Freitag, 28. September 2007

Turpi i perfaqsimit te Shtetit dhe kombit,shkruan Fatos Aliu

Turpi i përfaqësimit të shtetit dhe kombit!
Letër e Hapur ambasadorit të Shqipërisë në Beograd, Spiro Koçi, me rastin e intervistës së tij në Beograd, „Kosova nuk do të bashkohet me Shqipërinë“, nga: http://lajme.dervina.com/?sherbimi=lajme&lajmi=5216-1042:891
Kjo letër, njëkohësisht i dedikohet gjithë udhëheqjes politike jodinjitoze shqiptare që mbështet Planin neokolonialist dhe shkombtarizues të Ahtisarit.

Shkruan: Fatos Aliu

„Planin e Ahtisarit“ nuk e mbështesin shqiptarët e identitetit dhe bashkimit kombëtar shqiptar, zotëri ambasador i diplomacisë (poshtëruese) shqiptare. Serbia e ka refuzuar këtë plan vetëm për qëllime të pangopshme shoviniste, taktike e strategjike. Serbia me këtë plan nuk largohet nga Kosova, por rivendos shtyllat e reja kolonialiste. Fatkeqësisht, Ju zotëri, nuk jeni përfaqësues i denjë i shtetit shqiptar, i dinjitetit dhe integritetit kombëtar shqiptar. Ju shkelni mbi Kushtetutën e Shqipërisë - aspiratën e popullit shqiptar për bashkim kombëtar! Ju nuk merrni shembull nga popujt e tjerë të bashkuar, as nga Gjermania e Bashkuar, edhepse më parë naci-fashiste, dhe e ndarë pas Luftës së II Botërore! Ju shkelni parimet e Bujanit për Vetëvendosje dhe Bashkim Kombëtar, të ratifikuar edhe nga Aleanca Antifashiste e Atlantikut, të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje, vetëvendosjen si parim ndërkombëtar! A e keni të njohur pse është luftuar armiku nazi-fashist nga UshtriaNacionalÇlirimtare dhe Aleanca e Atlantikut, si dhe ai serbomadh nga UshtriaÇlirimtareeKosovës&NATO-USA? Pse u derdh gjaku shqiptar i çlirimit kombëtar në troje shqiptare? Kështu si flitni e deklaroni, Ju nuk jeni diplomat kombëtar e shtetëror, po një kukull servile e politikave dhe agjenturave neokolonialiste e pansllaviste, me politikat e këtilla poshtëruese të Shqipërisë në planin kombëtar e ndërkombëtar?!



Në Kosovë nuk bëhet fjalë për pavarësinë në parime të vetëvendosjes, por për kontrollin e ri të Kosovës në emër të “pavarësisë”, për „mbikëqyrjen“ e „pavarësisë neokolonialiste“ të Kosovës, kontrollin dhe zotërimin e qarqeve të huaja kolonialiste, me shtyllat e reja të Serbisë në Kosovë. Kjo lloj „pavarësie“ sipas këtij plani, nuk e largon Serbinë nga Kosova, përderisa parasheh zhveshjen totale nga trashëgimia pronësisë kulturore të Kosovës në favor të Serbisë, zyrtarizimin dhe kthimin e kriminelit në vendin e krimit, denacionalizimin e plotë të Kosovës, tjetërsimin e tokave dhe pronave kombëtare të Kosovës. Ky plan është modifikim dhe ndërkombëtarizim i planeve të çubrilloviqëve, rankoviqëve e millosheviqëve, tani në formë më të sofistikuar dhe efikase. Ai ka për qëllim ta shndërrojë Kosovën shqiptare (me mbi 90% shqiptarë) në Kosovë multietnike, bosht të së keqes kolonialiste në Ballkan. Shikoni me kë është realizuar ky plan, se kush janë anëtarë të „Grupit të Unitetit“ të Kosovës, se pse dhe sa të korruptuar janë këta negociatorë të negociatave me Serbi? Shikoni si janë bashkuar profiterët e vjetër me ata të rinj të pasluftës, si janë pasuruar, sa prona kombëtare të Kosovës kanë uzurpuar, sa vila e objekte personale kanë ndërtuar, me çfarë makina e xhipa lëvizin e bëjnë orgji „institucionalistët“- „aparatçikë“ të UNMIK-ut, derisa Kosova kërkon zgjidhje dhe vuan nga varfëria e papunësia ekstreme?! Apo të tillët i përkrahni ju, bile ndodh që t'u jepni nënshtetësi shqiptare, edhe pasaporta diplomatike!?
Këto politika aktuale, „pragmatike“ e „fleksibile“ që bëni ju, janë të njohura, qëkur kjo lloj „diplomacie“ njohu IRJM pa kushte, theu embargon në kohë lufte ndaj Serbisë, apo qëkur i krijoi piramidat e shkatërrimit dhe vëllavrasjes së Shqipërisë!
Kujdes, se po ndërtoni piramida të reja, zotëri ambasador! A e dini fare se pse është dizajnuar ky plan, apo doni që ta kallni Kosovën, me simbole të reja shkombëtarizuese të skllavërimit të shqiptarëve të Kosovës?!
Më mirë do të ishte të flitni me gjuhën e diplomacisë kombëtare, në shembullin e zëvendës ambasadorit të Shqipërisë në Vashington, Kreshnik Çollakut!
Ju që „përfaqësoni“ Shqipërinë londineze, nuk keni të drejtë të deklaroheni kundër bashkimit të trojeve shqiptare, sepse Kosova është shqiptare dhe i takon Shqipërisë, si edhe trojet e tjera, akoma nën okupimin sllav të mbeturinave të ish-Jugosllavisë.
Mos e shkelni Kushtetutën e Shqipërisë, se do t'ju mallkojë gjaku i çlirimit kombëtar ndër shekuj! Kushtetuta e Shqipërisë duhet t'i ribashkojë e jo copëtojë trojet shqiptare.

Prishtinë, 28 shtator 2007

Keine Kommentare: