Behxhet SHALA: 'LAKURIQËT E GADIMES FLUTUROJNË- NEGOCIATORËT FESTOJNË ! May 4, '07 12:11 PMfor everyone Në fund të javës ( TMK- FSK ushtri po aq sa Xhorxh Bushi heçim në Tanzani, Lobimi në Katar , Kosova në kandar, Ambasada e Kosovës në Mashedezik, konsulata e Serbisë në Runik, Lakuriqët e Gadimes fluturojnë, negociatorët festojnë , Fak(t)mbledhësit në Kosovë (s)’e dijnë se peshkopi Artemije nuk jeton në Prishtinë, 120 ditët dhe 1001 netët, Heronjt e ndarë dhe disa gomarë, Demokracia dhe shizofrenia dhe pikë. LAKURIQËT E GADIMES FLUTUROJNË- NEGOCIATORËT FESTOJNË ! TMK – FSK ushtri po aq sa Xhorxh Bushi heçim në Tanzani : Institucionet e përkohshme të Kosovës të të gjitha mandateve i patën siguruar qytetarët e Kosovës ( xhematin – elektoratin ) se Kosova nuk mund të bëhet shtet pa ushtri. Optimistët besonin , realistët margjinalizoheshoin apo etiketoheshin si kundërshtarë të pavarësisë dhe ushtrisë së ardhshme të Kosovës. TMK-në e paraqisnin si vazhdimësi e UÇK-së e që në fakt nuk ishte. TMK doli si abort i UÇK-së, si stërkeqje e një ushtrie të vërtetë, si kompromis , në vazhdën e kompromiseve të shkreta që bëheshin. I veshën me do uniforma, ua ndanë do grada, ua dhanë do pushkalla ( nja 300 ) dhe lopata, (nja 2700 ) për ta mbrojtur Kosovën nga armiqt e jashtëm. Armiqt e brendshëm i mbronte KFOR-i, UNMIK- police dhe SHPK-ja. Kosovës ia caktuan do standarde që duhej t’i plotësonte, si parakusht i domosdoshëm për fillimin e negociatave midis bashkësisë ndërkombëtare dhe Serbisë për statusin e Kosovës, merreni me mend! Një ndër standardet kryesore ishte përfaqësimi i domosdoshëm i minoriteteve dhe integrimi i tyre në institucione. TMK u bë shembull për të tjerët në përmbushjen e këtij standardi, model për Kosovën multietnike të Ahtisarit ku shumicës i kahet nëna për ta përmbushur dëshirën e pakicës ( serbe ) për t’u bërë shumicë. Kjo në fakt edhe realizohet. TMK i përngjan Titanikut , me një dallim të vogël , kapiteni dhe ekipazhi i Titanikut e lëshojnë anijen të fundit apo përmbyten me te për t’i shpëtuar udhëtarët ndërkaq komandantët e TMK-së e lëshuan të parët anijen e as që ua ndiejnë bolet për ushtarët! Ata që kanë mbetur edhe për pak kohë do ta vjelin kajmakun e pastaj, padyshim burgun dhe dajakun! Lobimi në Katar, Kosova në kandar: Kryediplomati i Katarit, Ahmed Abdulla Al- Mehmood priti zëvendëslobistin e Kosovës Mulla Hysa bin Surroi përndryshe ekspert i dalluar për vendet arabe dhe islamike. Pas një ore, Bin Surroi e bindi Al- Mehmoodin se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet të jetë anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit andaj kërkoi përkrahjen e Katarit që është anëtar i përkohshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Më pastaj, zëvendësi i Ministrit të ardhshëm të Jashtëm të Kosovës së Ahtisarit , të famshmit Skendës ( Kosovës vetëm edhe kjo i ka munguar! ) si luftëtar i madh kundër racizmit dhe ksenofobisë do ta vizitojë edhe Pretorian, në Afrikën e Jugut. Edhe këtu suksesin e ka të garantuar. Para se të vendoset në “zyrën për lobim, agjitacion dhe propagandë të Kosovës” në Nju Jork, Ylber bin Surroi ka gjasa ta takoi Papa Vetonin, në Panama apo në Nju Jork. Aty do të bisedojnë për kanalin e Panamasë, Vadën e Milladinit si edhe për përrockën e Zhivadinit. Dikush që nuk ia don të mirën Kosovës e përmendi Zejnullah Grudën…në kontekstin e arsyeshmërisë që , si ish ambasador në Panama do të ishte më i dobishëm dhe më kompetent për lobim aq më parë se e njeh mirë Panamanë dhe është ekspert për të drejtën ndërkombëtare. Mirëpo, për rrobat që kanë ndërmend t’i presin Kosovës , stofi i Zejnullah Grudës nuk na duhet, mjaftojnë harrnat e Papa Dockut dhe Bin Surroit. Një këshillë për Hasan Pretenin, Don Kishotin e luftës kundër korrupsionit, tani e ka rastin ta arsyetojë rrogën e vet duke i hulumtuar shpenzimet për “ lobizmin” paramilitar! Saktësisht, dhunimin e buxhetit të Kosovës për mësimin e gjeografisë dhe kursit të diplomacisë. Edhe një lajm i mirë për Kosovën, lobisti i qeverisë në hije po kthehet shëndosh e mirë pas misionit të suksesshëm në Nju Jork dhe takimet e shumta që i pati me diplomatët e botës ; Jahirin, Shahinin, Milazimin, Sefedinin, Afërditën , Zymrytin, Dilaverin , Dolloverin etj. Shyqyr o zot, se pa te do të na shkonte Mitrovica! Ambasada e Kosovës në Mashedezik, konsulata e Serbisë në Runik : Albin Kurti dhe Vetëvendosja vazhdimisht thojnë se Kosova nuk do të ketë status të pavarur dhe sovran, nuk do të ketë ulëse në OKB, nuk do të ketë Ambasada etj. etj. Këta duket se nuk janë të informuar se statusi, shkami në OKB nuk e pengojnë hapjen e Ambasadave, përfaqësive të tjera diplomatike, madje kam argumente për këtë. Ende pa filluar bisedimet midis bashkësisë ndërkombëtare dhe Serbisë për statusin e Kosovës, na patën njohur si shtet. Këtë e pati bërë shteti më i fuqishëm pas Mahallës së Zhutëve., Kantonit të pop Jovanit., Teqes së Aqif Babës pra, Mazhedeziku i famshëm. Ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i ngarkuar t’i dorëzojë letrat kredenciale në emër të Kosovës ishte caktuar Skendë Kaprrolli, nga Gjylekari i Llapit. Ndodhi lufta dhe u ndërprenë marëdhëniet seksualo-diplomatike midis Mash- Kos. Tash është një situatë tjetër andaj edhe duhet të rifillon aktivizimi i këtyre marëdhënieve. Mashedeziku doli nga loja. Janë caktuar 14 shtete për Ambasadat e ardhshme : Bodrumi i Cen Shytit në Bronks, Australi, Bordelloja nr.24 e Fatë Siqevës në Toronto të Japonisë, Pabi “ Të mbrohet Vetëvendosja” – Stiven Kurtis në Londër të Mongolisë, Klubi “Ion Popesku- Protestat Paqësore” nga Bukureshti i Anglisë, Shoqata e Desperadosëve të Palermos në Amerikë, Miqt e Eskobarit në Bogota të Tibetit, Bashkimi i Turqve të Athinës- në Mbrojtje të Pis-Miletit, Zhivadin iz Kragujevca i Bratija from Romania, megjithatë Kombinimi Hermafrodit Diplomatik i Tokios në Mashedezik dhe..14 Dobrovoljaçka Garda Kosova i Metohije në Runik! Edhe për tri shtete dhe listën e Ambasadorëve, njëhere tjetër, ndoshta javën e ardhshme. Lakuriqët e Gadimes fluturojnë, negociatorët e Kosovës festojnë: Shumë shtete dhe vende krenohen me pasurinë tokësore dhe nëntokësore si edhe resurset njerëzore. Amerika e ka Broduejn, Shtatoren e Lirisë, presidentin Bush si edhe Xhenifer Lopez me prapanicën prush, Anglia e ka Pikadilin, Muzeun Madam Tisso, policin Bobi, Liverpulin si edhe këngëtarin Robby, Franca ka Kullën e Ajfelit, Luvrin historik, Brizhit Bardon e Ismet Beqirit dhe Nobelistin Potencial të Përjetshëm Karizmatik. Rusia e ka Kremlinin së bashku me Putinin si dhe Ana Kurnikovën bashkë me luftëtarin e madh për pavarësi të Kosovës- Vitalij Qurkinin. Gjermania ka Portën e Bradenburgut, një grua në ballë si dhe Bajernin e famshëm me nja 100.000 azilantë shqiptarë. Muri kinez dhe Qyteti i Ndaluar, Tibeti në pranga me Bandën e Katërshit me afat të Skaduar janë pasuria nëntokësore dhe mbitokësore e Kinës. E tash, çka mund të ofrojë Kosova ..? Flitet se Kosova e ka Trepçën e Bajramit që do të menaxhohet nga Millani, rezerva të linjitit që do të menaxhohet nga Shuku, ujëvarat e Mirushës dhe pasuri të tjera të gjalla dhe më pak të gjalla. Megjithatë mendoj se pasuritë më vlefshme të nëntokës së Kosovës janë : Shpella e Gadimes dhe Ekipi i Unitetit. Shpellën e Gadimes e ka krijuar natyra ( zoti ) ndërsa Ekipin e Unitetit e ka krijuar gjithashtu Zeusi ( zoti ). Shpella e Gadimes është një mrekulli që ekonomikisht mund ta forcojë Kosovën ndërsa Ekipi i Unitetit është një mrekulli që politikisht do ta dëmtojë Kosovën. Në shpellën e Gadimes mund të mbijetojnë vetëm lakuriqët dhe asnjë gjallesë tjetër ndërsa në Kosovën e Ahtisarit po mbijeton vetëm Ekipi i Unitetit , në emër të Kuvendit, Presidencës, Qeverisë dhe 2 milion qytetarëve të Kosovës. Pas definimit të statusit të Kosovës, në shpellën e Gadimes, lakuriqët do të vazhdojnë të fluturojnë dhe mbijetojnë ndërkaq anëtarët e Ekipit të Unitetit nuk do të mbijetojnë por si edhe lakuriqët, do të fluturojnë! Fak( t ) mbledhësit në Kosovë (s)’e dinë se peshkopi Artemije nuk jeton në Prishtinë: Ekipi i faktmbledhësve e përfunduan vizitën në Kosovë dhe Metohi. U takuan me Presidentin ( Ekipi i Unitetit ), Kuvendin ( Ekipi i Unitetit), Qeverinë ( Ekipi i Unitetit ) dhe me përfaqësuesit e pakicave ( Ekipi i Jounitetit ). Pra, Kosovën e përfaqësonte Ekipi i Grushtetit – Unitetit ndërkaq Serbinë dhe Australinë, peshkopi rashkoprizrenski Artemije i cili nuk jeton në Prishtinë. Ekipi i Unitetit nuk pati guxim ta mbrojë sovranitetin dhe pavarësinë por Ahtisarinë ndërkaq peshkopi Artemije në Kosovë e mbrojti Serbinë duke ua ndaluar faktmbledhësve që në Graçanicë ta përmendin pavarësinë! Heronjt e ndarë dhe disa gomarë : Lufta e udhëhequr nga UÇK ishte një luftë madhështore ku shqiptarët dhe një pjesë e pakicave për herë të parë nuk luftuan për Turqinë, Rusinë, Serbinë, Italinë e as për Ahtisarinë por për Kosovën. Luftën nuk e bënë vetëm një parti apo një lëvizje por të gjithë ata që edhe me jetën e tyre e vulosën një kohë, një fat, një të sotme dhe një të ardhme. Ata që e dhanë jetën e tyre shkuan në përjetësi ndërkaq disa që mbeten gjallë hynë për së keqi në histori! U shndërruan në lakuriq të interesave personale duke u përpjekur që në mënyrën më të paskrupullt të manipulojnë me luftën, heronjt, të zhdukurit, martirët dhe dëshmorët. E bënë Kosovën përshesh për një shtëllung lesh! Mos më keq. E tani me manifestime të ndara, përkujtime të ndara, lapidare të ndara po e çojnë punën në dreq. Prandaj, një lutje për ta: heronjt nuk mund të jetojnë të ndarë andaj, ndaleni turrin o Ju-gomarë! 120 ditët dhe 1001 netët: Pas mbarësimit artificial në epruvetën e Ahtisarit, po lind ( nëse e përjeton lindjen) shtetikuazimodo : Republika Demokratike Parlamentare e Kosovës së Ahtisarit me Pavarësi të Mbikëqyrur ( Tredhur ). Edhe Lobistët edhe Unionistët puçist po e shetisin botën duke luftuar për mbrojtjen e pakos së Ahtisarit e jo për Kosovën e Pavarur dhe Sovrane. Ky është emisioni i tyre i vërtetë karshi misionit të proklamuar verbalisht. Tash i pret implementimi i kësaj pakoje, 120 ditët e parë. Do të kemi situata absurde, komike , tragjike por edhe fisnike në mbrojtje të 96% të pakos ( serbëve). Paramendojeni situatën kur Ylberi dhe Vetoni, te Manastiri i Deçanit, në mbrojtje të babës Savë, e godisin me kallash, në livadhin e saj ( tashmë zonë e mbrojtur ) duke i kullotur delet e saja, motrën Havë! Apo Hashimi me bacin Sheremet, në përpjekje për të shkruar grafite në Manastirin e Deviçit të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes e zënë dhe e zhdëpin dru, për ibret. Krejt për humanitet. Dhe rojen e nderit të Skendës te vigu i rrobave të lara të Stanojkës dhe kontrolli i Bajramit në tregun multietnik të Mogillës në kërkim të brekëve të vjedhura të Radojkës. Apo , viktimizimin e Arsimit duke e mbrojtur me krenari futjen në Kushtetutën e Kosovës të një Neni të veçantë për mbrojtjen e vlerave të tarakut të Stojadinit! E kështu me radhë……Gati harrova, plagosja në këmbën e majt të Ahmadinexhadit të Vitomiricës sepse ka hyrë në zonën e kaltër të mbrojtur nga KFOR-i në rajonin e Gushtericës! Ky është fataliteti ndërkaq përrallat e Ekipit të Unitetit për një Kosovë të pavarur dhe sovrane ( nga libri i përrallave 1001 netë) do të jetë realiteti! Demokracia dhe shizofrenia: Përfunduan manifestimet Me Ramushin dhe çdo gjë shkoi si është më mirë. Mediat i dhanë hapësirë të mjaftueshme, nuk e satanizuan aspak, institucionet e përkrahën. Në krye të marshit prinin pozita dhe (o)pozita, krah për krah. Veteranët e luftës dhe shoqatat e dala nga lufta apeluan që anëtarët e tyre të dalin në marsh. Edhe shoqëria civile e përkrahu këtë ngjarje. Pjesëtarët e SHPK-së e mbanin rendin ndërkaq njësiti ROSU i SHPK-së i ndiqte aktivistët e Vetvendosjes duke i rrahur dhe arrestuar sepse nuk po hyjnë në pakon e Ahtisarit. Ndërkombëtarët dhe as policia e UNMIK-ut nuk reaguan. Grupi Negociator nuk e kërkoi arrestimin e Ahmet Isufit dhe Pajazit Nushit që folën. Nuk kishte gaz lotësjellës e as plumba gome- kauçuku. Të gjithë besonin në drejtësinë ndërkombëtare ndërkaq kërkonin që drejtësia të zbatohet. Kjo ndodhi më 2.05.2007 në Prishtinë, para teatrit kombëtar. Aty edhe përfundoi manifestimi në mënyrë të qetë. Dhe mirë që ishte kështu! Kërkohej lirimi i Ramushit në Hagë por jo edhe i Naser Shatrit në Kosovë. Sepse Naseri akuzohet nga drejtësia ndërkombëtare për luftën që e ka bërë në Afganistan dhe përpjekje për vrasjen e Bin Ladenit në Iran! Më 10 shkurt 2007 Vetëvendosja organizoi protesta paqësore në Prishtinë. Mediat i sulmuan dhe i satanizuan tërë kohën. Protestave nuk iu priu as pozita e as (o)pozita. Veteranët e luftës së UÇK-së dhe shoqatat e dala nga lufta pas takimit paraprak me Zeusin e Arbërisë dhe kryeminstrin e ardhshëm të Kosovës të vitit 2087 dolën me apelin që të bojkotohen protestat paqësore. Ashtu edhe ndodhi. Para teatrit kombëtar ishin grumbulluar forca të mëdha të policisë, etnike dhe multietnike. Policët etnik të SHPK-së e përdornin drurin dhe hurin ndaj protestuesve paqësorë ndërkaq këta multietnik ( rumunë, polak, ukrainas, italian, afganë etj) përveç drurit përdorën edhe gazin lotsjellës, plumbat e gomës dhe kauçukut. Bilanci: të vrarë Arben Xheladini dhe Mon Balaj, të plagosur dhe të lënduar rëndë dhe leht mbi 80 protestues paqësorë dhe dhjetëra të arrestuar. Ekipi i Unitetit kërkoi arrestimin dhe dënimin e Albin Kurtit gjë që përputhej me kërkesën e Enver Hoxhës për arrestimin e Kadri Hazbiut. Të dyjat këto ndodhën. Tash u shfaq në skenë drejtësia ndërkombëtare, e kanë futur Albinin në rrugën e Golgotës ndërkaq i kanë dërguar në pushim Stiven Kurtisin dhe eskadronin e vdekjes nga Rumania. Dhe tash pyetem, a është kjo drejtësi apo shizofreni?! E kam fjalën për ndërkombëtarët sepse vendorët e treguan veten! 5.05.2007, Prishtinë Behxhet SH. SHALA |
Freitag, 4. Mai 2007
Behxhet Shala, Lakuruqet e Gadimes fltuojn ,Negociatoret festojn!
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen