Nga Behxhet SHALA: "CEZARI KALON RUBIKONIN – SKENDA VETONIN!" May 18, '07 4:10 PM
for everyone
Në fund të javës
( Adem Demaçi, Albin Ladeni dh e Xhordano Bruno, Statusi i Kosovës : Jul Cezari dhe Skenda Nacionale – krejt në finale ( për sot ) ndërsa Politikanët në P(B)i (s )znes – Kosova në thes dhe, dokrra të tjera rreth seksit politik dhe moralit pragmatik ) ( në… javën tjetër )
CEZARI KALON RUBIKONIN – SKENDA VETONIN !
Adem Demaçi, Albin Ladeni dhe Xhordano Bruno :
Po të ishte një situatë më normale dhe po të mos isha shqiptar, shkrimin gjithsesi do ta filloja nga personazhi i parë , Adem Demaçi nga Kragujevci mirëpo meqë jam shqiptar, si të gjithë shqiptarët po ia filloj nga bishti sepse në bisht edhe kemi mbetur. Dhe rolin e bishtit jemi duke e luajtur, vetëm po trembim miza. Është një përparësi e bishtit sepse aty nuk ka ndonjë organ vital si psh. truri ( ndonëse disa as aty nuk e kanë ), ai gjindet pak më lart dhe është përgjegjës për lëvizjet e bishtit që ato të jenë të koordinuara, mundësisht automatike. Në Kosovë kjo ka arritur shkallën e përsosmërisë! Afër bishtit në të vërtetë është një organ i cili, siç thamë edhe më lart, nuk është me rëndësi jetike por padyshim, është përcaktues për efekte dhe rezultate të proceseve politike! E këtë organ e kanë shumë të fortë këta daijt që po merrem me ta në këtë shkrim andaj e kanë paguar dhe po e paguajnë bukur shtrenjt këtë. Njëri më e ka përfunduar karrierën disa shekuj më parë, dy të tjerët e kanë të njëjtin fat, po i pjekin në hell , si kecat e Llogarasë ( kam mundur të them edhe të Pozharevcit ) por po ua ruaj identitetin kombëtar, kecave natyrisht.
Të fillojmë pra…me Xhordano Brunon. Lindi diku në rrethin e Napolit, në vitin 1548 dhe si fëmijëe 12 vjeçar e fillojë jetën e murgut të cilën e ndërpreu në moshën 30 vjeçare, i dyshuar për herezi. Sherrin apo hajrin ia pau një fisniku venecian i cili e denoncoi në inkuizicion ( për të painformuarit ky ishte gjyqi i ngjashëm me gjyqet e Serbisë dikur dhe të UNMIK-ut sot) sepse, ne vend se t’ia mësonte shkathtësitë e magjisë, ia punonte gruan e tij e cile e magjepste Brunon. Për shkak të qëndrimit të tij të paluhatshëm në mbrojtjen e së drejtës për fjalë të lirë dhe mendim të lirë u dënua me 7 vjet burg që i vuajti në Venecia dhe Romë por bindjet e tij nuk i ndryshojë. Gjyqi i inkuizicionit e dënoi me vdekje në vitin 1600 dhe u dogj dhe poq në hell në Podiumin e ekzekutimit në Romë, në Kampin dei Fiori. Para se të ekzekutohej iu drejtua atyre që ia shqiptuan dënimin me fjalët :” Ju që po më dënoni sot mua keni më shumë frikë se unë që po e dëgjoj vendimin tuaj “. Shumë e donte Kopernikun dhe për dallim prej tij që qëndrimet e tij ( teoritë e sulmeve kundër filozofisë së vjetër ) i mbrojti në shtrat të vdekjes, Xhordano Bruno fillojë ta bënte heret këtë. Ishte poet i filozofisë dhe në shkrimet e tij dëftohej një mëshirë e thellë dhe e sinqertë. Ishte orator pasionant dhe mbrojtjen e lirisë së mendimit dhe shprehjes e kishte parim të shenjt për dallim nga mediat dhe shoqëria civile ( në Kosovën e UNMIK-ut ) elektronike dhe të shkruara ( një pjesë e tyre ) që servilizmin, dezinformimin dhe qyqarllëkun profesional e kanë parim të shenjt! Ishte i pakompromis në sulmin ndaj kundërshtarëve duke përdorur një fjalor edhe jo aq intelektual, pa pasur konsideratë ndaj tyre. Në shkrimet e shumta të tij përzihej një intuitë gjeniale dhe gabimet, merreni me mend për shkak të mosnjohjes së matematikës. Këta politikanët dhe filozofët tanë që nuk e dijnë as tabelën e shumëzimit, nuk po kalojnë edhe aq keq!
Dhe tash po e vazhdoj me Albin Kurtin ( në kohën e Serbisë ) dhe Albin Ladenin në kohën e Kosovës së UNMIK-ut dhe Ahtisarisë. Albin Kurti lindi më 24 mars 1975 në Prishtinë ku edhe mbaroi shkollën fillore dhe ate të mesme, por as për hoxhë e as për prift. Para luftës ishte student i elektroteknikës të cilin e përfundojë pas daljes nga burgu. Ishte anëtar i Kryesisë së UPSUP dhe kryetar i Komisionit për Marëdhënie Ndërkombëtare në Kryesinë e UPSUP. Ishte aktiv në organizimin e protestave të studentëve për lirimin e objekteve shkollore dhe universitare të datave 1.10.97,29.10.97 dhe me 30.10.97. Gjithashtu ishte sekretar i Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së, Adem Demaçi. deri më 2.03.08 kur jep dorëheqje së bashku me Adem Demaçin për shkak të kundërshtimit të Rambujesë. Arrestohet nga forcat serbe në Prishtinë së bashku me babanë Zaimin dhe vëllezërit Arianitin dhe Taulantin më 27 prill 1999. Torturohet për vdekje në burgun e Lipjanit me ç’rast shokët e burgut e marrin me vete pas tërheqjes së forcave serbe dhe në këtë mënyrë shpëton. Për herë të parë ia pa hajrin Serbisë! Gjykimi i tij fillon në Nish më 9 mars 2000. Në atë gjykim Albin Kurti deklarojë se edhe në Unionin e Studentëve edhe si sekretar i PPP të UÇK-së ka punuar në baza vullnetare, pa asnjë kompensim material. Që në fillim i bëri me dije gjykatës se e njeh vetëm gjykatën e popullit të tij dhe se si sekretar i Adem Demaçit ka punuar për dy arsye: për t’i ndihmuar luftës së drejt të UÇK-së dhe afirmimin e kësaj lufte dhe për shkak të respektit të madh dhe nderit ndaj Adem Demaçit, simbolit të rezistencës shqiptare. Është angazhuar kundër regjimit fashist të Millosheviqit që e ka shndërruar këtë gjyq në shërbim të politikës ditore të këtij regjimi. Regjimin fashist serb nuk e ka identifikuar me popullin serb, pra nuk e ka akuzuar popullin serb për krimet e regjimit të Millosheviqit në Kosovë. Gjithashtu nuk e ka njohur as Serbinë e as Jugosllavinë dhe ka deklaruar se, po t’i ipej mundësia përsëri do të vepronte në të njëjtën mënyrë pavarësisht a do të dënohej me 10,20,30 apo 50 vjet burg. Këto qëndrime i mbrojti në Nish, Serbi në kohën kur shumica e ish udhëheqësve të UÇK-së politik dhe ushtarak, i palonin veshët para ndërkombëtarëve dhe mbyteshin në luksin e pasurisë që e fituan në mënyrën më të ulët. Kur shumica e ish politikajve virtual dhe politikajve folklorik hynin në korniza kushtetuese dhe bëheshin pjesë e projekteve dhe proceseve politike që ia kanin nënën Kosovës! Ish shokët e Albinit, të luftës dhe të paqes, bëheshin milioner duke vjedhur majtas dhe djathtas, në nëntokë dhe mbitokë, duke i vjedhur të gjallët dhe të vdekurit, pra, kudo që iu ipej rasti. Dhe pikërisht ishin këta që u bënë pjesë e inkuizicionit kundër Albinit pas formimit të KAN-it dhe Lëvizjes për Vetëvendosje. Albin Ladeni, në Kosovën e UNMIK-ut u arrestua disa here nga policët ndërkombëtarë dhe ata të prodhimit vendorë – SHPK-. U dënua disa here me arrest shtëpiak dhe akomodim në qendrat për terapi fizikale në burgjet e ndryshme të Kosovës ku u trajtua shume mire, me over dozë te terapisë. Pas protestave të 10 shkurtit 2007 e akuzuuan se ka planifikuar, udhëhequr dhe urdhëruar vrasjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, plagosjen e më shumë se 80 protestuesve si edhe arrestimin e dhjetëra protestuesve. E kanë akuzuar se për të bëmat e veta është përpjekur t’i fajësojë, Dy Stivenat, Kurtis dhe Shuk si edhe policët paqësorë të Rumanisë, Ukrainës dhe Polonisë. Në momentin e fundit, aleatët besnikë të Albin Ladeni, mediat dhe Ekipi i Unitetit nuk e përkrahën. Pa përkrahje politike, mediale dhe substanciale përfundojë aty ku e ka vendin, në burg. E shetitën thuaja në të gjitha burgjet e Kosovës martire, me përjashtim të Kuvendit të Kosovës. Aktualisht është në burgun e Lidhjes së Prizrenit pasi nuk deshi që shtëpinë e tij ta shndërrojë në burg. Albini është orator pasionant dhe mendimet i thotë pa i nxjerrë në letër apo pa i lexuar fjalimet të shkruara nga ndonjë këshilltarë politik dhe seksual siç vepron pjesa e madhe e klasës “politike” të Kosovës. Është i pakompromis në mbrojtjen e qëndrimeve të tija, nuk ka urrejtje, është i pakorruptuar, i vendosur, i guximshëm, i sakrificës dhe Ajnshtajn për këta Frankeshtajnat politik, ndërkombëtarë dhe vendorë. Lexon Foknerin, Prustin, Çomskin, Kamynë etj. ndërkaq mund t’i merret si minus mosleximi i veprave analitike të sigurisë për arinjt polarë në Kosovë të Naim Malokut, kryeveprave politike- pornografike të Blerim Shalës, retorikën demosteniane dhe sabitijane të Skender Hysenit , esetë për xehetari dhe biologji të Astrit Haraçisë etj. Prandaj, aty ku është , mirë është.
E tash, për personazhin e tretë të këtij vështrimi, Adem Demaçin. T’ua them të drejtën as nuk e di kur ka lind, as si ka lind, as ku ka lind dhe as pse ka lind? Pra, nuk është llapqin i Lupçit po zorraxhi i Prishtinës sepse, në bazë të do letrave thuhet se ka lind më 26.02.1936 në Prishtinë. I ka pra nja 70 e disa vjet edhe pse ai thotë se i ka përgjithmonë 39 vjet, dhe, për taksirat tonin e ka mendjen të jetojë nja 148 vjet. Vetëm 2 vjet më pak se unë. Ka të kryer shkollën fillore dhe gjimnazin në Prishtinë ndërkaq ka studijuar Letërsinë Botërore në Universitetin e Beogradit të cilin, për shkaqe familjare nuk e ka përfunduar ndonëse një kultivues i njohur i bananeve në Kosovë mendon ndryshe, si për shkollim ashtu edhe për atdhetarizmën e tij. I flet 5 gjuhë ( tri gjuhë të huaja si dhe shqipen dhe serbishten), një më pak se Haxhi Zylfi Merxha. Nuk është pranuar si punopravni çllan në Shoqatën e Romëve sepse nuk e flet gjuhën rome dhe se ka kundërshtuar Luan Koka. Ka punuar si gazetar në Rilindje, pastaj ka tjerrë linin në Gradishkë dhe mbaruar sepeta prej thuprave në Pozharevc, Sremska Mitrovicë në kuadër të integrimeve të atëhershme jugosllave, përmes punës së detyrueshme. Aktivitete artizanale kanë qenë këto. Për qëndrimin 28 vjeçar në Pozharevc, Mitrovicë të Sremit dhe Stara Gradishka e ka pasur përkrahjen e plotë të udhëheqësve të atëhershëm kosovarë si edhe një pjese të inteligjencës. Ka qenë kryetar i KMDLNJ-së, Partisë Parlamentare, Forumit Intelektual të Kosovës, Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i UÇK-së, Forumit Qytetar të Kosovës, kryetar i Bordit të RTK-së e që pas largimit të tij u bë Televizioni në Rrotë të Së Ëmës dhe shumë pozita të tjera. Është orator pasionant dhe është në gjendje ta thej rekordin e Fidel Kastros, pra mund të flasë me orë dhe ditë të tëra pa e shkruar asnjë fjalë në letër. Nuk urren njeri në botë madje as mua që shkruaj kundër tij. Pas kundërshtimit të Rambujesë ishte shpallur armik i krejt botës nga Vetoni,mbrojtës i terroristëve nga Gelbarti, proserb i madh nga një numër i mediave në Kosovë, antishqiptar dhe kundërshtar i pavarësisë, gjithashtu nga disa media të Kosovës dhe urithët politikë, Don Zhuan i dështuar, frajer i Radës dhe vëlla i Llazarit dhe, mik i madh i Babes Sheh që u ekzekutua nga serbët në Grykën e Sedllarit! Derisa ne e mbronim Kosovën në kampet e Stankovecit dhe Radushës, ai hidhte valle në Prishtinë, në gojë të arushës! Dhe , mbeti gjallë ngase ne, horrat, e shpallëm tradhëtar!.......E tash disa horra, që në emër të partisë krrokasin si korba e sorra thonë se po e hanë kapitalin politik, me shumicë, çdo ditë. Prandaj, o të mjerë, kapitalin politik të Adem Demaçit po e hani Ju, Ne, dhe shumë të tjerë! Haram ju qoftë dhe ju mbet në fyt se ka për t’ju mbyt! Adem Demaçi nga Kragujevci për përkushtimin dhe guximin për mbrojtjen e fjalës së lirë u nderua me Çmimin Saharov , Çmimin e Klubit të Rektorëve të Europës dhe shumë çmime të tjera. Nga shqiptarët ( përjashtuar një numër të vogël ) u nderua me injorim, fyerje, nënçmim, përbuzje, cenim të integritetit moral dhe fizik dhe epitete të tjera prandaj më nuk pyes : “ A po e pret Kosovën fati i Adem Demaçit?” por jam i sigurt se Kosova do ta ketë këtë fat, e përbuzur, e nënçmuar, e sakatosur, e ndarë, e përçarë etj. sepse, sepse ky ka qenë investimi ynë. Ju qoftë për hajr!
Adem Demaçi, Albin Kurti dhe Xhordano Bruno, nëse e lexoni tekstin me kujdes do ta vëreni se kanë ngjashmëri thuaja 100%: janë oratorë pasionant, janë humanist të papërmirësueshëm, janë të liruar nga urrejtja, janë në gjendje t’i falin të gjithë armiqt, për fjalën e lirë dhe mendimin e lirë e bëjnë çdo sakrificë, luftojnë për lirinë e të tjerëve për ta fituar lirinë personale , e duan të bukurën, kanë qenë të anatemuar, të burgosur dhe të dënuar si edhe të ekzekutuar. Xhordamo Bruno është ekzekutuar duke mbetur përjetësisht i gjallë, o ju gomarë! Adem Demaçi dhe Albin Kurti janë ekzekutuar me ndihmën e mediave dhe politikës publikisht dhe tash….është një dilemë e vogël, kur, nga kush, n’çvend dhe në ç’mënyrë do të ekzekutohen edhe realisht! Dhe prap do të mbesin të gjallë, o ju shqiptarë!
Statusi i Kosovës : Jul Cezari dhe Skenda Nacionale- krejt në finale:
Shetita histori, të vjetrën, më të vjetrën dhe shumë të vjetrën që ta gjej një personalitet që, së paku, përafërsisht t’i ngjaj personazhit tim, Skendë Kaprrollit apo nëse e referohem kohës, Gaj Skendus Nacionale. Thashë përafërsisht sepse është e pamundur ta reciklojë apo klonojë Skendën. Pastaj, nëse e barazoj Skendën me Cezarin do ta bëja një budallallëk që do të më përcillte tërë jetën, mua personalisht dhe familjen time, së paku në 33 brezat e ardhshëm. Prandaj, nuk e bëj dot, për sot e mot. Megjithatë i kanë disa ngjashmëri, psh. nuk dallojnë shumë për trimëri, burrëri, bukuri, mençuri dhe oratori dhe……krejt do ta prishja rendin nëse nuk e pranoj se, që të dyve, ua kanda atë sendin! Dhe, në vend të bombës atomike e përdorin ate për qëllime politike! Gaj Jul Cezari, për ta zgjeruar dhe forcuar imperatorinë në Afrikë, së bashku me Kleopatrën strategjinë dhe taktikën e ushtruan dhe zbatuan jo në fushëbetejë por në shtratin e saj. Gaj Skenda Nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës fshehtas takohej, te Qufrra e Mehedinit me Shahën e Brahimt që në fakt është edhe kunata e Qazimit dhe dashnorja e Rrahimit. Ju mund ta merrni si spicë, por unë, megjithatë e konsideroj si sakrificë! “Zaret u hodhën! “ tha Jul Cezari kur e kaloi Rubikonin, ndërsa “ Paratë dhe idetë u vodhën!” tha Gaj Skendus Nacionale kur nuk e lejojë ta kalojë as lumin Llap, Vetonin! Pavarësia gjysmë e tredhur – letrak e Ahtisarit dinak mund të ndodhë por nuk do t’i shërbej askujt. Mediat po e luajnë valsin e tyre të shpërlarjes së trurit, në mungesë të ujit të mjaftueshëm. Bërnsi dhe Kondoliza po shpërndajnë hapa qetësues për shqiptarët , me çmim shumë të lirë, nga 10, 20 apo 30 cent, aq sa është çmimi i gazetave ditore në Kosovë. Fridi dhe të tjerët po i hanë fjalët e tyre, jo për herë të parë. Grupin Ndërkombëtar i Krizave, si korbi i Edgar Allan Posë po paralajmëron statusin duke kërkuar moratorium dy vjeçar në anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ashtu do të ndodhë, me gjasë, me një dallim të vogël, a do ta pres djali i Shkëmbit ( djalit tim !4 vjeçar ) këtë anëtarësim?! Nuk e besoj. A do të vijë kryetari Bush në Kosovë ( kampin Bondsteel) dhe ta takojë Ekipin e Unitetit, me apo pa Veton Surroin, i cili duke e parë se nuk ka sgjë prej kësaj pune po mundohet t’ia lëjë këmbët e arushës Ekipit të Unitetit, the ta bëjë njohjen formale të Kosovës pa pavarësi dhe sovranitet, do ta shohim!? A do ta shfrytëzojë rastin të shkëlqejë Skenda Nacionale në kohën që është e projektuar për ate dhe karapidikët e ngjashëm, do ta shohim! A do të zgjohet opozita nga gjumi, për t’ua përmbushur ëndërrat nxënësve të shkollës fillore ndonëse edhe vet është në ëndërr dhe a do të flej Hashim Thaçi me Anxhelinën, edhe këtë do ta shohim! Pra, statusi i Kosovës do të jetë : “ daj shta dash” dhe nëse “ ako nishta ne dash”, nuk është me rëndësi, pavarësia nënkuptohet ( Fatmir Mbeki).
Tung të gjithëve.
18.05.2007 Behxhet SH. SHALA
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen