Mittwoch, 18. April 2007

Rikthimi ne rrethin vicioz ,shkruar nga Esat Avdyli

Rikthimi në rrethin vicioz


Desha të shkruaj për diçka të pa thënë. Për diçka të përjetuar me zemër e shpirt të thyer. Për krenarinë e dhembjeve kreshnike. Për trimat dhe trimëreshat e kohës sonë të cilat nuk kursyen asgjë, bile as jetën për të arritur lirinë...
Desha të shkruaj për ata që me armë në dorë i dolën në ballë armatës serbe, paramilitarëve serbë, çetnikëve serbë duke i lënë në dheun e shkrumbosur gjymtyrët e trupit dhe rrjedhat e gjakut rrëke për të shtrenjtën liri dhe që tani pothuajse u harruan nga të gjithë apo përmenden vetëm atëherë kur përkujtohen edhe të rënët.
Desha të shkruaj për luftëtarët që luftuan maleve të dendura, shkrepave të spërkatur me gjak vajzërie e djalërie, fushave që në vend të bimëve korreshin trupa njerëzish dhe u bënë ballë, por kur dolën nga lufta si fitimtarë u sulën kolltuqeve, lartësive partiake e deri te lakmia për të arritur majat më të larta të shtetit pa shtetin e formuar... për këto qëllime dhe atë kryesorin, pasurimit të shpejtë, harruan luftën e bërë, harruan shokët e plagosur, shokët e vrarë, shokët që akoma jetojnë nëpër tenda e kasolle, harruan familjet e dëshmorëve dhe fëmijët e tyre, por siç po duket do të harrojnë edhe qëllimin përse luftuan, do të harrojnë se akoma nuk ka ardhur liria, akoma nuk kemi bërë shtetin...
Por u ndala...U ndala të mendoj edhe pak më ndryshe. Rash në dilemë të shkruaj apo të mos shkruaj. A të them edhe unë diçka apo të zhytem në të kaluarën trishtuese të vetes dhe popullit...që akoma pret me shpresë se nesër do të bëhet më mirë... e këto të nesërme nuk po ndalen dhe po sgjasin qe shtatë vjetë të tëra pa u ndryshuar gjendja pothuajse fare...
Dhe..jo...nuk munda të heshti sepse gjaku u derdhur më shtyn të them se luftuam për ta arritur lirinë e përmes saj pastaj edhe lumturinë, pasurinë...Lirinë që e meritojmë, lirinë që duhet ta gëzojmë edhe ne shqiptarët...
Dhe për një çast ndalem...Mundohem të pushoj dhe ta largoj mendjen nga e kaluara, nga lufta, nga trishtimi...
Kur mendoj t’ia nisi sërish shkrimit sikur më humbasin fjalët dhe mendimet treten diku larg në bjeshkët e Sharrit, Kopaonikut, Pashtrikut. Tretem në Jezerc, Dukagjin, Drenicë, Llap e Karadak...
Mundohem ti harroj, por nuk kam fuqi për ti harruar, sepse nëpër këto troje është derdhur djersë e gjak, dhembje e lot, këngë e vaj përnjëherë, hidhërim dhe gëzim...
Tani i shikoj njerëzit. Dikush në emër të luftës vazhdimisht po pasurohet edhe përtej mundësive ndoshta. Dikush në emër të burgut, mendoj burgut që e ka mbajtur për çështje vërtet kombëtare, po mundohet të arrij qiellin dhe nuk e din as fillin e as mbarimin e sjelljevenormale, apo sikur shpreh gadishmëri që në emër të ati burgu të përvetësoj çdo gjë, bile, bile edhe të drejtën e disponimit me njerëzit...
Por a ka vlerë lufta e bërë pr liri nëse në emër të saj mundohemi të shfrytëzojmë kohën dhe të pasurohemi brenda natës ?
A ka vlerë burgu u vuajtur dikur për çështje të madhe kombëtare nëse tani mundohemi ti shkelim të gjitha ato vlera, të shkelim gjithëçka para vetes, qofshin ato ligje, norma njerëzore apo edhe vetë njerëzit për interesa thjeshtë personale ?
Në këto pyetje të nderuar lexues unë nuk do të përgjigjem, dhe as që do të tentoj të bëjë farë analize rreth këtyre...
Dhe kështu duke menduar për këtë kategori njerëzish më duket se mbeta pa e thënë atë që mendova ta them. Mbeta pa thënë asnjë fjalë për trimat dhe heronjtë,luftëtarët dhe dëshmorët që kanë mbetur sikur thëneglat nëpër buca dheu për të kërkuar shpëtim dhe mbijetes...Që kanë mbetur pa kurrpfar mbikqyrje institucionale, bile herë – herë as njerëzore...
Dhe tani veprimet e të tillëve më duken dhe më dlin më të rënda se sa veprimet e dikurshme të pushtetit okupues...më të rënda se sa edhe vetë vdekja...
Duket se po pa përsëritet historia, duket se jemi kthyer prapa përsëri në rrethin vicioz e nuk dim se si të dalim dhe sërish të tjerët na mësojnë se çka duhet ne të ndërmarrim. Kur them ne mendoj në klasënpolitike që akoma nuk e kemi ashtu siç duhet të jetë, apo ashtu siç e kanë popujt tjerë...
Ndoshta do të ishte më mirë që të heshti...por vërtet nuk mundem...

Esat Avdyli

Keine Kommentare: