GAZETA NË XHEPIN E PALLTOS Kohën e kishin të caktuar. Kur arrinte ora 16.00 e vapa dukej e padurueshme në dhomë, ata kishin vendin e caktuar të takimit. Edhe pse nuk banonin afër njëri – tjetrit, por ishin të së njëjtës lagje, gjithëherë iu përmbaheshin kohës së caktuar. Dukej se temat e diskutimeve, komentimeve, analizave i përgatitshin që në mbrëmje dhe posa uleshin (vendin e kishin të caktuar), por ndodhte që edhe të uleshin në barin gjysëm të djegur nga thatësia, nën shelgun lotues, skaj rrugës. Zbathnin këpucët dhe uleshin me këmbë të kryqëzuara, tamam shqiptarçe dhe fshatarçe edhe pse pandehnin se ishin nga qyteti, megjithatë të dy kishin lindur në fshat. Kishte kaluar kohë e gjatë. Që nga ngjarja e Bungajës nuk kishin pasur temë të caktuar për diskutime dhe analiza, atëherë bisedat merrnin karaktere të momentit për ngjarjet aktuale ditore. Kësaj radhe kishte ndryshime. Shuli nuk lodhej fort në këto gjëra se përherë informatat i merrte prej Tulit, sepse ai kishte mundësi më të mëdha për ta përcjellur shtypin ditor, javor, periodik, por ai kishte edhe një radioaparat dhe kurr nuk i kalonin ngjarjet pa i dëgjuar dhe shënuar dhe sa herë që mendonte se kishte diçka të pa thënë gjer më tani ai ia shpjegonte Shulit dhe së bashku fillonin komentet e tyre, kuptohet se aty ishin edhe gjykimet dhe përfundimet për të gjitha. Mirpo, të dilte me gazetë në xhep rrallëherë bënte vaki. Lirisht mund të thuhet se prej viteve të zjarrta të 81-shit, 89 –tës dhe të 90-tës jo. Kjo i dukej paksa e quditshme Shulit. Ta pyeste për trysninë dhe detyrimin që e kishte shtyer për të marrur gazetën nuk kishte guxim sepse Tuli përpak nevrikosej dhe po të ndodhte ashtu më nuk dinte se çka fliste, kështu dështonte plotësisht takimi i tyre pasditeve të ngrohta. Për këtë qëllim Shuli priste që ai të fillonte t’ia thotë domethënien e marrjes së gazetës në xhep. Posa u ulën në vendin e caktuar, Shuli nxorri kutinë e mbushur me duhan të ngrirë për bukuri. Kishte pamje të bukur, me fije të holla dhe ngjyrë të verdhë në të qeltë, tamam ngjyrë ari. Filloi ta dridhte një kaçakçe. Tuli në skajin tjetër të bangës nxorri kutinë me cigare të gatshme “të makinës”, nga ajo kuti nxorri një cigare dhe e mbante në duar duke lozur me të gjersa Shuli nuk përfundonte së dredhuri. Përnjëherë i dhezën. Me t’u dhezur cigaret fjollat e tymit rrath-rrath filluan të ngjiten lartë dhe diku në hapësirë mbi kokat e tyre rrathët e tymit puthiteshin e pas pak humbnin në sipërfaqen e gjer të natyrës... Tuli me ngadale filloi ta hjek gazetën prej xhepit. Me kujdesë të veçantë filloi ta shfletoj. E kishte cakun se çka do ti tregonte Shulit. Shuli me sy (dukej paksa i habitur) e përcillte çdo lëvizje të Tulit. Nuk flisnin. Ra një heshtje që në fillim dukej e rëndë sepse nuk ishin mësuar të heshtnin në këso bisedash. - Shiko Shul, e theu heshtjen Tuli duke ia afruar gazetën. A po e njeh ? - Cilin, Tul?!. - Atë në fotografi. - E ku ta njoh Tul pa lexuar kahmot gazeta. As libra kohëve të fundit nuk jam duke lexuar. Madje as fotografitë e mira përsonale nuk po i shikoj. - Pa shikoje ngadal dhe me vëmendje, Shul ?! Shuli nxori zyzet e trasha, i vuri mbi hund, kapi gazetën duke e vendosur në prehër, por dukej se tymi i cigares e pengonte. Hoqi cigaren nga goja dhe filloi ta shiqoj me vëmendje. Edhe pse e mbajti gjatë para syve nuk qe në gjednje të jep përgjigje dhe ta di se cili ishte ai në fotografinë e gazetës. - Jo Tul. Nuk po e njoh. Asnjëherë nuk e kam parë dhe filloi t’ia kthej gazetën Tulit. Ta lexojmë tekstin e pastaj ndoshta mund ta identifikojmë se për kë bëhet fjalë. - More Shul. Ai e ka emrin dhe mbiemrin të shkruar, por më bëhet se nuk mund të jetë e vërtetë ajo që po më shohin sytë. Shumëherë jam zemruar në këto gazetat tona, por kësaj radhe duket se e kanë tepruar. - Përse Tul. ç’ka të keqe se është vënë ajo fotografi aty. Çka shkruan aty ? - Më mirë të mos e lexosh fare... - Përse...a është gjë e pazakonshme ?!... - Jo more e pazakont, por trishtuese e cila të tmerron... -Atëherë mos ma lexo fare dhe mos u mundo t’ma komentosh, nuk dua komentet e tilla dhe të atyre njerëzve që nuk e meritojnë... - Përkundrazi, Shul, mendoj se duhet ta lexojmë, ta analizojmë dhe ta komentojmë duke u munduar për ta gjetur të vërtetën. - Çka ka nevoj e vërteta Tul, kur nuk kemi mundësi që të ndikojmë për asgjë... - Edhe nëse nuk ndikojmë, atëherë nuk është mirë që të heshtim Shul, duhet ti tregojmë popullit të vërtetën se disa kanë filluar të bëjnë patriotizëm me para... - Dmth, Tul, ta blejnë patriotizmin. Por ai nuk blihet. Po edhe nëse shkruajmë e flasim kundër këtyre dukurive, atëherë jam i bindur se nuk do ti botojnë fare, nuk do të dëgjojnë. Po edhe nëse arrijmë diç në këtë drejtim shumica do të thonë: “hiçu mora atyre pleqëve, ata janë matufosur krejtësisht dhe nuk dinë çka flasin e ku dinë të bëjnë analiza të tilla”. - More Shul, a s’po sheh se edhe sulltanët, pashallarët, mbretërit e krajlat së bashku me bejlerë që dikur ua kanë pirë gjakun me pambuk këti populli paskan pas qenë patriotë...Sipas tyre Shul, për t’u bërë patriot çenka e domosdoshme për të vrarë, për të bërë keç sepse pa qenë gjakpirës edhe s’mund të bëhesh patriot... S’po kuptoj Tul...Disi më duket se të gjitha këto çka po i thua nuk kanë të bëjnë me ne, apo që kanë ndodhur diku shumë larg nesh... Shiko Tul, agallarët, bejlerët, pashallartët, mbretërit, sulltanët e krajlat e dimë se çfar sjelljesh kanë pasut. Ti edhe unë e dimë, ndërsa të tjerët ndoshta kanë mësuar dhe lexuar se çka kanë vepruar me popullin e pafajshëm... Tani po ata bejlerë, po ata agallarë, po ata krajla e sulltanë dikush po mundohet ti qes në anën e popullit të vuajtur, bile, bile edhe kanë marrë aq guxim të pa skrupullt që nuk do të jetë larg dita kur edhe do ti shpallin heronjë të kombit për “kontributin” e tyre të derdhur për lirinë e tij... - Sipas kësaj Tul, atëherë ne ka qenë dashur ta gëzojmë lirinë më herët, që gjatë kohërave të turkut dhe shkjaut. Jo, jo, s’po të kuptoj... - Para do vjete babai, ndjesë past, më thoshte Shul, e ati i kishte treguar babai i tij për një mbret gjakpirës i cili ia kishte pas shtuar shumë të këqiat dhe zullumin popullit, dhe sa më fortë që e shtrëngonte atë, populli e nderonte më shumë...dhe pas vdekjes në vend se ta gjykonin, populli i ngriti përmendore... Po mirë Tul. Çka ka të ngjashme ai mbret me këtë këtu, që akoma nuk më sqarove asgjë... - Babai më thoshte Shul, se kur u mund turku, në vend se ne ta gëzojmë lirinë, filloi krajli me ushtrinë e vet të bëjë kërdinë nëpër trojet tona. Dhe nuk do të arrinte të na mbisundonte. Por ai filloi ti zgjedh njerëzit që e përkrahnin, që e nderonin, që ia kishin frikën dhe që shpallën dëshirën të punojnë për të. Kur i gjeti të tillët, ati iu lehtësua gjysma e punës dhe sundimin e bëri më të lehtë. Këta njerëz filloi ti ngris nëpër pushtet duke u dhënë çdo gjë që kërkonin, prej pasurisë e deri te e drejta të drejtojnë me popullin e shtypur. Atyre iu ofroi poste, i bëri kryetar rrethesh, komunash dhe...Tani, thoshte babai, mbreti ishte i sigurt në sundimin e tij, rrinte shlirshëm sepse barrën kryesore e bartinin të zgjedhurit e tij edhe pse ishin shqiptarë asnjëherë nuk ndodhi të veprojnë ndryshe urdhërave të padronit.. - Kam dëgjuar Tul edhe për aso që nuk janë pajtuar me mbretër dhe krajla të cilët kanë dëshiruar që sado pak populli të jetë më i lirë...Kam dëgjuar...edhe për ata për të cilët po flasim dhe për të cilët po mendoj se nuk kanë qenë fare patriotë sepse tërë jetën e tyre e kanë jetuar si posllanik apo poverenika të krajlit... - Ashtu është Shul...serbët dhe krajli i tyre gjithnjë i kanë likuiduar ata që ua kanë turbulluar, kundërshtuar vendimet. Me një fjalë kundërshtarët e tyre, sidomos kur ishin në pyetje shqiptarët. por tani duket se kanë ndryshuar kohët, kanë ndryshuar shkrimet, gazetat e kanë ndërruar formën dhe mënyrën e të shkruarit, por njerëzit si duket kanë mbetur të njëjtit, po ata, pa ndryshuar asgjë në vetëdien e tyre...Të ka rënë ta lexosh, si duket edhe e kemi trajtuar temën dhe shkrimin për mbretin Zog. Po mundohen njerëzit ta shpallin hero kombëtar, e dihet si ka sunduar gjatë mbretërisë dhe sundimit satrap, çfar të liga, vuajtje e mjerim i ka pas sjellur popullit... Po Tul, më kujtohen të gjitha diskutimet tona edhe patëm vendosur për të reaguar, por... - Tani Shul janë bërë shumë. Në vend se gazetat tona të shkruajnë për ata që vërtetë u flijuan, u vranë, u pushkatuan dhe u përsekutuan për të mirën e popullit, po shkruajnë për dofarë mbretësh, agallarësh, posllanikësh të krajlive të cilët gjatë gjithë jetës ishin në shërbim të shtypësve të popullit. Më ka pas thënë babai Shul, se këta njerëz (posllanik) sa herë që merrnin rrugë për të shkuar te sundimtari dhe shtypësi i popullit, pra te krajli, dilnin nëpër popull dhe mblihnin para sepse atje kinse shkonin për t’u ankuar dhe për të kërkuar të drejta më të mëdha, por kur mbërrinin atje i harronin premtimet e dhëna popullit, dhe si duket nuk kishin pasur fare guximin për të biseduar për dofar të drejtash më të mëdha, ndërsa paratë ose i mernin për vete, ose i ndanin së bashku me sundimtarin apo me ndonjërin nga shërbëtorët e ngusht të tij. Kur ktheheshin pas pak kohe emëroheshin “ në emër të krajlit” prej kryetrit të komunës avansoheshin në kryetar rrethi apo në ndonjë funkcion tjetër më të lartë. Po ashtu, më thoshte babai këta që mbetën gjallë dhe që i ndejtën besnik detyrës dhe krajlit kur filloi shkatërrimi i krajlisë ishin njerëzit më të pasur në rrethet e tyre ku jetonin, dhe asnjëherë jeta e tyre, por edhe e familjeve të tyre nuk është vënë në rrezik...Kështu qenë edhe në kohën e krajlit, kështu u bënë edhe në kohën e komunistit, kështu të dëgjueshëm dhe patriotë po mundohen të bëhen edhe tani...A është e mundur Shul që të njejtit njerëz të jenë të përshtatshëm dhe patriotë për të gjitha kohërat dhe rezhimet ?!... - Dëgjo Tul, të gjitha këto janë të vërteta. Nuk më preokupojnë mendimet dhe dëshirat e tyre për t’u ndërruar sipas motit, por s’po mundem për t’i kuptuar shkrimtarët, gazetarët dhe gazetat tona. Përse lejojnë gjithfarë shkrimesh pa marrë parasysh se kush shkruan, çka shkruan pa hyrë në analizën e tyre më të thellë, sepse dihet karakteri i këtyre që lirisht mund ti quajmë shpatuk dhe pakurrizor. Dihet fare mirë se gjërat, ngjarjet, dokumentet po mundohen me të madhe për t’i bishtëruar duke ua përshtatur kohës dhe momentit, për këtë edhe këta njerëz na dalin të përshtatshëm, trima e patriotë për të gjitha kohët dhe për të gjitha rezhimet...Atëherë Tul vështirë është ta përballojmë një ndryshim të këtill, më mirë të them një marri të tillë. Tani, në këto momente nuk është me rëndësi e vërteta e tyre, me rëndësi është shkrimi, momenti dhe...të tjerat rregullohen më vonë. Por diçka po më brengos Tul. Ka njerëz që i dijnë ngjarjet mirëfilli dhe heshtin, kjo po më mundon, kjo është heshtje e tmerrit e cila më vonë mund të na kushtoj shumë. - Po Shul, vërtet është ahtu, mirëpo edhe një konstatim, edhe një argument pa tjetër duhet ta trajtojmë. Atëherë kur Kosova pat marrë zjarr, kur rinia dhe populli u ngritën në këmbë për të kërkuar drejtësi dhe barazi, kur kërkonte Republikën e të gjitha këto u shtypën me vrasje, me zjarrë dhe përfunduan me burgime të shumta, klyshët dhe pasardhësit e krajlit, ata që mbështilleshin dhe shtireshin si komunistë, në njëqind forma e mënyra ndoshta jo rastësisht filluan një turne nëpër Kosovë e sidomos nëpër shtëpitë dhe pasardhësit e këtyre posllanikëve të dikurshëm. I vizituan të gjithë sepse ishin më të besueshmit e pushtetit, të komunizmit, luftëtarët më të denjë për “bashkim-vëllazërim” dhe kjo nuk është e largët. Nëpër këto familje iu bënë pritje madhështore duke u shtruar dreka e darka. Në shenjë falënderimi, besnikërie dhe qëndrese të tyre për ruajtjen e krajlisë të pandashme dhe të pathyeshme e të fortë në shenjë mirënjohje dhe falënderimi ua dhuruan nga një dhuratë modeste si pistolet, pushkë apo edhe ndonjë automatik, ku ndoshta edhe sot e asaj dite këto trofe i kanë të varura nëpër muret e dhomave të tyre si trofe të dashur...Po Shul këta janë të tillët, të cilët thyejnë çdo pengesë vetëm e vetëm për të qenë dikushi duke menduar se janë harruar gjërat e kaluara. Edhe diçka Shul. Po të kishte rënë rasti të ulesh para këtyre viteve me këta njerëz e të bisedosh me ta vërtet do të formohej bindja se janë më jugo se vet jugoviqët dhe sa e sa herë kanë sharë e hedhur vrerë kundër të gjithë të rinjve tanë që ua prishën rehatinë...Vetëm atyre që u digjej zemra atëherë e dinë dhe mund ta marrin me mend se kush janë, çfarë ishin dhe çfar do të bëhen në raste të ndryshimeve të shpeshta të rezhimeve dhe pushteteve. Kjo më dhemb Shul...Të njëjtit të shajnë, të rrahin të përbuzin për interesa personale e tani në krye të gazetës si patriotë e atdhetarë të paluhatur për liri dhe pavarësi. Thjesht kjo është turpi më i madh i këtyre kohërave dhe gazetave tona... Por... Gjatë gjithë këtyre analizave dhe bisedave nuk e kishin vërejtur terrin që kishte filluar për ta mbuluar qytetin. Në qytet kishin filluar të ndizen dritat e neonit dhe vapën e padurueshme të ditës kishte filluar ta zëvendësoj një freski e hollë e këndshme. Të gjithë shëtitësit dhe banorët e ditës të parkut ishin larguar. Cicërrima e zogjëve filloi për ta zëvendësuar këngën e ëmbël të fëmijëve. U ngritën ngadalë dhe dukeshin të lodhur dhe të rënduar në zemër e shpirt. Tuli e gjuajti pakon e zbrazët të cigareve, ndërsa Shuli kutinë e metaltë (e cila i kishte mbetur e zbrastë) e futi në xhep dhe filluan ngadalë të kthehen. - Tul, merre gazetën dhe kujdes, ta ruash mirë se mos po e lëndon posllanikun e vajhalli për ne, i tha si me shaka Shuli. Ai filloi kujdesshëm ta palos gazetën duke e futur në xhep sikur vërtet dëshironte mos ti lëndoj shkrimet dhe njerëzit në të... - Do ta ruaj Shul. Për shumë kohë do ta ruaj. Nuk i dihet jetës mund të ndodh që nesër po kjo gazetë të shkruaj për të njëjtit njerëz si...Ndoshta dikujt do ti kujtohet ndonjëherë se të gjtha këto që po i mbaj tani në xhep janë trillime dhe insinuata për qëllime të caktuara. Atëherë në vendin tonë, këtu, në këtë karrige të parkut, do të ulen të tjerët dhe do t’na mallkojnë për heshtjen tonë. Po, po Shul do t’na mallkojnë neve dhe kohën tonë, njerëzit, historinë dhe gazetat për të gjitha këto marrëzira që në mënyrë perfide po mundohen ta mbështjellin të kaluarën e errët të tyre dhe çdo veprim të kohërave të liga po mundohen dhe tentojnë ta paraqesin si luftë për liri dhe barazi të popullit, por me të madhe po mundohen për t’i blerë njerëzit, historianët... Me të filluar rrugën me nuk flisnin...ecnin ngadale sikur nuk dëshironin të largoheshin nga vendi dhe nga këto mendime edhe pse të rënda dhe të... Freskia e natës ngadalë filloi të shtrihet mbi qytet. Premtimet Shuli e Tuli nuk i mbajtën sepse përjetimet e tyre nuk po e presin lirinë. Ato po ndodhin dhe sa herë që të ndodhin do të mundohemi për ti regjistruar pa marrë parasysh se po na vonohet liria...Ngjarjet nuk po e presin lirinë... Verë e tretë e vitit 1996...në qytetin F... |
Freitag, 4. Mai 2007
Tregim ,Gazeta ne xhepin e Palltos ,shkruar nga Esat Avdyli
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
2 Kommentare:
tregim jashtezakoisht i mire...
satirë e hollë...
Kommentar veröffentlichen