Freitag, 27. Juli 2007

Pse keni frige nga bashkimi!!

Pse kini frikë nga bashkimi!! (Nga Koço Danaj) Jul 18, '07 9:38 AM
for everyone

Pse kini frikë nga bashkimi!!

Duket se zhvillimi i ngjarjeve të fundit rreth dhe për Kosovën dhe statusin e saj, duket se deklarimet e aleatëve më të ngushtë të saj, SHBA
dhe Angli, apo kundërdeklarimet e Rusisë dhe disa vendeve evropiane, po çojnë pashmangshmërisht kalimin në një stad të ri. Tashmë për këdo që njeh
sadopak politikën dhe zhvillimet rajonale, është e qartë se Plani Ahtisari është i tejkaluar. Projektrezoluta e fundit e OKB-së lidhur me statusin e Kosovës dëshmon se Plani Ahtisari praktikisht nuk ekziston. Dhe pakoja e Ahtisarit është konsideruar si Plani A. Ai është i tejkaluar nga të gjithë, nga ata që e pranonin dikur dhe nga ata që e kundërshtonin dikur.
Shikoni me kujdes: Ata që e mbështesnin dikur, tashmë u thonë politikanëve shqiptarë se duhen edhe 4 muaj kohë. Por jo vetëm kaq, por që edhe pas 4 muajsh të fillojnë përsëri bisedimet rreth statusit. Çfarë janë këto katër muaj? Zyrtarisht thuhet se janë kohë për të bindur Rusinë. Zyrtarisht thuhet se është kohë që shqiptarët dhe serbët të merren vesh mes tyre. Por për çfarë të merren vesh? Serbët nuk pranojnë pavarësi. Ndërsa shqiptarët nuk lëshojnë pavarësi. Pra, dështim pa filluar akoma. Por nuk është as njëra dhe as tjetra. Por realisht duket se është kohë që SHBA dhe miqtë e tjerë të shqiptarëve duan për të kaluar në Planin B.
Cili është Plani B? Plani B duket se është bashkim i Kosovës me Shqipërinë. Për të gjithë të habiturit e mëposhtëm, po bëjmë një arsyetim të thjeshtë.
Ja arsyetimi:
E para: As rusët, as serbët dhe as lobi serb në Evropë nuk u pajtua me Planin A, që në thelb ishte lëshim kolosal i shqiptarëve ndaj serbëve. Dhe ishte lëshim, sepse shqiptarët lëshuan 24 për qind të territorit të tyre në duar të 7 për qind serbëve të Kosovës. Ishte lëshim, sepse ata pranuan që në
Kosovë të ketë dy gjuhë zyrtare, shqip dhe serbisht. Ishte lëshim, sepse shqiptarët pranuan të krijonin një flamur hibrid shqiptaro-serb në vend të flamurit që kanë afër një shekull që i binden.
Po pse serbët nuk u pajtuan? Duket se serbët duan të marrin Kosovën Veriore dhe pas saj Republikën Sërpska. Dhe për të arritur këtë, ata me anë të
rusëve, nuk do të lejojnë kalimin e Planit A. Nga ana tjetër, duket se SHBA nuk ka ndërmend të lëshojë pe lidhur me të ardhmen e Kosovës. Nënteksti i deklarimit të hapur dhe të prerë të
presidentit Bush në Tiranë lidhur me Kosovën dhe rolin e Shqipërisë në statusin e saj, ishte i kuptueshëm dhe i paraprin hartimit të Planit B.
Prandaj, Tirana dhe Prishtina duhet të hedhin në tavolinën politike Planin B, që do të thotë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Tirana e ka më të lehtë, është në fazën e zgjedhjes së presidentit të Shqipërisë. Dhe është rasti më i mirë për të mos zgjedhur as filorus dhe as filoserb, por thjesht një shqiptar në krye të shtetit. (Por Tirana deri më tani po sillet sikur Kosova të jetë Darfuri dhe jo pjesë e kombit shqiptar. Tirana deri tani po sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe jo sikur Hanibal ante portas-Hanibali është te porta).
E dyta, ka të bëjë me faktin se ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është pjesë e tezës universale mbi vetëvendosjen. Pra, nuk kemi të bëjmë me shkelje apo herezi, por thjesht me demokraci. Për kujtesë, na duhet të pohojmë se shtetet nacionale janë shumë herë më efikase për zbatimin e demokracisë, se sa shtetet multinacionale apo ato artificiale. (Jugosllavia
dhe Bashkimi Sovjetik janë shembulli më i saktë se sa shoviniste janë shtetet shumëkombëshe).
Dhe e fundit: Ndryshimi i kufijve artificialë midis shteteve është i papranueshëm me dhunë, por është i pranueshëm kur dhuna përjashtohet. Kështu thotë Helsinki apo Kopenhaga. Shqiptarët tani kanë një mekanizëm të shkëlqyer në duart e tyre: Dialog me këdo, dialog për gjithçka, pa vendosur fillimisht për asgjë. Serbët dhe lobi proserb në Evropë dhe në botë kërkojnë ndarjen e Kosovës. Shqiptarët në Tiranë, Prishtinë, Tetovë etj., duhet të kërkojnë bashkimin në një shtet të vetëm. Pas kësaj kërkese
Demokratike, edhe Brukseli proserb do të fillojë të flasë shqip!!!
Por le te rikthehemi tek titulli. Duket se një pjesë politikanësh në Tiranë, Prishtinë apo Tetovë nuk kanë dëshirë të përpunojnë Planin B. Ata nuk kanë dëshirë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Prandaj, në mënyrë të natyrshme shtrohet pyetja: Pse kini frikë nga bashkimi? Për hir të paaftësisë?
Për hir të komoditetit të posteve? Për hir të "lugës së çorbës së prishur"? Për hir të stabilitetit ballkanik? Për hir të internacionalizmit? Pyetjet kërkojnë përgjigje. Dhe kjo përgjigje bëhet edhe më e domosdoshme kur merresh me zgjedhjen e presidentit.

Keine Kommentare: