Mittwoch, 25. April 2007

Albin Kurti,"Kolumne ngaBurgu i Prizrenit,krahu A qelia nr.3


Albin Kurti 'Kolumne nga Burgu i Prizrenit, krahu A qelia nr. #3
Apr 24, '07 4:46 PMfor everyone

Sh.!sh.!sh.!sh.!sh.!......
“Varfëria është simptom: Robëria është sëmundja’ –
Bertrand Russell në eseun “Bota ashtu siç mund të bëhej”

-E dimë se je i shqetësuar, por rri i qetë. E dimë se je i pakënaqur, por prit. E dimë se po vuan, por duro. (Rri aty poshtë që net ë rrimë këtu lartë)

Në shekujt XIX dhe XX industrializmi, aty ku nuk e ka krijuar, e ka rritur nacionalizmin. Dhe, i ka forcuar shtetet. Së paku një shekull më vonë, në Kosovë, ka aq shumë tregti dhe fare pak industri. Tregtia ishte karakteristikë e sistemit feudal, e kohës kur mbizotëronin perandoritë. Madje, për më keq, e vetmja industri që funksionon në Kosovë është kompania që më së shumti urrehet nga qytetarët – KEK-u. Në vend që të ëksportojë, KEK-u importon energji elektrike; në vend që ta rrisë buxhetin e Kosovës, e shterrë atë; në vend që të jetë bazë ë zhvillimit ekonomik të Kosovës, është shndërruar në pengesë për të. E gjithë kjo duke pasur parasyshë resurset e mëdha energjetike të Kosovës dobia e të cilave u ndje fuqishëm veçanërisht në vitet ’70-ta, fatkeqësisht jo vetëm nga Kosova.
Stagnimi ekonomik i Kosovës që pasohet me rënie të vazhdueshme dhe të shpejt sociale ka një adresë të thjeshtë dhe të qartë – AKM-ja. Ajo disponon me pasuritë e Kosovës dhe kapacitetet e saj zhvillimore. Mirëpo, për vite me rradhë ajo ka zotëruar për të bllokuar ndërsa zhbllokimi ishte një shitje e të mirave publike dhe shoqërore të Kosovës. Përveç që kjo shitje parimisht është vjedhje e djersës dhe kontributit të popullit, ajo u përcoll me vjedhje brenda vjedhjes, me kënaqje interesash të llojllojshme në kurriz të interesit të përgjithshëm që s’përfillej aspak. Për ta legjitimuar këtë process kanë inkuadruar ekspertë të ndryshëm kosovarë që thuhet të kenë mbaruar shkolla me që jashtë vendit, port ë cilët nga perëndimi më parë se dijen kanë marrur veçse stilin e jetesës. Ata janë agjentët e ekspertizës në ‘human resources’, temës së preferuar të turistëve ndërkombëtarë, e cila shpalos vizionin menagjerial mbi njeriun si pjesë përbërëse të teknologjisë duke e instrumentalizuar atë. Ndërkaq, anën praktike të privatizimit e legjitimojnë përfituesit: krerët politik të fshehur prapa emrave të kusherinjëve të tyre dhe jo pak ish komandanët të UÇK-së që i janë bashkuar biznesmenëve tashmë të rehabilituar që vazhdojnë të bashkëpunojnë me Serbinë.
Ndalja në gjysmë e luftës çlirimtare rezultoi me hegjemoni reaksionare: jo vetëm që nuk u përmbys shtresa që pasurohej nga kolaboracionizmi, por ajo u zgjeruar me biznesmenët e rinj nga rradhët e komandantëve të dikurshëm të UÇK-së. Përqendrimi i burokratëve ndërkombëtar të AKM-së, natyrisht, ishte aty ku janë paratë e mëdha: PTK, KEK, Aeroport, etj... Vjedhjet më të mëdha nuk janë bërë prej ndërkombëtarëve që vijnë nga vendet e Botës së Tretë, por pikërisht nga ata të vendeve të BE-së. Paketa e Ahtisaarit parasheh që edhe më tutje ato të mbesin pikërisht në duar të atyre. Pasi që ti rjepin mirë e t’i shkatërrojnë, ata do t’i shesin edhe këto pasuri kolektive të ndërtuara me dekada dhe atë me çmime banalisht të ulta. Tregu vendos për çmimin, do të na thonë! Dhënia e Aeroportit të Prishtinës me koncesion dhe planet për TC-në ‘Kosova C’ janë vetëm fillimi. Sepse, privatizimii shërbimeve komunikuese dhe i energjisë është esencial për neoliberalizmin. Privatizimi i resurseve dhe sferës public është rruga e zhbërjes së shoqërisë. Mu këtë e duan sepse shoqëria si koncept është sfida kryesore për mënyrën e sundimit që ata dëshirojnë. UNMIK-ut bënë sehirë përderisa kolapsojnë UP-ja (Universiteti i Prishtinës) dhe QKUK-ja (Qendra Klinike Univeristare e Kosovës). Zaten e tëra është tranzicion: rrënim sistematik i shërbimit publik. Mbase këta neokolonizatorët neoliberal, në instancën e fundit, edhe ta pranojnë shtetin dhe vendin, por vetëm atëher kur ta shesin paraprakisht.
Tërë këtë kurs paketa e Ahtisaarit do ta përforcojë. Investimi në të ardhmen i Misionit Civil Ndërkombëtar që do të ‘këshillojë’ edhe në planifikimin e buxhetit do te jetë i drejtuar kah dora e djathtë dhe e hekurt e pushtetit: në polici e gjyqësi, duke i rritur pagat dhe përmirësuar kushtet atje, duke sjellur profesionistë të akullt nga BE-ja në këto sektore. Arsimi e shëndetësia do të vazhdojnë të dergjen pa shpresë, përveç shkollave dhe ordinancave private që do të bëhen vendtakim i familjeve të biznesmenëve politikanë dhe politikanëve biznesmenë. Shumica dërrmuese e popullatës do të mbesin të vrafër dhe ose të papunë, të kurthuar në rrethin vicioz të mjerimit: arsimimi i dobët që nuk të bën konkurrues, sëmundjet për shërimin e të cilave s’mund t’i blesh barnat, skamja dhe papunësia që lënë të hapur vetëm derën e krimit dhe delikuencës. Kjo mëgjithatë nuk do ta ndalë konsumin. Prodhimi kryesor i një ekonomie të këtillë do të jetë nevoja-vendosja e njerëzve në gjendje gatishmërie për të kërkuar diçka të panevojshme. Edhe për këtë arsye do të ushqehen dallimet etnike dhe fetare. Kapitali i neoliberalizmit i do, i dëshiron dhe i krijon dallimet. Do të kemi shampon për tinejxherët muslimanë, këpucë për vajzat katolike, bluza të posaçme për asketët ortodoksë mbi moshën 30 vjeqare, pantollona të veçanta për homoseksualët shqiptarë e serbë. Pllakosja e mjerimit të masave do të përhapet ndërkohë që justifikimi i kontrollit dhe i sundimit të huaj mbi ne do të mbetet po ai.
Nuk jemi gati për t’iu lënë vetëm! Liria e plotë ju bën dëm juve! Do të na thonë fraza që kanë kuptim edhe më të rëndë se kaq, por tingëllim më të butë se kjo.
Për shkak të mjerimit që na mbërthen nuk do të na lënë të jemi të lirë. Në fakt, për shkak se na e mohojnë lirinë, s’do të mund të dalim nga mjerimi. Në vend që të ketë zhvillim pa dominim, do të shndërrohemi – ashtu siç tashmë mbase jemi bërë – në një vend ku ka vetëm dominim dhe s’ka fare zhvillim. Diciplinimi gjithnjë e më pak i nevojshëm i politikanëve kosovarë, edhe në të ardhmen do të jetë instancë e Përfaqësuesit Special Ndërkombëtarë si sovran. Andaj, ata do të pëshpërisin si ngahera. Pëshpëritja është egzistenca e tyre. Pëshpëritjen deri në hestje totale, do ta kërkojnë edhe nga qytetarët përmes refrenit të tyre që nuk do të përfundojë asnjëherë përderisa të respektohet: Shshshssh... E dimë se je i shqetësuar, por rri i qetë. E dimë se je i pakënaqur, por prit. E dimë se po vuan, por duro. (Rri aty poshtë që net ë rrimë këtu lartë)
Mirëpo, do të vijë një ditë, më shpejt se sa që besohet, kur askush s’do të heshtë e durojë. Kur padëgjueshmëria e njerëzve do të jetë normale, gjëja më normale. Vitet me UNMIK-un, AKMN-në dhe të ngjashmit do të duken aq të turpshme. Ashtu siç edhe janë.

Albin Kurti
(20 prill 2007; Burgu i Prizrenit,
krahu A, qelia nr.3)
Tags: , , , , , ,

Keine Kommentare: