Freitag, 20. April 2007

Nga Behxhet Shala, "Gomart e Opojes -Kalt e Kosoves


KOSOVES!
Apr 20, '07 12:36 PMfor everyone

Në fund të javës (Deklarata e Pokantikos dhe Marrëveshja e Leshkoqiqit, Kosova e pavarur në Amerikë- ndarja e Kosovës në Belgjikë, gomarët e Opojës, kuajt e Kosovës, Al Kapone dhe Ramë Makarone, Bajrami në Amerikë, Skenda në Afrikë, Klintoni, shteti dhe shoqëria civile,Vala 900- jeta 300, Fak(t)mbledhësit në Kosovë, shpresat në Gjakovë, 1700 -2100 euro për heshtje, prodhimi me afat të skaduar-shëndeti i dëmtuar( Kurtis në Angli, Sekuritate në Rumani) dhe………..Kosova C, simbolet etj.etj...

GOMARËT E
OPOJËS- KUAJT E KOSOVËS!
Deklarata e Pokantikos dhe Marrëveshja e Lesh-koqiqit: Ekipi i Unitetit, lejlekët e pavarësisë së tredhur ( mbikëqyrur) të Kosovës, patën deklaruar se me dorëzimin e Pakos së ashik Ahtisarit në OKB, do të perfundojë edhe misioni i tyre” vullnetar” anipse i kanë pasur në dispozicion , për shpenzime të vogla, nja 10 milionë euro të buxhetit të Kosovës. Çka janë këto për buxhetin e Kosovës, Amerika do ta kishte problem! Në fakt, kjo ishte paja e premtuar nga ministri Haki Shatri për pavarësinë e Kosovës ndërkaq, sipas traditës, mungonte Fisheku i Pajës sepse këtu nuk flitej për mbrojtjen e nderit dhe moralit, ishte humbur diku rrugës apo më mirë të them në fillim të rrugës! Diçka që humbet, nuk mund të mbrohet. Lexuesit të vëmendshëm, sigurisht i kujtohet se delegacioni i Kosovës, i hurit dhe i konopit, në Rambuje të Parisit problemin kryesor e kishte si do ta formonin qeverinë dhe si do t’i ndanin postet e jo çka do të bëhej me Kosovën. Janë hudhur shumë taketuke, pjata fluturuese ne drejtim të njeri –tjetrit, janë përmendur paraardhësit e gjinisë femërore deri te mbretëresha Teuta, me një fjalë, kanë menduar se do të bëhen yje të Hollivudit dhe kanë përfunduar si karikatura të Bollivudit! Ekipi i Unitetit, krejt në baza “vullnetare” mori përsipër një obligim të rëndë, t’i shërbejë Kosovës edhe për 120 ditë,pastaj, nëse paraqitet nevoja edhe ndonjë vit por, gjithsesi më pak se Titoja dhe Enveri. E nënshkruan, më 14 prill(13 ditë pas 1 prillit), në Amerikë, Deklaratën e Pokantikos. Edhe një ditë dhe datë historike për Kosovën, në Amerikë! Deklarata fillon me zotimin e zbatimit të Pakos së ashik Ahtisarit dhe përfundon me vendosmërinë e këtij Ekipi për pajtim midis komuniteteve etnike të Kosovës( vini re, edhe në “shtetin” e ardhshëm shqiptarët do të jenë komunitet etnik dhe jo popull). Pra, u ndala në dy elemente, kokën( pakon e ashik Ahtisarit) dhe bishtin ( pajtimi i komuniteteve etnike). Prandaj jam kundër kësaj Deklarate dhe si alternativë propozoj Marrëveshjen e Lesh-koqiqit.Janë disa argumente në favor të kësaj iniciative të re. Së pari, rendi e lypë që për Kosovën të vendoset këtu. E dyta, mungojnë emrat e Skender Hysenit, Blerim Shalës, Ylber Hysës, Haxhi Zylfi Merxhës, otac Savës e personaliteteve të tjera, patriotike dhe politike. Ato morale nuk na duhen! Së treti, ku është Shuku- energy man, Zeusja e Arbërisë dhe Blant decentralizimi i Ahtisarisë! Ku është ATRC që ka shtruar sofra në terë Kosovën dhe e ka injoruar Lesh-koqiqin pragmatik, historik dhe njëetnik?! Epo, ndoshta kjo e fundit e ka lënë Lesh-koqiqin në margjina dhe e ka faktorizuar Pokantikon e margjinave. Dhe, vetë emërtimi i këtij lokacioni është argumenti më bindës në favor të propozimit tim. Prefiksi i këtij lokacioni ua mundëson Ekipit të Unitetit legalisht të vazhdojnë ta bëjnë punën lesh, si deri më tani, ndërkaq sufiksi ua garanton të drejtën të luajnë k… me 2 milionë qytetarë të Kosovës apo komunitete etnike në Republikën Demokratike me Pavarësi të Mbikëqyrur të Kosovës sipas Deklaratës së Pokantikos. E tash një pyeteje: a jeni për Deklaratën e Pokantikos apo Marrëveshjen e Lesh-koqiqit?
Kosova e pavarur në Amerikë- ndarja e Kosovës ne Belgjikë: I kemi dy mundësi që u shfaqën këto ditë: ai i pavarësisë dhe ai i ndarjes. Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns deklaroi se SHBA –të e përkrahin pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës dhe se do ta përkrahin pavarësisht a do të ketë Rezolutë të OKB-së apo jo? Optimistët e morën si infuzion për forcimin e optimizmit, të krisurit e Fatmirit nuk e komentuan, e kaluan në heshtje. Mediat e Beogradit e komentuan ndryshe, si deklaratë e nxjerrur nga konteksti politik i mendimit dhe si pastekst pragmatik i veprimit apo cilësimit. BE e hoqi Kosovën nga rendi i ditës deri në maj që pa masë i dëshproi fansat e Burnsit ndërkaq u ndau një terapi të krisurve të Fatmirit apo , sipas disa mediave të shkruara të Kosovës, idhtarëve të Vitalij Çurkinit. Midis dy opcioneve të propozuara: pavarësisë së Kosovës në Amerikë dhe ndarjes së Kosovës në( Bruksel ) Belgjikë mund të ndodhë lehtë kjo e dyta. Shohim e bëjmë!
Gomarët e Opojës, kuajt e Kosovës: Milazim Ramadani e jo Naim Maloku (iu kam kthyer emrit burimorë, më vonë iu tregoj pse), nallban e jo politikan nga Bresana e Opojës është ankuar se zanati i nallbanit ngadalë po zhduket dhe nuk ka punë si më parë sepse ka shumë pak gomarë dhe kuaj , me një fjalë kanë ikur kohët e arta kur klientët e usta Milazimit pritnin ne radhë për shërbimet e tij. Duket se nuk ka punuar në shtigje të gjata, i ka munguar planifikimi strategjik. Besoj se tani e ka shumë më lehtë për të gjetur klientelë, vetëm duhet ta ndryshojë pak modelin e mbathjeve për thundrat moderniste. Dhe të dali jashtë rrethit te vet , Kosova është e populluar bukur shumë, edhe me gomarë e sidomos me kuaj.
Al Kapone dhe Ramë Makarone: Dua t’ju tregojë me pak fjalë për dy personazhe që kanë lënë gjurmë në histori apo më mirë të them që e kanë vulosur një kohë në të cilën kanë jetuar. Njërit, edhe pas vdekjes fama vetëm sa i është rritur ndërkaq tjetrit edhe për së gjalli fama ka filluar t’i venitet. E kanë një emërues të përbashkët: preteksti për çka janë arrestuar nuk ka të bëjë fare me kontekstin e aktiviteteve të zhvilluara.Al Kapone i lindur më 1899 bëhet shef i pakontestueshëm i mafias së Çikagos dhe përgjegjës për furnizim me pije alkoolike për Amerikën pasi shteti me ligj e pati nadaluar prodhimin dhe importimin e pijeve alkoolike. Al Kapone i hapë zingjirin ilegal të bareve dhe pijetoreve duke prodhuar në mënyrë ilegale pije si edhe duke importuar ilegalisht lëndën e parë për prodhimin e pijeve. Ka qenë i paskrupullt në eliminimin e konkurrencës kështu që me te identifikohet “ gjakderdhja në ditën e Shën Valentinit, 14 shkurt 1929” kur i eliminoi 7 kundërshtarë të bandave rivale në mënyrën më shtazarake. Burgoset më 1931, për fshehje të tatimit dhe i kalon në burg 8 vite ndërkaq vdes, i harruar nga të gjithë në vitin 1947. Ramë Makarone është kosovar i Nexhmedin Spahiut, fatmirësisht është gjallë dhe i fortë. Është i njohur për dyshime të aktiviteteve piroteknike në “ditën e Shën Solanës”. Gama e aktiviteteve shkon deri te institucionalizimi i hulumtimeve strategjike e sidomos disejnimin e skemave qeveritare, përbërjes thuaja të gjitha qeverive në Kosovën e pasluftës. Gojëkëqinjt flasin se Qeveria mund të formohej vetëm pasi ta ketë marrë bekimin nga zoti Makarone. Një ditë të prillit, dikush nga hetuesit ndërkombëtarë dhe vendorë, pasi ta kenë dëgjuar tregimin për Al Kaponen, morën guximin dhe e arrestuan Ramë Makaronen me qëllim që nën prapanicë tia vendosin furrikun e Al Kapones. Megjithatë mundi iu shkoi huq dhe jo që nuk e pësoi si Kapone por ndejti më pak se të ishte aktivist i Vetëvendosjes sepse, po të behej ndryshe, shumë gjëra do t’iu dilnin si duq! Nuk do të rrezikohej vetëm “demokracia” e pakos sëAhtisarit por edhe substanaca e pavarësisë së tredhur…….pozita e vet kryetarit!
Bajrami në Amerikë, Skenda në Afrikë: Fushata e lobimit po vazhdon, me rotacion. Si në ish Jugosllavinë , iku Raif Dizdareviqi dhe erdhi i madhi Sejdo Bajramoviqi! Tash Kosova denjësisht përfaqësohet në Amerikë edhe pa Skendën i cili, me gjasë do të përfundojë në Afrikë. Bajrami, pasi e bashkoi Mitrovicën dhe e decentralizoi Kosovën pse mos ta bëj kryeqytet të Kalifornisë psh. Gjakovën. Këtë nuk do ta ketë ndonjë problem nëse me Elton Xhonin bëhet tandem. Kryediplomati i Serbisë, Vuk Drashkoviq, sipas mediave të Kosovës e ka vizituar Afrikën në përkrahje të Serbisë dhe , ka pësuar fijasko që do të thotë i ka shpenzuar apo bërë rrushë e kumbulla paratë e KEK-ut dhe ato të privatizimit. Hallall i qofshin! Pas suksesit të madh në Amerikë, lobisti Skenda, nuk e fitoi Oskarin ( por diçka po!) me gjasë do të shkojë në Afrikë për ta vazhduar lobimin në Afrikën e Jugut, Ganë, Indonezi dhe Panama. Skenda ka deklaruar se më së shumti sukses në lobim në Afrikë do të arrijë në Panama. Unë plotësisht i besoj!
Klintoni, shteti i Kosovës dhe shoqëria civile: Në konferencën e organizuar në Amerikë nga Fondacioni i vëllezërve Rokfeller( ata në Amerikë janë për biznes si në Kosovë motrat Mustafa për muzikë), ish kryetari Bill Klinton deklaroi se Kosova nuk mund të jetë shtet demokratik dhe stabil pa një shoqëri civile të fortë dhe OJQ të pavarura. Kur ta kemi parasysh se cfarë shoqërie civile dhe cfarë OJQ kemi në Kosovë atëhere mund ta paramendojmë se cfarë shteti do të jetë Kosova. Diçka si Afganistani sa i përket sigurisë, Kolumbisë sa i përket demokracisë, Koresë së Veriut sa i përket lirisë dhe Afrikës së Jugut( në kohën e aprteidit) sa i përket barazisë!
Vala 900-jeta 300: Në valën e arrestimeve që ndodhën kohëve të fundit në Kosovë, u arrestuan edhe 7 të dyshuar për atentat ndaj kreut të ART, z.Anton Berisha. Atentatet ishin si në telenovelat e Amerikës së Jugut, seriale të vërteta, deri më tani të shfaqura në dy epizoda. Gjatë hetimeve, të dyshuarit deklaruan se për atentatin e parë janë paguar nga 300 euro! Merreni me mend çfarë nënçmimi, për vrasjen e personit që ka qenë përgjegjës për tenderë të telefonisë mobile në vlerë afër 100 milionë euro të caktohet honorari prej 300 eurosh. Vërtet mizerie! E pabesueshme, e paparë! Gjithnjë sipas mediave, atentatorët e kanë pasur levërdinë pasi që i kanë racionalizuar shpenzimet. Shpenzimet me autobus në një drejtim nuk kanë qenë më shumë se 3 euro, shpenzimet e logjistikës nja 17 euro, gjithsej 20 euro, fitimi i pastër 280 euro, sa rroga e një kirurgu. Aq vlen sot jeta në Kosovë! Për Naim Malokun nuk do t’i jepte kush as 30 euro, për Behxhet Shalën 1,50 euro ( 1 euro për një plumb, 50 cent i mbesin për një makiato)! Për Arben Xheladinin dhe Mon Balajn nga një plumb , me afat të skaduar! Kjo është pra Kosova e UNMIK-ut dhe e barkodit 1244!
Fak(t)mbledhësit në Kosovë, shpresa në Gjakovë: Këshilli i Sigurimit i OKB-së, më në fund vendosi që Misioni fak(t)mbledhës ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë. Në Serbi do të qëndrojë një ditë ndërsa në Kosovë dy ditë, një ditë në entitetin politik dhe etnik shqiptar në Prishtinë dhe ditën tjetër në entitetin etnik dhe politik serb, në Mitrovicën e bashkuar që i ndanë vetëm ura, si muri i Berlinit dikur. Këtë dhuratë e kemi nga Skendë Xhuxhikashvili i Xhorxhisë dhe Fatmir Mbeki i Tanzanisë, fatmirësisht nuk e kemi nga tanët! Institucionet e Kosovës po i presin duarhapur dhe ballëlartë misonarët faktmbledhës të bindur se ata këtu po vijnë të interesohen për gripin e shpezëve, armatimin nuklear, krizën humanitare në Darfur, ndikimin e trekëndëshit të Bermudeve në rritjen e rendimentit të kikirikit, përcjelljen e shtatëzënisë së gruas së sir Elton Xhonit dhe probleme të tjera për të cilat kosovarët i kanë përgjigjet gati. Më duket se ata që po flasin aq lehtë dhe aq ëmbël, pas raportit të këtij misioni, do t’iu djegin buzët e disave, që janë më të zëshëm ndoshta edhe prapanica. Po , ta shohim! Ashiku dhelprak Ahtisari e parandjen se ky mision vjen krejt për diçka tjetër andaj”kërcënohet” se, nëse ndryshon pakoja e tij( e pashmangshëm do të ndryshojë), Kosova do të shndërrohet në një rajon që nuk do të mund të qeveriset. Kosova deri më tani është qeverisur sipas modelit kolumbian( kombinim i mafias ndërkombëtare dhe vendore, diçka si pizza-conection). Me propozimin e Pakos së Ahtisarit do ta kemi një qeverisje më të moderuar, të ngjashëm me Hugo Chavesin në Venezuelë.
1700-2100 euro për heshtje: Më në fund një lajm dhe vendim që i gëzoi pa masë të gjithë qytetarët e Kosovës. Fjalë e urtë popullore se heshtja është ar(dukat) , u vërtetua. Deputetët e parlamentit të Kosovës u shpërblyen për këtë, iu ngritën pagat deri më 1700 euro ndërkaq shefave të grupeve parlamentare deri më 2100 euro. Tani deputetët janë të motivuar të angazhohen për pensionistët ( e kanë lëmoshën 44 euro), punëtorët në arsim (140 euro), punëtorët shëndetësorë (160 euro) , SHPK që me aq vullnet po e mbron rendin e kornizës kushtetuese (170 euro), kategoritë e dala nag lufta( nga ndihmat sociale) TMK-ushtria e ardhshme e Azerbejxhanit( nga 150 euro) etj.etj. Të gjitha këto kategori që i përmenda kanë më së shumti arsye të gëzohen sepse do të përfitojnë më së shumti. Pastaj, edhe deputetët, nuk e kanë aq lehtë, traumatizohen ngase për një mandat 4 vjeçar nuk mund të vijnë në rend ta flasin asnjë fjalë dhe ta dëshmojnë përkushtimin për Kosovën dhe dëshirën për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve etnike ( votuesve të tyre). Tash po bëhet e qartë pse pakoja e Ahtisarit u përkrah aq lehtë dhe me aq entuziazëm. nga parlamentarët e Kosovës. For few euros more, për një grusht euro më tepër!
Prodhimi me afat të skaduar-shëndeti i dëmtuar ( Kurtis në Angli-Sekuritate në Rumani): Në raportin e tij, kryeprokurori i emëruar nga Stiven Shuku, Robert e jo James Dean, i amnestoi policët e Securitates rumun të policisë së UNMIK-ut të cilët më 10 shkurt 2007 ekzekutuan protestuesit paqësorë, Arben Xheladin dhe Mon Balaj si edhe plagosën rëndë e lehtë mbi 80 protestues paqësorë. Ai, në raportin e tij ceku se ka përgjegjësi kolektive për policët rumunë duke përjashtuar përgjegjësinë individuale. Me një fjalë, iu dërgojë një mesazh të qartë policisë së UNMIK-ut dhe pse jo edhe të SHPK-së: mund të vritni protestues paqësorë, sa të doni apo kur të doni ama duhet të jeni në grup sepse përegjegjësia atëhere do të jetë kolektive dhe jo individuale. Në këtë rast ligji ju mbron dhe mund ta vazhdoni punën. Edhe kur po na vrasin, po na nënçmojnë, po na vrasin me plumba dhe municion që i ka skaduar afati i përdorimit. Nuk e di kur e tha këtë kryeprokurori Robert Dean e tha me qëllim të na bind se kemi pasur fat që ishin plumbat me afat të skaduar sepse në të kundërtën, numri i viktimave do të ishte më i madh. Pas këtij raporti mendoj se Robert Dean do të emërohet shef i Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut. Edhe më parë, drejtori i burgut të Dubravës Xhef Çester, pas vdekjes së dhunshme të 5 të burgosurve në këtë burg pati gjetur azil pune në Departamentin e Drejtësisë së UNMIK-ut, ku,medoj se ëshëte edhe tani. Pra, epilogu i krimeve të 10 shkurtit është: Stiven Kurtis i pandëshkuar në Angli, policëte Sekuritates rumune të UNMIK-ut të graduar në Rumani, Fatmir Rexhepi i punësuar në të njëjtën Ministri dhe Albin Kurti duke i kaluar pushimet në të gjitha burgjet në Kosovë dhe Metohi! Dhe, Ulpiana Lama e relaksuar pas stresit mbeti në Qeveri.
Pavarësia e Kosovës, Kosova C dhe simbolet: O komunitete etnike ( sipas Ahtisarit dhe Ekipit të Unitetit), gëzohuni se Pavarësia e tredhur vetëm sa nuk ka ardhë, ose në gjysmën e dytë të këtij viti ose në fillim të vitit 2008. Që atmosfera të jetë me festive, do t’ju argëtojnë 1300 policë të BE, 600 ushtarë të KFOR-it gjermanë që kanë ardhur enkas për këtë ngjarje historike, njësitë speciale të SHPK-së, njësitë speciale për intervenim në situata gazmendi nga Pakistani etj. Gëzimi deri në qiell! Dikush tha se Termocentrali Kosova C është përallë moderne e unë e them se është andrallë shukiane dhe çekiane……..rexhepiane, begolliane etj. Simbolet, ah simbolet e shtetit të Kosovës…flamuri do të jetë si ai i TMKsë ( me ngyra tjera dhe me fatin e TMK-së), himni : Ko to kazhe , ko to lazhe , Kosovo je malo( me propozimin e EU) ndërkaq stema( fotot e Ahtisarit, Lavrovit, Rada Trajkoviqit dhe Ylberit)….ndëras pasaportat, jo të Malishevës por të Ranillugut! Këtë që po e premton Ekipi i Unitetit mund ta realizojnë vetëm nëse e nënshkruajnë Marrëveshjen e Lesh-koqiqit sepse ia garanton bazën legale! Më duhet të tërhiqem për një kohë sepse e kam humbur një mik të madh, Naim Malokun, më është hidhëruar keq. Një ditë, në restorantin “Te Pishat”isha me shoqen dhe fëmijët dhe Naimi ndonëse ishr shumë afër meje as që ma vuri, jo të më flas por as që ma lëshoi shikimin. U ndjeva tepër keq kur djali më tha:” a është ai Naim Pyka dhe pse nuk po të përshëndetë?”. Me një fjalë, isha si Ulpiana Lama pas protestave të 10 shkurtit 2007, nën stres dhe i traumatizuar. Nuk do të shkruaj më për Naim Malokun, më lehtë dhe më shpejt do ta marrë veten. Periudha e rehabilitimit tim shpirtëror, mental, intekelektual, moral, kombëtar, politik dhe patriotik nuk e besoj se do të zgjasë më shumë se destresimi i Ulpianës. Besoj se atëhere do të jem në gjendje të shkruaj. Deri atëhere, u pafshim!

20.04.07 Prishtinë Behxhet SH.SHALA
Tags: , , , , , , ,
Prev: Krimi (i)legal Next: VERBEKE: MISIONI I KS-SË DO JETË INFORMUES

Keine Kommentare: