Dienstag, 22. Mai 2007

Karaqeva alarmon Kosoven

Karaqeva Alarmon Kosoven May 22, '07 3:41 AM
for everyone



E brendshme:
Nga tribuna me banorët e fshatit Karaqevë në brezin kufitar me Serbinë.



Qëllimi i Serbisë është që ta zhdukë këtë fshat dhe këtë popull. Për këtë duhet të bashkohemi burra e gra dhe ta ngremë zërin, sepse kjo do të na kushtojë shtrenjtë një ditë shumë të afërt, sepse qëllimi i Serbisë është që të na largojë nga ky vend, tha karaqevasi Ismajl Kastrati.



DARDANË, 21 MAJ –

Në fshatin Karaqevë u mbajt një tribunë me banorët e kësaj ane, ndërkaq të ftuar ishin përfaqësuesit e institucioneve komunale dhe ata të subjekteve politike. Në tribunë, pos përfaqësuesve të Partisë Reformiste ORA, përfaqësuesit e institucioneve lokale e të subjekteve politike të Komunës së Dardanës nuk e kishin parë të arsyeshme të merrnin pjesë dhe ta ndanin brengën me këta banorë të lënë pas dore dhe që çdo ditë ballafaqohen me shkeljen e të drejtave të tyre nga xhandarmëria serbe. Kësaj tribune çuditërisht nuk iu përgjigj as kryetari i Komunës, Shaip Surdulli, banor i këtij fshati, as përfaqësuesit e SHPK-së e as ata të KFOR-it. Pjesëmarrja e banorëve të Karaqevës me rrethinë ishte masive, por ata u zhgënjyen nga mospjesëmarrja e të lartpërmendurve. Ata e ndien veten të lënë anash në mëshirë të kohës dhe fatit. Kryetari i Këshillit të fshatit Karaqevë, Selver Lenjani, duke e hapur tribunën tha se më 17.05 2007, rreth orës 14:30, xhandarmëria serbe dhe KFORi amerikan kanë pasur një takim te rruga e fshatit Breznicë, zonë të cilën xhandarmëria serbe e konsideron si të sajën. Kjo gjë, tha Lenjani, i ka shqetësuar banorët e kësaj ane. “Edhe më herët, më datë 19.02.2007, një pizgauer i forcave serbe me dhjetë pjesëtarë hyri në territorin e Kosovës, normalisht banorët u frikësuan. Xhandarmëria serbe po shkel në territorin e Kosovës sa herë dëshiron dhe nuk mund ta ndjejmë veten të lirë kur na mungon siguria. Mirëpo, në këtë tribunë sot nuk janë përgjegjësit e sigurisë”, tha Lenjani. Ai më tej tha se me Marrëveshjen e Kumanovës, 1500 hektarë tokë mbesin në territorin e Serbisë dhe pikërisht për këtë në këtë fshat në vitin 2001 është arrestuar Ardian Foniqi, i cili u mbajt për dy orë u arrestuar nga xhandarmëria serbe. Lenjani tha se nëse kjo çështje nuk merret me seriozitet dhe nuk bëhet ndryshimi i Rezolutës 1244 dhe nëse Qeveria e Kosovës dhe e Serbisë nuk merren vesh për atë që karaqevasit kërkojnë

– që kufiri të jetë sipas hartës së vitit 1962, të cilën e ka edhe Drejtoria për Gjeodezi e KK-së së Dardanës, atëherë të gjithë banorët e kësaj ane do të organizojnë protesta masive për t’i shprehur pakënaqësitë. “Politikanët dhe institucionet tona asnjëherë nuk kanë ardhur për t’i ndarë shqetësimet me banorët e fshatit Karaqevë, madje as deputetët e kësaj ane, Emin Krasniqi, Nexhat Rexha, të cilët asnjëherë nuk kanë qenë të na vizitojnë”, tha Lenjani. Zijadin Kastrati, drejtor i shkollës dhe anëtar i KK-së së Dardanës, tha se çështja e brezit kufitar është shqetësuese për ta, sepse ata janë dëshmitarë të lëvizjeve të përditshme të xhandarmërisë serbe. Kastarti i këshilloi banorët e këtij fshatit që, siç tha ai, t’i paraqesin shqetësimet e tyre për prezencën e handarmërisë serbe. Ai tha se nga Kuvendi i Komunës nuk ka marrë asnjëherë përgjigje për shqetësimet e tyre dhe për prezencën e xhandarmërisë serbe në fshat. Ai tha se nga KK-ja nuk ka marrë asnjëherë përgjigje për çështjen e sigurisë. Banori i këtij fshati, Sabri Kastrati, tha: “Unë jam i lindur më 1923 dhe kufi këtu nuk ka pasur dhe sa mbaj mend nga pleqtë, këtu ka qenë vend i yni. Kjo hartë është e falsifikuar, ne kemi qenë banorë të përhershëm të këtij vendi dhe çdo themel që kanë vënë serbët në Kosovë ka qenë tokë e jona, të cilën na e vodhën me forcë padrejtësisht, por ne po shpresojmë që SHBA-ja do të na ndihmojë dhe nuk do të na lërë në mëshirën e xhandarmërisë serbe”.

Edhe bashkëfshatari i tij, Ismajl Kastrati, është mjaft i zhgënjyer me KK-në e Dardanës dhe strukturat politike, po ashtu edhe me KFOR-in dhe SHPK-në. “Forcat serbe vijnë dhe i masin tokat tona, e ne nuk e dimë pse ata veprojnë

kështu”, tha Kastrati. Ai shtoi se qëllimi i Serbisë është që ta zhdukë këtë fshat dhe këtë popull. “Për këtë duhet të jemi të bashkuar burra dhe gra dhe ta ngremë zërin, sepse kjo do të na kushtojë shtrenjtë një ditë shumë të afërt, sepse qëllimi i Serbisë është që të na largojë nga ky vend”, tha ai.

Ndërkaq, sekretari i bashkësisë locale të fshatit Karaqevë, Fadil Kastrati, tha se serbët përditë e më shumë po i ngushtojnë kufijtë. “Në përcjellje të karabinierëve italianë, dy oficerë serbë me pinzgauer kanë qëndruar afër një orë në afërsi të fshatit Novosellë, te vendi i quajtur Saraja, ku italianët kanë kontrolluar secilin banor që ka lëvizur, mirëpo arsyet e kësaj kontrolle nuk i dimë, meqë askush nuk na dha përgjigje”, tha sekretari Kastrati. Ai më tej shtoi se më herët SHPK-ja ka qenë e stacionuar te rruga e Breznicës, mirëpo oficerët serbë kanë dalë dhe i kanë larguar nga aty dhe që nga atëherë pjesëtarët e SHPK-së nuk kanë shkelur mbi këtë vend, ndërkaq as për këtë banorët nuk janë njoftuar nga askush. Në pyetjen tonë se a do të ketë konflikte nëse nuk do të zgjidhet disi kjo çështje, Nijazi Kastrati, deputet në KK-Dardanë, por që nuk e përfaqësonte institucionin e vet meqë edhe ai ndihej i lënë anash si banor i brezit kufitar, u përgjigj: “Ata në të gjitha mënyrat do të na provokojnë, mirëpo ne do të mundohemi t’u ikim atyre provokimeve. Ne duhet të mundohemi të jemi gjakftohtë, por ne duhet të brengosemi edhe për vëllezërit tanë që mbeten jashtë kufirit, në Breznicë dhe në Muhovcë”.



Përfaqësuesi i ORA-s, Zijadin Thaçi, tha se Serbia e dëshiron këtë çështje tani në përfundim të zgjidhjes së statusit të Kosovës. “Esenca e këtij problemi është që neve të na ngacmojnë, në mënyrë që të pengohet statusi i Kosovës. Mirëpo, në asnjë mënyrë ne nuk do të lejojmë që të biem pre e tyre”, tha Thaçi. Edhe drejtori i Shkollës Teknike në Dardanë, Fehmi R. Kastrati, pohoi gjendjen alarmuese dhe mundësinë madhe për incidente në këtë anë. “Gjendja është alarmuese te ne, sepse ne nuk jemi të lirë të dalim në fushat tona e po ashtu mundësia për incidente është e madhe. Politikanët lokalë fare nuk brengosen për çështjen e kufirit. Është një shpërputhje mes interesimit të politikanëve dhe banorëve, derisa neve na brengos kjo çështje, ata merren me çështje të tjera ditore”, Krasniqi. Kështu është sot gjendja e sigurisë e banorëve të fshatit Karaqevë në kufi me Serbinë, edhe pse lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, në një debat me qytetarë të komunës së Gjilanit mbajtur më 25..04.2007, u deklarua se nuk do të ketë ndarje të territorit të Kosovës dhe as kthim të forcave serbe në Kosovë dhe se këmba e Serbisë muk do ta shkel kurrë më Kosovën. Në pyetjen e autores së këtij shkrimi drejtuar Thaçit se megjithatë xhandarmëria serbe çdo ditë shkel territorin e Kosovës dhe se a i ka vizituar ai banorët e brezit kufitar, kryetari i PDK-së qe përgjigjur: “Nuk është situata ashtu, sepse po e ekzagjeroni. Unë personalisht nuk kam qenë atje, por atje ka qenë politika ime”. Mirëpo, në këtë tribun doli ndryshe. Politika e Thaçit mungoi, sepse në këtë tribunë nuk ishte asnjë përfaqësues i PDK-së e as i subjekteve të tjera për t’i ndarë shqetësimet me banorët e këtij fshati.



Artë ZOGAJ

Keine Kommentare: