Sonntag, 17. Juni 2007

Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Kosova sot

Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Kosova sot
Nga Pajazit Nushi
E shënojmë përvjetorin e njëqindenjëzetenëntë të organizatës së parë politike shqiptare – të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit -, e cila u vu në krye të lëvizjes kombëtare të popullit shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Kjo organizatë, siç është e njohur, luftoi për çlirimin e vendit të shqiptarëve nga robëria osmane duke mbrojtur tërësinë e atdheut të ndarë në vilajete të cenuara nga gllabërimi i tokave të tij nga fqinjët duke synuar formimin e shtetit kombëtar të shqiptarëve. Pika e përbashkët ku ishin konvergjuar përpjekjet e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve në vitet 70 –ta të shekullit nëntëmbëdhjetë të udhëhequra nga organizata e Lidhjes Shqiptare e Prizrenit ishte: lufta për të drejtat e kombit shqiptar për shtet të vet, për pavarësi politike dhe për emancipim kulturor të tij. Përpjekja dhe lufta e këtillë e LSHP, pavarësisht nga shuarja me dhunë e saj pas katër vitesh, ishte përcaktuesi kryesor i vetëdijes së formuar kombëtare të shqiptarëve, që nxiti dhe drejtoi aktivitetin e tyre në liri, pavarësi dhe sovranitet në kushte dhe raporte të ndërlikuara dhe të kompozuara në variante të shumëllojshme politike, ushtarake dhe ekonomiko-sociale gjatë dekadave të fundit të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe të atyre të shekullit njëzet. Në rrjedhë të një kompozimi modalitetesh të ndryshme të formacioneve organizuese politike, juridike e shtetërore të popujve të Evropës shqiptarët arritën pas tridhjetekatër vjetësh të organizimit të LSHP të formojnë shtetin e tyre vetëm për rreth gjysmën e popullsisë shqiptare dhe të tokave të tyre, kurse pjesa tjetër e tokave të banuara kryesisht me shqiptar u bë rrip toke kufizuese e shtetit të cunguar shqiptar. Më tepër se një e treta e të gjithë shqiptarëve janë të përqendruar vetëm përgjatë kufirit verior dhe lindor të shtetit të Shqipërisë. Ky vështrim është lidhje faktesh të hedhura aty-këtu në horizontin e njëmendët të vërtetësisë së tyre.

Pavarësisht nga ndarja politike e shqiptarëve të këtij rripi kufizues me Shqipëri që nga viti 1913, vetëdija e shqiptarëve për etnikumin e horizontit të tyre dhe për synimet e LSHP reflektohej vazhdimisht në përpjekjet dhe angazhimet e formave të llojllojshme për pavarësi dhe sovranitet në organizmin dhe udhëheqjen e jetës politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të tyre.

Etnikumi i Kosovës në kuptimin e lidhjes së saj me zhvillim burimor të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve dhe të historisë politike të popullit shumicë në kontinuitet të Kosovës është i lidhur me platformën politike të LSHP. Këtë lidhje e pohojmë, sepse “Kosova nuk ishte në përbërjen e shtetit sovran dhe të pavarur të Serbisë me subjektivitet juridik ndërkombëtar të pranuar në Kongresin e Berlinit”. Për këtë shkak indi shpirtëror kombëtar i shqiptarëve dhe trupi i tij nuk është këputur anë e përtej pas vitit 1913, por pas rrënimit me forcë të LSHP. Prej kësaj kohe duhet kërkuar rrënjët e “çështjes shqiptare”, e cila, siç pohon historiani Noel Malkom “...kjo ngjarje (vrasja e Mehmet Ali Pashës në Gjakovë P.N.) e solli “çështjen shqiptare” me forcë në qendrën e vëmendjes së qeverive të Perëndimit dhe të lexuesve të gazetave”. Në vitin 1913 kjo ndarje e indit shpirtëror dhe trupor ka marrë formën juridiko-politike dhe kjo u përcaktua pasi forcat ushtarake serbe dhe malazeze pushtuan Kosovën në nëntor të vitit 1912. A ka mundësi të lidhen dhe të komentohen aspiratat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me aspiratat e shqiptarëve të Kosovës dhe jo vetëm të tyre, me pavarësi të Kosovës?

Vetëdija kombëtare e shqiptarëve dhe zhvillimet politike

për shtetin e Kosovës

Vetëdija kombëtare është një kategori psikologjike, e cila i bën shqiptarët subjekt politik të vetvetes Vetëdija e këtillë në gjuhën juridike më shpesh përmendet si formë e shprehur me vullnetin e popullit. Përcaktimi i popullit shumicë të Kosovës me vullnet të tij që të jetojë në pavarësi nga të tjerët në territorin e vet është forma e qartë e manifestimit të vetëdijes së tij. Vetëdija e këtillë prore është produkt i zhvillimeve ndërkombëtare dhe i ndikimit të tyre në shqiptarët, sidomos në ata të Kosovës, që e bën të pjesshme realizimin e drejtimit të vetëdijes kombëtare. Megjithëkëtë, ky është realitet politik, social dhe psikologjik, që u krijua në rrethana të reja politike dhe historike. Madje, edhe zhvillimi shumëvjeçar i Kosovës pas rrymimeve të shumta dhe të llojllojshme politike, ekonomike, sociale e ushtarake prej vitit 1878 të LSHP deri më sot ka shpuar deri në formimin e individualitetit gjeografik, demografik, historik, sociologjik dhe politik të veçantë, por të pashkëputur nga tërësia e kombit shqiptar dhe e integruar etnikisht dhe shpirtërisht me horizontin e botës shqiptare. Individualizimi territorial, historik, gjeografik, social e politik i Kosovës në kuadrin e kombit shqiptar reflektohet edhe në vetëdijen e shqiptarëve të Kosovës dhe të të tjerëve që jetojnë në Kosovë. Por, edhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare duhet të vetëdijesohen se njohja e vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës si formë konkrete e emancipimit të ardhmërisë së Kosovës buron nga tërësia e vetëdijes së viteve shumë më të hershme.

Vetëdija kombëtare ka parimet e zhvillimit dhe të veprimit të saj, që ndryshojnë nga parimet dhe veprimet e organeve dhe të institucioneve juridiko-politike të një populli, përkatësisht të një vendi. Ndër të tjera, zhvillimi i saj lidhet me historinë ekonomike, sociale dhe politike e kulturore të një populli, por veprimi i vetëdijes kombëtare nuk i nënshtrohet parimeve politike dhe ekonomike të zhvillimit të atij populli. Vetëdija kombëtare zhvillohet dhe formohet në kuadrin e zhvillimeve sociale, por kjo një herë e formuar nuk e ndërprenë ndikimin e saj sipas marrëveshjeve politiko-juridiko të asnjë niveli, madje edhe të nivelit ndërkombëtar. Ndër shqiptarët vetëdija kombëtare e zhvilluar u shfaq në lëvizjen kombëtare dhe u identifikua në LSHP. LSHP u shua, por vetëdija kombëtare ushtron ndikim të pandërprerë në nxitjen dhe në organizimin e sjelljeve individuale të qytetarit të bazuara në sentimentin e atdhedashurisë. Sentimenti i atdhedashurisë ndër shqiptarët e Kosovës e ka burimin dhe forcën e vet në platformën e ideologjisë së LSHP. Ky sentiment, sikurse edhe te të tjerët, e ka bazën e vet historike. Baza burimore intelektuale, emocionale dhe vepruese e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve është LSHP. Mbi këtë bazë kjo nxiti aktivitete të organizuara në forma të ndryshme gjatë një harku kohor sistemesh politiko-juridiko të ndryshme, që shtrihet prej më se një shekull e gjysmë. Funksionin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve nuk arriti ta ndërpresë asnjë sistem politiko-juridik dhe ushtarako-policor. Funksioni i këtillë i vetëdijes kombëtare te shqiptarët e Kosovës, dhe jo vetëm te këta, u manifestua posaçërisht në dekadat e fundit të shekullit njëzet. Por, funksioni i këtillë i vetëdijes kombëtare të shqiptarëve objektivisht as që mund të ndërpritet. Sikur popujt e shteteve të Evropës, sidomos ata të shteteve Ballkanike, të ishin të vetëdijshëm dhe të gatshëm për njohjen e sentimentit të atdhedashurisë së shqiptarëve, për respektimin e vullnetit të shqiptarëve dhe për pranimin e vetëdijes kombëtare të tyre do të zgjidhnin rrugën e bashkimit të shqiptarëve dhe të trojeve të tyre përbri kufijve të Shqipërisë në një shtet të përbashkët ose së paku do të lejonin bashkimin e Kosovës me Shqipëri. Por, në këto rrethana politike bashkëkohore jo veç që nuk ekziston vullneti dhe gatishmëria politike për një zgjidhje të këtillë, por me vështirësi të mëdha po arrihet vetëdijesimi i përfaqësuesve të disa shteteve për zgjidhje të statusit së Kosovës së pavarur dhe sovrane. Madje, ka edhe burra shteti, të cilët e quajnë të dëmshëm dhe të rrezikshëm pranimin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës, bile edhe të pavarësisë së mbikëqyrur!, ndonëse për këtë solucion ideja lindi në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, pra rreth më shumë se një shekulli pas LSHP. Veçantia e individualitetit të zhvilluar historik, sociologjik, ekonomik e psikologjik të popullsisë së Kosovës me një proces të gjatë përpjekjesh e luftërash prej njëqindenjëzetenëntë vjetësh për pavarësi i bën të paargumentuara pohimet se Abkhazi, Osetina e Jugut, etj. do të kërkojnë pavarësi, kur dihet se populli i këtyre vendeve të drejtën e tyre për pavarësi e kërkojnë jo më shumë se dy dekada. Më në fund përse të mos u jepet kjo e drejtë edhe atyre që këtë e meritojnë?


Çështja Shqiptare e pazgjidhur hyri në shekullin njëzetenjë

Lëvizja Kombëtare e Shqiptarëve ka synuar dhe tash synon zgjidhjen e çështjes shqiptare. Por, kjo lëvizje këtë nuk ka arritur ta zgjidhë. Rrethanat politike të brendshme, në radhë të parë, por edhe ato ndërkombëtare, sidomos raporti kurrë i balancuar ndërmjet tyre për zgjidhjen e çështjes shqiptare ka shkaktuar zvarritje të gjatë të kësaj çështjeje duke e vënë këtë në shekullin njëzetenjë pa projekt të zgjidhjes së saj. E hapur që nga viti 1913, por me rrënjë të mëhershme, çështja shqiptare u përmend rrëshqitazi dhe pasukses në mbarim të Luftës I Botërore, e njëjta nuk arriti të hyjë në dosje të problemeve të pazgjidhura nga Lufta II Botërore, u përmend rrallë prej vitit 1945 deri rreth viteve 80 – ta të shekullit të kaluar. Përfaqsuesit e shqiptarëve nuk arritën t`i përcjellnin në Paris jo vetëm marrëveshjen e thyer të Konferencës së Mukjes, por as vullnetin e popullit të Kosovës, të shprehur në Rezolutën e Bujanit, sipas së cilës populli i Kosovës dëshiron bashkimin me Shqipërinë. M[e rendin e krijuar të shteve pas përfundimit të Luftës II Botërore këtë çështje, përkatësisht çështjen shqiptare e “la të heshtur kapaku i hekurt i ideologjisë komuniste”. Po ky kapak i hekurt nuk e la të përmendet edhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. E pabesueshme, por i vërtetë është fakti se shqiptarët e viseve jashtë shtetit shqiptar janë dënuar rreptësishtë kur kanë përmendur Lidhjen e Prizrenit, por edhe më e çuditshme është e dhëna se “Zëri i Populli” i Tiranës e ka përmendur Lidhjen e Prizrenit me rastin e shënimit të dyzetepesë vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë! Problemi Kombëtar u përmend nga Enver Hoxha në sesionin e 3 të Kuvendit Popullor të Shqipërisë vetëm në fillim të marsit të vitit 1959. Por, edhe më vonë Lidha e Prizrenit dhe çështja kombëtare janë dy nocionet themelore të historisë kombëtare që më së paku janë përpunuar shkencërisht dhe më së paku janë përmendur edhe në shtypin e ditës. U shënua përvjetori i tetëdhjetë i Lidhjes së Prizrenit në Shqipëri dhe shtypi i atëhershëm i dha publicitet të kufizuar kësaj ngjarjeje të rëndësishme; shënimi i nëntëdhjetë vjetorit të saj ishte më i fuqishëm dhe ushtroi ndikim edhe në rininë shqiptare të Kosovës, e cila u ngritë në demonstratë duke kërkuar status politik të përshtatshëm të Kosovës, përkatësisht duke kërkuar të drejtën e vetëvendosjes dhe status të republikës për Kosovën. Kjo ngjau pikërisht atëherë, kur Shqipëria braktisi Paktin e Varshavës. Në këto demonstrata nuk kanë munguar as thirrje për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, që ishte hap i rëndësishëm për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Në atë vit përfunduan edhe amendamentet kushtetuese , zbatimi i të cilave nxitit disa ndryshime kushtetuese në vitin 1971, kurse më 1974 këto ndryshime kulmuan me Kushtetutën e parë të Kosovës. Ngel të studiohen më thellësisht faktorët politiko-social dhe ekonomiko-ushtarak të shqiptarëve, Shqipërisë dhe të fqinjëve, sikurse edhe raportet ndërmjet shteteve juglindore të asaj kohe. Njëqindvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u shënua me madhështinë që e meritonte si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, por edhe në diasporën shqiptare duke hapur perden e mbuluar të çështjes shqiptare. Jehona e shënimit të përvjetorit të njëqind të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe botimi i punimeve të Konferencës shkencore të mbajtur në Tiranë dhe në Prishtinë, sikurse edhe botimi i librave dokumentues të përpjekjeve dhe luftërave të Shqiptarëve për zgjidhje të çështjes kombëtare ushtroi ndikim të fuqishëm në rininë shqiptare të asaj kohe, sidomos në rininë e Kosovës, e cila pas tri vitesh u ngrit në demonstrata të fuqishme për Kosovën Republikë.

Shteti – parti i Shqipërisë moniste në kërkim të qëndrimit ndaj Kosovës

Për zgjidhjen e çështjes kombëtare Lëvizja Antifashiste Nacional Clirimtare e Kosovës u përcaktua për kushtet dhe mundësitë e zgjidhjes së saj në Konferencën e Parë Themeluese të Këshillit Nacional Clirimtar për Kosovë dhe Rrafshë të Dugagjinit, ku u mor vendimi rezolutiv, sipas të cilit Kosova, si rezultat i kësaj lufte, do t`i bashkohej Shqipërisë. Mirëpo, kjo nuk ndodhi pas përfundimit të Luftës, ku morën pjesë mbi 50 000 luftëtar nga Kosova. Në korrikun e vitit 1945 në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare gjoja se u shpreh vullneti i popullit të Kosovës për bashkim me Serbinë Federale. Me këtë qëndrim fryma e programit të Lidhjes së Prizrenit u thye rëndë, pikërisht siç ndodhi në kohën e Jasterbovit në Prizren para më shumë se një gjysmë shekulli. Udhëheqsia e Shqipërisë u vu në pozicion të përcaktimit të qëndrimit politik të saj për Kosovën. Por, për interesimin e saj mori përgjigje: “Le t`i përvjel populli i Shqipërisë duart për zhvillim të socializmit dhe të mos qaj kokën për Kosovën...”. Në Konferencën e paqes në Paris delegacioni i Shqipërisë i hodhi poshtë synimet greke, por nuk arriti ta hapte çështjen shqiptare, ku Kosova kishte qëndrimet e veta.

Zhvillimet në Kosovë u përcollën nga ana e palës së Shqipërisë, por reagime të mirëfillta në institucionet ndërkombëtare për vullnetin e shprehur të popullit shqiptar të Kosovës të mbështetur në parimet e Kartës së Atlantikut dhe për mospërfilljen e tyre nuk janë botuar deri më sot.

Udhëheqësi i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë Enver Hoxha, udhëheqës i Partisë së Punës së Shqipërisë, sipas shkrimit të Ratkocerit “Kujtime”, pas trazirave në Kosovën e viteve 1945, 1968, 1981 dhe, duke qenë i njohur me çështjen e pazgjidhur shqiptare të lidhur me aspiratat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, paska dërguar një mesazh të rinjve të rebeluar. Sipas këtij mesazhi “...në Ballkan kishte vetëm një republikë shqiptare, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, pra nuk mund të kishte dy republika shqiptare”. Më vonë edhe bashkëshortja e E. Hoxhës ka vërtetuar se “Enver Hoxha nuk e kishte parë të arsyeshme që të kishte dy republika shqiptare, një këtej kufiri, shtet më vete, një matanë kufirit brenda shtetit të Federatës Jugosllave”. Mirëpo, për të gjallë të E. Hoxhës ky qëndrim ndryshoi pas demonstratave të vitit 1981. Më 8 prill të vitit 1981 e përditshmja e Tiranës “Zëri i Popullit’ disa artikuj, ndër të cilët i treti me radhë ka pas qëndrimin e prerë: “Kërkesat për t`i njohur Kosovës statusin e Republikës është e drejtë”. Për zhvillimin e mendimit politik shqiptar në përgjithësi dhe për vështirësitë dhe pengesat e zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare të lidhur drejtpërdrejtë me zhvillimet në Kosovën e viteve 80 dhe 90-ta fjala e ish Presidentit të Shqipërisë Ramiz Alisë në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka luajtur rol të rëndësishëm në përmasa ndërkombëtare.

Proceset e zhvillimit pluralist dhe, sidomos shpërbërja e shteteve federale, shpuri edhe në Kosovë në ndryshim të qëndrimit në drejtim të së drejtës për vetëvendosje dhe në formim të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ky qëndrim i drejtë politik i është afruar vetëm një hap zgjidhjes së çështjes kombëtare të shqiptarëve të mbështetur në programin e Lidhjes Shqiptare të vitit 1878. Në rastin më të keq, mospranimi ndërkombëtar i pavarësisë së Kosovës hapë rrugën e përsëritjes së kushteve dhe të atyre raporteve që shpijnë në konflikte të reja në Kosovë dhe më gjerë.


P ë r f u n d i m

Fryma çlirimtare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka nxitë dhe drejtuar lëvizjen kombëtare të shqiptarëve dhe aktivitetet politike të shqiptarëve të të gjitha trojeve të tyre. Mbi bazën e kërkesave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit zhvilloi angazhimet dhe aktivitetin e vet Lidhja e Pejës, Lëvizja e kaçakëve, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, rreshtimet në Frontin Antifashist Nacional Clirimtar, rreshtimet politike kolaboracioniste të shqiptarëve gjatë Luftës II Botërore, rreshtimi i nacionalistëve shqiptar në organizatën e Ballit Kombëtar, Lidhja e Dytë e Prizrenit, sistemi pluralist i partive politike në Kosovë dhe në Shqipëri duke arritur që Kosova vetëm pas 129 vjetëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të bëhet qendër e angazhimit të shqiptarëve të të gjitha trevave dhe të atyre të diasporës, sikurse edhe e forcave demokratike ndërkombëtare. Me pavarësimin e Kosovës po bëhet një hap i rëndësishëm i zgjidhjes së çështjes kombëtare, që hapë horizonte të reja të zgjidhjes së tërësishme të saj. Por, përse kaq vonë, me kaq shumë bredhje e lajthitje dhe me sakrifica të pashoqe, por të njohura pak në komunitetin ndërkombëtar?

(Shenim: Autori Pajazit Nushi mban titullin Akademik në Prishtinë-red.DH.H )

back | 16.06.2007

Keine Kommentare: