Shkruar nga Agim Gjakova; Të vërtetat që duhet të thuhen May 24, '07 5:30 PM
for everyone
Do të ju lutem dëgjuesve që nëse ka përsëritje të atyre që janë thënë në këtë tribunë t’i lënë mënjanë ose lexuesi të mos i kumtojë përpara auditorit. Në margjinat kulturore të kryeqyteteve shqiptare mund të lexohet lehtë se politika, që mbizotëroi mjedisin shqiptar gjatë shekullit njëzetë, kushtëzoi një gjendje të atillë që i vuri një rrasë të rëndë shpërthimi të kulturës shqiptare në përmasat, cilësinë dhe tehet përkatëse të zhvillimit në përputhje me fuqitë krijuese që ka ngërthyer e ngërthen kombi shqiptar.
Shumë shkaqe e faktorë janë bërë të njohur, por pa pasur qëllim të krahasohem me fushatat propagandistike të partive, dëshiroj të hyj menjëherü në temë se qytetari pyet: A ka të vërtetë qü duhet tü thuhet edhe nü qoftë e hidhur?!
Në të gjitha palët shqiptare – Shqipëri, Kosovë, Maqedoni – është i pranishëm “krimi i përçmimit apo i heshtjes” ndaj kulturës së pjesës tjetër. Në Shqipëri arrihet në disa raste edhe deri në mbizotërim të këtij aspekti. Kjo zbërthehet në analizën e kulturës me konceptin e ndërvartësisë kur mjediset e ndryshme : 1) kërkojnë dhe pohojnë se intelektuali i tyre është më i përparuar se në pjesët e tjera, 2) përjashtohet krijuesi shqiptar i Kosovës apo i Maqedonisë nga takimet apo veprimtaritë e tjera ndërkombëtare në emër të shqiptarëve dhe jo të Shqipërisë, pra, prezentimi i kulturës shqiptare si unike në botë po mbetet i vështirë në këto suaza siç janë qëndrimet e tilla që mbështeten shtetërisht nga pushteti shqiptar, 3) i mëshohet tendencës së globalizmit pa argument, pra pa origjinalitet, në vend të një kulture (arti) vendor, 4) mediat shfaqin mendjemadhësi apo nënvleftësim për zhvillimet kulturore të pjesëve të tjera, kryesisht ato të Shqipërisë ndaj zhvillimeve kulturore në Kosovë e Maqedoni. Në Shqipëri, edhe kur këto marrin dhe duan mendimin e të intervistuarit apo të mysafirit nga Kosova apo Maqedonia përzgjedhin ata “kandidatë“, përgjigjet e të cilëve të jenë në përputhje me dëshirat e pürkufizimet qü i përshtaten mjedisit që ka përcaktuar këtë politikë, më lejoni ta quaj me një cilësim ndoshta të fortë, “sektariste” ndaj kulturës kombëtare.
Pra, në mjediset kulturore të kryeqyteteve shqiptare - primatin e mban mjedisi në Shqipëri - kemi të bëjmë me një lloj “etnocentrizmin provincial intelektual” që shihet në të gjitha aspektet, i cili po paguan haraçin e vetë në zhvillimin e kulturës shqiptare. Në këtë prizëm mund të përjashtohen individë që e kanë tejkaluar vetëveten dhe kanë arritur të ngrihen në nivelin që përkon me figurën e intelektualit ashtu siç është në mjedise demokratike intelektuale të botës. Etnocentrizmi intelektual ka lidhje të ngushtë me politikën, pasi, siç e theksova në fillim, pëolitika, që mbizotëroi mjedisin shqiptar, e formësoi, e shkallëzoi dhe e praktikoi këtë.
Veçanësia e këtij etnocentrizmi shihet në shumë rrahe, por po marr si shembull botimet dhe përhapjen e librit. Në Shqipëri gjen shumë pak botime të autorëve të Kosovës. Më lejoni të vë në dukje, pasi ndodhem në Tiranë, se e kërkova në disa librari kryesore të kryeqytetit dhe nuk e gjeta romanin e Mehmet Krajës. Të mos flasim për botimet që bëhen në Kosovë, të cilat nuk shkojnë pothuajse fare në Shqipëri.
Etnocentrizmi intelektual në Shqipëri ka si bazë themelore qëndrimin e njohur politik se pjesa dermuese e inteligjencies së Shqipërisë nuk e honeps dot pavarësinë e Kosovës. Nuk dua të ndalem të analizojë arsyet, por kjo e vërtetë, sado që kamuflohet me fjalë e fraza, kuptohet dhe shembuj të shumtë mund të merren për këtë. Politika është përkrahëse e një qëndrimi të tillë sektarist të intelektualëve shqiptarë. Nuk mund të quhet veprimtari e mirëfilltë ndonjë mbledhje, ndonjë diskutim “hafif” apo ndonjë botim sa pr sy e faqe apo për ndonjë arsye tjetër. Në këtë kontekst rrjedhin edhe të gjitha të tjerat.
Edhe një fakt tjetër e forcon këtë etnocentrizëm në Shqipëri: nervi i provincializmit. Madje këtu, jo vetëm dallohen, por në disa rrethana e minimjedise, mbizotërojnë edhe ndasitë krahinore që janë mjaft të fuqishme dhe që dëmtojnë punën kulturore e artistike në përgjithësi, pasi shoqatat apo organizmat e ndryshëm, psh, edhe organizmi Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, kanë mbetur ende në mendësinë e politikës që perëndoi.
Për hir të së vërtetës duhet vënë në dukje se me dhjetra vjetë tendenca e paternalizmit të Shqipërisë ndaj Kosovëa ka ngushtuar hapësirën si përmbajtësore ashtu edhe shpirtërore të bashkëpunimit, ka margjinalizuar vlerat kulturore, madje disa kanë shkuar deri atje sa të vënë në ”dërrasën e kalbur të rrezikut”, duke quajtur dy kultura, për të mos thënë edhe dy kombe. Natyrisht se ka ndryshime në mjediset kulturore të trevave shqiptare, por këto janë krijuar në bazë të kushteve politiko-shoqërore dhe jo mbi ndonjë bazë tjetër dhe nuk janë aspak të largëta në të gjithë treguesit që konvergjojnë drejt një unifikimi kombëtar të kulturës e arteve, pra edhe të letërsisë.
A mund dhe si mund të shkojmë drejt konceptit të modernizimit dhe të konvergjimit të kulturës sonë, natyrisht duke ruajtur gjithçka të mirë nga tradita, kur jemi të kufizuar në mendësinë tonë?! Trajtimi një kulture pothuajse si minoritare që bëhet në Shqipëri do të ketë përkursione të veta negative. Ka ardhur koha që dikush duhet të marrë nismën, dhe këtë me forcë, për të shtegtuar drejt logjikës së zhvillimit të duhur kulturor të një kombi, ani pse i ndarë me kufinj, që tash më nuk janë të tillë si më parë.
A janë të bindur intelektualët shqiptarë se pa një bashkëpunim të ndërsjellë dhe të përkorë nuk mund të ketë kulturë adekuate shqiptare kombëtare dhe kjo të paraqitet në botë në nivelin e përshtatshëm?!.
Mendoj se për çdo krijues në Kosovë fakti i një “JO-je” të nënkuptuar apo edhe të pohuar nga mjediset e tjera, nuk duhet të çojë kandar në krijimtarinë e veprimtarinë tij. Duhet të mendohet e të veprohet që kjo kulturë (ky art dhe kjo letërsi} të kenë shtrirjen e vet në mjediset botërore, pa u kufizuar me kurrfarë etnocentrizmi. Kjo mund të arrihet shumë më mirë, më me efikasitet dhe më cilësisht në bashkëpunim të ngushtë, madje edhe unik midis trevave shqiptare.
Kam bindjen se PEN Qendra e Kosovës ka forcë që të ndërmarrë çka mundet për të realizuar sado pak një pikësynim dhe qëllim të tillë.
Prev: Ibrahim Rugova; - Stema me elemente të lashta shqiptare
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen