Rajoni duhet të ndahet -Serbët në Serbi, shqiptarët në Shqipëri May 11, '07 2:11 PM
for everyone
Category: Books
Genre: History
Author: Süddeutsche Zeitung
Serbët në Serbi, shqiptarët në Shqipëri - "Nuk ka shans për pavarësinë e Kosovës, rajoni duhet të ndahet", nën këtë titull gazeta "Süddeutsche Zeitung" (Sydojçe Cajtung) boton sot një analizë të Hansjörg Eiff mbi çështjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës.
Fillimisht autori u referohet bisedimeve për statusin dhe diskutimit në Këshillin e Sigurimit për të ardhmen e Kosovës.
"Bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës duhet të konsiderohen të dështuara. Plani i ndërmjetësuesit të OKB-së, Marti Ahtisari, që Kosova të pavarësohet nën drejtimin e BE-së, siç po duket gjithnjë e më qartë, nuk ka shans të pranohet në Serbi. Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që formalisht duhet të vendosë për të ardhmen e Kosovës, Rusia dhe Kina janë kundër pavarësisë. Këshilli i Sigurimit nuk mund të marrë vendim kundër vetos së tyre. Në një situatë të tillë kërcënon një zhvillim, që i shërben po aq pak paqes në Ballkan, sa edhe vazhdimi pafund i gjendjes aktuale të protektoratit ndërkombëtar. Duhet të kihet parasysh që parlamenti në Kosovë me shumicë shqiptare të shpallë pavarësinë dhe që qeveria amerikane, e velur me mosmarrëveshjet evropiane, ta njohë Kosovën si shtet. Një pjesë e antarëve të BE-së do të ndiqte hapin e amerikanëve, gjë që mund të çojë në përçarje brenda BE-së, ashtu siç ndodhi edhe me ndërhyrjen në Irak. Një kundëropcion i njohjes së pavarësisë së Kosovës si shtet ndërkohë është ndarja e rajonit, që faktikisht ekziston qysh prej fundit të luftës në vitin 1999: në një pjesë kryesore, të administruar nga UNMIK-u dhe të qeverisur nga institucionet e vetadministrimit të dominuara prej shqiptarëve, si dhe nga pjesa e banuar me shumicë serbe në territorin kufitar me Serbinë në Veri të Kosovës." ...
Duke iu referuar planit të të ngarkuarit të OKB-së për statusin Marti Ahtisari, Hansjörg Eiff nënvizon:
"Ndërmjetësuesi finlandez deri tani e ka përjashtuar ndarjen e Kosovës dhe vendosja e kufijve të rinj parimisht është e papranueshme. Ky qëndrim i përgjigjet pozicionit të deritanishëm të bashkësisë ndërkombëtare ndaj shpërbërjes së Jugosllavisë, ku palët e prekura drejtpërdrejtë nuk mundën të bien dakord për ndryshimin e kufijve. (Raste të ngjashme janë shkëputja e Bangladeshit nga Pakistani, Eritresë nga Etiopia si dhe e Timorit Lindor nga Indonezia, që u arrit ndonëse me konfrontime të dhunshme vetëm me miratimin e "shtetit të vjetër" dhe më pas u bë njohja prej bashkësisë ndërkombëtare.)" ...
Së fundi në artikullin e "Süddeutsche Zeitung" analizohet se si mund të ishte e ardhmja e një Kosove të ndarë mes Serbisë dhe Shqipërisë":
"Aprovim për ndarjen e Kosovës ndërkohë mund të pritet vetëm prej serbëve, por jo nga shqiptarët e Kosovës. Nëse këta do të arrinin pavarësinë vetëm për pjesën kryesore në jug të rajonit, kjo do të kish pak kuptim: Sepse territori që do t´u mbetej shqiptarëve pa pjesën "serbe" në Veri me pasuritë e qymyrit dhe metaleve do të ishte i paaftë të mbijetonte. (Por edhe sot në Kosovën si e tërë popullsia jeton kryesisht prej ndihmave ndërkombëtare).
E pra një ndarje e Kosovës praktikisht mund të merrej në konsideratë vetëm mes Serbisë dhe Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të plotësohej nevoja e shqiptarëve të Kosovës për identitetin e tyre të veçantë, duke u garantuar atyre një autonomi brenda Shqipërisë. Kjo padyshim do të kish më shumë kuptim se sa autonomia, që u ofrohet shqiptarëve të Kosovës prej Serbisë.
Pas dyerve të mbyllura në Serbi prej kohësh shprehet gatishmëria për të pranuar ndarjen e Kosovës. Për të avancuar tani më shumë në këtë drejtim, Serbia duhet të heqë dorë hapur prej pjesës kryesore jugore të Kosovës. Në këtë mënyrë Serbia ndonëse do të humbasë pjesën kryesore, do të fitojë afatgjatë brezin e Kosovës të banuar kryesisht prej serbëve. Ndërsa në pjesën kryesore që do t´i përkiste shtetit të Shqipërisë, krahas autoriteteve në Kosovë do të ishte edhe qeveria e Tiranës përgjegjëse për mbrojtjen e pakices serbe që jeton në këtë pjesë. Edhe ky do të ishte një përparim, sepse qeveria e Shqipërisë ka marrëdhënie më të çlirta me Beogradin se sa udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës. Por njëkohësist do të duhej të garantohej në nivel ndërkombëtar, që një ndarje e tillë nuk do të çojë në zgjerimin e territorit shtetëror të Shqipërisë. Kjo pasi shqiptarët jetojnë edhe në pjesë të Maqedonisë, Serbisë si dhe në zonat kufitare me Malin e Zi dhe Greqinë." ...
"Ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë mund t´i shërbejë më shumë një paqeje të qëndrueshme në rajon se sa vazhdimi i status quo-së, apo një zhvillim, që do të përcaktohej përmes hapave të mëvetsishme. Avantazhi i kësaj do të ishte edhe përfundimi brenda një kohe të parashikueshme i protektoratit ndërkombëtar. Kësissoj shtetet dhe popujt e prekur më në fund do të përqëndroheshin më shumë në formësimin e së ardhmes së tyre në Evropë."
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen