëtare për hir të luspave shumëngjyrëshe të ‘izmave’ të kohës. Nxënësit francez paskan të drejtë të emancipohen me admirim në frymën e tyre kombëtare, veçanarisht gjatë episodit që e bëri Francën moderne, rezistenca çlirimtare (La Resistance) e kryesuar nga Sharl De Goli kundër okupimit nazist të Francës, por kjo ligjësi nuk vleka edhe për shqiptarët. Historia e cila përpunohet varësisht prej shablloneve të sistemeve të kohës është e dëmshme për popullin e dobët. Zaten, luftërat e përgjakshme që shpërbënë Jugosllavinë u mundësuan pos të tjerash, edhe nga degradimi i historisë që i bëri Beogradi në kurriz të kroatëve, boshnjakëve e shqiptarëve. Cili ishte hajri i historisë së sakatosur e cila lejohej për shqiptarët nga Jugosllavia e Titos!? Mos vallë sasia e ‘bashkim – vëllazërimit’ të tyre apo ‘cilësia’ e Boro & Ramizit multietnik?! Apo përgjërimet e kurtizanëve të Titos si Fadil Hoxha, Sinan Hasani, Azem Vllasi, Ali Shukriu e Xhavit Nimani të cilët deklaronin paturpësisht se shqiptarët na qenkëshin të lidhur përjetë me Jugosllavinë! Ja, ky është dëmi kapital i Landovicës së Boro & Ramizit, kusuri i të cilëve po paguhet në kurrizin e gjeneratave në relatën trashëgimore: baba – fëmijë – nip...

Parashtrojmë pyetjen: Përse në shkollat shqipe gjithandej Luginës së Preshevës, Malit të Zi apo Maqedonisë nuk lejohet që tekstet mësimore të jenë në bazë të planprogramit të hartuar nga Republika e Shqipërisë? Një shembull që do të ilustronte këtë gjendje të nderë të mohimit të identitetit kombëtar shqiptar është Mali i Zi, i cili edhe pse është nënshkrues i Marrëveshjes së Bolonjës tekstet mësimore për shkolla shqipe, si historinë, letërsinë, artin, muzikën, që përfaqësojmë tharmin e kalitjes së identitetit kombëtar tek nxënësi, nuk lejon të jenë sipas planprogramit mësimor të Shqipërisë. Sipas disa vrojtimeve shqyrtuese Në Mal të Zi, në katër vitet e fundit të shkollës fillore, shqiptarët në lëndën e historisë mësojnë vetëm 2.7% për historinë kombëtare, ndërsa 97.3% e ligjëratave iu kushtohet historisë së shteteve tjera. Këso gjendje kanë edhe shkollat e mesme shqipe në Mal të Zi, ku historia kombëtare mësohet 2.9% kurse e vendeve të tjera 97.1%. Njësoj mund të themi edhe për shkollat shqipe në Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, ku tekstet vazhdojnë të jenë në frymën asimiluese të qenësisë kombëtare. Efekti i parapërcaktuar i këtyre teksteve të dëmshme po vjelë tashmë frytet e veta; p.sh në Malësinë e Rozhajës apo të Tuzit, rinia shqiptare në jetën publike po komunikon në gjuhën serbokroate, pasojë kjo e politikave shkombëtarizuese antishqiptare. Ne nuk duhet të presim të demobilizuar si popull aktin e fundit të dramës për të kuptuar intrigën tërësore tragjike të saj, meqë atëherë vëllimi i tragjedisë do të jetë i pafalshëm dhe humbja e pashmangshme. Në një rast Alain Bosquet do të thoshte për historinë: ‘Të kaluarën nuk mund ta pushtosh, as mund ta ndreqësh, dhe nëse i del për zot, është e domodoshme ta mbash parasysh: duhet pohuar se ne jemi njëherazi zotërit dhe skllevërit e saj.

Tags: analiza...!, analysis...!, vedat xhymshiti
Prev: Bush dhe Putin fillojnë takimin

Keine Kommentare: