Sonntag, 30. September 2007

Ushtari shaban Ramadan Xhemajli ia fal jeten Shqipris Natyrore

PËRVJETORË QË S´HARROHEN KURRË!

Shaban Ramadan Xhemalji (1953-1999)



U lind në katundin Vërrishtë rrethi i Mitrovicës.
Atdhetari i devotshëm i orëve të para të pranverës `81, rrjedh nga një familje atdhetare, e cila kurrë nuk u pajtua me robërinë. Në historinë e viteve 20-ta të shekullit të kaluar njiheshin luftëtarët e shquar vëllezërit, Halil dhe Shaban Xhemajli, (plaku) të cilët 12 vjet luftuan kundër Serbisë, përkrah trimit të madh të “Arbërisë së Vogël” Azem Galicës.

Gjurmët e qëndresës familja e tij nuk do t´i harronte përjetësisht, por kurdoherë që atdheu ishte në rrezik tek kjo familje e gjeti forcën morale kombëtare dhe veprimtarinë heroike përballë pushtuesve shekullorë serbo-malazezë. Kjo, mbase nuk do të pasqyrohej aq fuqishëm sikur trojet etnike shqiptare, dhe konkretisht trojet e kësaj familjeje titanike, të mos orvateshin t´i uzurponin kolonët serbo-malazezë, që nga viti më i mbrapshtë në historinë e popullit tonë, më 1913. Është krejt e natyrshme që pushtimin e trojeve etnike do të duhej të mbrohej me përpjekje gjak, kjo pastaj do të shkaktonte urrejtje të pakufishme për pushtuesit nëpër dekada tepër të errëta gjatë historisë tragjike të Kosovës Kreshnike dhe të viseve të tjera shqiptare. Edhe në luftën e dytë botërore të parët e Shabanit do të pozicionoheshin në llogoret e luftës çlirimtare, përkrah të atdhetarit të madh, Shaban Palluzha, i cili siç do t´ju thoshte me një rast bashkëluftëtarëve të vet: “luftën e kemi nisë me 7 krajli të Ballkanit dhe të Evropës, këtë luftë po e bëjmë për t´ju treguar armiqve se nuk duam të humbet Shqipëria, pa u flijuar deri në fund i madh dhe i vogël” – pra, kjo dëshmonte qëndresën tyre heroike, sipas motos të Pashko Vasë Shkodranit i cili në poemën epike: “O moj Shqypni” do të jepte kushtrimin:

“Para se të humbet kështu Shqypnia,
Me pushkë në dorë le të vdes trimnia!...

Lufta e pabarabartë me pushtuesit shekullorë dhe tradhtia që u gatua nga djajtë e Titos nga shqipfolësit, puthadorët e asaj pjesës së keqe kosovare nga Ali Shukriu , Sinan Hasani, Azem Vllasi e të tjerë, solli fatkeqësi të reja historike, kur Kosova me vise mbeti jashtë trungut të shtetit amë- Shqipërisë. Kjo tradhti atyre kurrë nuk do t´ju falej, por bij´e bija të devotshëm do të luftonin me pushkë e penë për ta bërë Shqipërinë.

Shaban Xhemalji ishte i vetëdijshëm për rreziqet që i kërkonte kjo përpjekje, që kur mori pjesë aktive në demonstratat e vitit 1981. Ay, djalosh trim me një trup kreshniku, do t´i përballonte skuadriljet e policisë së Herleviçit, me një shami të kuqe të mbështjellë rreth qafës e cila e simbolizonte flamurin tonë, duke i përbuzur hapur pushtuesit që krekoseshin të veshur në çelik deri në dhëmbë, për ta vrarë e frikësuar rininë dhe popullin heroik të Kosovës. Vitet do kalonin si nëpër netët plot rreziqe; mua më kujtohet një rast i paharruar në jetën time; kur udhëtoja nga Prishtina në Mitrovicë me autobus, (me sa më kujtohet ishte viti 1977), isha ulur përkrah dajokut, - e quaja kështu sepse dëshiroja ta nderoja për faktin se Shabani ishte daja i një shokut tim të ngushtë, ilegalit të atyre viteve me të cilin veproja, quhet Fevzi Beqiri. Pra, derisa po bisedonim me Shabanin, Ay papritur e nxori nga xhepi një fotografi të shokut Enver Hoxha dhe m´drejtua: dajok a e njeh këtë burrë të madh të kombit? Derisa, po e shikoja fotografinë të cilën e njihte çdo atdhetar, Ay, shtoi: “nëse nuk e din kush është po të tregoi; - unë si me shaka ia ktheva, po kush është ky burrë kaq bukurosh, o dajok? Ky, është kryetari i të gjithë shqiptarëve” – ma ktheu.

Mua, se ç´ më erdhën si vetëtima këshillat e shokëve ilegalë: “gjatë përpjekjeve tona, duhet të kujdesemi të mos u biem në sy armiqve për veprimtarinë tonë dhe për synimet tona e në veçanti të kujdesemi në vendet publike”! - Dajok - ia ktheva; fotografinë fute në xhep, sepse ne fort mirë e dimë kush është ky burrë! Duke e parë se këshilla ime qe me vend, si një djalosh tepër i qetë që ishte me shokët, menjëherë më dëgjoi dhe vijuam më tej rrugën drejt qytetit të minatorëve -siç i e quanim Mitrovicën, atëbotë.

Shabani ishte punëtor në njërën nga fabrikat e qytetit dhe njëkohësisht i vazhdonte studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, pa shkëputje nga puna.

Vitet do të kalonin si nëpër flakë, gjatë fillim viteve Shabani do të anëtarësohej në Partinë e Unitetit Kombëtar, e cila në programin e vet i kishte dy alternativa: ribashkimin e trojeve shqiptare dhe parimin e devotshmërisë sipas motos të të madhit Ukshin Hoti: “Shqipërinë bëje ose vdis”!

Gjatë kësaj kohe armiqtë do t´i binin në gjurmë, për shumë net do ta merrnin në “biseda informative” bashkë me vëllain e tij, Sahitin, i cili tani ka emigruar në Suedi; do t´i torturonin që t´i dorëzonin armët e të parëve, por nuk ia arritën dot t´jua merrnin ato.

Ky burrë Kosove, asnjë çast nuk u tund, nuk u hamend, nuk u frikësua.
Po i priste kohët më të mira, pra t´i bashkohej luftës çlirimtare.
Vendin e partive revolucionare dhe të vizioneve çlirimtare, në fund të viteve nëntëdhjeta do ta zinte e famshmja - UÇK.

...Dhe, ajo kohë erdhi, Shabani pa hezitim do t´u bashkohej celulave të para të saj; ishte njëri nga ata që kishte udhëtuar drejt Shqipërisë së andej Drinit, për të marrë armë dhe këtë punë e kishte kryer me sukses me shumë shokë. Jo vetëm se do të merrte pjesë Ay por, shok armësh e kishte dhe djalin e tij, Muhametin. Do të radhiteshin në Brigadën 142 të Zonës së Shalës. Automatiku i tyre volli zjarr kundër ushtrisë serbe në rrethet Drenicë, Shalë e gjetiu...

Shabani, u dëshmua si trim i vërtetë në shumë luftime.
Më 6 qershor të vitit 1999, në katundin Lushtë të rrethit të Mitrovicës, gjatë një nate tepër të stuhishme nga luftimet do të binte në pritë të armikut, për të mos vdekur kurrë; atë natë u plagosën dhe katër ushtarë të tjerë, trupi i Shabanit nuk do të gjendej deri në muajin janar të vitit 2004. Ah, sa keq!

– Shumë vite qëndroi edhe pas rënies heroike në mërgim, në tokat armike, pra në Serbi.
Tani, trupi i tij pushon në tokën e tij të dashur shqiptare.
Pra, më 16 janar bëhet varrimi i tij me nderime të larta ushtarake nga shokët dhe eprorët e tij të UÇK-së.

Lavdi jetës dhe veprës heroike të atdhetarit të madh, Shaban Xhemajli!

I qoftë i lehtë dheu i tokës së Shqipërisë Natyrore!

Lavdi dëshmorëve të kombit!

Suedi, 5 qershor, 2007

Keine Kommentare: