Sonntag, 17. Juni 2007

Nga Sali Mehmeti; Nastradini dhe Kosova

EKSKLUZIVE nga Salih MEHMETI 'Nastradini dhe Kosova' Jun 14, '07 4:00 AM
for everyone

Nastradini dhe Kosova



Salih Mehmeti



Plaku i urtë, mbledhësi I palodhur i folklorit shqiptar, Anton Çetta, në të gjallë të tij botoi thesarin e paçmueshëm të krijimtarisë gojore nga treva e begatë folklorike e Drenicës, të titulluar ‘Tregime popullore nga Drenica’.



Pajtuesi i gjaqeve anembanë Kosovës, në këtë publikim folklori, me kompetencë e zotësi të rrallë, stivoi me aq zell përralla, prozë popullore, anekdota, fjalë të urta, enigma e të tjera shprehje creative nga thesari folklorik shqiptar. Një ditë tek po lexoja me kërshëri faqet aq të pasura të këtij libri, më bëri përshtypje të veçantë një anekdotë përplot shpoti, ku Nastradini, personazhi i mirënjohur i mishërimit të zgjuarsisë, është në bosht të vëmendjes. Sa gjëra të ngjashme hetojmë në Kosovën e sotme, pasi ta lexojmë këtë anecdote të moçme. Lexoni e binduni! Kish qenë njëherë një fukare I shkretë, që hiqte ditët si mos më keq në zi. I vrerosur, i pa ushqyer, I paveshur e këmbëzbathur. Në kolibën e tij të rrëgjuar, kish një vatër plot me fëmijë. Fukaresë më në fund i vie shpirti te hunda; vendos të marrë botën në sy. Përgjatë rrugës nëpër një mal, fukareja ndeshet me një beg pasanik. Fukareja i rrëfen dertin e tij. Begu e dëgjon, dhe me qesëndi e fton fukarenë në sarajet e tij. I tregon një govatë të madhe uji, me kusht që nëse fukareja qëndronte tërë natën brenda në enë, do të merrte rrumbullak 10 lira. Fukareja i ngratë s’ mëdyshet më tej dhe pranon. Të nesërmen në mëngjesin e ftohtë, begu çuditet fort, kur e sheh fukarenë të gjallë. E pyet se si mundi të qëndronte kështu tërë natën. Fukareja i tregon se kishte hequr të zitë e ullirit tërë natën duke u mërdhirë në ujë, por kishte vështruar së largu një zjarr diku në bjeshkë, dhe i ishte dukur vetja se po nxehej. Begu i sertë e koprrac, prishet në fytyrë, e mezallah nuk ia jep lirat.Fukareja s’pat si t’ia bënte, dhe shkon te kadija për t’u ankuar e marrë hak. Por nuk kreu punë! Gjykatësi kishte marrë nga begu ryshfet, dhe nuk e dëgjoi fukarenë. Fukareja ia mësyen te Nastradini. I tregon fije për pe se si ia kishin punuar ata maskarenjtë. Nastradini shpirtmirë i premton fukaresë se kësaj pune do t’ia lidhte kokën si është më së miri. Pa humbur kohë ky farë Nastradini, organizon një drekë, ku thërret miq e dashamirë të shumtë. E thërret edhe gjykatësin. Gjykatësi vie. Nastradini i pret miqtë mirë, e u bën muhabet për qejf. Po buka askund. Dikur vie mbrëmja, dhe kadi gjykatësi inatoset fare, se zorrët i këndonin nga uria. ‘A është në rend ajo bukë’, pyet gjykatësi. Nastradini e shpotit para mysafirëve e i thotë se kazani me gjellë e mish është duke u zier jashtë, në degë të dardhës. Gjykatësi zgjat kokën në dritare, sheh kazanin lidhur në degë të dardhës, por zjarrin jo. E pyet Nastradinin se ku është zjarri. Nastradini prapë e tal l para mysafirëve e i thotë se zjarri është këtu në oxhak. Gjykatësi tërbohet krejt, dhe thotë se si shkon kjo punë - zjarri në oxhak e kazani me gjellë maje dardhe? Nastradini ia kthen: ‘Sikur u nxe fukareja në kacë të ujit, duke kqyrë zjarrin në bjeshkë’. Gjykatësi skuqet e turpërohet para të gjithëve. E kupton gabimin, dhe nga xhepi i tij nxjerr dhjetë lira e ia jep Nastradinit. Nastradini merr lirat e ia fal me hallall fukaresë.



A nuk është barsavlera e kësaj anekdote, që simbolizon kthjelltë situatën reale politike të Kosovës!? Përplot 16 vjet, populli ynë u mashtrua e jetoi nën iluzione që na i ushqenin demagogët rezilë duke gënjyer se pavarësia është në rrugë e sipër. Nga Jugosllavia e shpërbërë, u pavarësuan rradhazi njëri pas tjetrit fqinjtë tanë. Populli ynë nxehej e frymëzohej nga këto shkëndija zjarri, por amullia e hatashme politike, e ndjellë nga dogmatizmi pacifist, qe shkak që ne të pasivizohemi skajshmërisht e

të mos ndjekim udhën për pavarësi njejtë si shtetet fqinje. Sllovenia, Maqedonia, Kroacia, Bosnja e tash së fundi edhe Mali i Zi u shkurorëzuan nga Serbia. Diskursi pacifist pasiv mbizotëroi gati një decenie, duke proklamuar se nga kjo kacë me ujë të ftohtë, do të dalim duke shikuar zjarret përrreth. Kështu të demobilizuar e pasiv mbetëm nën Serbi.



Populli shqiptar i Kosovës, pësoi gjenocid, terror sistematik nga shteti shtypës i Serbisë. Lufta e fundit me shtetin gjakatar, Serbinë, la pasoja të hatashme njerëzore e materiale. 14. 000 njerëz të pafajshëm u vranë. 90% të tyre fëmijë, gra e pleq. 3.000 persona cilësohen si të rrëmbyer e të pagjetur. Rreth 20. 000 femra u dhunuan e u shnderuan. Afër një milion shqiptarë u dëbuan jashtë Kosovës. 119. 885 shtëpi u dogjën e u bënë rrafsh me tokë. 55% e ndërrmarrjeve prodhuese shkatërrohen krejtësisht. Nga gjykatat e larta ndërkombëtare e instancat e saj, krimet e mizoritë e Serbisë në Kosovë nuk u njohën si gjenocid. Për të qenë e zeza edhe më e madhe, Gjykata e Hagës për krimet në ish Jugosllavi, padrejtësisht njollosi luftën e UÇK–së, duke e kriminalizuar e vënë në një thes me aktet kriminale të shtetit serb. Dhjetëra komandantë të shquar të UÇK–së, e veprimtarë të devotshëm të çështjes sonë u burgosen nëpër Hagë, Dubravë, Lipjan e gjetkë.



E keqja nuk soset këtu, ajo përshkallëzohet më tutje. Duke u bazuar në Rezolutës famëkeqe 1244, Serbisë i është garantuar troç sovraniteti dhe integriteti i saj mbi Kosovën. Sivjet më 10 qershor automatikisht kësaj rezolute i është vazhduar afati edhe për një vit më shumë. Në procesin dashakeq të negociatave, Serbia legalizoi planet e saj hegjemoniste. Me decentralizimin, ‘eksterritorialitetin’ e kishave e monumenteve ortodokse, gatit praktikisht përgatiti terrenin për copëtim të Kosovës, duke u përpjekur për ta formësuar një etnitet të rrezikshëm autonom serb brenda Kosovës. Si rrjedhojë e logjikës së të këtyre negociatave, del se Kosova është pronë e dy entiteteve të ndryshme. Si mund të paramendohet një Kosovë e pavarur, nëse legalizohen dy entitete!? Tërë këtij procesi me premisa kaq të dëmshme e katastrofike për Kosovën, mediat televizive të Kosovës i japin një ngjyrim aq të butë e naiv. Sa për të qetësuar taktin e popullit. Po sikur mediat të ishin demokratike e në një vijë me vullnetin e popullit, e të shpërfaqnin pasojat reale të decentralizimit, a do të vinte decentralizimi deri në këtë pikë! Pa dyshim se jo. Populli do të emancipohej politikisht, dhe assesi nuk do të lejonte prova të këtilla të dëmshme për vendin tonë. Por kjo ndodh në Kosovë, duke e ditur mirëfilli se asnjëri proces politik në këtë shtatëvjeçar neocolonial nuk e ka vulën e vullnetit politik të

popullit, dhe për më keq, në krye të vendit tonë gjendet oligarkia e personave vasalë, që zëri po iu dëgjohet nëpër tërë kontinentin e vjetër vetëm e vetëm për koncesione e kompromise në dëm të popullit të tyre. Vetëdija jonë popullore duhet mëkëmbur e emancipuar politikisht në këtë kohë kur një dyzinë politikanësh e ushtarakësh në Serbi po bëjnë plane për të na copëtuar vendin tonë.

Keine Kommentare: