Freitag, 1. Juni 2007

Welokome Rusia; Adio Albania,shkruar nga Behxhet Shala

Në fund të javës: Shetitje nëpër Kosovë, Evropë, Amerikë, Rusi dhe, dhe….prozë poetike pa erotikë politike : Welcome Russia – Adio Albania –( sot ), Vetëvendosja e Albinit- Titaniku i Hashimit –( vazhdimi nesër )





KRONIKË E NJË VDEKJEJE TË PARALAJMËRUAR NË KOLUMBI- KRIM POLITIK NË KOSOVË DHE METOHI! (I)





Welcome Russia – Adio Albania! :

Santiago Nasari është një fatkeq në novelën e Gabriel Garsia Markez, “ Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar “, nobelist përndryshe, i cili bie viktimë e një intrige apo më mirë me thënë, përpjekjeje për ta çuar nderin në vend të një vajze të “çnderuar” që, sipas traditës sonë kthehet nga burri natën e parë të martesës, jo për shkaqe politike domosdoshmërisht, por për shkak të mospërmbushjes së standardeve të Virxhin Ahtisarit. Në Kolumbi, Kanuni i Lekës nuk zbatohet si Kushtetutë Morale anadaj mungon edhe Fisheku i Pajës. Si kompenzim i kësaj, me procedurë të shpejtuar bëhet ekzekutimi i çnderuesit. Vëllezërit e femrës, ndryshe therrës të derrave me profesion ndërsa moralist me vokacion, me të kuptuar emrin të cilin motra e tyre e pëshpëriti turr e vrap, paralajmëruan botërisht se shkelësi i nderit familjar do të vritet. Dhe u vra të njëjtën ditë. Ta trajtojmë tani anën psikologjike të problemit. E gjithë qyteza ku jetojnë protagonistët e kësaj ngjarjeje e dijnë se Santiago Nasari do të vritet, vetëm viktima këtë nuk e di këtë. Duke mos ndërmarrë asnjë veprim për ta parandaluar krimin, në heshtje bëhen pjesë e krimit, ndonëse jo në mënyrë aktive. Pra, pajtohen me vrasjen ndonëse fillon një luftë e brendshme, me ndërgjegjen e tyre. Çështja është te morali i dyfisht, kur takohen me viktimën sillen me te si të ishte çdo gjë në rregull ndërkaq pasi të ndahen me te fillon t’i brej ndërgjegja, pse nuk i treguan?! Pastaj, vazhdojnë të jetojnë në amullinë e tyre dhe përfoljeve se çka do të ndodhë. Pas krimit fillojnë komentet se ç’është dashur të bëhet të pengohet ky krim?! Që të jetë absurdi më i madh duket se Santiago Nasari ishte viktimë e rastit, që në emër të ruajtjes së fytyrës dhe nderit të një femreje të “çnderuar”u përdor si pretekst për vrasje për shkak të përkatësisë fetare dhe nacionale, pra politike. Santiago Nasari ishte me prejardhje arabe.

Hamit Kosova është shqiptar nga Stagova dhe jo nga Gjakova të cilit po ia fshijnë kujtesën kombëtare duke i thënë se është kosovar dhe jo shqiptar, se himni i tij i vertetë është “ për hatër të Millanit, kaja nënen Adnanit”, se flamuri kuq e zi, pra ai i Azem Vllasit si edhe ai kombëtar është një leckë e zakonshme për idealistët shqiptarë, ndërsa harta e një Kosove të decentralizuar me shumë ngjyra do të jetë flamur që do të përdoret në Kosovë dhe Metohi e që do të përkrahet edhe në Serbi! Nuk do të përdoret as stema e Ibrahim Cërrcë Fisnikut Të Parë e as Pasardhësve të Tij por stema e Stiven Bej Sheikut në Çiflikun – Haremin ( Kosovën ) e Tij! Se gjuhë zyrtare do ta kemi anglishten dhe serbishten, e kush të dojë, mund ta mësojë edhe shqipen! Se pavarësia për Kosovën si ajo në Serbi, Mal të Zi apo Shqipëri është vetëm një utopi, ndërsa ideale do të ishte pavarësia si në Andaluzi, Shumadi, Korzikë, Tirolin e Jugut, Abhazinë Veriore, Osetinë Juglindore, Tibetin e Pakistanit dhe Kosovën e Kurdistanit! Se Kushtetuta e Kosovës që moti është kryer, tani në gjuhën shqipe është duke u përkthyer. E që të jetë cirku i tëri, komplet, janë formuar do grupe dhe nëngrupe, që reflektojnë Unitet! Deri , më tani, janë shumë unik- midis veti vetëm janë sharë por, fatmirësisht për kombin, zyrat e huaja, BE, Grupin e Kontaktit dhe Kombet e Bashkuara, nuk ka të vrarë! Edhe Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës po e luan rolin e Ekipit të Unitetit, po angazhohet për Kosovën e Pavarur dhe Sovrane në kohën kur anëtarët e saj kanë votuar në Kuvendin e Kosovës për pakon e Ahtisarit e cila, shprehimisht pamundëson realizimin e idealit për të cilin janë mbajtur shekuj dhe shekuj burgje dhe janë bërë sakrificat më sublime. Unë ( me 9 vjet si i burgosur politik) nuk jam anëtar i kësaj shoqate dhe distancohem nga kjo letër që i dërgohet ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit, në emër të Hashimit, që burgun e ka parë, vetëm nëse e përcjell RTK-në e Nebi Qenës, pra në ditar. Ose ka informatë të gabuar se Naser Shatri qenka në burg – qeli, e unë në fakt mendoj se është në liri! Hamit Kosovës po i thonë të mos brengoset se është i papunë, pa ardhmëri, pa gjasa t’i shkollojë fëmijët e tij, të kujdeset për shëndetin e nënës së tij 85 vjeçare, e cila vuan nga pagjumësia por, le t’i lutet të madhit Zot për shëndetin e babës Jakup, i cili po mbahet mjaft mirë ndonëse 87 vjeçar, e sidomos për kontributin e tij në buxhetin familjar! Ky buxhet na ka bërë vegjetarian, për çdo ditë lëng e speca na janë bërë si infuzion! Pra, 40 euro të babës Jakup dhe, ..një ëndërr e mirë, na mbajnë në jetë në Kosovën e lirë!

Lexues të nderuar, Santiago Nasarin e kanë rehatuar shpejt, me një fjalë e kanë vrarë fizikisht, në Kolumbi, ndërkaq Hamit Kosovës ia kanë kajt nënën shpirtërisht, me një fjalë e kanë vrarë politikisht dhe kombëtarisht në një territor të quajtur Kosovë dhe Metohi! Pra, kanë bërë krim politik në emër të ruajtjes së integritetit të tij fizik!

E tash, Shqipëria, si nënë e shqiptarëve të Afganistanit, të japonezëve të Dagestanit, të kroatëve të Afrikës, të gjermanëve të Amerikës, të amerikanëve të Tanzanisë, të boshnjakëve të Gruzisë, të anglezëve të Bellorusisë, e shumë popujve të tjerë, për ta mbrojtur nderin e shqiptarit, e ka përkrahur paketën e Ahtisarit. Për hir të internacionalizmit proletar, integrimeve euroatlantike dhe ruajtjes së marëdhënieve të mira me vendet mike, për hirë të Greqisë, Serbisë, Italisë dhe Abhazisë, Shqipëria do ta nënshkruaj Marrëveshjen e Tutinit ( ky qytet në Mal të Zi është si Pokantico në Amerikë ) që në fakt është përkrahje e Rezolutës së Putinit.

Rusia, si mike e shqiptarëve dhe garant i Pavarësisë me sovranitet të plotë të Kosovës, do t’i sjell nja 2500 balerina të armatosura, në kazermën e Gjakovës. Dhe pastaj, sipas një orari të paraparë, mund t’i shpërndajë nëpër Kosovën e “pavarur”, o ju qytetarë! Këtu nuk shoh asgjë të keqe dhe asgjë nuk humbim, vetëm fitojmë, në planin ekonomik, strategjik, politik, patriotik dhe linguistik! Ashtu thotë Rezoluta e Re e Këshillit të Sigurimit alis Vladimir Putinit, ashtu thotë Ekipi i Unitetit dhe Shtypi i Sikletit. Prandaj, pa asnjë dilemë brohoris, nën përgjegjësinë e plotë, morale, penale, politike e sidomos patriotike : “ Welcome Russia – Adio Albania”. Tung dhe lexojeni edhe nesër vazhdimin, mbi Albinin dhe Hashimin.



31.05.07 Behxhet Sh. SHALA

Keine Kommentare: