Mittwoch, 25. April 2007

QEVERIA STUDENTORE E FAKULTETIT TE GJUHEVE TE HAJA,Tirane deklarat per shtyp


Qeveria Studentore e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja Tiranë deklaratë për shtyp.
Apr 25, '07 11:42 AMfor everyone
Deklaratë për shtyp
E hapim këtë deklaratë për shtyp duke i shprehur edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta familjes Markola për ndarjen e parakohëshme nga jeta e vajzës së tyre Besnikes, si dhe miqve dhe dashamirëve për humbjen e shoqes në një moshë kaq të re.
Besnike Markola, i përjetshëm qoftë kujtimi i saj, ishte një studente e rregullt, me dëshirë për arsimim, e përkushtuar, e dashur, dhe mbi të gjitha ashtu siç kishte emrin; Besnike.
Megjithatë, fatkeqësisht, gjithë këto virtyte të vështira për tu patur të gjitha bashkë nga shumë të rinj të ditëve të sotme, për shtetin shqiptar nuk vlenin as edhe një grosh.
Ndërsa për miqtë dhe shokët e saj të fakultetit, Universitetit “Luigj Gurakuqi”, por edhe Shqipërisë në tërësi, këto virtyte bartnin mesazhin e shpresës që vendi ynë ka për të bërë hapa përpara nëse do të sensibilizohej në atë masë sa jetës së një të reje ti vinte një çmim shumë më të madh se 100.000 euro.
Por më kot!!!
Një shumë e tillë qenka shumë e vështirë për tu përballuar nga tre ministritë kompetente të marra së bashku, për të mos thënë një qeveri e tërë e cila prej dy vitesh pretendon se është në dietë dhe nuk shpenzon; d.m.th kursen.
Nga ana tjetër studentët e Universitetit të Shkodrës në bashkëpunim me fakultetet analoge në Tiranë, Vlorë, Korçë, Gjirokastër dhe Durrës arrijnë që brenda një jave, të sigurojnë 1 / 4 e shumës së nevojitur për operacionin, pra afro 25.000 euro, me ndihmën edhe të shqiptarëve të Malit të Zi dhe Diasporës.
Është për të ardhur keq kur mendon se sa të ngathët, stanjativë, dhe burokratë janë ata që na drejtojnë. Në të njëjtën kohë është edhe alarmante, sepse vëmë re se forca më vitale e vendit, pra studentët, tek e cila varen shpresat për integrim, nuk përfillet fare e lëre më të ndihmohet.
Ne, studentët e fakultetit të gjuhëve të huaja, të shtetit demokrat që aspiron të futet në familjen e madhe Europiane, pas kësaj tragjedie ndihemi shumë të tronditur, skeptikë për të ardhmen dhe të braktisur nga shteti.
Nuk e di se si zotërinjtë qeveritarë do ti zërë gjumi natën duke ditur se indirekt kanë ndihmuar që ditët e Besnikes të mbylleshin në kulmin e rinisë.
Pas këtij rasti tragjik, të gjitha ato pak politika apo reforma të mira në arsim, shëndetësi dhe fushat sociale shumëzohen me zero në momentin kur burokracia merr jetë njerëzish.
ERLIS HERENI
Zv. Kryetar i Qeverisë Studentore
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Tiranë.
Erlis B. HereniVice President A.S.G.F.L.F(Albanian Student Government)Foreign Language FacultyTirana, Albania

Keine Kommentare: