Freitag, 25. Mai 2007

Kush rren me shum ne Mitrovice,e kush me shum ne Vitomirice; nga Behxhet Shala

EKSKLUZIVE: Ne fund te javes nga Behxhet SHALA 'KUSH RRENE ME SHUME NE MITROVICE E KUSH NE VITOMIRICE?!' May 24, '07 5:39 AM
for everyone
EKSKLUZIVE:

Në fund të javës

( Ditari i stupcave në Mitrovicë dhe e vërteta në Graçanicë ( të premten ), Politikanët në B(P)isnes – Kosova në thes, Paketa e Ahtisarit dhe k…e gomarit etj…),( të shtunën)





KUSH RRENË MË SHUMË NË MITROVICË E KUSH NË VITOMIRICË?!



Ditari i stupcave në Mitrovicë e vërteta në Graçanicë:

Më në fund edhe opozita u aktivizua, po e luan rolin që nga ajo e kërkojnë …zyrat e huaja. Kryeministri i ardhshëm i Kosovës i vitit 2087 po demonstron një kondicion të jashtëzakonshëm duke shkuar prej vendi në vend. Pas përfundimit të koncerteve të politikës “serioze”tani ka një angazhim shumë më serioz, bërjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran me pavarësi të kontrolluar, në substancë dhe një prani të” lehtë” të bashkësisë ndërkombëtare, më të “lehtë” se në Bosnje dhe Hercegovinë. Dikush nga këshilltarët ndërkombëtar, të angazhuar për përmirësimin e imazhit të tij politik e ka bindur shefin e opozitës se, Herbert von Karajani në fushën e muzikës serioze, si dirigjent, është diçka si shefi i opozitës në politikë, natyrisht në Kosovë! Me një fjalë ia kanë futur në duar partiturat të cilat, në vend të notave të muzikës serioze kanë qenë fjalët e këngës patriotike “ Dul Lulija te bunari” e dihet ç’fat e pret Lulinë te bunari, së paku e ka vështirë të shpëtojë pa u lagur pak andaj kemi një kakofoni mendimesh politike dhe papagallizëm, gjithashtu politik të cilit nuk i beson as edhe ai që i bën ato. Opozita po flet për statusin, arsimin, shkencën, ekonominë, bujqësinë, sportin, sexin, politikën, diplomacinë, kaligrafinë, gazetarinë, pornografinë, zoologjinë, astronominë, gastronominë e shumë gjëra të tjera që kenë të bëjnë me mish dhe me mishlesh pra, i trajton të gjitha temat e kësaj bote si udhëheqësit,dikur, të gjithdijshëm prandaj nuk mund e mos të them : “ Enver Hoxha o t’u ngjatë jeta”. Kosovën e kanë bërë të pavarur në vitin 1999 tash po angazhohen për demokratizimin e Serbisë dhe emancipimin politik të Mongolisë. E sidomos për përkrahje politike të Indonezisë, në Islamabad të Kurdistanit dhe Llapashticë të Pakistanit. Kjo disi i bjen si një përzierje e sexit politik dhe moralit pragmatik! Për ta dëshmuar se opozita nuk ka vetëm fjalë por edhe vepra konkrete politike, në Mitrovicën e bashkuar të Bajram Rexhepit i ka demonstruar do aftësi, shkathtësi dhe angazhime të forta fizike! Me ndihmën e Francës mike! Në një nga debatet e mëhershme të opozitës në një shkollë fillore të Dardanisë, nja 5 aktivistëve të Albin Kurtit ( të gjithë 13-14 vjeçar) iu ndalua hyrja me arsyetim se në këtë debat do të trajtohen temat serioze nga biologjia, si numri i këpucëve të Pamella Andersonit, anatomia e të brenshmëve të Anxhelina Zholisë, për dioptrinë-miopinë politike të Alex ICG-së dhe sa përqind lesh kanë çorapat e Mihrisë! Duhet ta pranoni se këto janë shumë të rëndësishme për pavarësinë e tredhur të Kosovës sëAhtisarisë. Këta 5 pionerët e Vetëvendosjes u ankuan se në Dardhani nuk ka demokraci ngase nuk i kanë lënë brenda me hy. Kishin hyrë në polemikë me truprojat e xha Hashimit dhe politikisht i deklasuan, për kokë të Ibrahimit! E tash po e vazhdojmë me Jerusalemin e Kosovës, kryeqytetin e Gjakovës, Mitrovicën multietnike ku, në njërën anë janë: Stojani, Milani, Dragani, Zhivadinka, Jasminka, Milica dhe Dragica ndërsa në anën tjetër, Haliti, Sabiti, Xhaviti, Gresa , Shpresa, Bajrami dhe Sinani të cilët respektohen dhe duhen shumë, me pasionin prush, disi, si dashuria shekspiriane midis Bin Ladenit dhe presidentit, Xhorxh Bush! E këta do të bashkohen, pikë së pari, nëse bashkohen Kondoliza Rajs dhe Mulla Omari! Në debatin e organizuar në Mitrovicën e “bashkuar “ sipas pakos së Ahtisarit dhe “herdheve të gomarit”, lideri i opozitës dhe shefi i zyrës franceze ishin të pranishëm kur aktivistët politik të SHPK-së e bodigardët e PDK-së , pas përgjigjeve teorike të dy Shefave, atij të PDK –së dhe Zyrës franceze ua demonstruan edhe sqarimet plotësuese fizike, natyrisht aktivistëve të Vetëvendosjes! SHPK-ja kësaj radhe u tregua më e matur dhe më e mençur, asnjeri nga aktivistët e Vetëvendosjes nuk u torturua nga ana e tyre dha as nuk u prangos, ama ndihma qe e një natyre tjetër sepse, pohimet e PDK-së dhe zyrës franceze se këto janë të pavërteta, nga ana e tyre u firmos. Pra, për dhunuesit e fjalës së lirë dhe demokracisë kjo nuk ishte vetëm përkrahje morale por edhe materiale dhe institucionale! Syri i mavijosur i një aktivisti dhe shpina e ndrydhur e një aktivisti tjetër nuk janë si pasojë e dhunës në Mitrovicë por si pasojë e një ndeshje të trenave në Izbicë. Dhe pastaj nëse krahasohen premtimet e opozitës, e cila gjithmonë e ka mbajtur fjalën dhe politikisht e ka qëlluar, asnjëhere pa devijuar, ndërsa në anën tjetër Vetëvendosja që është kundër pavarësisë, Serbisë dhe Rusisë, fajtori nuk mund të jetë kujdestarë, siç mendojnë disa gomarë ( në mesin e tyre edhe autori i shkrimit ) por, ata që e demonstruan demokracinë e stupcave në Mitrovicë janë - MARGARITARË! Andaj, në emër të demokracisë propozoj që, në Kosovën e pavarur të bëhet Koalicioni i Madh Demokratik prej dy krahësh: ku SHPK do të jetë krah politik ndërsa opozita krah militar patriotik! Edhe kjo është pjesë e seksit politik dhe moralit pragmatik

Në Vitomiricë erdhi te përplasja midis besimtarëve të një feje dhe të një besimi por jo edhe të një qëndrimi. Mohikani i fundit opozitar në Kuvendin e Berishës, u ndoq nga Xhamia në Vitomiricë me bisht të fshisës. Me heret e përzunë nga Ministria që mos ta lenë rehat as te shtëpia. E bënë hajn, matrapaz dhe shkelës të nderit…..vetëm pse i pengoi disa në realizimin e tenderit. Për fund e bënë një krahasim të pavend : Ahmadinexhadi i kundërshton planet për armatim bërthamor në Iran ndërsa Numan Baba Paketën e Ahtisarit në Kuvend!

E tash lexues të nderuar po e kuptoni se dikush fort po rrenë në Mitrovicë dhe Vitomiricë. Nëse ende keni dilema dhe nuk e dini se kush, unë mund t’ju ndihmoj duke e kërkuar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, ku tjetër………pos në Orakullin e së vërtetës, te Rada në Graçanicë! Rroftë partia komuniste e Zanzibarit, rroftë gjyshja e Mulla Omarit, rroftë Tanzania dhe Somalia, poshtë Rusia dheAhtisaria, rroftë Anxhelina e Hashimit-poshtë Raza e Brahimit, rroftë Ylli me flamurin e Stojadinit dhe himnin e Milladinit, rrofshin proceset demokratike që u promovuan në Mitrovicë dhe Vitomiricë , në radhë të parë, ndërsa ata që e bënë këtë, e paqin faqen e bardhë! Tung!



25.05.07 BEHXHET SH. SHALA

Keine Kommentare: