Montag, 16. April 2007

Me 11 Prill u mbushen tete vite nga renja heroike e deshmorit te kombit Agim Ramadani


Nga Izmi Zeka ''Më 11 prill u mbushen tetë vite nga rënja heroike e dëshmorit të kombit Agim Ramadani
Apr 11, '07 6:54 AMfor everyone
Një pamje tjetër e shkrimit
Patjetër do të vijë nënë
Ende pa filluar mirë të shkruaj më bien ndërmend vargjet e Ali Podrimjes:
“…Unë biri yt, Kosovë / ta ndiej gjakun që të vlon në gji!...”
Historia e lavdishme shqiptare, heroizmat e breznive, natyra e bukur e madhështore e bjeshkëve, lëndinat e fushat pambarim të Kosovës ndikuan direkt në jetën dhe veprimtarin patriotike të martirëve që sot janë bërë burim i pashtershëm, frymëzues për luftën çlirimtare.
Klima politike e atdhetare për dy decenie përshpejtoi procesin që ishte në lëvizje dhe mundësoi krijimin e një atmosfere që kishte si përfundim logjikën e të vepruarit konsekuent drejt aspiratave shekullore. Dhe këto procese padyshim, janë të lidhura me emrat që bënë historinë, krijuan realitete të reja duke vënë në spikamë një aspekt të rëndësishëm angazhimin kontinuel deri në çlirim. Të gjitha ngjarjet në dy deceniet e fundit, me ngritjet dhe rëniet që pësuan, mund të shihen mbi një parim, parimin e shtetësisë së Kosovës. Zaten trajtimi objektiv, racional paraqet një rikonceptim të pozitës së shqiptarëve të Kosovës në mykun e disa decenieve, dhe shprehimisht atakohet me figura, sa patriotike aq edhe lëvizëse të proceseve që i vunë vulën një rruge që deri aso kohe nuk njihej sa duhet.
Vitet 97- 98, në historinë më të re të shqiptarëve ishin vite të kthesës, ku lufta qindvjeçare aty u sublimua mbi një bazë, mbi të cilën , pa mëdyshje, qëndresa, lufta e ushtarëve të UÇK-së i kalon përmasat e një lufte të rregullt që u shëndrrua në krijimin e një realiteti të ri duke vënë në pah katrahurën që kishte përjetuar një shekull Kosova e robëruara. Mbi këto parime të luftës së UÇK-së , kërkesat e ligjshme e natyrore u bënë kompleks universal që trandën Evropën demokratike dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Në këtë komporacion ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmbyllën fillimin e një jetë të re duke shfaq pamje të përpjekjeve për luftë deri në çlirim.
II
Lufta çlirimtare në Kosovë i kaloj përmasat e territorit administrativ për të thelluar edhe më tej shpirtin liridashës të veprimit koherent në momentin kur më së shumti Kosova kishte nevojë për ti thënë njëherë e përgjithmonë dhunës dhe shtypjes me forcën e armës stop.
Karadaku është i njohur në historinë shqiptare si pjesë që tradicionalisht ka lind shumë trima ,që për kohën bënë hapa të rëndësishëm për interesa sa madhore aq edhe të nevojshëm për kohën. Në këtë relacion figura që la një histori të bujshme dhe që trandi themelet e një ushtrie barbare është Agim Ramadani.
Tri komponentët që i dhanë formë rrugës së Agim Ramadanit ishin njohja e artit ushtarak respektivisht lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, poezia dhe piktura.
Lufta çlirimtare që në përmasat kombëtare kishte futur ndjenjën e sigurisë dhe të vitalitetit për të qenë oponencë në mbrojtjen e qenjës shpirtërore dhe fizike më pastaj asaj kombëtare në raport me vullgaritetin Serb dhe hegjemonin e saj kishte bërë që djalëria Kosovare e në veçanti ata të cilët në shpirt kishin mishëruar idetë përparimtare të kohës të hidhen në drejtim të saj për të kryer një pjesë të obligimit kombëtar. Kësaj plejade padyshim se i përket ushtaraku nga Karaduku i Idriz Seferit Agim Ramadani me nofkën Katana. Qysh prej moshës së re njohja për artin ushtarak ishte njëra ndër preferencat e tij të cilën arriti ta kurorëzoj më vonë me studimet e mbaruara në këtë drejtim. Agim Rmadani kishte shërbyer në Ushtrinë Jugosllave, mirëpo ndjenja për të qenë i lirë dhe sovran në tokat e tij asnjëherë nuk kishte pushuar. Ndryshimet që ndodhën pas viteve të 90-ta në Kosovë dhe vrazhdësinë që përdorte pushteti serb ndaj gjithë shqiptarëve e po ashtu edhe ndaj eprorëve ushtarak e Agim Ramadanin e detyruan që të merrte rrugën e kurbetit. Mirëpo ai edhe në shtetet e perëndimit në forma të ndryshme u mundua që të krijoj kushte për një organizim luftarak kundër regjimit policor e ushtarak në Kosovë. Në kohën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli hapur në mbrojtje të ekzistencës Kosovare Agim Ramadani filloi përgatitjet për të organizuar dhe ushtruar formacione ushtarake për futjen në Kosovë në luftë kundër ushtrisë serbe.
Zhvillimi i ngjarjeve në Kosovë dhe sidomos vala e luftës Agim Ramadanin e gjen në Shqipëri në stërvitjet e ushtarëve për në vijat e frontit. Ky organizim dhe këto përgatitje bëheshin në koordinim me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vërtetë edhe nga shumë bashkëluftëtarë të tij dëshmohet për aftësitë profesionale në artin luftarak dhe për guximin që tregonte Agimi gjatë përgatitjes ,stërvitjeve dhe planeve që bëheshin për të marrë lufta një mobilizim të përmasave kosovare.
Edhe nga punimet e shumë autorëve shihet qartë se Agim Ramadani ishte i përgatitur për luftë dhe këtë luftë e shihte krejt në suaza të proceseve që zhvilloheshin në relacion me kohën dhe momentin. Dhe njohurit e fituara në Akademinë Ushtarake - drejtimi i komunikacionit i thelloi në praktik duke treguar strategjinë dhe formën e veprimin si një strateg i luftës që nuk njeh tjetër përheq nocionit kohë dhe angazhimit direkt në luftën çlirimtare. Shikuar nga koncepti i ndërtimit të një uniteti ,dhe punën e përditshme në sensibilizimin e luftës çlirimtare Agim Ramadani krijoi një koncept krejt të qartë në vitet e luftës kur ai përgatiste ushtar për në zonat e luftës. Nuk njohu dallime a ngjyrime si politike a ideologjike ,sepse bindja e tij kalonte suazat individuale në momentet kur Kosova digjej.
III
Në promovimin e librit të Agim Ramadanit ‘Një jetë tjetër”Ismajl Syla ndër të tjera shprehet ”Vetëm aktet e larta të sakrificës botën e gjerë e mbushin me kryevepra që nuk janë të shumta mbi këtë botë. Një urtësi e lashtë thotë se të gjitha veprat e mëdha ngrihen mbi gjak,mbi djersë dhe mbi vetminë. Vepra e parë është e kryengritësit luftëtarit,rebelit, revolucionarit,vepra e dytë është e punëtorit, ndërsa vepra e tretë është e filozofit,e dijetarit, e njeriut të penës së mprehtë dhe të mendimit të thellë”. Vërtete tërë krijimtaria si në poezi ashtu edhe në artin e pikturës paraqet brumin dhe kulturën e gjerë të Agim Ramadanit. Pjesa më e rëndësishme dhe kapitale ishte qasja e drejtë e Agim Ramadanit për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb,qasje kjo që i jep ngjyrë filozofisë së tij drejtë një Kosove të lirë. E pashmangshme gjatë tërë jetës së tij është aspekti kombëtar ,ku edhe vetë akti i flijimit paraqet kurorën e përpjekjeve të tij drejt thyerjes së kufirit Kosovë Shqipëri. Agim Ramadani natyrshëm u kushton poezi figurave të mëdha kombëtare si Idriz Seferit, Azem Bejtës, Bajram Currit, Hasan Alis dhe në këtë mënyrë mishërohet me idealet e tyre duke spikatur si në piramidë madhështinë e tyre .Në poezinë e tij” Patjetër do të vij ‘ ndër të tjera shkruan”nëse nuk shihemi /dhe na ndanë vdekja /jetoje jetën Nënë/Patjetër do të vij”.Agim jo rastësisht ishte futur në luftën çlirimtare edhe pse e dinte se mund të vritej,ku edhe në këtë poezi shihet qartë se megjithatë një ditë do të vij në Kosovë . Ai kishte parandjenjën ,por atdheu ishte mbi të gjitha dhe Kosharja ishte sinonimi jetës së tij, për shekuj.
IV
Në muajin prill të vitit 1999,Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte hartuar planin për thyerjen e kufirit, dhe hapjen e korridorit me veriun e Shqipërisë, ku ky operacioni ishte i përgatitur nga strategët dhe ushtarakët e devotshëm të UÇK-së ndër ta ishte edhe Agim Ramadani, i njohur për operacione të tilla . Kufiri u thye por ranë shumë dëshmorë në thyerjen e këtij korridori dhe në fushën e betejës të njohur si beteja e Koshares bie heroikisht luftëtari,komandanti dhe strategu nga Karadaku Agim Ramadani.
Se sa përputhet poezia me aktin sublim të Agim Ramadanit, Shefqet Riza
thekson”Te askush nuk përputhet poezia me jetën reale si te Agim Ramadani.Te shumë krijues liria aspiron të jetë universale. Poezia e Agim Ramadanit e ka universialitetin, por ai si epror i lartë ushtarak e luftëtarë i pashembullt duket se është i pakënaqur me të. E ndjen vdekjen në fushëbetejë, por njëkohësisht e ka të qartë se pa vdekje jeta nuk do të ishte jetë”. Dhe kështu Kosharja është sinonim i betejave të ashpra që zhvilloi Agimi dhe luftëtarë të tjerë të UÇK-së,sinonim i lirisë por edhe i hapjes së kufirit që ishte kufi i i ndarjes pothuajse 5 dekada . Në këtë kompleksivitet të ngjarjeve rënia e Agim Ramadanit paraqet refleksionin e humbjes së vlerës dhe kapitalit ushtarak për tërë luftën dhe zhvillimin e saj. Edhe vetë poezitë e tij flasin për gjuhën e ashpër të një ushtaraku, për një koncizitet në të shkruar dhe për një vullnet për të parë agun e lirisë sikur në gjithë botën e qytetëruar.
Agim Ramadani tregoi se si vdiset për atdhe dhe mbeti shembulli më i mirë se Kosova ka nevojë për secilin ka nevojë për djersën, gjakun për të gëzuar gjeneratat që vijnë.
V
Në fund po e përmbylli këtë shkrim po me Ali Podrimjen:
A heshtin muzat/ kur pikon gjaku/ kur prangat i vehen buzëqeshjes/ kur shtohen varret, vajet/ nuk heshtin muzat/ hesht arsyeja/ mjafton të jesh pakëz njeri/ e ta kuptosh gjuhën e tmerrit/ peshën e krimit ta ndjesh/ si të shtyp vazhdimisht kah zemra e dheut.

Keine Kommentare: