Freitag, 27. April 2007

Nga Behxhet Shala, TI SHQIPRI ME JEP NDER ;ME JEP EMRIN SHQIPTAR!


Nga Behxhet SHALA '' VETOJA E RUSISE- NGULITJE SERBISE!
Apr 27, '07 5:24 AMfor everyone
Në fund të javës ( Jo nuk kanë vdekur Sejdo Bajramoviqat sepse janë ngjallur Rrahmanë Morinët, Profilizimi i partive politike dhe Cosa Nostra, Pavarësia e mbikëqyrur, sovraniteti, simbolet dhe…, Pakoja e Ahtisarit zgjidhje optimale-bashkimi me Serbinë zgjidhje maksimale, Vetoja e Rusisë-ngulitje Serbisë, Nëse në videofest nuk bëhet shteti-Kosovën e pret kijameti, Politikanët nga taratori-monstrumi( shteti) nga inkubatori, BE gijotinë për politiko-mafinë e Kosovës në Kinë, Brizhit Bardo, Ismet Beqiri, UNMIK-police dhe Vetëvendosja etj.etj.etj.)


VETOJA E RUSISË- NGULITJE SERBISË!


Jo nuk kanë vdekur Sejdo Bajramoviqët sepse janë ngjallur Rrahmanë Morinët:
Në paralagjen e Hilandarit të Graçanicës , Çagllavicën e Mimozës së Trajkoviqit, u organizua nga Qendra Mediale një debat i trojkës: Oliver Ivanoviq, lider i Listës Serbe për Kosovë dhe Metohi dhe ambasador i ardhshëm i Kosovës në Tanzani, Azem Vllasi ish politikan i Jugosllavisë së Jajces, avokat dhe ish këshilltar i ish kryeministrit Bajram Kosumi nga Tuxheci i Mongolisë( po e kuptoni, bëhet fjala për një ish politikan, mirëpo avokat aktual dhe ambasador i ardhshëm, hehehe, mirë thashë, ambasador i ardhshëm sipas pakos së Ahtisarit ose, mundësisht ambasador i Kosovës në Smederevë, Svetozarevë ose, në fund të fundit bën edhe në Siqevë) dhe, sigurisht e dini, figura më problematike në skenën aktuale parapolitike , Numan Baliq-Baba nga Vitomirica kreshnike dhe heroike. Këtu nuk u diskutua as për Jajcën historike, as për simbolet identifikuese të gomarit, as për shetitjet e natës te gardhi i Behramit nga zonjusha Rinë, as për 43 putanat e rreshter Omarit por pikërisht për Misionin Fak(t)mbledhës të Fatmir Mbekit dhe …..bolet e ashik Ahtisarit. Tre dai, tri mendime, tri qëndrime dhe tri kundërshtime. Drugovi, filloi Azemi, nuk ka më biseda me Serbinë sepse çdo gjë ka përfunduar, me një fjalë gotovo je, gotovo.. Plani i Ahtisarit nuk është më i miri por nuk ka tjetër, është i vetmi( është sikur libri i shenjt ). Nuk janë më gjallë Sejdo Bajramoviqi dhe Rrahaman Morina, ata kanë vdekur. Me ta nuk mund të bisedoni më. Tani e kemi Ekipin e Unitetit, janë gjallë dhe të fortë, mirëpo as ata nuk pranojnë të bisedojnë me Serbinë sepse njëhere kanë thënë, pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës nuk negociohen dhe pikë! Shyqyr, deri më tani e kanë mbajtur fjalën, 101%! Edhe Oliveri u mbajt si burrat, e mbrojti pavarësinë e Shtërpcës, Ranillugut, Graçanicës, Kllokotit, Novobërdës, Mitrovicës, Zubin Potokut, Leposaviqit, Parteshit, Mishleshit dhe komunave të tjera nën sovranitetin e otac Pavlit. Madje, ka deklaruar se Shtërpca me Rada Trajkoviqin mund të bëhet si Monako ( jo me Leme Xhemën) por me Grejs Kellin, rahmet shpirti i pastë! Po e bukur ka qenë, më e bukur se Rada. Ishalla nuk e lexon këtë Adem Demaçi, për Radën e kam fjalën. Ahmadinexhadi i Vitomiricës( siq po e quajnë prapa shpine), Numan Baba, Melihatja e vitit 1989 ( ishte më burrë se krejt burrat e atëhershit) e dha diagnozën e saktë për pakon e Ahtisarit: e mirë vetëm për serbët dhe kancerogjene për të tjerët. Terapinë na caktojnë më vonë dhe ate paliative, i zbutë dhembjet( kompromiset e dhembshme) ama nuk na shpëton nga eutanazia politike. Dhe diçka, nga Jajca ( bolet në shqip ) ka dalë Jugosllavia e AVNOJ-it (sa shumë emocionohen disa politikanë aktual ), nga bolet - jajcet në gjuhën serbe e ashik Ahtisarit mund të dali Kosova me pavarësi të tredhur( të mbikëqyrur), emocione të njëjta, për politikanët e njëjtë! Plus, disa të rinj!

Profilizimi i partive politike dhe Cosa Nostra:
Kohëve të fundit është folur shumë për partitë politike, çfarë janë ato: të majta, të djathta, të qendrës, të kornerit, të prapaskenës, hermafrodite, potente, impotente, prepotente, homogjene, heterogjene, krenare, patriotike, simpatike, antipatike, njëetnike, multietnike, shizofrenike etj. Merreni me mend, prej krejt këtij repertoari, liderët e tyre ( si macho që janë) janë përcaktuar vetëm për tri: e majta, e djathta dhe e qendrës. Sigurisht e dini pse, punë ( instrumente) mashkullore janë këto), thënë kushtimisht. E tash cila është lidhja midis partive politike dhe mafias - Cosa Nostra? Së pari, ngjashmëritë e pastaj flasim për dallimet. Edhe mafia edhe partitë politike( jo të gjitha ) janë struktura të organizuara, e para ilegale e dyta legale. Kryesisht mbështeten në njerëz të besueshëm, në daja dhe nipa. Bazën e kanë të njëjtë, trimoshat – elektorat - xhemati ( ushtarët ), pastaj vijnë informatorët( mbështetësit ), ekzekutuesit ( vrasësit ), familjet, Kupolat ( lidhje familjesh) dhe komisionet provinciale si edhe Komisioni kryesor. Në maje të piramidës udhëheqëse është il padrino ( kumbara ) apo SHEFI. Aktivitetet i kanë të përbashkëta : diktojnë vullnetin e tyre me çdo kusht, kontrollojnë bizneset( kryesisht të pista), kontrollojnë proceset ekonomike, politike, i eliminojnë në mënyrë të paskrupullt kundërshtarët dhe konkurencën, e institucionalizojnë krimin e organizuar, me një fjalë duan të fusin nën kontrollë çdo gjë. Kaq për ngjashmëritë dhe tash për dallimet….. Më vjen keq që do t’ju dëshproj por nuk e di asnjë dallim midis këtyre dy subjekteve. Me gjasë edhe nuk ka!

Pavarësia e mbikëqyrur, sovraniteti, simbolet dhe….Para ardhjes së Misionit fak(t)mbledhës në Kosovë, anëtarët e Ekipit të Unitetit filluan një aktivitet gjithpërfshirës duke vizituar qytetet e ndryshme për t’i bindur qytetarët se Kosova e pavarur dhe sovrane vetëm sa nuk ka mbërri, është te dera. Kryeministri aktual i Kosovës dhe kandidati permanent për kryeministër( sikur Kadareja për çmimin Nobel) ishin paksa më aktiv ( nëse përjashtohet trubaduri i Llapit – Skenda nacionale ). Kryeministri aktual deklaroi , me siguri të plotë, se Kosova do të bëhet sovrane dhe e pavarur në muajin maj. Ndërkaq, unë i them se nëse Kosova do të bëhet e pavarur në maj të këtij viti, lirisht le të shkojë në shtëpinë e modës……….( pronar, Çin Çi Mun, kushëri i Bank Ki Mun, person me ndikim të madh në OKB, ku edhe vendoset nëse z. Çeku do ta fitojë kushtin ose jo) dhe të vishet i tëri, prej këpucëve deri te borsalino. Adresa është “vëllezërit Fazliu” nr.1244 , Kodra e Trimave, Prishtinë, Kosova pa Metohi. I ka të paguara. Cilësia është në përputhje me përmbajtjen e pavarësisë dhe shkallën e sovranitetit. Me një fjalë, dushk për gogla. Fajtorët kryesorë pse nuk u shpall konkursi për simbolet “shtetërore” të Kosovës janë Skendë Xhuxhikashvili dhe Dina Kajmakova. Z. Xhuxhikashvili ( një diktator i improvizuar, për një përdorim ) këtë e bëri me një urdhëresë orale ndërsa zonja Kajmakova me një urdhëresë administrative. Duhet thënë se z. Xhuxhikashvili, në të shumtën e rasteve stoliset me puplat e të tjerëve! Simbolet e dëshiruara do t’i kemi kur kryeministri aktual të pajiset me veshje dhe mbathje te kushëriri i Ban Ki Mun dhe kur të vendosë Zeusi i Arbërisë , edhe për ngjyrat edhe për dukjen e këtyre simboleve. Siç po veprohet me Kushtetutën e Kosovës. Në sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë u përkujtua përvjetori i vdekjes së Fadil Vatës, luftëtarit të pakompromis për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës( jo të llojit të Ahtisarit). Oratorët kishin problem t’i lexonin tekstet e shkruara më parë dhe kush e di nga kush ishin shkruar. U përkujtuan një plejadë e ish të burgosurve politikë, që dikur kontribuan për Kosovën e tani po punojnë për Ahtisarin. Merreni me mend, nuk u përmend emri i asnjë femre të burgosur, të gjithë meshkuj e shkuar meshkujve! Në këtë mënyrë femrat dolën më burra se këta burrecat që e bënë këtë. Organizatorët u pikëlluan pse këtë përvjetor nuk e përshëndetën, presidenti i Kosovës, kryeministri i Kosovës dhe kryeparlamentari i Kosovës. Dhe thanë se e kemi lirinë, shtetin dhe institucionet por, nuk e përmendën Albin Kurtin, Naser Shatrin, Zgjim Hysenin, Arbnor Deharin, Frashër Krasniqin, Sali Veselin e shumë të tjerë, të cilët, për mendimin tim janë më të lirë se ne që ishim në sallë. Fadil Vata nuk i dëgjonte. Dikush tha, po të ishte Adem Demaçi e të e mbante një fjalë rasti. Mirëpo, kjo nuk ishte e mundur sepse Baca Adem ishte shumë larg, tepër larg……………5 metra nga mikrofoni! Karakteristikë e këtij përkujtimi ishte se në sallë ishte i gjallë për së vdekuri Fadil Vata dhe disa, të vdekur për së gjalli! Për turpin e tyre.
Në Shqipëri dha dorëheqje ministri i punëve të jashtme, Besnik Mustafaj, për shkak të lodhjes së madhe. Diplomacia shqiptare moti është e lodhur sidomos kur ishte në pyetje çështja e Kosovës, nuk e kishin guxim ta mbronin pavarësinë e Kosovës por flisnin për një Kosovë europiane. Tani është një ministër i ri, ish punonjës i UNMIK-ut, Lulëzim Basha. UNMIL-u po forcohet në Shqipëri! pse mos të thuhet se ky dhe disa të tjerë kanë qenë njerëz të besueshëm të UNMIK-ut, kanë qenë përpiluaes të dosjeve për politikanët kosovorë, rekomandimet e tyre kanë qenë përcaktuese për përshtatshmërinë apo eliminimin e politikanëve të Kosovës. Pastaj, tribunali i Hagës. Të gjitha këto i kanë bërë për një grusht dollarë!
Pakoja e Ahtisarit, zgjidhje optimale- bashkimi me Serbinë, zgjidhje maksimale:
Kryeparlamentari i Kosovës, pas një takimi me një delegacion të huaj deklaroi se pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës, sipas pakos së Ahtisarit është zgjidhje optimale dhe e vetmja zgjidhje e qëndrueshme. Rrjedhimisht, meqë pakoja e Ahtisarit e përjashton bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ( vend tjetër ) zgjidhja maksimale mbetet bashkimi me Serbinë sepse ende jemi një vend sipas 1244! Duhet ta sakrifikojmë optimalen për maksimalen, apo jo?

Vetoja e Rusisë- ngulitje Serbisë:
Serbia, mbeturina e fundit nga Jugosllavia e Jajces po bën çmos ta demontojë pakon e Ahtisarit e cila në fakt e riinkarnon praninë e Serbisë në Kosovë, përmes enklavave, Shtërpcës së Monakos, Qipros së Mitrovicës dhe Hilandarit të Graçanicës. Krejt këtë përpjekje e bënë duke shpresuar ne veton e Rusisë e cila nëse miratohet ( unë nuk e besoj këtë, Rusia do ta imponojë një Rezolutë shumë më të butë ), Serbinë politikisht e çon në shkretëtirat e Azisë dhe xhunglat e Bolivisë. Prandaj e them se vetoja eventuale e Rusisë nuk është shpëtim i Serbisë por ngadhnjim i drejtësisë! Pas vetos eventuale të Rusisë do të krijohet një situatë kur Serbia humb politikisht dhe shkatërrohet strategjikisht ndërsa Kosova fiton ët trashët e Sulës saktësisht entitetin politik shqiptar. Shumë punë do të kryhen prapa perdeve, si tenderët e Kosovës, muhalifet e Gjakovës dhe pasuli i Tetovës! Kosova mund të mbetet e bashkuar formalisht por do të ndahet faktikisht. Dhe të gjithë do të flasin për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës !

Nëse në videofest nuk bëhet shteti- Kosovën e pret kijameti:
Edhe një ngjarje spektakolare në Kosovë, para ardhjes së Misionit Fak(t)mbledhës u zhvillua paraloja politike, pornografike dhe erotike. Pra, e kam fjalën për Videofestin 2007. Tepihu i kuq, si ai i Josip Brozit – Titos së adhuruar. Mungonte vetëm Garda e Kosovës e cila ishte trajnuar enkas për këso situatash. Institucionet i patën investuar nja 350.000 euro sepse, ishte paraparë që pas pavarësisë së Kosovës të muajit qershor 2006, në aeroprtin e Prishtinës të bëhej pritje nderi për pushtetarët e atëhershëm të Kosovës. Fundi dihet, Garda e Kosovës hyri në pakon e Ahtisarit dhe po del prej saj kapuq , ish pushtetarët janë e nuk janë dhe shumë mirë që nuk janë, ndërsa tepihu i kuq u vendos para Teatrit Kombëtar! Përmbajtja e Videofestit nuk dallonte shumë nga Mbledhjet e Kuvendit të Kosovës, ishte në fakt një kopje e zbehtë, anemike. Vetëm bëhej zhurmë më shumë. Niveli artistik ishte i njëjtë. Pasi, të gjithë e dimë se në Kuvend nuk u bë shteti dhe nëse nga Videofesti nuk bëhet shteti- Kosovën patjetër e pret kijameti! Videofesti më tepër i përngjante anijes së Noas, ruhej lloji , vazhdimësia politike, parapolitike, erotike, patriotike, kombëtare, ndërkombëtare, pornografike dhe multietnike. Sipas standardeve.

Politikanët nga taratori- shteti monstrum nga inkubatori:
E takova Adem Demaçin. Dikush e quan Bacë, dikush Mendela i Kosovës, dikush vëlla i serbëve, tjetri e quan kushëri i pogallavicës së romëve të Kosovës, Haxhi Zylfi Merxha ( e kisha zgjedhë kryeparlamentar të parë të Kosovës së Ahtisarit, nuk ka më të mirë, më besoni), pastaj vardisës i Rada trofërtaljkës, baba i Ballkanisë, njerk i pavarësisë, varrëmihës i robërisë etj.etj. Isha kurreshtarë ta dija pse ka ardhur në Kosovë?! Në ndërkohë kuptova se Kuvendi i Kosovës, me kërkesën këmbëngulëse të Naim Malokut, veni re, e përsëris, Naim Malokut, mbajti seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës pikërisht për vlerësimin e rolit të Adem Demaçit në krijimin e shtetit të Guinesë Bisao dhe pavarësinë e Gjibraltarit. Në këtë seancë u vendos që për merita të jashtëzakonshme, Adem Demaçit t’i rritet pensioni nacional, nga 40 euro në 43 euro. Kishte propozime edhe për 45 euro por ndërhyrja e Fondit Ndërkombëtar e pengoi këtë propozim që Bacës Adem do t’ia zgjidhte përfundimisht statusin material. Gjithashtu u vendos që Adem Demaçi mund ta ketë pasaportën e Kroacisë, Serbisë dhe Shqipërisë si edhe lirisht mund te jetojë në ato shtete. Mirëpo në Kosovën e Jajces së Ahtisarit, nëse nuk është persona non grata, nuk është as persona grata! Nejse, e pyeta Bacën për mendimin e tij për këtë shtetin e Kosovës ndërsa ai u përgjigj: “ Kosovën e ka shti Europa në inkubator( për të painformuarit në inkubator i fusin fëmijët e pavaktë-pakohë e në këtë rast vendet e pavakta!) ashtu si është, pa një këmbë, pa një dorë, pa një sy, pa një vesh, pa mend por Kosova e ka zemrën e fortë dhe do ta përballoj këtë. Gjithashtu edhe tretjen e ka të fortë andaj edhe jashtëqitjet i ka të rregullta( mendoj se i ka më se të rregullta madje barkqitje konstante). Po, ky qenka shtet monstrum ishte komenti im. Ashtu është por megjithatë do të mbijetojë ishte përgjigjja e vetme e Bacës. Mendoj se me këta politikanët tonë nga taratori vështirë e ka të dali Kosova nga inkubatori!

BE –ja gijotinë për politiko-mafinë e Kosovës në Kinë:
Pas UNMIK-ut duket se do të vij BE-ja. Misioni i UNMIK-ut po e përmbyll misionin për faqe të zezë ( dhe për të është me rëndësi që vetëm të tërhiqet nga Kosova pas këtyre dështimeve) , më zi nuk ka ku të shkojë. Mision më të dështuar nuk ka pasur asnjëhere në botë, besoj se edhe vështirë mund të përsëritet. Nëse BE-ja nuk dëshiron të jetë kopje e UNMIK-ut as që do të duhej t’i reciklonte kuadrot e dështuara si Borg Olivie, Çesterat etj. që , në emër të drejtësisë e ka forcuar krimin e organizuar duke mos e luftuar asnjëhere. Puna e parë që do të duhej ta bënte BE në Kosovë është demontimi i piramidës së mafisë politike që e ka krijuar UNMIK-u, me një fjalë ate që e pati filluar Xhovani Fallkone në Itali kundër mafias- Cosa Nostras. Në këtë mënyrë do të ndërprehej aorta-qarkullimi-furnizimi për kriminelët e luftës dhe të paqes, profiterët e luftës dhe të paqes pra, do të bëhej dekriminalizimi i politikës dhe penalizimi i krimit! Nëse nuk veprohet kështu, atëhere BE –ja do të jetë vetëm një jashtëqitje e UNMIK-ut, asgjë më tepër!

Brizhit Bardo, Ismet Beqiri, UNMIK –police dhe Vetëvendosja:
Dikur, bomba seksuale e përmasave botërore as që qante kokën për kafshët më fisnike e lere më t’i binte ndër mend për qent endacak të Prishtinës. E mbështjellur me gëzofin e leopardëve, arinjve dhe kafshëve të tjera ekzotike që iu kanosej rreziku për shfarosje, prehej në krahët e bonvivanëve botërorë. Kur e lëshojë takati iu kthye një aktiviteti vërtet human edhe pse bëhej fjalë për mbrojtjen e kafshëve. Në të njëjtën kohë, kryetari aktual i Prishtinës bënte petulla prej llaqi diku në Llap, si fëmijë i parehatshëm. Por , fatit nuk i dihet asnjëhere. Tash, Ismet Beqiri iu përgjigj Brizhit Bardos me një përgjigje diplomatike. I vjen keq për qent por ata duhet të vriten shkaku se e rrezikojnë jetën e qytetarëve të Prishtinës. Me këtë arsyetim edhe ministri Bujar Dugolli e arsyetojë futjen e 84 mauneve me ujë-derivate kancerogjene nga Maqedonia ndonëse ditë më parë e kishte ndaluar këtë, për shkak se rrezikojnë jetën e qytetarëve të Hanit të Elezit. Më impresionon kujdesi dhe interesimi i Bujar Dugollit për sigurinë e qytetarëve të Kosovës e posaçërisht të atyre të Hanit të Elezit. Pastaj, maunat bëhen të papërdorshme nëse qëndrojnë në kufi, funksionalizohen kur të zbrazen në pikat e karburanteve të përfaqësuesve të IPVQ-ve të Kosovës. Atëhere të gjithë fitojnë dhe ministri Dugolli nuk ka më arsye të brengoset për sigurinë e qytetarëve të Hanit të Elezit. E tash për Brizhit Bardon dhe Ismet Beqirin jo për Romeon e Xhulijetën. Duket se Brizhit Bardo e ka huqur kohën. Në Prishtinë qentë janë vrarë vazhdimisht. Edhe Ismet Beqiri nuk i vret qent, as Shefki Gashi kur mungon Ismet Beqiri. Vetëm për diçka jam i sigurt, po t’i kishte dërguar letër ajo Ismetit ( por edhe mua ) nja 40 vjet më parë e të ishte ky Ismeti i sotit, më besoni se më shumë do të kishte qenë në Prishtinë, se banorë. Jo që nuk i kishim vrarë qentë e Prishtinës por i kishim marrë në mbrojtje edhe qentë e Llapit dhe Gollakut. Edhe unë do të veproja ngjashëm , kur më kujtohet Brizhitka e ditëve të adoleshencës sime dhe të gjeneratës sime.. Ismet Beqiri është dashur t’i shkruaj Brizhitkës, se në Prishtinë, nga policia e UNMIK-ut, në protestën e 10 shkurtit të organizuar nga Vetëvendosja janë ekzekutuar në mënyrë qenqe, aktivistët paqësorë dhe, askush nuk ka dërguar letër të kërkojë ndalimin e vrasjes dhe burgosjes të demonstruesve paqësorë. Mos duhet të jeshë qen që të tërheqësh kujdesin e të tjerëve dhe dikush të të merr në mbrojtje. Në Kosovë duket se po. Ashtu është!

Alo, alo, alo….Anton Zolla :
Hetimet për tentimatentatin ndaj kreut të ART-së janë mbështjellur me një vello të mistershme. Më parë Antoni dyshohej për vetatentat, demek ka dashur ta vras veten me kalashnikov! Marrëzitë nuk kanë fund. U desh që të aktivizohej edhe granatahedhësi dhe kjo çështje të merrej më seriozisht. Nëse edhe kësaj radhe hetimet ndalohen apo devijohen për shkak të ruajtjes së kokave politike dhe institucionale që të evitohet tërrmeti politik atëhere mund të flasim për një drejtësi të dajakut, të krimit etj. Krimi luftohet duke u goditur në kokë , nëse krimi nuk është shndërruar në oktapod!


Behxhet SH.SHALA
Prishtinë, 27.04.'07

Keine Kommentare: