Freitag, 11. Mai 2007

Burgjet e gjykatave qe i vazhdojne plumbat e policise


Burgjet e gjykatave që i vazhdojnë plumbat e policisë
May 11, '07 2:12 PMfor everyone
Më 10 shkurt të këtij viti, policia nuk e kishte sjellur tërë atë armatim në rrugën ‘Nëna Tereze’ për ta ekspozuar por për ta përdorur. Plani i tyre kriminal pati pasoja kriminale: u vranë Arben Xheladini dhe Mon Balaj (dëshmorët më të rinj të Kosovës), u plagosën 82 demonstrues, 15 u arrestuan ndërsa u rrahën e lënduan dhjetëra të tjerë. Që nga 10 shkurti i vitit 2007, UNMIK-u nuk është vetëm regjim antidemokratik dhe neokolonialist por edhe regjim terrorist. Vrasjet me paramendim të civilëve dhe mbjellja e frikës dhe panikut në masë janë dy karakteristikat themelore të terrorizmit. Që të dyja këto i kishte policia e UNMIK-ut me 10 shkurt. Urdhëri politik ishte i Steven Schook-ut kurse urdhëri operativ i Steven Curtis. Steven Curtis dha dorëheqje në mënyrë që Steven Schook të mos jepte dorëheqje. Paraprakisht, Steven Schook e kishte njoftuar edhe Grupin Negociator, anëtarët e të cilit ishin pajtuar me planin e tij policor. Fatmir Rexhepi dha dorëheqje që të mos jepte Qeveria e Ksovës dorëheqje. Ndërkaq, Sheremet Ahmeti nuk dha dorëheqje sepse UNMIK-u donte kështu. UNMIK-u më lehtë e zëvendëson Steven Curtis sesa Sheremet Ahmetin në të cilin ka investuar shtatë vjet. Ndonëse Sheremet Ahmeti ishte vartës i Steven Curtis, ai ishte investim më i madh dhe më afatgjatë i UNMIK-ut se Steven Curtis. Leja për vrasjen e demonstruesve me 10 shkurt u pasua me lejen për ikjen e vrasësve. Tash, duke u përpjekur që ta zbusin këtë disi, burgimin tim e zëvendësuan me arrest shtëpiak rigoroz. Duke qenë se regjimi në Kosovë nuk po mundet të ndikojë në mua, ai do që unë të mos ndikoj në Kosovë. Vazhdimi i paraburgimit është vetë dënimi. Burgjet e gjykatës janë vazhdimësi e plumbave të policisë. Edhe 30 ditë, edhe 60 ditë, edhe 30 ditë të tjera, e kështu me radhë, tamam si natyra e UNMIK-ut. Gjykata asnjëherë nuk merrej me veprimet e mia në të kaluarën por me spekulimet për veprimet e mia në të ardhmen. Jo me atë që bëra por me atë që mund të bëj. Nuk merrej me veprimet e mia por me karakterin tim. E unë, merresha me karakterin e gjykatës që është tërësisht politik. Për ta shpjeguar situatën e tyre dhe atë të Kosovës. Për vazhdimet e rregullta dhe arbitrare të paraburgimit i përdornin disa gjoja-arsyetime:

Thanë që nuk bën të më lirojnë meqë unë do të mund të ikja nga Kosova. Sikur të ishin të bindur që do të ikja nga Kosova me siguri do të më lironin. Halli i tyre është se unë do të mbetem në Kosovë.
Thanë se do të mund ta përsërisja veprën. Unë nuk jam fajtor për atë që kam bërë. Do të isha fajtor sikur të mos e bëja atë që bëra. Dhe, për shkak se nuk ka ndryshim rrethanash dhe sistemi, do të jem fajtor pikërisht nëse nuk e përsëris veprën.
Thanë se do të mund t’i frikësoja dëshmitarët. Janë dëshimtarët ata që janë të frikshëm: policët ndërkombëtar të 10 shkurtit që janë ose vrasës ose bashkëpjesmarrës në vrasje.
Unë nuk jam mbrojtur në gjykatë por kam përfaqësuar veten duke sulmuar UNMIK-un. Ahmet Hasolli nuk është avokat i imi siç po thuhet nëpër media. Ai është caktuar nga gjykata. Pra, Ahmet Hasolli është zgjedhje e gjyqit, gjithnjë të papranueshëm për mua, dhe jo zgjedhje e imja. Dokrrat e tij për kinse objektivitetin e gjykatës dëshmojnë se jo vetëm juridikisht por edhe praktikisht ai është avokat i gjykatës dhe jo imi. Gjykatat e UNMIK-ut nuk udhëhiqen nga sundimi i ligjit por nga sundimtarët e ligjit. Viktima të tyre janë edhe shumë luftëtarë të shquar të UÇK-së të cilët ata i mbajnë peng. Rasti më skandaloz është ai i komandantit Naser Shatri i cili vuan dënimin e shqiptuar 16 vjet më parë nga gjykatat e Serbisë. Unë s’kam nevojë dhe as respekt për drejtësinë e këtyre gjykatave politike. Gjykatat politike kanë nevojë për drejtësi. Jam plotësisht indiferent ndaj vendimeve të gjykatës dhe nuk i përfilli ato. Gjykatat që s’janë të pavarura s’kanë se si të jenë të drejta. Pavarësisht prej tyre dhe vendimeve të tyre unë do të vazhdoj aktivitetin politik në Lëvizjen VETËVENDOSJE! e cila është e vetmja opozitë e vërtetë dhe e vetmja opozitë që ka kuptim në Kosovë. Aktualisht gjashtë aktivistë të Lëvizjes sonë (Sali Zyba, Frashër Krasniqi, Zgjim Hyseni, Arbnor Dehari, Hasan Hajdari dhe Blerim Maçastena) ndodhen nëpër burgjet e UNMIK-ut. Ata janë vetëm njëri prej treguesve të panumërt të shtypjes në Kosovë. Demonstruesi i cili me 10 shkurt u arrestua nga karabinierët përderisa thërriste VETËVENDOSJE! është dëshmi se në Kosovë ka liri të shprehjes atëherë kur nuk thua VETËVENDOSJE!. Dhe, se ka liri të lëvizjes vetëm para televizorit për t’i dëgjuar gënjeshtrat e negociatorëve. Liria e lëvizjes vlen brenda në shtëpi dhe jo në rrugë. Mirëpo, mu në rrugë është liria, liria që duhet ta marrim. Albin Kurti

Keine Kommentare: