Montag, 11. Juni 2007

Nga Sherafedin Berisha,Kueshte Ukshin HOTI,Ai nuk i takon harreses

EKSKLUZIVE; nga Sheradin BERISHA "KU ESHTE UKSHIN HOTI? AI NUK I PERKET HARRESES! Jun 11, '07 1:14 PM
for everyone

Në përkujtim të kolosit të madh të mendimit politikë Shqiptar Mr.Ukshin Hoti



KU ËSHTË UKSHIN HOTI? AI NUK I PËRKET HARRESËS!





Shkruan: Sheradin BERISHA

sheradini63@hotmail.com





“Kur mungon tigri, majmuni bëhet mbret”. Proverb kineze



Më 16 maj 2007 u mbushën plot tetë vjet që kur nuk dihej asgjë për fatin e Mr. Ukshin Hotit, të këtij burri të madh të mendimit politikë shqiptar. Në këtë datë të vitit 1999, Mr. Ukshin Hoti, sipas vendimit nr. 24 – 2241– 05 të nënshkruar nga drejtori i burgut të Dubravës, Aleksandar Rakoçeviq, lëshohet me kusht (në origjinal theksohet me shkronja çirilicë “УCЛOBНИ OTПУСT”(shih më poshtë dokumentin), pas mbajtjes së dënimit prej pesë vjetësh, që ia kishte shqiptuar gjykata serbe në Prizren.

Pas përfundimit të luftës, disa të burgosur që ishin ndarë për herë të fundit me Mr. Ukshin Hotin, kanë thënë se ishte ditë e diele (një ditë e pazakonshme për lirim nga burgu) kur baca Ukë (kështu e thërrisnin ata) ndërmjet orës 10 – 11 të paradites, i shoqëruar nga tre punëtorë të sigurimit serb, është nxjerrë nga ambientet e brendshme të burgut të Dubravës. Dhe pas këtij momenti, sot e atë ditë, nuk dihet asgjë për vendndodhjen e këtij intelektuali, politologu e atdhetari të shquar.

***



“Ku është Ukshin Hoti? - është thirrur qindra herë nëpër protesta të organizuara pas përfundimit të luftës.

“A është gjallë apo i vrarë Ukshin Hoti?” - ishte njëra nga pyetjet më të shpeshta që është bërë në këto tetë vite të pasluftës në Kosovë.

Por, për fat të keq, deri më tani askush s’ka dhënë përgjigje të plotë në këto pyetje.






***

Dihet mirëfilli se gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat militare dhe paramilitare serbe kanë vrarë, ekzekutuar apo masakruar në forma më mizore, mbi 15 mijë shqiptarë, ku 90% prej tyre qenë civilë të pa armatosur. Në këtë periudhë kohore mësohet se janë rrëmbyer me dhunë mbi 3 mijë shqiptarë, ndërsa janë përdhunuar afër 20 mijë femra shqiptare. Për tetë vjet rresht, mijëra familje shqiptare kanë pritur dhe po presin akoma në ankth një lajm të mirë për bijtë e tyre të zhdukur (të pagjetur), a të marrë pengë nga forcat militare e paramilitare serbe. Dhe për fat të keq, sot e kësaj dite shumica e të zhdukurve gjatë luftës, janë gjetur nëpër varrezat masive në Batajnicë e në vende tjera të Serbisë, ndërsa akoma nuk dihet për fatin 2087 shqiptarëve të tjerë.

Përkundër kësaj gjëme kombëtare, këto ditë në Kosovë ka nisur një iniciativë me moton: “Fillesa shqiptare për pajtim me popullin serb”, dhe çuditërisht kjo iniciativë është bërë publike më 16 maj 2007, pikërisht atë ditë kur u mbushën plot tetë vjet nga”zhdukja pa gjurmë e Mr.Ukshin Hotit”. Konsideroj se nismëtarët e kësaj “fillese për pajtim” (me ata që nuk kërkuan kurrë falje për krimet e kryera në Kosovë) pikërisht më 16 maj, është një veprim i keq dhe si i tillë skajshmërisht i papërgjegjshëm. Dora e zgjatur e z.Ibrahim Kelmendi (që ka vu firmën mbi këtë nismë) dhe të gjitha duartë e atyre që qëndrojnë prapa tij jam i bindur se, do mbeten pezull në ajër, sepse dora e përgjakur e palës tjetër, edhe pse kanë vrarë e prerë fqinjët shqiptarë, nuk do të afrohet për këtë ”pajtim historik”!!!



***

Në qershor të vitit 1999 intelektuali dhe studiuesi i njohur Moikom Zeqos, nëpërmjet një apeli për opinionin publik shqiptarë, si dhe atë ndërkombëtar “për kancelaritë diplomatike të botës”, kërkoi zbardhjen e fatit të Mr. Ukshin Hotit, që - siç thotë ai: “të mos e pësojë dhe të mos zhduket pa nam e nishan.”

M. Zeqo në këtë apel, ndër të tjera ka shkruar (po citoj): “Politikisht shqiptarët e Kosovës merren shpesh në mënyrë të paprinciptë me njëri-tjetrin, grinden, shahen dhe përçahen, në një kohë që duhet vetëm të bashkohen. Këta politikanë shëtisin nëpër botë, japin intervista dhe i japin shumë rëndësi kultit të vetvetes dhe protagonizmit vetjak. Çuditërisht, këta politikanë nuk flasin, ose harrojnë të flasin, për Ukshin Hotin. Po Ukshin Hoti nuk i përket harresës. Ai është në vetë thelbin e kujtesës së kombit. Ukshin Hoti nuk mund të vdesë dhe në të vërtetë nuk ka për të vdekur kurrë. Qenia e tij intelektuale është e pashlyeshme dhe është prezent kudo. Kosova dhe kombi shqiptar kanë nevojë urgjente për mendimin e Ukshin Hotit... Ukshin Hoti sakrifikoi gjithçka dhe askush nuk ka të drejtë të jetë mosmirënjohës, të mos ketë respekt apo të mos përkulet me nderim përpara figurës së tij.”

Që nga qershori 1999, kur z. Zeqo e bëri këtë apel, politikanët e Kosovës nuk kanë ndryshuar asgjë në mendësinë e tyre politike. Çuditërisht, edhe pas tetë vjetëve, kjo kast politikanësh skajshmërisht të papërgjegjshëm nuk folën (jo se harruan të flasin) për Ukshin Hotin.

Kjo heshtje e tarafit politik e institucional të Kosovës është më shumë se indiferentizëm. Moikom Zeqo në apelin e tij për Ukshin Hotin, zëshëm thotë (po citoj):”Indiferenca është kriminale. Indiferenca nuk është gjë tjetër veçse pajtim me torturuesit dhe ndoshta me vrasësit e tij”.



***



Pas përfundimit të luftës, familja e Mr. Ukshin Hotit, veçanërisht motra e tij Myrvetja - ka trokitur në të gjitha dyert e institucioneve ndërkombëtare dhe ato të Kosovës, ku ka kërkuar me ngulm ndriçimin e fatit të Mr. Ukshin Hotit. Dhe nga të gjitha takimet që ka pasur znj. Myrvete ka marrë premtime se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti, mirëpo, për fat të keq, deri më sot përveç fjalëve të ëmbla dhe premtimeve boshe nga unmikasit dhe politikanët tanë të tredhur politikisht, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim. Dhe, kështu për vendndodhjen e Mr. Ukshin Hotit ende nuk dihet asgjë, ndonëse ka shumë spekulime për fatin e tij!



***



Edhe këtë 16 maj (si çdo vit tjetër) nuk u mbajt asnjë tubim përkujtimor për Mr. Ukshin Hotin – për këtë simbol të sakrificës shqiptare. Askush, asnjë fjalë të vetme nuk e tha se ku është Baca Ukë!

Në këtë përvjetor 100% mbretëroj heshtja!

Heshti UNMIK-u! Heshti KFOR-i! Heshti policia! Heshti gjyqësia! Heshtën lidershipi politik e institucional i Kosovës: Fatmir Sejdiu, Agim Çeku, Kolë Berisha, Hashim Thaçi, Veton Surroi...!

Pra, për Ukshin Hotin e madh, heshtën të gjithë! Kjo është e çuditshme, vërtet shumë e çuditshme !!!



Tags: analiza...!, analysis...!, vedat xhymshiti

Keine Kommentare: