Freitag, 13. April 2007

Nga Behxhet Shala' "FALUS(N) GONGU I KOSOVES DHE PRAPASHTESA E JAKOVES!:


Apr 13, '07 2:16 PMfor everyone
Në fund të javës ( Surroi, Rada dhe Shuku, Ambasadat e Kosovës në Muçibabë, Ahtisari dhe Besnik Mustafaj, Kuvendi dhe simbolet “shtetërore”, Numan Baba dhe 99 liliputët, Fa(k)tmbledhësit e Rusisë dhe fatmirët e Tanzanisë, Llapi lobon, Kosova pëson, 12000 euro, Ylberi dhe baba Savë që vazhdimisht po bëjnë davë, dhe , mund ta paramendoni..Zeusja e Arbërisë dhe minukët e Dardanisë etj.etj.etj dhe shumë të tjera..)
FALUS(N) GONGU I KOSOVËS DHE PRAPASHTESA E JAKOVËS!
Lexues të nderuar të www.vudi.multiply.com, për t’ua lehtësuar kuptimin e titullit, më duhet t’i jap disa sqarime në mënyrë që të orientoheni drejt dhe mos të përfundoni si anëtar i Grupit për Lobim, hartues i Kushtetutës së Ahtisar Kajdanit apo ndonjë nëngrupi politiko-strategjik për afirmimin e prostitucionit politik dhe të trafikimit diplomatik në Kosmetistanin demokratik e sidomos mu(l)tietnik( tungjatjeta o Milaim Zeka për këtë shprehje autentike, ishalla nuk e lexon Agim Zatriqi se të rrou dreqi ty, te unë nuk kanë punë edhe nja 15 ditë)! Do të ishte fat të përfundoni në Hilandarin e Graçanicës apo në Shtërpcën e Ademit dhe Fatmirit, kumbarët e opshtinës së

Shtërpcës në Kosovë dhe Metohi.
Në fund të viteve 1990 Falun Gong(Dafa) ishte bërë jashtëzakonisht popullore në Kinë, afërsisht 100 milonë njerëz e praktikonin ate. Kjo praktikë vetë-kultivuese tradicionale kineze kishte për qëllim përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik përmes ushtrimeve të lehta për t’u mësuar, meditim dhe lartësimin e mendjes dhe të karakterit. Praktika mbështetet në parimet universale të Ndershmërisë-Mirësisë dhe Tolerancës. Edhepse Falun Gongu kishte orientim paqësor, presidenti kinez Jiang Zemin e shpalli të paligjshme në korrik të vitit 1999 dhe filloi një fushatë persekutimi dhe represioni në shkallë te gjerë kundër të gjithëve që e praktikonin ate. Si rezultat i këtij represioni mbi 1600 përkrahës të Falun Gongut janë torturuar deri në vdekje, mbi 100.000 të burgosur apo në kampe pune dhe mbi 1000 të mbyllur në spitale për të sëmurët psiqik. Qëllimi final i Falun Gongut ishte: ta lehtësojë stresin dhe ankthin, të rrisë energjinë dhe gjallërinë, ta përmirësojë shëndetin fizik dhe te sjellë lartësimin shpirtëror. Ndërkaq, më 1999, në qershor, KS i OKB-së e legalizoi Falus Gongun e Kosovës……………do ta vazhdoj në fund të shkrimit!

Surroi, Rada dhe Shuku:
Nuk mbaj mend, që kohëve të fundit kam hasur në një triling më interesant. Prej kohës së Cimës, Lecit dhe Qumilit ,Treshi- Përsheshi. Humori i tyre dikur ka qenë shumë më politik se politika që e ushtron ky triling, që çdo gjë e kanë e kanë bërë përshesh, në emër të politikës! Surroi, si kryetar i Komitetit( krahinor) për komunitete( këtë post e ka pasur të paracaktuar), ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme në fushën e dialogut ndëretnik midis shqiptarëve pakicë dhe serbëve shumicë…..në luginën e Preshevës. Po përpiqet t’i shndërrojë në Luankoka( për lexuesit e moshës së re, Luan Koka ka qenë një pion i Milosheviqit dhe si përfaqësues i pakicës rome ka qenë i instrumentalizuar kundër shqiptarëve) të luginës, shqiptarë-Panda! Me pakon e Ahtisarit serbët i ka bërë “nebeski narod” ndërkaq komunitetet e tjera po i shetitë anekënd botës, prej Durrësi deri në Antali,t’iu mbajë ligjerata për demokraci! Vendasja e kryelobistit të famshëm kosovar dhe shqiptar, Skendës, Rada Trajkoviq, edhepse specialiste për vesh(dëgjim), hundë(nuhatje) dhe fyt(gëlltitje) është bërë krejt autiste, nuk po ia ndien fare se çka po flasin Surroi dhe Shuku. Madje, as që i bëri përshtypje një arie nga sapun –opera e Kushtetutës së Muçivërcës që ia këndoi Vetoni: “ Rado, llepa Rado”. Shuku tërë kohën bisedonte me telefon me Bajramin dhe Et’hemin. Vetëm diçka dëgjohej C,C,C……Ky triling, në poker është kombinimi më i dobët prej trilingjeve dhe gjithmonë humbë përveç në rast të blofit, si i tillë ka mbijetuar deri tani dhe do të mbijetojë….derisa të hapen letrat, besoj shumë shpejt do të hapen! As Hudinit nuk i ka mbetur litari i ngrirë në ajër gjithmonë, jo për shkak se atëhere nuk kishte viagra!

Shkolla diplomatike e Muçibabës:
Kush mbjell iluzione, siguron poste në kontekstin e zhvillimeve dhe mashtrimeve aktuale politike. Për ta forcuar gënjeshtrën për Kosovën e pavarur dhe sovrane, ende pa u marrë një vendim për Kosovën nga vendimmarrësit, kanë filluar të përfolet për hapjen e Ambasadave të Republikës Demokratike të Kosovës me Pavarësi të Mbikëqyrur në disa vende të botës. Kjo i përngjan asaj kur Kosova i pati hapur zyrat “diplomatike” në Nju Jork, Bruksel etj. Kurrë nuk u patën hapur. I njëjti fat, me sa duket do t’i përcjell edhe “ambasadat”. Qakejt e paramilitarizmit diplomatik, qysh tani po bëjnë llogari dhe po ndajnë territore duke shpresuar se , në këtë mënyrë do ta sigurojnë vazhdimësinë e një jete të mbytur me luks dhe se papërgjegjësinë do ta shtyjnë deri në infinit. Dihet shumë mirë se si shkollohen dhe formohen diplomatët, në vendet normale. Ndërkaq në Kosovë, kursantët për diplomatë, deri më tani e kanë mbaruar kursin kundër analfabetizmit në fushën e diplomacisë rurale , në liceun e Bashkurtit ( shkolla e natës) dhe, sipas informatave, do ta vazhdojnë kursin e ditës, sipas të gjitha gjasave, në Vjenën e Maria Terezës. Sipas asaj se si do të zhvillohen gjërat, këta “diplomatë” e ardhshëm, shkathtësitë e tyre diplomatike do të kenë mundësi t’i zhvillojnë në Zyrën ndërlidhëse të pop Jovanit në Ranillug, Pikën për marëdhënie midis komuniteteve” Dva Golluba” në Prilluzhë, në Kabarenë e njohur të majka Jevrosimes në Gorazhdec, në Çerdhen e diplomacisë rajonale” Ku po knojnë këto dy kumrija” në Lesh-koqiq si edhe në “Klubin e allësh –verisheve diplomatike të Nafije hanëmit” i cili gjendet ne kilometrin e 16 të magjistrales Hajkobillë- Muçivërcë, prapa shtëpisë së Halit Sefasë, atashe për marëdhënie dhe ndërmjetësim. I tërë ky proces do të mbikëqyrej nga doajeni i diplomacisë kosovare, Mulla Ibrahim Diplomacija i cili e pati dhënë provimin në zgjidhjen e një skanadali midis bivsha kralevinës SKS dhe Shqipërisë Në fakt, mëzati i Xheladinit ( nga Fushëkruja) i pati këcy pelës së Zhivadinit dhe plasi sherri! Pra, propozoj që kjo klasë e diplomatëve kosovarë të vijojë specializimin në Shkollën për Diplomaci të Lartë në Muçibabë të drejtuar nga rektori, Mulla Ibrahim Diplomacija. Këta do të bëheshin diplomatë të karrierës, buxheti i Kosovës do të kursehej dhe, besoj, deri atëhere Kosova do të bëhej shtet.

Ahtisari dhe Besnik Mustafaj:
Pakoja e Ahtisarit dhe qëndrimi i Besnik Magjistarit përputhen 100%, e ndalojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. Bashkimin e Kosovës me Serbinë nuk do ta ndalonin.Besnik Mustafaj nuk e ka lexuar Kushtetutën e Shqipërisë. Turp, jo për Ahtisarin.

Kuvendi dhe simbolet “shtetërore”:
A do të kalojë propozimi i Melit për “ Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, si himn dhe flamuri i Dardanisë, “ Himni i flamurit” dhe flamuri i kuq me shqipen dykrenare si propozim i patriotëve të dikurshëm ( idealistëve), ish luftëtarëve të UÇK-së, mafiozëve të pasluftës të konvertuar në politikanë, ose “ Od Vardara pa do Trigllava” i atyre që shumë e duan Kosovën multietnike, “ Ko to kazhe, ko to lazhe…..”e Rada Trajkoviqit, “ Xhelem, xhelem” e Haxhi Merxhës, “ Lijepa Emina” e Numan Babës.. etj.etj. Me gjasë, të gjitha këto propozime bien në ujë, gjakrat nxehen deri në pasion të papërmbajtur pa nevojë sepse simbolet dalin vetvetiu( si Ganiu) nga pakoja e Ahtisarit. Andaj, shqiptarë, patriotë të ndershëm dhe të pandershëm, serbë,boshnjak, turq, romë,ashkalinj, egjiptas, kroatë, goranë dhe kosovarë të Nexhmedin Spahiut, mos besoni në konkurs për simbole “shtetërore” sepse ato janë të gatshme. Në OKB edhe ashtu nuk do të jemi ndërkaq simbolet “shtetërore”, çdonjeri do të ketë të drejt t’i përdorë në kantonet e veta, komunat e veta, në dasma, kanaxheqe, syneti, festa kombëtare dhe fetare etj. Do të kthehemi në kohën e principatave ku secili do ta ketë flamurin, himnin dhe stemën e vet.

Numan Baba dhe 99 liliputët:
Në vitin 1989, kur u bënë ndryshimet kushtetuese, me dhunë në Kuvendin e Kosovës
, nën kërcënimin e tankeve, një grushti burrash që i kundërshtuan këto ndryshime iu priu një femër, Melihate Tërmkolli ndërkaq në vitin 2007, gjithashtu në Kuvendin e Kosovës kur u pranua me aklamacion pakoja e Ahtisarit, pa tankse, pa kërcënim, ngeli i vetmuar vetëm Numan Baliqi që e shfrytëzojë të drejtën demokratike për ta kundërshtuar këtë pako. Numan Baba këtë guxim e pagoi me një çmim të caktuar, u denigrua nëpër media ndërkaq Arben Xheladini dhe Mon Balaj e paguan këtë me jetën e tyre. E drejta për jetë u barazua me aklamacionin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për aklamacion u shpërblyen me gjeografi( udhëtime në vende të ndryshme të botës) ndërkaq Arbeni dhe Moni u shpërblyen me udhëtim në përjetësi! Mendoj se Numan Baliqi e ka goditur 10-en politike duke e goditur Olimpin e Arbërisë!

Fak(t)mbledhësit e Rusisë dhe fatmirët e Tanzanisë:
Me kërkesën e Rusisë- Serbisë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do ta dërgojë në Kosovë një komision faktmbledhës i cili, pashmangshëm do të ndikojë në përmbajtjen e pakos së Ahtisarit përkundër faktit se është si është. Kjo do të ndikojë që shumë procese të shtyhen për më vonë në njërën anë por edhe në dinamizimin e procesit në anën tjetër. Fatmir Mbeki, kryetar i Tanzanisë e mirëpriti ardhjen e këtij komisioni ndërkaq Fatmir Sejdiu, president i Kosovës e pa si të panevojshme praninë e këtij komisioni në Kosovë. Dy Fatmira, dy qëndrime! Fatmirësisht që vijnë nga dy vende të ndryshme. Edhe diçka, Fatmir Mbeki i ka gjykuar kokëboshët e Tanzanisë që po vrapojnë pas vajzave të Estonisë ndërkaq Fatmir Sejdiu i ka dënuar kokëkrisurit e Kosovës dhe Metohisë që nuk po bashkëpunojnë me kokëboshët e Tanzanisë lidhur me vajzat e Estonisë por po punojnë në destabilizimin e situacisë!

Ylberi dhe baba Savë që vazhdimisht po bëjnë davë:
Dikush, nuk di kush e gjuajti murin e Manastirit të Deçanit me një Tomahawk ose përkthyer në shqip, Hawku i Tomës dhe, në vend të ngjarjes doli menjëhere Ylberi i Kosovës, kësaj here vetëm me dy ngjyra, bardh e zi me një deklaratë shumë indikuese në adresë të qartë të përgjegjësisë së mundshme. Gjithashtu, edhe baballarët, Teodosije dhe Sava deklaruan se ish UÇK-ja është përgjegjëse për këtë sulm. Më duket se dikush ka premtuar 10.000 euro në një vend dhe 2000 euro të tjera për informata. Nuk e di a është bërë ende pagesa?!

Llapi lobon, Kosova pëson por edhe fiton:
Si llapjan që jam, dikur krenohesha me Adem Demaçin, kryeikrisuri kryesor sipas Fatmirit. Më vonë u zhgënjeva sepse Baca e mohonte se është llapqin. Pastaj, me Shaban Shalën, të cilin e mbytën në burg në emër te vëllazërim-bashkimit. Intersant, edhe babai im quhej Shaban Shala. Pastaj, edhe me Xhelën( Rekaliun) i cili vdiç në kohën më të mirë sepse nuk u ballafaqua me horëllëqet e pasluftës dhe zhgënjimi për te do të ishte i papërballueshëm. Pas vdekjes së autoritetit të fundit politik në Llap ( Xhelës), një kohë mbeti një zbrazëti, me një fjalë një humnerë. Natyra i ka ligjet e veta, krijon mrekullira, në këtë rast e krijoi Skender Hysenin i cili rilindi si Feniksi e në fakt ishte riinkarnim i të gjitha vlerave kombëtare, politike, patriotike, humaniste etj. Kjo, në fakt edhe ma riktheu krenarinë time prej llapjani dhe, për këtë arsye nuk ka asnjë shkrim që e shkruaj ku nuk e përmendi krenarinë e Llapit, Kosovës dhe shqiptarisë- Skendën tonë. Ndërgjegja më brenë sepse nuk jam bash i sigurt se po bëj sa duhet për TE, Grande Skenden, jo Skenden nga Canali Grande të Maxonit! Lobimi i tij po i jep frytet e para, Komisionin Faktmbledhës. Po të mos ishte Skenda, as që do t’i kishim parë! Flm. shumë. Efektet e këtij lobimi do të shihen më vonë.

Zeusja e Arbërisë dhe minukët e Dardanisë:
Nuk po ndalem shumë kësaj radhe sepse lexuesi i nderuar mund ta kuptojë se Zeusja- zeusët e Arbërisë janë faktorët ekzogjenë të Veton Surroit, që janë përgjegjës për marrjen e vendimeve për Kosovën ndërkaq minukët e Dardanisë janë endogjenët e defaktorizuar vendorë e që janë përgjegjës për zbatimin e vendimeve, cfarëdo qofshin ato.

Albin Krishti dhe Ekipi i Unitetit:
Paramendojeni këtë rrugëtim drejt një caku, të deklaruar si të përbashkët, Kosovës së pavarur dhe sovrane përmes vetëvendosjes:
Albin Krishti, golgotizimi rrugëve të Kosovës, qendra e ndalimit në burgun e Prishtinës, burgu në Prishtinë, në Gjilan, në Pejë, në Dubravë, në Prizren…………. në , në ..Guantanamo!
Ekipi i Unitetit: Nju Jork, Vashington, Vjenë, Bruksel, Paris, Berlin, Athinë, Antali, safari në Pretori, Johanesburgu etj. Albini në burgje, Ekipi i Unitetit në hotele, që të dy palëve i është imponuar vendndodhja! Edhe caku!

Diçka për titullin:
Pra , siç e ceka edhe më lart, në qershor të vitit 1999, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e legalizoi në Kosovë ,Falus Gongun e Kosovës, lëvizje e deklaruar si paqësore që vepronte në bazë të Rezolutës 1244. Kjo lëvizje vepronte sipas parimit të: Nënçmimit-Korrupsionit-Trafikimit-Prostitucionit-Injorimit, sublimim më i sofistikuar i vlerave demokratike, të mohuara dhe të dënueshme në vendet nga vijnë ndërkaq të preferuara për implementin eksperimental në epruvetën e quajtur Kosovë. Nga kjo epruvetë, pas mbarsimit artificial ka lindur klasa politike, si e arritura më e madhe e Falus Gongut të Kosovës! Lexues të nderuar, nëse e keni lexuar me kujdes dhe keni bërë krahasime do ta shihni se në pyetje është një ndërrim i tez(e)ave: Falus Gongu i Kosovës nuk është Falun Gongu i Kinës por Jian Zemingu i Kosovës, që për dallim nga ai i Kinës ka vrarë shumë më pak aktivist paqësor, ka internuar dhe burgosur gjithashtu më pak aktivist paqësor dhe , sipas informatave tona, nuk ka mbyllyr ende në spitale për të sëmurë psiqik aktivist paqësorë e që nuk do të thotë se nuk do ta bëjë këtë, kushtet po krijohen pas deklarimit të presidentit Fatmir Sejdiu për kokëkrisurit e Kosovës! Amen!

13 prill 2007
Prishtinë Behxhet SH. SHALA

Keine Kommentare: