" PROBLEMI I PROBLEMATIZIMIT TE GABUAR ", ATDHETARI I SHQUAR A L B I N K U R T I ? ! E njoh personalisht, është ky ATDHETAR (Albin Kurti), i cili mundohet të zgjon popullatën duke demaskuar zagarët shqipfolës, UNMIK-istanin dhe qentë serboçetnik. "Problemi i problematizimit të gabuar “ Pavarësia i mungon Kosovës për shkak të naivitetit ose poshtërsisë së politikanëve të saj në njërën anë dhe për shkak të mashtrimit ose vetëmashtrimit të qytetarëve në anën tjetër. Negociatat jo që s’mund të shpiejnë te zgjidhja për Kosovën por ato janë vetë problemi. Kompromisi nuk është zgjidhje inkluzive por është mohim i qëndrimeve fillestare të palëve negociuese. Gatishmëria për negociata nënkupton gatishmëri për kompromis. Edhe nëse negociatat nuk rezultojnë me kompromisin si marrëveshje, qëndrimet fillestare janë tretur me vetë fillimin e atyre negociatave. Grupi Negociator i Kosovës ka pranuar të hyjë në negociata aq të pabarabarta me Serbinë saqë ato e bëjnë atë të padenjë të quhet palë. Pavarësisht nga kjo, edhe sikur të mos arrihet afrimi i nevojshëm i pozicioneve për kompromis, pavarësia e Kosovës, duke qenë pozicion inicial i negociatorëve kosovar, ka ikur në pakthim. Fakti se kanë hyrë në negociata me Serbinë vetëm për Kosovën e jo edhe për Serbinë, i kombinuar me faktin se kërkesa e tyre ishte vetëm pavarësia e Kosovës, sipas përkufizimit e bën të pamundur arritjen e pavarësisë së Kosovës, e përjashton vetë mundësinë e pavarësisë në fund të negociatave. Mund të mos e dimë me saktësi se cili do të jetë përcaktimi i statusit, mirëpo, mund ta dimë saktësisht se çka ai nuk do të jetë. Nuk do të jetë shteti i pavarur e sovran i Kosovës. Pra, Kosova nuk do të ketë ulëse në OKB, nuk do të ketë ushtri dhe as ministri të mbrojtjes e të punëve të jashtme. Kuptimi i propozimit të Ahtisaarit është ajo që do të mbetet jashtë tij: sovraniteti dhe pavarësia. Madje, qysh tash është bërë e qartë se UNMIK-u do të trashëgohet nga një mision ndërkombëtar i plotfuqishëm, që në fakt do të jetë i BE-së por jo i tillë edhe në emërtim, dhe i cili për prioritet do ta ketë decentralizimin e Kosovës. E, decentralizimi i Kosovës, përderisa ajo s’ka sovranitet dhe përbrenda saj tolerohen strukturat e Serbisë, nuk ka se si të mos bëhet copëtim i Kosovës. Ahtisaari asnjëherë nuk kishte për qëllim marrëveshjen për statusin por marrëveshjen për decentralizimin e Kosovës dhe ‘eksterritorialitetin’ e objekteve fetare ortodokse në Kosovë. Është përmbajtja e këtyre negociatave ajo që e tregon dhe sqaron këtë çështje. Në momentin kur filluan negociatat statusi menjëherë u bë çështje e dorës së dytë duke qenë se ai tashmë nuk do të mund të ishte shteti i pavarur e sovran i Kosovës. Pikërisht këtë e donte Serbia. Në vijim të negociatave, kërkesat e Serbisë Ahtisaari i shndërronte në trysni mbi negociatorët kosovar gjë që rezultoi me 5+1 komuna të reja me shumicë serbe (përveç atyre pesë të tjerave që i kanë prej vitit 1999) dhe me 39 zona ‘eksterritoriale’ qindrahektarëshe. Gabimi kardinal i hyrjes në negociata u pasua me koncesione të negociatorëve kosovar të cilët i dhuruan Serbisë territor dhe kulturë të Kosovës. Hyrja në negociata dëshmoi se këta politikanë nuk ia përfaqësojnë vullnetin popullit të Kosovës ndërsa lëshimet pe të tyre vërtetuan se ata nuk ia mbrojnë atij interesat. Por, s’kishte se si të ngjante ndryshe. Bëhet fjalë për të njëjtit njerëz që për vite të tëra kanë dhënë prova të shumta se synim kanë avansimet e pozitave personale dhe jo të pozitës së Kosovës. Shkuarja në Vjenë ishte braktisja e tyre përfundimtare e pavarësisë dhe puna që bënë atje ishte vetëm akomodim dhe formalizim i varësisë së Kosovës nga Serbia. Në Vjenë, çështja e Kosovës vetëm sa është ndërlikuar. Gjithkush flet për Kosovën, shumëkush imponohet në vendimmarrje, përveç vetë Kosovës e cila gjithnjë e më shumë bëhet objekt në një eksperiment që sa vie e rritet. Posaçërisht roli i Rusisë është shtuar jashtëzakonisht shumë. Jo vetëm për shkak se Putini ndryshon cilësisht dhe në shumë aspekte nga Jelcini dhe jo vetëm për shkak se Putini e ka fuqizuar ndikimin e Rusisë duke i shndërruar rezervat energjetike në faktor edhe politik. Duket që Rusia ka pritur hapjen e çështjes së Kosovës për aktivizimin dhe dinamizimin e vetë asaj. Ajo ka pritur për të befasuar. Mbase elementi më i rëndësishëm në betejë është elementi i befasisë. Rusia është anëtare në të dy adresat kryesore të Kosovës: në KS të OKB-së dhe Grup të Kontaktit. Këtë prezencë të saj ajo e riaktualizoi dhe funksionalizoi. Vendet tjera përveçse me Serbinë tash merren edhe me Rusinë kur duan të merren me Kosovën. Kosova nuk e ka një shtet në përkrahje të pavarësisë ashtu siç e ka Serbia Rusinë për ta kundërshtuar pavarësinë. Linja e politikës ruse, e kohëve të fundit dhe në formë të përmbledhur, mund të kuptohet nga intervista e para tre muajve e ambasadorit rus në Beograd, Aleksandar Nikolajeviç Aleksejev, dhënë gazetës beogradase ‘Veçernje Novosti’. Ai pat deklaruar se ‘Rusia do të jetë e kënaqur me çdo gjë që bazohet në të drejtën ndërkombëtare dhe e pranueshme për Serbinë dhe shqiptarët e Kosovës.’ Së pari, Rusia kërkon të jetë e kënaqur. Jo vetëm për shkak se është faktor i rëndësishëm ndërkombëtar më shumë se që ne duam të besojmë, por edhe për shkak se fati i Kosovës është mbërthyer në KS të OKB-së ku Rusia është anëtare e përhershme. Së dyti, Rusia i konsideron këto negociata ndërmjet Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës e jo ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Pra, veçsa jemi kthyer në Rambuje. Zaten, koordinatat e përcaktuara në Vjenë janë vetëm rikthim në Rambuje por kësaj radhe, për më keq, nuk e kemi më UÇK-në. Diplomati amerikan, James Dobbins, shumë saktë e ka parashikuar këtë kthim në Rambuje qysh atëherë kur u etablua koncepti i ‘standardeve para statusit’. Më tutje, në po të njëjtën intervistë, ambasadori rus deklaroi se ‘Rusia është e gatshme, nëse e kërcënojnë për një gjë të tillë, që për çështjen e Kosovës edhe me veto ta mbrojë të drejtën ndërkombëtare dhe parimin e integritetit territorial të shteteve.’ Rusia po kërcënon për Kosovën. Po Kosova, a po kërcënon ajo për veten e saj?! Kurrsesi me këta politikanët negociator. Përkundrazi, ata japin shenja të një serviliteti të pambarim. Dhe, së treti, ky ambasador thotë se Kosova do të ishte presedan për Pridnjestrovlje, Osetinë Jugore dhe Abhazinë, ndërkohë që deklaron se Kosova nuk është e krahasueshme fare me Çeçeninë. Gjithnjë vetëm ashtu si i konvenon Rusisë dhe interesave të saj me ç’rast Rusia ndjehet shumë komode në artikulimin e lirshëm të tezave joparimore e të padrejta. Pavarësia i mungon Kosovës për shkak të naivitetit ose poshtërsisë së politikanëve të saj në njërën anë dhe për shkak të mashtrimit ose vetëmashtrimit të qytetarëve në anën tjetër. Negociatat jo që s’mund të shpiejnë te zgjidhja për Kosovën por ato janë vetë problemi. Ato e kanë të mbrujtur në veten e tyre destinimin e tyre – më pak se pavarësia, që do të thotë varësi e robëri e re sadoqë ajo eventualisht do të jetë e kamufluar. Me këto negociata rënia dhe agonia zgjaten e rëndohen. Në procesin politik zyrtar nuk mund të ketë zgjidhje të statusit por vetëm përcaktim të tij – i cili duke qenë në shpërputhje me vullnetin e popullit – e shndërron Kosovën në problem të cilin koha e rrit. Në fakt, është Kosova ajo që e ka një problem të cilin negociatat po e maskojnë – problemin e quajtur Serbi. Serbia është problemi i Kosovës dhe së paku edhe i rajonit. Negociatat e Vjenës po e paraqesin Kosovën si problem të Serbisë dhe madje të tërë botës! Më të rëndësishme konsiderohen pasojat imagjinative nëpër botë të pavarësisë së Kosovës sesa pasojat reale, konkrete dhe aktuale të mungesës së saj për popullin e Kosovës. Prandaj, do të mund të thuhej edhe se pikërisht ky problematizim i gabuar është problemi dhe se mu në trajtimin radikal të kësaj stërkeqjeje ndodhet çelësi i zgjidhjes. Përmbysjen e padrejtë duhet përmbysur. Zgjidhja qëndron te zgjedhja e popullit. Fati i Kosovës duhet të bëhet çështje e vullnetit të popullit të saj dhe jo e burokratëve dhe spekulantëve të ndryshëm. Vendimmarrja duhet t’i përkasë popullit i cili as që është konsultuar. Vendimmarrësit e huaj më së shumti mund të konsultohen. Çështjes së Kosovës duhet t’i kthehet autoktonësia. Pikërisht koncepti i vetëvendosjes e bën këtë gjë. Vetëvendosja si koncept i së drejtës e ndërlidh popullin, të kaluarën dhe të ardhmen e tij, me vendin ku ai popull jeton e të cilin e banon. Vetëvendosja bashkon kohën dhe hapsirën e një populli. Vetëm projektet politike dhe organizimet që themelohen mbi këtë premisë janë në rrugën që shpie drejt lirisë së shumëpritur dhe paqes afatgjate; drejt institucioneve të popullit dhe mirëqenies për popullin; drejt shoqërisë së të barbartëve dhe drejtësisë shoqërore; drejt qytetarit politik dhe politikës në shërbim të qytetarëve; drejt përparimit për të gjithë dhe zhvillimit që nuk përjashton asnjërin. _______________________________________________________________ Dëshira njerëzore për liri është diçka zanafillore që e gjejmë që tek kafshët e fëmijët e vegjël. Në fushën politike, ndërkaq, liria kthehet në një çështje problematike, sepse, liria e pakufizuar e çdo individi, e bën të pamundur bashkëjetesën njerëzore. Kur jam i lirë të bëj çka dua, atëherë jam i lirë t'u vjedh të tjerëve lirinë e tyre. Unë i thëmë mjaft kesaj roberie dhe shtypjes se popullit Shqipëtar dhe njeherit kërkoj lirimin e menjehërshem të sy pa tremburit Albin Kurtit sepse Albini është legjendë e gjallë bashkë më Adem Demaqin ku te cilit i deshiroj sherim sa më të shpejtë . Liri për Albin Kurtin e të gjithë ata qe janë në kazamatet e UNMIK-ut |
Dienstag, 17. April 2007
Ferat SHqipria:"PROBLEMI I PROBLEMATIZIMT TE GABUAR",Atdhetari ALBIN KURTI
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen