Propaganda perfide për pavarësinë e mbikëqyrur!
Posted by muhamet on May 24, '07 4:39 PM for everyone
Propaganda perfide për pavarësinë e mbikëqyrur!
Nga Muhamet KRASNIQI
Populli shqiptar për t’u çliruar nga pushtuesit e huaj ka zhvilluar rezistenca nga më të ndryshmet, gjatë të cilave kanë rënë me mijëra dëshmorë, amaneti i të cilëve ka qenë dhe është ribashkimi i të gjitha trojeve etnike në një Shqipëri. Kulminacioni i rezistencës së armatosur u arrit kur filloi lufta çlirimtare e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër Serbisë fashiste. Edhe në këtë luftë ranë mijëra dëshmorë për Shqipërinë e bashkuar. Ndërkohë, që udhëheqësit politikë të UÇK-së u pajtuan që pavarësia e plotë dhe sovrane e Kosovës të jetë kompromis i vetëm që mund të pranohet.
Por pas “mbarimit” të luftës çlirimtare që bëri populli ynë, ish udhëheqësit e UÇK-së dhe politikanët “tanë” lëre që nuk e çuan në vend amanetin e bashkëluftëtarë dhe të gjithë atyre luftëtarëve që ranë dëshmorë për Shqipërinë e bashkuar, por ata (politikanët) mbase nuk paskëshin luftuar as për pavarësinë e plotë dhe sovrane të Kosovës. Në të vërtetë, këta farë politikanësh ende pa shkuar në Rambuje pranuan që Kosova të mbetej nën sovranitetin e Serbisë, duke u pajtuar që mos të negociohet për dhjetë pikat e para të këtij dokumenti, njëra ndër të cilat ishte ruajtja e sovranitetit të Jugosllavisë (lexo: Serbisë) mbi Kosovën!
E tash, pas gjithë atyre gjakderdhjeve, masakrave, torturave, dhunimeve, plaçkitjeve, maltretimeve, burgosjeve dhe pas atij shkatërrimi që Serbia ia shkaktoi shqiptarëve dhe Kosovës me dekada të tëra, prapë bashkësia ndërkombëtare, me ndihmën e politikanëve “tanë” servilë e ledhaton Serbinë fashiste, duke ia lënë dyert e hapura gjithandej Kosovës për të na pushtuar Serbia sërish dhe rrjedhimisht të ushtrojë dhunë mbi popullin tonë. Këtë ia mundëson decentralizimi në vija etnike, eksterritorialiteti dhe trashëgimia kulturore, duke mohuar kështu trashëgiminë kulturore të shqiptarëve! Këto, Serbia dhelparake do të dijë fort mirë t’i shfrytëzojë për të gllabëruar sa më shumë territore të Kosovës. E tërë kjo defensivë bëhet kinse në emër të pavarësisë, duke u arsyetuar se me pakon e Ahtisarit “qenkan hapur rrugët e pavarësisë”! Me fjalë të tjera, është duke u zhvilluar një propagandë e pareshtur perfide, tani jo për pavarësinë e plotë e sovrane të Kosovës, por për njëfarë pavarësie të mbikëqyrur e të gjymtuar, e cila kështu si është e skicuar në dokumentin e plakushit Ahtisari do të prodhojë vetëm konflikte të reja dhe si rrjedhojë gjakderdhje të reja. Shqiptarët nuk luftuan që Kosova të shndërrohet në një Bosnjë të dytë në Ballkan, ndërsa është pikërisht dokumenti ahtisarian që Kosovën e shndërron të tillë. Madje në Projektrezolutën e hartuar të përbashkët të SHBA-së dhe BE-së për Kosovën nuk figuron as pavarësia e kushtëzuar, ndërsa ka mundësi që aty të përfshihet edhe propozimi rus për një përfaqësues special për minotiretet (lexo:serbët)! Ndërsa politikanët “tanë” edhe këtë farë rezolute mundohen ta paraqesin si rezolutë për pavarësinë e Kosovës!!! Populli duhet ta ketë të qartë se jo çfarëdo rezolute e miratuar në KS të OKB-së mund të konsiderohet e tillë, gjegjësisht të mos mashtrohet se rezoluta është edhe pavarësia. Rezoluta duhet të jetë e qartë në përmbajtje të saj e jo të thuhet se u aprovua dhe në këtë mënyrë edhe pavarësia. Sepse KS i OKB-së ka miratuar një rezolutë për Kosovën, por ajo (1244-shi) e ka sanksionuar Kosovën si pjesë të Serbisë. Ndërsa, në bazë të propagandës që po bëhet edhe nëpër mediat “kombëtare” si elektronike ashtu edhe të shkruara, opinionit po i imponohet ta kuptojë si të tillë, pra vetëm emri rezolutë të kuptohet si pavarësi!!! Popull shqiptar mos lejo të mashtrohesh!
Copëtimi i Kosovës pasojë edhe e politikanëve të Kosovës
Shkaktarë pse Kosova ende nuk është e pavarur, janë edhe këta farë politikanësh të korruptuar, që për kolltukët dhe interesat e tyre personale nuk çajnë kokën se a do të realizohet apo jo amaneti i dëshmorëve. Përkundrazi vetëm sa e vazhdojnë status-quonë që mund të jetë shumë e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës.
Me qëllim që shqiptarët ta pranojnë çfarëdo rezolute në Këshillin e Sigurimit, që nuk do të jetë asgjë më shumë se një robëri e re për Kosovën, ndërkombëtarët përmes Rusisë me lojën e përdorimit të vetos ndaj rezolutës së re për Kosovën mundohen t’i joshin shqiptarët për ta përqafuar këtë opsion ahtisarian e që, siç theksuam më lartë, do të pësojë ndryshime edhe më të mëdha që shkojnë në dëm të mëtejshëm të çështjes së Kosovës. Pra kjo është një lojë në mesin e shumë lojërave që bëhen në vazhdën e eksperimenteve të shumta që po bëhen me Kosovën, me qëllim që populli ynë me vetëdije të kufizuar politike të vazhdojë të vetëmashtrohet me arsyetimin kinse Rusia dhe Serbia nuk po u kënaqkan me pakon e Ahtisarit! Dhe, në vargun e shumë eksperimenteve që po bëhen me Kosovën është edhe shtyrja apo zvarritja gjithnjë më e madhe që po i bëhet zgjidhjes së drejtë të statusit të Kosovës. Që ta kenë më lehtë në këtë drejtim, tani dalin opsione të reja kinse për afrimin e opsioneve të Rusisë me Perëndimin rreth rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, duke iu falënderuar “lobimit” të “politikanëve tanë” nëpër botë po u arritka që Perëndimi dhe Rusia të pajtohen rreth rezolutës së re për Kosovën. Se është kështu, dëshmojnë edhe faktet se tash edhe dokumenti i Ahtisarit është duke u “rrjepur” për çdo ditë, duke i bërë koncesione edhe më të mëdha Serbisë. Si rrjedhojë e kësaj, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do ta miratojë një rezolutë për Kosovën pa u përmendur madje as “pavarësia e mbikëqyrur”, ndërsa shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk do të tolerohet, ngase Përfaqësuesi Ndërkombëtar do ta përdorë të drejtën e vetos mbi vendimet e kuvendit të Kosovës, duke u bazuar në pakon e Ahtisarit. Edhe këtë koncesion në mesin e shumë koncesioneve tjera që po i bëhen Serbisë, “grupi i unitetit” e arsyeton kinse me arritjen e konsensusit për Kosovën në KS të OKB-ës. Krejt çka do të ndryshojë gjatë fazës së implementimit të pakos së Ahtisarit do të jetë largimi i UNMIK-ut dhe hyrja e Bashkimit Evropian, me përfaqësuesin e saj në Kosovë, që do të ketë kompetenca edhe më të mëdha në dikasteret më të rëndësishme në Kosovë sesa përfaqësuesi i UNMIK-ut!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen